Surja ed Duha
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
وَٱلضُّحَىٰ وَٱلَّيْلِ إِذَا سَجَىٰ مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَىٰ وَلَلْءَاخِرَةُ خَيْرٌۭ لَّكَ مِنَ ٱلْأُولَىٰ وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَىٰٓ أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًۭا فَـَٔاوَىٰ وَوَجَدَكَ ضَآلًّۭا فَهَدَىٰ وَوَجَدَكَ عَآئِلًۭا فَأَغْنَىٰ فَأَمَّا ٱلْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ وَأَمَّا ٱلسَّآئِلَ فَلَا تَنْهَرْ وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ
- Betohem në shkëlqimin e paradites
- dhe në natën kur terret e qetësohet,
- se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)!
- Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë,
- e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.
- A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë?
- A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi?
- A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?
- Prandaj, mos e shtyp jetimin,
- lypësin mos e shty me ashpërsi
- dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!
“ وَٱلضُّحَىٰ – Betohem në paraditen që shkëlqen“. Duha është fillimi i ditës, pasi lind dielli, kur nis shkëlqimi e ndriçimi dhe e mbush tokën.
“وَٱلَّيْلِ إِذَا سَجَىٰ – dhe në natën kur terret e qetësohet (mbulon tokën)”. Sexha është mbulimi i tokës nga nata, e vendos si mbulesë errësirën e saj mbi tokë. Këtu Allahu betohet në dy gjëra të kundërta. Ajo për të cilën betohet është:
“مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَىٰ – se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)!” Përkundrazi, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është krijesa më e dashur tek Allahu, e ka dashur dhe e do. Atë e ka përzgjedhur për bartjen e mesazhit të fundit, më madhështor- të jetë i dërguar tek umeti më i vlefshëm, umeti islam. Atë e ka bërë vulë të të gjithë Pejgamberëve, andaj nuk ka të dërguar pas tij. Allahu, prej të gjithë njerëzve, ka veçuar dy njerëz të cilëve ua ka dhuruar el khule, që është lloji më e lartë i dashurisë, Ibrahimin dhe Muhamedin, i ka marrë si halil. Allahu thotë: “…me të vërtetë, ti je nën Sytë Tanë!” Tur.48. D.m.th.: Syri i Allahut vazhdimisht e ka mbikëqyrë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, e ka shikuar, është kujdesur për të dhe e ka marrë në mbrojtje. Allahu nuk e ka braktisur Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, përkundrazi e ka përfshirë atë me ndihmën, mëshirën, kujdesin e Tij etj. Ai është i ngritur dhe ka pozitë të lartë në këtë dunja dhe ahiret.
“وَلَلْءَاخِرَةُ خَيْرٌۭ لَّكَ مِنَ ٱلْأُولَىٰ – Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë”. Kjo gjithsesi. Ahireti është më i mirë për ty sesa jeta e dunjas. Kjo sepse në ahiret, siç ka ardhur në një hadith kudsij, ka çfarë syri kurrë nuk ka parë, asnjë vesh kurrë nuk ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk mund të imagjinojë, nga të mirat dhe shpërblimet që Allahu ka përgatitur për besimtarët në xhenet.
“وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَىٰٓ – e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur”. Kjo gjithsesi. Pas një kohe, Allahu do të të japë ty e ti do të jesh i kënaqur. Allahu në Ditën e Gjykimit do t’ia japë Mekamu Mahmud, që është pozita e lartë e lavdëruar.
Të mirat që përmenden në fillim të sures janë të mira të cilat do t’ia japë Allahu në Ditën e Gjykimit. Pastaj përmend të mirat që ia ka dhënë, në mënyrë që ta falënderojë për to.
“أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًۭا فَـَٔاوَىٰ – A nuk ishe jetim e Ai dha strehë?” Ka ardhur në formë të pyetjes, për të pohuar dhe miratuar, se gjithsesi Allahu e ka gjetur Muhamedin salAllahu alejhi ue selem jetim dhe i ka dhënë strehë. Ai ka qenë jetim prej babës e prej nënës. Baba i ka vdekur ende pa lindur ai, ndërsa nëna i ka vdekur ende pa e plotësuar ai kohen e gjidhënies. Dhe Allahu është kujdesur për të, ia ka lehtësuar rrugën, e ka mbrojtur vazhdimisht derisa e ka arritur qëllimin për të cilin dhe Allahu e ka krijuar (të qenit rob adhurues i Allahut dhe i Dërguar i Tij). Dobi: “dha strehë” dhe nuk tha “të dha strehë” kuptimi: përveç që i ka dhënë strehë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, përmes tij i ka dhënë strehë edhe besimtarëve, pasuesve të tij, i ka mbrojtur Allahu dhe i ka përkrahur.
