Surja El Bekare Përshtatshmëria (lidhja) e fillimit me përmbylljen e saj-1

Surja El Bekare
Përshtatshmëria (lidhja) e fillimit me përmbylljen e saj1

Allahu i Lartësuar në fillimin e sures El Bekare thotë: “Elif, Lam, Mim. Ai është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.” (El Bekare: 1-2). Kurse në fund të saj thotë: “Ti je Zoti/Mbrojtësi Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”(El Bekare: 286).

Fillimi i sures flet për të devotshmit, përderisa fundi i saj flet për triumfin e qartë. Lidhja mes devotshmërisë dhe triumfit është si ajo mes shkakut dhe pasojës. Të devotshmit janë triumfuesit. Prandaj, sikur është thënë (këtu): O, ju besimtarë me devotshmëri ndaj Allahut triumfoni! Ajetet e ngjashme që e sqarojnë këtë vendim janë të shumta në Librin e Allahut.

Prej tyre është Fjala e Allahut të Lartësuar:

“Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat (të devotshmit).” (El Bekare: 194).

“Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En Nahl: 128).

“Kurse Allahu është Mbrojtësi i atyre që i frikësohen Atij e që ruhen nga gjynahet (të devotshmit).” (El Xhathije: 19).

“E Ne i shpëtuam ata që besuan dhe që u ruajtën (prej të këqijave).” (Fusilet: 18).

“Andaj, duro! Se, vërtet, në fund, fitorja është e të devotshmëve.” (Hud: 49).

“Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut (të devotshmëve).” (El A’raf: 128).

“Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut (devotshmëri).” (Ta Ha: 132).

Të gjitha këto ajete përcaktojnë qartë që triumfi është i lidhur me devotshmërinë. Me gjithë këtë, vijnë ata që nguten, i mbyllin sytë para këtyre ajeteve duke e kërkuar triumfin jo përmes rrugës së saj (devotshmërisë). Ata e dinë që nuk lejohet të gjykuarit përveçse te Allahu, në çdo (çështje) të vogël dhe të madhe. Ashtu si nuk lejohet anulimi i asaj që Allahu e ka kushtëzuar në Librin e Tij ose përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Atëherë si qëndron puna kur të gjitha këto tekste janë mbledhura tek ata të cilëve Allahu ua ka bërë të dashur bindjen ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit të Tij (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe ua ka mbushur zemrat me bindje të plotë se Allahu e din (më mirë) kurse ata nuk dinë (urtësinë e çështjeve)? Sa i pazoti për t’i edukuar njerëzit në devotshmëri që ngutet me biseda të gjata dhe të shumta rreth xhihadit dhe triumfit, përfundimi i tij ishte përfundimi i atij për të cilin është thënë: ai i cili ngutet për një çështje para kohës së saj, ndëshkohet me privimin nga ajo.

Pastaj, Allahu jep hollësira rreth devotshmërisë ndërmjet fillimit dhe fundit të sures El Bekare; që përfshinë të gjitha dispozitat fetare përmes të cilave arrihet shkalla e devotshmërisë: besimi i shëndoshë, pesë shtyllat e Islamit, dispozitat e marrëdhënieve mes njerëzve prej moraleve, shitblerjeve, dispozitave të martesës, xhihadit në rrugën e Allahut, dhe të tjera. Allahu i ka përmbledhur disa prej tyre në një ajet të vetëm përmbledhës, kurse në fund të ajetit përcakton se ato janë atributet e të devotshmëve. Allahu thotë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun” (El Bekare: 177).

Nëse mediton rreth çdo paragrafi prej paragrafëve të sures e gjen se Allahu në shumicën e rasteve e përfundon me thirrje për devotshmëri, ndonjëherë bën thirrje në krye të tij, e, ndonjëherë bashkon mes dyjave (në fillimin dhe fundin e tij), siç qëndron puna në shumicën e tyre. Ajeti i parë në të – bile ai është i pari i krejt mus’hafit sipas renditjes së tij – ku Allahu urdhëron me teuhid, gjejmë se e përfundon me devotshmëri. Allahu thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat/të jeni të devotshëm)” (El Bekare: 21).

Kurse, në fillimin e sures i përshkroi të devotshmit se ata e falin namazin, dhe e japin zeqatin: “Ai (Kurani) është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne” (El Bekare: 2-3).

