Sprovim, gjendje – Thënie

Sprovim, gjendje

Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në disa gjurmë të brezave të parë të muslimanëve përmendet: “Allahu e sprovon njeriun në mënyrë që ta dëgjojë përgjërimin e tij.” Mexhmu’u Er-Rasail.

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kush dëshiron të dijë vlerën e begatisë së shëndetit që ia ka dhënë Allahu, atëherë le t’i shikojë ata që janë sprovuar me humbjen e pjesëve të trupit apo gjymtimin e tyre. Le të shkojë në spitale e le t’i shohë të sëmurët e shumtë që ofshajnë, e të plagosurit e shumtë që u ka humbur fuqia. Le të shohë se sa të shumtë janë ata që kanë humbur shikimin e dëgjimin, sa të shumtë janë ata që dëshirojnë të mbyllin sytë vetëm për një çast e të flenë, apo t’ju ndalet vetëm për një moment dhimbja. Le ta bëjë këtë, në mënyrë që ta dijë vlerën e begative të Allahut ndaj tij, sepse gjërat qartësohen nëpërmjet të kundërtave të tyre!” El-Hutab El-Minberijje.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur e sheh se njerëzit të armiqësojnë, atëherë thuaj: “HasbijAll-llahu ue ni’mel-uekil” (Më mjafton Allahu dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!)”, Ai do të të mbrojë nga të këqijat dhe brengat që t’i shkaktojnë ata.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Nga ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ishte në vështirësi të mëdha thoshte: “La ilahe il-lAllahul-Halimul-Kerim! SubhanAllahi Rabbil-Arshil-Adhim! SubhanAllahi Rabbis-Semauatis-Seb’i ue Rabbil-Arshil-Kerim!” Muttefekun alejhi. (S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, të Butit, Bujarit! I përlëvduar qoftë Allahu, zotëruesi i Arshit madhështor! I përlëvduar qoftë Allahu, zotëruesi i shtatë qiejve dhe i Arshit fisnik!).

Imam ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Atë që është i vërtetë me Allahun nuk e dëmtojnë sprovat. Allahu u gjen rrugëdalje miqve të Vet gjatë sprovimit të tyre.” Fet’h El-Barij.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e zbaton urdhrin e Allahut dhe pastaj i ndodh ndonjë sprovë, pa dëshirën e tij, Ai e ndihmon ndaj saj, ndryshe nga ai që vet i ekspozohet sprovave.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që zemra të sëmuret e t’i shtohet sëmundja, ndërkohë që njeriu s’di gjë për këtë ngaqë është i angazhuar me gjëra tjera dhe është larg njohjes së shkaqeve të shëndetit të saj. Madje, ndodh që zemra vdes dhe njeriu nuk e ndien vdekjen e saj.” Igathetu El-Lehfan.

Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dembelia është origjina e mossuksesit  dhe e dështimit. Dembeli nuk arrin asnjë të mirë, asnjë nderim dhe nuk arrin asgjë as në çështjet e kësaj bote e as në ato të fesë.” Behxhetu Kulubi El-Ebrar.

 

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fatkeqësitë dhe sprovat janë sikur të nxehtit dhe të ftohtit. Pra, kur njeriu e kupton se patjetër duhet të përjetojë të nxehtin e të ftohtin, atëherë nuk hidhërohet për shkak të tyre, as nuk brengoset dhe as nuk pikëllohet.” Medarixh Es-Salikin.

 

Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) thoshte: “Unë i dua tri gjëra, ndërkohë që njerëzit i urrejnë ato: varfërinë, vdekjen dhe sëmundjen. Varfërinë e dua si shenjë modestie ndaj Zotit tim. Vdekjen e dua ngaqë jam përmalluar për takimin me Të. Sëmundjen e dua ngaqë mi fshin mëkatet.” Sijer A’lam En-Nubela.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Çdo fatkeqësi që nuk e godet fenë është e lehtë, dhe realisht është begati për njeriun. Fatkeqësia e vërtetë është ajo që e godet fenë e njeriut.” Medarixh Es-Salikin.

Aun ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos të të mashtrojë lëvdata e atij që nuk e di gjendjen tënde të vërtetë.” Edebu Ed-Dunja ue Ed-Din.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos e urrej atë që Allahu ka zgjedhur për ty, sepse Ai zgjedh për ty atë në të cilën ka dobi të madhe dhe ti s’di gjë për këtë.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush ndien mangësi në fjalët, veprat, gjendjen, riskun apo zemrën e tij, atëherë le t’i qaset teuhidit dhe kërkimit të faljes nga Allahu, sepse në këto dyja ka shërim, nëse bëhen me vërtetësi e sinqeritet.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) u pyet: “Kur e shijon pushimin besimtari?” Ai tha: “Kur e vendos njërën këmbë në Xhenet.” Tabekat El-Hanabile, ibn Ebi Ja’la.

Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu nuk e shijon ëmbëlsinë e besimit derisa t’i vijnë sprovat prej çdo anë.” Tarih Bagdad.

