Si të ruajmë kohën tonë?
Nga mirësitë dhe dhuntitë më madhështore që Allahu ia ka dhënë njeriut, është koha. Andaj, e kemi për obligim falënderimin dhe të qenët mirënjohës ndaj Allahut për këtë mirësi. Dhe kjo bëhet duke shfrytëzuar kohën për të bërë adhurime dhe vepra të mira.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë dy dhunti ndaj të cilave shumica e njerëzve janë të mashtruar (humbur): Shëndeti dhe koha e lirë.” Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Nuk jam penduar për ndonjë gjë më shumë sesa për ditën në të cilën ka perënduar dielli dhe është pakësuar jeta ime ndërkohë që unë nuk kam shtuar vepra të mira.” Ndërsa, ibën Kajimi ka thënë: “Humbjet më të mëdha janë dy, të cilat janë origjina e çdo humbjeje tjetër. Ato janë: Humbja e zemrës dhe e kohës. E para është kur njeriu parapëlqen jetën e kësaj bote para botës tjetër. E dyta është kur njeriu mban shpresa se do të jetojë gjatë.”
Duke u nisur nga kjo, në vijim do të sjellim disa gjëra të cilat ndihmojnë në ruajtjen dhe shfrytëzimin e kohës në gjëra të dobishme.
◊ Të kujtojmë vlerën e kohës
Prandaj, është obligim për ne që të ruajmë kohën tonë dhe ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Ibn Xheuzi ka thënë: “Ndodh që njeriu të dijë vlerën dhe nderin e kohës dhe të mos lejojë qoftë dhe një çast të saj duke i humbur pa vepruar ndonjë gjë me të cilën afrohet tek Allahu.”
◊ Të përcaktojmë qëllimet dhe të mundohemi shumë t’i realizojmë
Ai që ecën në jetën e tij me qëllime të caktuara të cilat dëshiron t’i realizojë, ai është i udhëzuar, ndryshe prej atij që ecën pa qëllime dhe i humbur. Allahu thotë: “A është më mirë ai që shkon rrëshqanas e kokulur apo ai që ecën ballëlart në rrugën e drejtë?” Mulk 22. Ai që ndjek një rrugë pa qëllim e synim, rrugëtimi i tij do të jetë shumë i lodhshëm.
◊ Të përcaktojmë prioritetet
Qëllimet që kemi, t’i rendisim sipas rëndësisë së tyre dhe të fillojmë prej atyre që janë më të rëndësishmet. Kjo ndihmon të fitojmë kohë. Allahu kur e ka urdhëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem që të ftojë në besim popullin e tij i ka thënë: “O ti, i mbuluar (o Muhamed)! Çohu dhe lajmëro!” Mudethir 1-2. Në një ajet tjetër, ia ka përcaktuar prioritetet e thirrjes së tij (se nga të fillojë) duke i thënë: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm…” Shuara 214.
◊ Të jemi të saktë, të përpiktë
Nëse njeriu zvarrit dhe vonon punët e tij, kjo do të bëjë që të jetë pastaj i ngutshëm gjatë kryerjes së tyre e t’i bëjë shkel e shko dhe si pasojë do të marrë kohën e gjërave dhe angazhimeve të tjera.
◊ Të përfitojmë nga koha e lirë
Shumicës së njerëzve koha e lirë u shkon kot, madje edhe jeta e tyre, ngase nuk përfitojnë nga koha e tyre e lirë. Andaj, koha e lirë duhet të shfrytëzohet në gjëra të dobishme dhe që kanë të bëjnë me botën tjetër, apo edhe në gjëra të dobishme që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote. Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “Urrej të shoh një njeri duke mos bërë asgjë, as nga punët e kësaj jete e as nga punët e ahiretit.”
◊ Të njohim realitetin e fillimit të një pune
Zakonisht, fillimi i një gjëje është i vështirë, por pastaj me lejen e Allahut shkon duke u lehtësuar. Në këtë aspekt, duhet të këshillohemi me njerëz profesionistë të fushës, të kemi vendosmëri të paluhatshme dhe të jemi të rregullt (të vazhdueshëm).
Ibën Kajimi ka thënë: “Kur Allahu ia dëshiron të mirën një personi, e ndihmon atë përmes kohës – bën që koha të jetë ndihmesë për të (përfiton nga ajo). E nëse nuk ia do të mirën, bën që koha e tij të punojë kundër tij dhe t’i sjellë vetëm shqetësime e brenga (nuk përfiton nga ajo).”
◊ Të realizojmë punët e tanishme
Të mos i shtyjmë për të ardhmen punët tona dhe të largohemi nga gjërat që na shpërqendrojnë. Sa’di ka thënë: “Njeriu i cili ka shpresa për të ardhmen e njëkohësisht është dembel ndaj punëve të tanishme, përngjan me atë i cili betohet se ka fuqi të arrijë të realizojë gjërat e ardhshme dhe nuk vepron në këtë drejtim. I tilli meriton që Allahu të mos e ndihmojë dhe të mos arrijë atë që ka për qëllim. Andaj, ajo që njeriu ka për detyrë është të mbledhë interesat, preokupimet, mendjen dhe forcat që të kryejë punët e tanishme…”
◊ Të mos nënvlerësojmë veprat e bëra
Të mos i nënvlerësojmë veprat e bëra, sado të vogla të jenë. Ibën Hazmi ka thënë: “Mos nënvlerëso asnjë vepër të cilën ke synuar ta bësh në të ardhmen, por shpejto ta realizosh sot, edhe nëse është e vogël, ngase kur veprat e vogla mblidhen, atëherë veprat bëhen të shumta.”
