Shpejtimi në gjykim ndaj kundërshtuesve dhe mëkatarëve është gabim

Shpejtimi në gjykim ndaj kundërshtuesve dhe mëkatarëve është gabim

Një gjë nga e cila duhet pasur kujdes është se kur ndokush ia tregon dikujt një prej Ligjeve e dispozitave të Allahut, ai i urren dhe nuk i pranon se janë prej Ligjeve të Allahut. Nëse ai vepron kështu, ne nuk duhet që menjëherë të shpejtojmë t’i themi se bën kufër dhe se po e urren fenë e Allahut, sidomos në rastet kur i tërhiqet vërejtja në kohën që është duke e vepruar ndalesën apo haramin. Nuk duhet gjykuar menjëherë se ai po e urren Kuranin e sunetin sepse ka mundësi që të jetë e gabuar mënyra se si personi i është afruar, apo mënyra se si ja sqaron të vërtetën, apo urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja ndaj tij të jetë mënyrë të gabuar. Ai nuk e urren dispozitën e Allahut ngaqë ajo është e vërtetë prej Allahut, por e urren për shkakun se tjetri nuk ka ditur t’ia sqarojë të vërtetën, apo se ndoshta mes atyre të dyve ka probleme e armiqësi personale dhe personi nuk e pranon atë që ia sqaron nga feja.

 

Kështu, sot ndodh shpesh te ne kur i biri/e bija i thotë prindit se kjo e ajo gjë është nga feja, ai e konsideron fëmijën e tij më të ulët dhe nuk e pranon prej tij. E ne nuk duhet të shpejtojmë e të themi se ky njeri e urren fenë e Allahut. Patjetër se kjo çështje duhet të shtjellohet në detaje se kur njeriu konsiderohet se e urren fenë e kur jo.

Gjithashtu, disa prej njerëzve nxjerrin përfundime/gjykime për disa prej mëkatarëve që veprojnë mëkate të mëdha. Kështu, nëse dikush e rruan mjekrën, apo pi alkool, apo e lëshon rrobën nën nyjën e këmbës, apo bën imoralitet, apo merr kamatë etj., disa myslimanë menjëherë gjykojnë dhe thonë se domosdoshmërish prej veprave të tyre po kuptohet se ata e urrejnë fenë. Ky gjykim është gabim, ngase kjo është në kundërshtim me akiden e ehli sunetit. Nëse ndokush gjykon në këtë mënyrë ndaj një personi, atëherë ai ka gjykuar për xhehnem ndaj tij, e ka konsideruar atë si jobesimtar. Ndërsa, akideja e ehli sunetit gjykon se ata që veprojnë mëkate të mëdha, qëndrojnë nën dëshirën e Allahut, nëse do Ai ua fal dhe i fut direkt në xhenet pa i dënuar, e nëse do i ndëshkon, mirëpo nuk i lë përgjithmonë në xhehenem, pas një kohe i nxjerrë dhe i fut në xhenet.

Këto janë disa çështje ndaj të cilave duhet të kemi kujdes se si duhet të sillemi ndaj atyre që veprojnë vepra që janë në kundërshtim me Kuranin dhe sunetin.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset rreth komentimit të 10 asgjësueseve të Islamit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit