Surja el Asr – Komentim

Surja Asr – Komentim

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

وَالْعَصْرِ۝ إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ۝ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ۝.

  1. Për kohën!
  2. Me të vërtetë, njeriu është në humbje,
  3. përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin

Komentim

وَالْعَصْرِ– Për (pasha) kohën” – Allahu betohet në kohën. Disa dijetarë kanë thënë se qëllimi me “asr” është fundi i ditës, ngase ajo është pjesa më e mirë e ditës, andaj dhe namazi i ikindisë quhet “salatul asr – namazi i asrit”, të cilin dhe e ka quajtur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem “namazi më i vlefshëm/mirë“, në hadithin te Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa, mendimi i dijetarëve të tjerë është se me asr është për qëllim vetë koha. Ky është mendimi më i saktë. Dhe Allahu betohet në kohën ngase në të ndodhin ndryshime të gjendjeve, rrotullohen çështjet, Ai ndërron gjendjet e tyre mes njerëzve.

Asr është koha në të cilën jetojnë krijesat. Nganjëherë në të ka mirëqenie e nganjëherë vështirësi, herë ka luftë e herë paqe, herë shëndet e herë sëmundje, nganjëherë njeriu vepron vepra të mira e nganjëherë të këqija etj.

Allahu betohet në kohën ngase njeriut nuk i është dhënë gjë më e vlefshme sesa ajo. Përmes saj e adhuron Allahun dhe arrin xhenetin- shpërblimin e Tij. Allahu pastaj tregon se pse betohet në kohën:

إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍMe të vërtetë, njeriu është në humbje” – Insan është në formë të përgjithshme, duke përfshirë të gjithë llojin njerëzor, të gjithë njerëzit. Allahu sjellë një betim në kohën për të treguar gjendjen e njeriut si krijesë, se ai është në humbje. Khusr- është humbja apo mangësia. Njeriu vazhdimisht është në humbje dhe mangësi, në këtë botë dhe tjetrën, përveç:

إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ – përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”. Nuk thotë “i humbur”, por thotë: “në humbje“, pra duke treguar se është i zhytur thellë në humbje, humbja e ka përfshirë atë nga të gjitha anët. Prej kësaj humbje përjashtohen ata të cilët i përshkruan me këto katër cilësi:

  1. ata që kanë besuar,
  2. që kanë bërë vepra të mira,
  3. që këshillojnë njëri-tjetrin të vërtetën,
  4. që këshillojnë njëri-tjetrin për durim.

Cilësia e parë: Besimi i bindur, i papërzier me dyshim apo mëdyshje (në gjashtë shtyllat e imanit).

Cilësia e dytë: Bërja e veprave të mira (si: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, respektimi i prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe vepra të tjera të pakufizuara). Vepra e mirë ka dy kushte: të jetë e sinqertë (për Allahun) dhe të jetë sipas sunetit.

Cilësia e tretë: Këshillimi për të vërtetën, për përmbajtje ndaj asaj, e cila është feja e Allahut.

Cilësia e katërt: Këshillimi për durim. Kjo ngase tri gjërat e para kërkojnë durim. Thirrja në fenë e Allahut kërkon durim të madh.

Imam Shafiu rahimehullah ka thënë: “Po të mos zbriste Allahu argument tjetër, për robërit e Tij, përveç kësaj sureje, do t’iu mjaftonte atyre (si këshillë dhe nxitje për ato katër gjëra).” Nuk është qëllimi se kjo sure do t’ju mjaftonte për të gjithë sheriatin e Allahut, por do t’ju mjaftonte për këto katër gjëra.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Madhësia e tekstit