◊ Të zgjedhim vendin e përshtatshëm
Kjo sidomos në ato vepra ndaj të cilave është e nevojshme të kemi përqendrim të mendjes. Vendi i përshtatshëm kthjellon mendjen dhe mbledh të menduarit dhe si rezultat njeriu do të ruajë kohën.
◊ Të marrim veten në llogari
Vazhdimisht të marrim veten në llogari e të bëjmë një monolog me vetveten se a jemi duke vepruar vepra të cilat na afrojnë tek Allahu, çfarë po përgatisim për botën tjetër, apo e humbasim kohën kot e të tjera. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten!” Hashr 18-19. Fjala “i bëri të harronin vetveten” do të thotë: I bëri të harronin ato gjëra dhe vepra që ishin në dobi të tyre.
◊ Të kemi ambicie të lartë
Të edukojmë veten që gjithmonë të kemi ambicie të lartë – të synojmë vepra të rëndësishme e të arrijmë qëllime të mëdha. Umer ibn AbdulAziz ka thënë: “Kam një shpirt i cili lakmon synime të larta. Ky shpirt gjithmonë më ka nxitur të bëhem prijës. Kur arrita këtë pozitë, shpirti dëshiroi (lakmoi) pastaj udhëheqjen (khalifetin), e kur e arrita atë atëherë shpirti dëshiroi (lakmoi) Xhenetin.”
◊ Të shoqërohemi me njerëz të devotshëm
Allahu natyrën e njeriut e ka bërë që të dëshirojë të imitojë ata që ka pranë vetes. Njeriu ndikohet shumë prej shoqërisë së tij. Siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Andaj secili le të shikojë se me kë shoqërohet.” Ibën Hazmi ka thënë: “Ai që synon virtytet, duhet të shoqërohet me të virtytshmit. Në këtë rrugëtim, duhet të shoqërohet me shokun i cili është më i ndershmi, më i sinqerti dhe më i miri me të.”
◊ Të kemi njohuri për gjendjen e selefit në raport me kohën
Abdurrahman ibn Mehdi ka thënë: “Sikur t’i thuhet Hamad ibn Selemes se nesër do të vdesësh, nuk do të kishte çfarë të shtonte më shumë prej veprave të mira.” Ibn Akil el Hambeli ka thënë: “Nuk ia lejoj vetes të humbasë asnjë çast prej jetës sime, madje edhe nëse gjuha ime lodhet nga përsëritja e dijes apo syri im lodhet nga leximi i shumtë, atëherë aktivizoj mendjen time (gjatë kohës kur jam duke pushuar). Andaj, kur të ngritëm, veçse e kam menduar se çfarë do të shkruaj në libër.”
◊ Të veprojmë vepra të shumëllojshme
Për shembull: Të lexojmë Kuran, apo të kërkojmë dije, apo të tregojmë mirësjellje ndaj prindërve, apo të mbajmë lidhjet farefisnore, apo të vizitojmë të sëmurin, apo të përcjellim një xhenaze, apo të bëjmë bamirësi, apo të veprojmë edhe ndonjë gjë prej së cilës përfiton fizikisht etj.
◊ Të kujtojmë vdekjen
Allahu thotë: “Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.” Kaf 19. Mslimani nuk duhet të ikën prej vdekjes, përkundrazi, duhet t’ia kujtojë vetes vdekjen dhe se ajo mund t’i vijë shpejt dhe befasishëm duke mos pasur mundësi të shtojë prej veprave të mira. Njeriu shumë shpejt mund të vdesë dhe të përfundojë pastaj në Xhenet apo në Xhehenem. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpejtoni vazhdimisht kujtimin e asaj që ua ndërpret kënaqësitë (e kësaj jete).”
◊ Të largohemi prej njerëzve të cilët e humbasin kohën kot
Ibn Xheuzi ka thënë: “Kam parë që shumica e njerëzve e humbasin kohën kot. Nëse nata është e gjatë, e çojnë në biseda të kota apo lexojnë libra me tregime. Nëse dita është e gjatë, e çojnë kohën në gjumë. Në mëngjes apo në mbrëmje dalin te një lumë apo shkojnë nëpër tregje. Këta i përngjasoj me ata të cilët bisedojnë për gjëra të padobishme duke qenë në anije, e cila vazhdon të lundrojë e ata nuk e ndjejnë këtë.” Gjithashtu ka thënë: “Allahu më ruajttë nga shoqërimi me përtacët!”
◊ Të kujtojmë se do të japim llogari për kohën tonë
Allahu do të na pyesë dhe do të na marrë në llogari se si e kemi kaluar kohën tonë në jetën e kësaj bote, se a e kemi kaluar në gjëra me të cilat Ai është i kënaqur apo në gjëra të kota e mëkate. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Këmbët e birit të Ademit nuk do të lëvizin nga vendi i Tubimit në Ditën e Gjykimit derisa të merret në pyetje për katër gjëra”, nga to: “Për jetën e tij se si e ka kaluar, për rininë se si e ka shfrytëzuar…”
Këto ishin disa këshilla të shkurtra rreth ruajtjes së kohës, sidomos në këtë kohë, kjo temë është shumë e rëndësishme, për shkak se janë të shumta gjërat të cilat na shpërqendrojnë dhe na largojnë nga ruajtja e kohës sonë.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

