Shpresa tek Allahu
Junusi alejhi ue selem gjendej brenda tri errësirave (errësira e natës, e detit dhe e barkut të balenës) dhe në vështirësi e brengë të madhe, megjithatë kurrë nuk e humbi shpresën tek Allahut, përkundrazi zemra e tij ishte e mbushur me shpresë tek Ai. Andaj e luti Allahun me shpresën që Ai ta çlironte nga kjo gjendje:
﴿ لَّآ إِلَٰهَ إِلَّآ أَنتَ سُبۡحَٰنَكَ إِنِّى كُنتُ مِنَ ٱلظَّلِمِينَ﴾
“Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Teje. Ti je i lartësuar nga çdo e metë. Vërtet, unë i kam bërë keq vetes!”
Dhe menjëherë erdhi lehtësimi nga kjo gjendje e vështirë që kishte: “Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” Enbija 88.
Ndërsa, Jakubi e kishte humbur djalin e tij Jusufin për vite me radhë, e pastaj edhe Benjaminin, e megjithatë kishte shpresë të madhe tek Allahu, “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” Jusuf 87.
Shpresa tek Allahu është prej veprave madhështore të zemrës, ajo është njëra prej tre shtyllave të adhurimeve tona dhe njëri prej dy krahëve gjatë shtegtimit për tek Allahu. Kjo vepër e zemrës ka këtë pozitë kaq të lartë sepse buron nga dija dhe dituria rreth Emrave, Cilësive dhe veprave të Allahut. Forca e shpresës te personi është varësisht dijes dhe njohurive që ka ndaj Allahut dhe ndaj Emrave e Cilësive të Tij, po ashtu varësisht njohurive që ka ndaj Mëshirës së Tij (e cila ka triumfuar zemërimin e Tij).
Të kesh shpresë tek Allahu do të thotë:
-vazhdimisht të shpresosh e ta përgëzosh veten për mirësitë dhe bujarinë e Allahut, dhe kështu zemra qetësohet.
-të jesh i bindur se do të arrijnë tek ti mirësia dhe bujaria e Allahut.
Disa pika që tregojnë për rëndësinë e shpresës tek Allahu:
▪ Shpresa tek Allahu është shenjë për besimin tënd dhe e kundërta. Varësisht besimit që ke, do të jetë edhe shpresa tek Ai.
▪ Shpresa tek Allahu është shkak ta duash Atë.
▪ Shpresa tek Allahu nxit në shtimin e veprave të mira (sepse shpreson për t’u shpërblyer në të dy botët).
▪ Shpresa tek Allahu nxit në pendim dhe kthim tek Ai sinqerisht (sepse kur e di se Ai t’i falë mëkatet atëherë do të pendohesh).
▪ Shpresa tek Allahu është shkak për lehtësimin e vështirësive dhe brengave dhe për faljen e gjynaheve.
▪ Shpresa tek Allahu është shkak për afrimin tek Allahu dhe lidhjen e fortë me Atë.
▪ Shpresa tek Allahu është shkak për zgjerimin e gjoksit dhe qetësimin e zemrës. Një njeri të tillë nuk e luhatin brengat, shqetësimet e pikëllimit e shumta dhe nuk e dobësojnë sprovat që e godasin.
▪ Shpresa tek Allahu është shkak për t’iu përmbajtur rrugës së mesme, sepse shpresa e balancon frikën ndaj Allahut, dhe kështu besimtari nuk anon nga njëra anë, por ndjek të mesmen. Ai që ka vetëm shpresë në zemër, atëherë do të braktisë veprat e mira dhe do të shpresojë tek Allahu pa vepruar (kjo gjë është gabim). Ai që ka vetëm frikë në zemër, atëherë do të humbasë shpresën tek Ai. Andaj, duhet patjetër të kesh shpresë dhe frikë (të balancuar).
Disa ajete që tregojnë për këtë adhurim të zemrës janë:
-“ju shpresoni prej Allahut atë që ata nuk e shpresojnë.” Nisa 104.
-“Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut.” Bekare 218.
–“Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij.” Isra 57.
-“Kur Allahu i krijoi krijesat, shkroi në një Libër i cili është tek Ai, mbi arsh: “Mëshira Ime triumfon mbi zemërimin Tim!” Hadith.
-“Allahu është më i mëshirshëm sesa kjo nënë për fëmijën e saj.” Hadith.
-“Kur dikush prej jush praktikon Islamin në formën më të mirë, atëherë për çdo të mirë që kryen shpërblehet dhjetëfish deri në shtatqindfish, ndërsa për çdo të keqe i shkruhet një e keqe.” Hadith.
-“Allahu e shtrin dorën e Tij gjatë natës që të pendohet ai që ka bërë mëkate gjatë natës dhe shtrin dorën e Tij gjatë ditës që të pendohet ai që ka bërë mëkate gjatë ditës, kjo derisa të lindë dielli nga perëndimi.” Hadith.
-“Allahu ka 100 mëshira, një prej tyre e ka zbritur në mesin e krijesave dhe përmes saj mëshirojnë njëri-tjetrin, madje dhe egërsira e mëshiron të voglin e saj, ndërsa 99 mëshira i ka lënë për Ditën e Gjykimit (me të cilat do t’i mëshirojë robërit e Tij atë Ditë).” Hadith.
–“E drejta e njerëzve ndaj Allahut është që të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë shirk Atij.” Hadith.
Disa dobi që përfitohen nga shpresa tek Allahu:
- Përmes shpresës tek Allahu shfaqim nevojën për Atë në çdo gjë.
- Allahu dëshiron që njerëzit të shpresojnë tek Ai.
- Ajo nxit dhe inkurajon njeriun përgjatë rrugëtimit për tek Allahu.
- Ajo dërgon në dashurinë ndaj Allahut dhe kënaqjen me Atë.
- Ajo dërgon në nivelet më të larta të besimit, që është niveli i falënderimit ndaj Allahut.
- Ajo nxit në shtimin e diturisë rreth Allahut dhe Emrave dhe Cilësive të Tij.
- Personi që ka shpresë tek Allahu është në pritje të të mirave të Tij, dhe kjo e bën të jetë i lidhur me Atë, të bëjë dhikër, të kthehet me zemër tek Ai dhe të shohë gjurmët e Emrave dhe Cilësive të Tij në këtë univers.
Çështje: Ai që është neglizhent në raport me Allahun dhe bën mëkate e pastaj kthehet me pendim tek Ai dhe kërkon falje, duhet të shpresojë tek Allahu se Ai se do ta falë atë. Po ashtu, ai që kryen vepra të mira dhe e adhuron Allahun, duhet të shpresojë se Ai do ta shpërblejë në këtë botë dhe tjetrën. Ndërsa, ai që bën mëkate e gabime të ndryshme, dhe pastaj shpreson mëshirën e Allahut, ky është mashtrim i shejtanit, ngase Allahu ka thënë: “…kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” Kehf 110. Së bashku me shpresën tek Ai, na urdhëron të veprojmë vepra të mira.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.