Si bëhet dhikri pas namazit?

Përgjigje: Në parim tesbihu dhe dhikret e kërkuara (prej muslimanit) duhet të thuhen menjëherë pas namazeve farz. Për këtë tregon kuptimi i dukshëm i haditheve që flasin në këtë temë. Prej tyre është hadithi që flet rreth leximit të Ajetul Kursiut i cili transmetohet prej Nesaiut, Ibën Hibanit, Darekutniut, dhe Taberaniut në “El Kebir” prej Ebu Umames, radijallahu anhu, e që Shejh Albani e vlerëson si sahih (autentik) në “Es Sahiha” nr. 972. Në këtë hadith i Dërguari, salallahu alejhi we selem thotë: “Atë që e lexon ajetul kursiun pas çdo namazi farz, nuk e pengon nga hyrja në Xhenet përveç vdekjes.”

Pastaj, është hadithi që përcillet në Sahihun e Muslimit dhe të tjerë prej Thewbanit, radijallahu anhu, i cili tregon se: “I Dërguari,salallahu alejhi we selem, kur e mbaronte namazin (farz) thoshte tri herë estagfirullah, pastaj e shtonte: Allahumme entes-selam weminkes-selam, tebarakte ja dhel xhelali wel ikram.”

Po ashtu, hadithi i Ka’b bin Uxhrah, radijallahu anhu, i cili tregon se i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë:

“Janë disa fjalë që thuhen pas çdo namazi farz e që thënësi (apo vepruesi) i tyre nuk do të zhgënjehet kurrë: tridhjetë e tri herë subhanallah, tridhjetë e tri herë elhamdulilah, dhe tridhjetë e katër herë Allahu ekber.” E transmetojnë Muslimi dhe të tjerët. Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, kur e shpjegon këtë hadith në “EsSilsile Es Sahiha” thotë:

“Ky hadith është tekst i prerë që tregon se ky dhikër thuhet menjëherë pas namazit farz. Njëjtë me të janë edhe dhikret e tjera që thuhen para apo pas këtij dhikri (të cekur në hadith); pavarësisht a është ky namaz që ka namaz sunet pas tij apo jo. Kurse, ato medhhebe që e kanë mendimin se këto dhikre duhet të thuhen pas namazave sunet, përveç faktit që nuk kanë tekst (hadith) të prerë ku e mbështesin mendimin e tyre, ata me këtë e kundërshtojnë këto hadithe dhe të tjera të ngjashme me të të cilat konsiderohen tekste të prera që flasin në këtë çështje / temë.”

Bazuar në atë që u tha më lartë, e sakta është që këto dhikre të thuhen menjëherë pas namazeve farz dhe para se ta falim namazin sunet,nëse ky farz është prej namazeve që ka sunet pas tyre. Kurse, cilat dhikre bëhen pas namazit, për këtë mund t’i ktheheni librave që kanë shkruar në këtë çështje (për arsye se nëse i shkruajmë këtu zgjatet përgjigjja shumë), dhe më i përshtatshmi është libërthi: ”Mburoja e muslimanit”. Ky libër mund të gjendet në çdo vend,elhamdulilah. Sidoqoftë, dhikret që janë shkruar aty nuk është kusht që të lexohen me radhë sipas renditjes së librit. Cilindo dhikër mund ta bësh para tjetrit (është e pranuar).

Gjithashtu, dhikri bëhet me dorën e djathtë (dhe jo me tespi), siç janë saktësuar për këtë gjë hadithe. Shejh Abbadi, Allahu e ruajt, thoshte se dhikri duhet te behet duke i mbledhur gishtat e dorës (dmth duke e bërë grusht), pastaj duke i hapur ato.

Këtu po e sjellim edhe formën e tesbihut që bëhet pas namazit (këtë e përgatitur hoxha Petrit Perçuku në një grup tjetër në viber): Format e tesbiheve pas namazit

1. 33 herë subhanAllah, 33 herë elhamdulil-lah, 33 herë Allahu ekber dhe të njëqindtën e plotëson me: La ilahe il-lAllahu uahdehu lasherike lehu, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue huwe ala kul-li shej’inkadir. (Muttefekun alejhi)

2. 10 herë subhanAllah, 10 herë elhamdulil-lah dhe 10 herë Allahu ekber. (Buhariu)

3. 11 herë subhanAllah, 11 herë elhamdulil-lah dhe 11 herë Allahu ekber. (Muslimi)

4. 33 herë subhanAllah, 33 herë elhamdulil-lah dhe 34 herë Allahu ekber. (Muslimi)

5. 33 herë subhanAllah, 33 herë elhamdulil-lah dhe 33 herë Allahu ekber. (Muslimi)

6. 25 herë subhanAllah, 25 herë elhamdulil-lah, 25 herë Allahu ekber dhe 25 herë La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ue lehul-hamdu ue huwe ala kul-li shej’in kadir. (vlerësuar si sahih nga imam Albani).

(Këtu po e shtoj një dobi tjetër prej meje: Fjalët që janë përmendur në këto gjashtë forma mund të bëhen edhe të kombinuara, pra një herë të thuhet subhanallah, pastaj elhamdulilah, pastaj Allahu ekber dhe vazhdon derisa ta përfundosh numrin të cilin e ke zgjedh prej këtyre gjashtë formave. Gjithashtu, edhe këtu themi se renditja e këtyre fjalëve nuk është obligative, pra për shembull mund të fillosh me Allahu ekber, pastaj të vazhdosh me tjerat. Pra, nuk është kusht që gjithsesi të fillohet me subhanallah, pastaj elhamdulilah, pastaj Allahu ekber) . Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dobitë e llojllojshmërisë së dhikrit pas namazit janë:

1. Veprimi i Sunetit me të gjitha format e tij.

2. Ruajtja e Sunetit.

3. Që veprimi i këtij Suneti nga ana e njeriut të mos bëhet zakon (rutinë).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit