Surja El Bejjineh
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
لَمْ يَكُنِ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنْ أَهْلِ ٱلْكِتَٰبِ وَٱلْمُشْرِكِينَ مُنفَكِّينَ حَتَّىٰ تَأْتِيَهُمُ ٱلْبَيِّنَةُ رَسُولٌۭ مِّنَ ٱللَّهِ يَتْلُوا۟ صُحُفًۭا مُّطَهَّرَةًۭ فِيهَا كُتُبٌۭ قَيِّمَةٌۭ وَمَا تَفَرَّقَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ إِلَّا مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَتْهُمُ ٱلْبَيِّنَةُ وَمَآ أُمِرُوٓا۟ إِلَّا لِيَعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ حُنَفَآءَ وَيُقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُؤْتُوا۟ ٱلزَّكَوٰةَ ۚ وَذَٰلِكَ دِينُ ٱلْقَيِّمَةِ إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنْ أَهْلِ ٱلْكِتَٰبِ وَٱلْمُشْرِكِينَ فِى نَارِ جَهَنَّمَ خَٰلِدِينَ فِيهَآ ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ شَرُّ ٱلْبَرِيَّةِ إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ خَيْرُ ٱلْبَرِيَّةِ
- Ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, nuk do të largoheshin (nga mosbesimi i tyre), derisa t’u vinte Dëshmia e qartë:
- Një i Dërguar nga Allahu, i cili t’u lexonte faqe të pastra (Kuranin),
- të cilat përmbanin rregulla të drejta.
- Ata, që u ishte dhënë Libri, u përçanë vetëm atëherë, kur u erdhi Dëshmia e qartë.
- E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.
- Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija.
- Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira.
- Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.
“ لَمْ يَكُنِ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنْ أَهْلِ ٱلْكِتَٰبِ وَٱلْمُشْرِكِينَ مُنفَكِّينَ حَتَّىٰ تَأْتِيَهُمُ ٱلْبَيِّنَةُ – Ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, nuk do të largoheshin (nga mosbesimi i tyre), derisa t’u vinte Dëshmia e qartë” – ithtarët e Librit janë të krishterët dhe hebrenjtë. Quhen kështu sepse tek ta kanë mbetur disa prej fletëve të zbritura prej Allahut (fletushka apo libra si shpallje prej Tij), derisa është dërguar Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, edhe pse në to ka shtrembërime, ndryshime e zëvendësime që kanë bërë (ndërhyrje). Hebrenjtë e kanë pasur Tewratin (që i ka zbritur Musës) dhe të krishterët kanë pasur Inxhilin (që i ka zbritur Isës). Ndërsa, idhujtarët (mushrikët) janë ata që adhurojnë idhuj dhe gjëra të tjera, përveç Allahut.
Bejjineh quhet dëshmia e qartë përmes së cilës sqarohet e vërteta rreth diçkaje; çdo gjë përmes së cilës sqarohet një e vërtetë në arabisht quhet bejjineh. Cila është beijjineh që përmendet në këtë ajet? Kjo sqarohet në ajetin vijues:
“رَسُولٌۭ مِّنَ ٱللَّهِ يَتْلُوا۟ صُحُفًۭا مُّطَهَّرَةًۭ – Një i Dërguar nga Allahu, i cili t’u lexonte faqe të pastra (Kuranin)” – Ky i Dërguar (resul) është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Përmendet në trajtë të pashquar “Një i Dërguar” duke treguar me këtë respekt për të, ngase ai meriton të respektohet e madhërohet (aq sa i takon, pa tejkaluar kufijtë: teprim apo mangësim). Allahu e ka dërguar mbi të gjithë njerëzimin, si paralajmërues dhe përgëzues. Xhibrili ia ka sjell shpalljen prej Allahut. Ky i Dërguar lexon vetë fjalë të pastra dhe ua lexon të tjerëve.
“صُحُف” – quhen vendet ku shkruhet Kurani, si: fletë, pllakë, asht, gurë, lëkurë etj. Fillimisht është shkruar nëpër këto gjëra. E këto janë مُّطَهَّرَةࣰ – të pastra. Të pastra prej shirkut, prej sjelljeve e moraleve të ulëta dhe çdo gjëje që llogaritet e keqe, ngase janë të dëlira apo të shenjta.
“فِيهَا كُتُبٌۭ قَيِّمَةٌۭ– të cilat përmbanin rregulla të drejta” – Në ato faqe janë shkrimet e drejta prej Allahut, që drejtojnë njeriun në rrugën e drejtë (si: teuhidi, madhërimi ndaj Allahut, namazi, moralet e mira etj.).
“وَمَا تَفَرَّقَ ٱلَّذِينَ أُوتُوا۟ ٱلْكِتَٰبَ إِلَّا مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَتْهُمُ ٱلْبَيِّنَةُ– Ata, që u ishte dhënë Libri, u përçanë vetëm atëherë, kur u erdhi Dëshmia e qartë” – Pra, kur u edhi dëshmia e qartë u përçanë, ku disa besuan, disa mohuan e nuk e pranuan shpalljen. Kush ka synuar të mirën (hajrin), ndjekjen e së vërtetës dhe ka qenë i sinqertë, Allahu ia ka mundësuar të besojë dhe e ka frymëzuar e dhënë sukses drejt së vërtetës (besimit). Pra, para se të vijë shpallja, kanë vazhduar të qëndrojnë në gjendjen që kanë qenë (në mohim e shirk), e pastaj kur u ka ardhur bejjine – shpallja e qartë, janë ndarë në dy grupe: besimtarë dhe jobesimtarë.
