Surja el Adijat
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
وَٱلْعَٰدِيَٰتِ ضَبْحًۭا فَٱلْمُورِيَٰتِ قَدْحًۭا فَٱلْمُغِيرَٰتِ صُبْحًۭا فَأَثَرْنَ بِهِۦ نَقْعًۭا فَوَسَطْنَ بِهِۦ جَمْعًا فَوَسَطْنَ بِهِۦ جَمْعًا إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لِرَبِّهِۦ لَكَنُودٌۭ وَإِنَّهُۥ عَلَىٰ ذَٰلِكَ لَشَهِيدٌۭ وَإِنَّهُۥ لِحُبِّ ٱلْخَيْرِ لَشَدِيدٌۭ أَفَلَا يَعْلَمُ إِذَا بُعْثِرَ مَا فِى ٱلْقُبُورِۭ وَحُصِّلَ مَا فِى ٱلصُّدُورِۭ إِنَّ رَبَّهُم بِهِمْ يَوْمَئِذٍۢ لَّخَبِيرٌۭۢ
- Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë duke dihatur,
- që nxjerrin xixa nga thundrat
- dhe trokojnë për sulm në mëngjes,
- duke çuar re pluhuri,
- ndërsa çajnë armikun në dysh,
- se njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet,
- dhe ai, pa dyshim, këtë e dëshmon.
- Vërtet, ai është i babëzitur për pasuri.
- Vallë, a nuk e di ai se kur të nxirren jashtë ata që gjenden në varre
- dhe, kur të dalë në shesh ajo që është në gjokse,
- Zoti i tyre, me siguri, atë Ditë di çdo gjë për ta?!
“ وَٱلْعَٰدِيَٰتِ ضَبْحًۭا – Betohem për ata (kuaj) që vrapojnë duke dihatur” – Adijat është cilësi ose mbiemër i një gjë që nuk është përmendur në ajet. Atëherë cila është ajo gjë, kuajt apo devetë? Këto janë dy mendime të dijetarëve të tefsirit. Sa i përket deveve për qëllim janë devetë që shpejtojnë gjatë riteve të haxhit, pra ato deve me të cilat besimtarët kanë kryer ritet e haxhit. Ndërsa, mendimi më i saktë: qëllimi është për kuajt. Kuaj që shpejtojnë (që sulmojnë armikun, edhe nëse jo për të vërtetën), kjo ka qenë e njohur tek arabët, ka ekzistuar edhe para Islamit, mirëpo pas Islamit kuajt e përdorur në luftëra kanë vrapuar dhe kanë sulmuar armikun në të vërtetën.
“ ضَبْحًۭا– dabha” – dab është një tingull (dihatje) që del nga brendësia, nga gjoksi i kuajve, kur vrapojnë shpejt. Kjo tregon se vrapimi që bëjnë ata është shumë i ashpër, i fortë e i shpejt.
“ فَٱلْمُورِيَٰتِ قَدْحًۭا – që nxjerrin xixa nga thundrat” – kur vrapojnë shpejt e ashpër, godasin gurët, e pastaj gurët godasin njëri-tjetrin dhe prej tyre dalin xixa, ose kur vrapojnë shpejt nxjerrin xixa prej thundrave të tyre kur godasin gurët.
“ فَٱلْمُغِيرَٰتِ صُبْحًۭا – dhe trokojnë për sulm në mëngjes” – dijetarët thonë se kjo është koha më e mirë të sulmohet armiku, kjo sepse në mëngjes ata janë në gjumë, të pavëmendshëm, edhe nëse zgjohen kanë lodhje e dembeli dhe nuk munden të kundërpërgjigjet.
“ فَأَثَرْنَ بِهِۦ نَقْعًۭا – duke çuar re pluhuri” – kur të futen në mesin e armiqve.
“نَقْعًۭا -nek’a” është pluhuri nga vrapimi i shpejt.
“ فَوَسَطْنَ بِهِۦ جَمْعًا – ndërsa çajnë armikun në dysh” – duke çuar pluhur ata hyjnë në mesin e armiqve. Allahu na tregon se cili është destinacioni i këtyre kuajve. Pra, janë aq të shpejt, të fuqishëm, kur vrapojnë, saqë nuk ndalen derisa të futen në mesin e armiqve, çajnë armikun në dysh. Kjo dhe është dobia më kryesore e kuajve. Pas kësaj, Allahu na tregon në vijim se pse sjelli këto betime të lartëpërmendura:
“ إِنَّ ٱلْإِنسَٰنَ لِرَبِّهِۦ لَكَنُودٌۭ – se njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet” – Allahu këtu betohet se nëse Ai nuk e udhëzon njeriun, si lloj (njerëzimi), atëherë ai është mohues i madh i mirësive të Allahut. Disa dijetarë kanë thënë se me njeriun janë për qëllim jobesimtarët. Mirëpo, mendimi më afër së vërtetës është ai i pari, pra lloji njerëzor. Allahu i jep njeriut furnizim e ai përmes atij furnizim bëhet më arrogant, kryeneç, largohet edhe më shumë prej Tij, ndihet i vetëmjaftueshëm, se nuk ka nevojë për Allahun, nuk e falënderon Atë, nuk është mirënjohës për atë që i ka dhënë nga mirësitë e Tij. Sa shumë ka prej njerëzve që e veprojnë këtë!
“ وَإِنَّهُۥ عَلَىٰ ذَٰلِكَ لَشَهِيدٌ – dhe ai, pa dyshim, këtë e dëshmon” – janë dy mendime se për kë është fjala me “وَإِنَّهُ – dhe ai“, që janë: Mendimi i parë: Allahu dëshmon se robërit e Tij janë mohues të mirësive të Tij; mendimi i dytë: njeriu dëshmon për këtë mosmirënjohje. E sakta është se ajeti përfshin që të dy mendimet. Pra, Allahu është Dëshmitar për atë që është në zemrën e njeriut, Ai e sheh dhe e di çfarë ka ai në zemër, gjithashtu sheh veprat e tij, dhe njëkohësisht edhe njeriu është dëshmitar kundër vetes së tij, kjo ose me gjendjen e tij, ose me gjuhën e tij.
“وَإِنَّهُۥ لِحُبِّ ٱلْخَيْرِ لَشَدِيدٌۭ – Vërtet, ai është i babëzitur për pasuri” – e do shumë, e lakmon atë. Dashuria ndaj pasurisë është cilësi e natyrës së njeriut, mirëpo ka prej njerëzve që e duan pasurinë më pak (se të tjerët) e dikush më shumë. Pra, sa i përket niveleve të dashurisë ndaj pasurisë, njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri. Sa i takon besimtarit, ai e do pasurinë sa të përmbushen nevojat e tij e të mos bëhet nevojtar për të tjerët.
“ أَفَلَا يَعْلَمُ إِذَا بُعْثِرَ مَا فِى ٱلْقُبُورِ – Vallë, a nuk e di ai se kur të nxirren jashtë ata që gjenden në varre” – kur të ringjallen. Sikur të ishin të bindur dhe të punonin (vepra të mira) për këtë ditë e të mos ishte preokupimi kryesor i tyre pasuria!
“ وَحُصِّلَ مَا فِى ٱلصُّدُورِ – dhe, kur të dalë në shesh ajo që është në gjokse” – në zemra, pra nijetet/qëllimet e njerëzve, se me çfarë nijeti kanë bërë vepra, po ashtu veprat e zemrës (frika, shpresa, mbështetja etj.) dhe mëkatet e zemrës. Zemra është ajo e cila duhet të përmirësohet shumë. Në bazë të asaj që ke pasur në zemër, ose do të shpërblehesh ose do të dënohesh. Ajo që është në varre do të dalë jashtë, po ashtu ajo që është në zemra do të shfaqet.
“ إِنَّ رَبَّهُم بِهِمْ يَوْمَئِذٍۢ لَّخَبِيرٌۭۢ – Zoti i tyre, me siguri, atë Ditë di çdo gjë për ta?!” – Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i mirinformuar për njerëzit se çfarë kanë vepruar. Në këtë ajet është lidhur dija me Ditën e Gjykimit, sepse ajo është Dita e shpërblimit ose e ndëshkimit (e Ai është i Gjithëdijshëm (Alim) për njerëzit atë Ditë dhe para saj). Allahu është i Gjithëdijshëm për ta dhe për veprat e tyre atë Ditë ngase atë Ditë do t’i shpërblejë ose dënojë për veprat që kanë bërë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset e tefsirit – Transkriptim.