Erdhi një njeri tek Hudhejfe (radijAllahu anhu) dhe i tha: “Frikohem se mos jam munafik (dyfytyrësh)!” Ai i tha: “A falesh kur je vet dhe a kërkon falje prej Allahut kur mëkaton?” “Po” ia ktheu. –“Atëherë shko se Allahu nuk të ka bërë prej munafikëve!” Et-Tergib ue Et-Terhib, 1/167.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, njeriu e ka një pozitë (të lartë) tek Allahu, mirëpo atë s’mund ta arrijë me veprat e tij. Andaj, Allahu vazhdimisht e sprovon me gjëra që ai i urren, në mënyrë që t’ia mundësojë arritjen e asaj pozite.” Es-Sahiha, 2599.

Imam ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu u gjen rrugëdalje miqve të Vet gjatë sprovave që i godasin. Mirëpo, nganjëherë ndodh që disave prej tyre t’u vonohet një gjë e tillë, kjo për t’i kalitur dhe për t’ua shtuar shpërblimin.” Fet’h El-Barij.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sikur të mos ishin sprovat e fatkeqësitë në këtë botë, njeriu do të goditej nga sëmundjet e mendjemadhësisë, mburrjes, padrejtësisë ndaj të tjerëve dhe ngurtësisë së zemrës, gjë e cila do të bëhej shkak që ai të shkatërrohet në këtë jetë dhe në tjetrën.” Zad El-Me’ad.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi dhe mungesë të frutave, që të zinin mend.” (El-A’raf, 130). “Allahu i sprovoi më këto, ngaqë vështirësitë i zbusin zemrat dhe i shtyjnë njerëzit që të kthehen me pendesë tek Allahu.” Tefsir El-Kurtubij.

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Çdo popull (ummet) e kishte sprovën e vet, ndërsa sprova e ummetit tim është pasuria.” Es-Sahiha, 592.

Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sëmundja më e keqe e cila prek zemrën është epshi.” Ez-Zuhd, imam Ahmedi.

Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dije se, rehatia nuk arrihet me rehati dhe synimet e larta nuk arrihen me dembeli. Kush mbjell, korrë dhe kush përpiqet, gjen.” Meuaidh.

Dijetari Mukbi El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse nuk durojmë, nuk do të mund të punojmë asgjë për Islamin.” El-Musara’ah.

Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Fatkeqësitë janë thirrje dhe paralajmërim për njerëzit që t’i kthehen Allahut.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos urrej asgjë që Allahu ka zgjedhur për ty, sepse ndodh që Ai të zgjedhë atë që përmban dobi madhështore për ty e ndërsa ti s’di gjë për të.” Sherh Rijad Es-Salihin.

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Muslimani nuk duhet të humbasë shpresat për shkak të fitneve, gjendjeve të rënda e vështirësive të shumta, sepse kjo fe dhe pasuesit e saj do të mbesin gjithmonë.” Ehadith El-Fiten ue El-Hauadith.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Gradat e larta arrihen vetëm nëpërmjet sprovimit.” Mexhmu’u El-Fetaua.

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari është i kënaqur me fatkeqësitë që e godasin, e jo me mëkatet që i bën. Ai kërkon falje prej Allahut për mëkatet e bëra dhe duron ndaj fatkeqësive.” El-Istikameh.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Humbja e kohës është më e rëndë sesa vdekja, sepse humbja e saj të ndanë nga Allahu dhe bota tjetër, ndërsa vdekja të ndanë nga jeta e kësaj bote dhe banorët e saj.” El-Feuaid.

Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu e mëshiroftë njeriun i cili nuk mashtrohet nga gjendja e shumicës së njerëzve! O njeri! Do të vdesësh si i vetëm. Në varr do të hysh i vetëm. Do të ringjallesh i vetëm. Dhe do të merresh në llogari i vetëm.” Ez-Zuhd, imam Ahmedi.

Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ki kujdes nga dy armiq, për shkak të të cilëve janë shkatërruar shumica e njerëzve: nga ai që pengon të tjerët nga rruga e Allahut përmes dyshimeve dhe fjalëve boshe të zbukuruara për mashtrim dhe nga ai që është i sprovuar me dashuri ndaj jetës së kësaj bote dhe pozitës së vet.” El-Feuaid.

Imam Ibrahim En-Neha’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtetë, unë e shoh të keqen dhe asgjë nuk më pengon të flas çfarë kam parë, përveç frikës se mos sprovohem me atë të keqe.” Ez-Zuhd, imam Ueki’u.

Allahu i Lartësuar thotë: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.”(Al-Imran, 14). Imam ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shpjegon: “Allahu filloi me përmendjen e grave, ngaqë sprova e tyre është më e rëndë. Ashtu siç saktësohet në një hadith, ku i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk kam lënë pas vete sprovë më të dëmshme për burrat sesa gratë.” Tefsir ibn Kethir.

Aun ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu sëmuret, pendohet për mëkatet e bëra e kur të shërohet, ndihet i sigurt. Kur pasurohet, sprovohet e kur varfërohet, pikëllohet.” Ez-Zuhd, ibn Ebi Asim.

Hudhejfe ibn Jeman (radijAllahu anhu) u pyet: “Cila sprovë është më e rënda?” Ai tha: “Kur të të shfaqet e mira dhe e keqja dhe ti nuk e di se cilën duhet ta ndjekësh.” Hiljetu El-Evlija.

Hatim El-Esamm (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos u friko prej varfërisë, sepse Allahu të frikësoi më zjarr të Xhehenemit, e jo me varfëri!” El-Feuaidu ue El-Ahbar.

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.

Përgatiti: A. O.

Madhësia e tekstit