“وَمَآ أُمِرُوٓا۟ إِلَّا لِيَعْبُدُوا۟ ٱللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ حُنَفَآءَ وَيُقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُؤْتُوا۟ ٱلزَّكَوٰةَ ۚ وَذَٰلِكَ دِينُ ٱلْقَيِّمَةِ – E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë“. Njerëzit në përgjithësi, e në mesin e tyre edhe ithtarët e Librit (me Tewrat dhe Inxhil) nuk janë urdhëruar për asgjë tjetër veçse që të adhurojnë Allahun duke ia kushtuar fenë Atij- njësimi i Tij me adhurim, pa përzier adhurimet me lloje të shirkut. Mirëpo, hebrenjtë kanë thënë për Uzejrin se është bir i Allahut dhe e kanë adhuruar atë dhe të tjerët prej parive të tyre, po ashtu të krishterët kanë thënë se Isa është bir i Allahut dhe e kanë adhuruar atë, nënën e tij dhe shenjtorët në vend të Allahut. Kanë bërë shirk.
حُنَفَا – Hunefe është shumësi i hanif. Dhe hanif është ai që largohet prej çdo feje tjetër dhe i drejtohet vetëm adhurimit ndaj Allahut, pra largohet prej shirkut drejt teuhidit, duke qenë në fenë e Ibrahimit dhe Muhamedit salAllahu alejhi ue selem.
Adhurimi këtu përmendet i shoqëruar nga dy gjëra: ikhlasi (që me adhurimin të synohet Fytyra e Allahut dhe xheneti, e jo gjërat e kësaj jete) dhe hunefe (drejtimi vetëm kah feja e drejtë, Islami).
“ وَيُقِيمُوا۟ ٱلصَّلَوٰةَ – të falnin namazin” në kohën e tij dhe sipas dispozitave të zbritura prej Allahut. Përmendet namazi sepse ai është prej adhurimeve më të larta të trupit.
“ وَيُؤْتُوا۟ ٱلزَّكَوٰةَ– të japin zekatin” në kohën e tij dhe aty ku duhet. Zekati është bamirësi e obliguar.
“ وَذَٰلِكَ دِينُ ٱلْقَيِّمَةِ– Kjo është feja e vërtetë“, e drejtë, që askujt nuk i bën padrejtësi, pra të adhurohet vetëm Allahu, të falet namazi e të jepet zekati. Namazi dhe zekati përmenden ngase janë shtyllat më të forta të Islamit pas dy shehadeteve. Namazi është më i konfirmuar sesa zekati. Kjo që u përmend më lartë është feja e drejtë. Thotë “feja e vërtetë, e drejtë” ngase ata që kanë mohuar prej të krishterëve e hebrenjve dhe idhujtarëve nuk e kanë pranuar atë kur ka ardhur prej Allahut.
“إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ مِنْ أَهْلِ ٱلْكِتَٰبِ وَٱلْمُشْرِكِينَ فِى نَارِ جَهَنَّمَ خَٰلِدِينَ فِيهَآ ۚ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ شَرُّ ٱلْبَرِيَّةِ – Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija” – Allahu sqaron dhe konfirmon me “në të vërtetë” pra gjithsesi. Ithtarët e Librit janë jobesimtarë dhe nuk janë besimtarë derisa të besojnë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem si të Dërguar i Allahut. Nuk llogariten besimtarë edhe nëse thonë “Besojmë në Zot, besojmë në Ditën e Fundit, lutemi për të vdekurit tanë që t’i falë Allahu”, derisa të besojnë Muhamedin për të dërguar, madje dhe të Dërguarit e tyre, ngase Allahu e ka përshkruar Muhamedin salAllahu alejhi ue selem në Librat që ua kishte zbritur më herët e që e kanë përgënjeshtruar (përveç një pjese të paktë).
“krijesat më të këqija“- duke qenë të tilla prej tyre duhet pritur vetëm të keqen, ngase e keqja buron prej të keqes, të keqit, dhe nuk ka mundësi të kemi mendim të mirë për ta.
“إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ أُو۟لَٰٓئِكَ هُمْ خَيْرُ ٱلْبَرِيَّةِ – Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira” – pasi përmend jobesimtarët, pastaj përmend besimtarët. Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira janë katër nivele, siç përmendet kjo në suren Nisa 69: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” Të parët janë të Dërguarit e Pejgamberët, pastaj të sinqertët, pastaj dëshmitarët dhe pastaj të devotshmit.
“جَزَآؤُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ جَنَّٰتُ عَدْنٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدًۭا ۖ رَّضِىَ ٱللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا۟ عَنْهُ ۚ ذَٰلِكَ لِمَنْ خَشِىَ رَبَّهُۥ – Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet” – Allahu së pari i lavdëroi pastaj përmendi shpërblimin, ngase lavdërimi i Allahut për besimtarin është shumë diçka më e lartë sesa shpërblimi.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset e tefsirit – Transkriptim.