Ajetet e agjërimit i përmbylli me devotshmëri: “Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat (të jenë të devotshëm)” (El Bekare: 187).

Ajetet e haxhit i përmbylli me të: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun (bëhuni të devotshëm) e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni” (El Bekare: 203).

Ajetet e kisasit[2] i përmbylli me të: “Në kisas ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni (të
jeni të devotshëm)!” (El Bekare: 179).

Ajetin rreth hënave të reja e përfundoi me të, Ai tha: “dhe kijeni frikë Allahun (jini të devotshëm), në mënyrë që të shpëtoni!” (El Bekare: 189).

Ajetin e xhihadit e përmbylli me të: “Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat (që janë të devotshëm)” (El Bekare: 194).

Ajetet e divorcit i përmbylli me të: “Grave të ndara u takon sigurimi i caktuar i shpenzimeve të jetesës. Kjo është detyrë e të devotshmëve” (El Bekare: 241).

Ajetet rreth kamatës i përmbylli me të: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi” (El Bekare: 281).

Ajetin rreth borxhit e përmbylli me të: “prandaj, ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju; Allahu është i Dijshëm për çdo gjë” (El Bekare: 282). Gjithashtu, edhe ajeti pas tij.

Gjithashtu, Allahu në këtë sure na ka treguar ngjarje të shumta ku sqaroi efektin e braktisjes së devotshmërisë ndaj Allahut në privimin nga triumfi. Siç ishte gjendja me bijtë e Israilit (çifutët), ngjarja e të cilëve ka marr një pjesë të madhe të kësaj sureje. Nga ajo çfarë Allahu na ka treguar në këtë sure është se Ai e mposhti armikun e tyre, dhe ua lehtësoi kthimin në qytetin e tyre pasi bredhin të çoroditur nëpër tokë. Allahu thotë: “Kujtoni kur thamë: “Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!” që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin” (El Bekare: 58). Pra, i urdhëroi si shpërblim për hyrjen e tyre në qytet të bien në sexhde si falënderim ndaj Allahut, dhe të thonë: “hittatun”, që do të thotë: na i shlyejë mëkatet tona. Këtu kemi përmirësim të veprës the thënies.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në “Tefsirin” e tij thotë: “Rezymeja e gjithë çështjes është se ata u urdhëruan t’i nënshtrohen Allahut të Lartësuar kur të vije fitorja me vepër dhe fjalë. Kur të mëkatojnë t’i pranojnë mëkatet e tyre, të kërkojnë falje për to, ta falënderojnë Allahun për mirësitë e Tij, dhe të shpejtojnë me vepra që janë të dashura për Allahun e Lartësuar. Siç Allahu thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve” (En Nasr: 1-3).Disa sahabe e komentuan këtë sure se duhet shtuar dhikri (përmendja e Allahut) dhe kërkimi i faljes prej Tij kur të vije çlirimi dhe triumfi. Ndërsa Ibën Abbasi e komentoi se në këtë sure i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), është paralajmëruar për vdekjen e tij. Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ia aprovoi këtë koment.

Nuk ka kontradiktë mes asaj se është urdhëruar me këtë (dhikr dhe istigfar) gjatë çlirimit, dhe asaj se shpirti i tij fisnik është paralajmëruar për vdekjen e tij, gjithashtu. Për këtë te Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) përulja shfaqej shumë gjatë çlirimeve. Siç është transmetuar se ditën e çlirimit – çlirimit të Mekës – Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte duke hyrë në të nga rruga e lartë mes maleve, dhe ishte i përulur ndaj Zotit të tij sa që mjekra e tij prekte shalën e devesë së tij[3]. Pastaj, kur hyri në Meke u pastrua dhe fali tetë rekate namaz të Duhasë (paradites)[4]. Disa thanë: ky ishte namaz i paradites. Kurse të tjerët thanë: përkundrazi, ky është namazi i çlirimit. Prandaj, e pëlqyen që imami dhe emiri kur të çlirojë një vend t’i falë tetë rekatenë momentet e para të hyrjes në atë vend, ashtu siç veproi Sa’d bin Ebi Uekkas, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur hyri pallatin e Kisrasë (perandorit të Persisë) i fali tetë rekate”.