“وَوَجَدَكَ ضَآلًّۭا فَهَدَىٰ – “A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) dhe udhëzoi?” Pra, pa dije rreth shpalljes, Librit, Pejgamberisë, e Allahu të udhëzoi, të mësoi se çfarë është imani, Kurani etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk kishte lexuar asnjë libër dhe as nuk kishte shkruar. Mirëpo, ka arritur pozitë të madhe përmes shpalljes që ia ka zbritur Allahu. Allahu e ka mësuar dhe pastaj ai ka ditur, ka arritur dije të madhe. Dobi: “dhe udhëzoi” e nuk tha “dhe të udhëzoi” kuptimi: Allahu përmes Pejgamerit salAllahu alejhi ue selem i ka udhëzuar njerëzit, ai salAllahu alejhi ue selem ka qenë i udhëzuar dhe udhëzues njëkohësisht, përmes shpalljes që ia ka zbritur Allahu i ka udhëzuar njerëzit, pra të udhëzoi ty dhe të tjerët përmes teje.
“وَوَجَدَكَ عَآئِلًۭا فَأَغْنَىٰ – A nuk ishe i varfër dhe pasuroi?” Pra, nuk ka poseduar e zotëruar asgjë nga pasuria, dhe e bëri të vetëmjaftueshëm (të panevojshëm) për të tjerët përveçse për Allahun, atë dhe pasuesit e tij salAllahu alejhi ue selem,. Këtë e kanë arritur përmes plaçkës së luftës gjatë betejave, Allahu u ka dhënë pasuri të madhe.
“فَأَمَّا ٱلْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ – Prandaj, mos e shtyp jetimin“. Nuk lejohet kurrsesi shtypja e jetimit. Ky ajet vjen karshi ajetit të lartpërmendur “A nuk të gjeti jetim e dha strehë?” Pra, duke qenë jetim Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe Allahu i dha strehë, atëherë të mos e shtyp jetimin. Dijetarët thonë përveç nëse në këtë gjë ka dobi për jetimin, atëherë lejohet në raste të caktuara, dhe kjo nuk llogaritet shtypje edhe pse në pamje mund të shihet si padrejtësi. Përndryshe ndaj jetimit duhet butësi, nderim e bamirësi. Kujdesi ndaj jetimit dhe nderimit ndaj tij është prej urdhrave të fesë islame dhe është prej vlerave të mëdha të kësaj feje. Zemra e jetimit është e thyer. Ai ka nevojë për plotësimin e kësaj zbrazëtire.
“وَأَمَّا ٱلسَّآئِلَ فَلَا تَنْهَرْ – lypësin mos e qorto me ashpërsi”, kur vjen të kërkojë. Kjo vjen karshi ajetit “A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e udhëzoi (mësoi)”, andaj gjëja e parë që futet te lypësi është kur personi kërkon t’ia mësosh një gjë prej fesë, para kuptimit tjetër (për lypësin që kërkon nga pasuria). Atë që di prej fesë mësoja, sqaroja, kjo është obligim. Kush kërkon prej teje t’i mësosh diçka prej fesë beson se je në pozitë më të lartë sesa ai. Nëse e qorton e i flet fjalë të ashpra atëherë ai ikën prej teje. Mos e qorto, mos i flit fjalë të rënda, mos e kthe me ashpërsi, as atë që vjen të kërkojë diçka nga pasuria. Përgjithësimi këtu nganjëherë ka veçim se kur lejohet qortimi, p.sh.: kur sheh se tjetri po pyet diçka për fe me qëllim arrogancën e kryeneçësinë (të marrë mendimin e filanit e filanit duke kundërshtuar një mendim me tjetrin mendim), përçarjen e fitnen mes muslimanëve, e jo se ka qëllim të dijë të vërtetën, apo kur dikush që nuk ka nevojë vjen e të kërkon diçka nga pasuria (nuk i merr ato para ai vetë por dikush tjetër, me organizim); kjo është edukim ndaj tyre.
“وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ – dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!” Këto tri gjëra që u përmenden në ajete (strehimi, dija për fenë dhe panevojshmëria për të tjerët) plotësojnë mirësitë e Allahut. Andaj shpalli ato, fol me to. Qëllimi është: të shpallë se ato mirësi kanë ardhur prej Allahut, si mirënjohje e falënderim ndaj Tij, jo lavdërim para të tjerëve për to, apo të mendosh se je meritor. Kur Allahu jep prej të mirave të Tij atëherë muslimani e ka për obligim t’i shpallë ato dhe të falënderojë Dhuruesin, Allahun.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.