Këtu ka për qëllim (Ibën Kethiri) që Allahu urdhëroi me tesbih (madhërim të Tij) kur të vijnë mirësitë nga Ai, dhe i pari që hynë këtu është namazi. Siç, komentuesit e Kuranit e kanë transmetuar nga disa prej selefit (gjeneratave të para) të cilët kështu e komentuan Fjalën e Allahut: “Po të mos ishte (Junusi) nga ata që bëjnë tesbih”[5](Es Saffat: 143). Kurse prej sunetit është fjala të Dërguarit (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Vërtet do t’u udhëheqin emirë të cilët e vonojnë namazin nga koha e tij, dhe do t’ia zënë frymën atij si asfiksimi i të vdekurve. Kur t’i shihni të veprojnë kështu, faleni namazin në kohën e tij, kurse namazin e juaj prapa tyre konsiderojeni subha (nafile)” (Transmetuar ngaMuslimi).

Qëllimi i krejt kësaj është se ashtu siç u urdhëruan bijtë e Israilit këtu me sexhde, ashtu u urdhërua Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në suren e Çlirimit me tesbih, pjesë e të cilit është edhe namazi. Ashtu si u urdhëruan bijtë e Israilit me lutje për faljen e mëkateve të tyre, ashtu u urdhërua Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në suren e Çlirimit me kërkim falje. Është e njëjta rrethanë: çlirimi i vendeve nga duart e armikut dhe mundësia e hyrjes në to. Kjo është prej krahasimeve të çuditshme drejt të cilave është udhëzuar Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë! Qëllimi është se bijtë e Israilit janë urdhëruar ta falënderojnë Allahun me vepër dhe thënie, mirëpo, ata e ndërruan veprën me një vepër tjetër, dhe thënien me një thënie tjetër. Siç, tërhoqën vëmendjen për këtë Ibën Haxheri në “Fet’h” (8/304) dhe El Mubarekfuri në “Tuhfetul Ahuedhij” (7/234).

Sa i përket veprës, në vend se të hyjnë të përulur (në sexhde), ata hynë duke u zvarritur me prapanicat e tyre. Kurse, sa i përket thënies, në vend se ta lusin Allahun që t’ua shlyejë mëkatet (hittatun), ata thanë duke u tallur: hintatun (grurë). Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurerja, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Iu është thënë bijve të Israilit: “duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Hittatun (Falna)!”, ata e ndërruan dhe hynë duke u zvarritur në prapanicat e tyre, dhe thanë: “Habbetun (kokërr) në qime”. Allahu i Lartësuar tha: “Por keqbërësit e ndryshuan fjalën që iu tha me një fjalë tjetër, prandaj Ne u sollëm atyre që bënë (këtë) padrejtësi një dënim nga qielli për mosbindjen e tyre” (El Bekare: 59).

Si konkluzion është se Allahu në këtë sure – suren El Bekare – na tregoi se i ka urdhëruar bijtë e Israilit me devotshmëri ndaj Tij: “dhe ruhuni (bëhuni të devotshëm) vetëm prej Meje!” (El Bekare: 41). Kjo devotshmëri ishte falënderimi me vepër dhe thënie, mirëpo, ata e kundërshtuan këtë, prandaj, merituan si rezultat poshtërimin dhe ndëshkimin.

Gjithashtu, Allahu na ka treguar ngjarjen e Talutit dhe Xhalutit, sepse në të ka mësime për çdo kënd që e ngut triumfin kurse nuk është prej të devotshmëve; ata e kërkuan luftën, mirëpo, Pejgamberi i tyre ua ndaloi për shkak të dobësisë së tyre. Kur ata këmbëngulën në kërkesën e tyre, Allahu ua mundësoi që vetë ata ta shohin kundërshtimin e tyre ndaj urdhrave të Tij, dhe paqëndrueshmërinë e tyre në takimin me armikun, përveç se një pjese të vogël të cilët ishin besimtarë të devotshëm.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: “Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit” (El Bekare: 249).

Pasi që divorci është një temë shkaku i të cilit shpirtrat bëhen koprracë dhe i shpie në hakmarrje dhe dhunë, atëherë të folurit rreth devotshmërisë është ndërfutur pesë herë.

Domethënia për shkak të së cilës e zgjata shumë të folurit rreth kësaj sureje fisnike është të sqaroj se ajo fillohet me përmendjen e cilësive të të devotshmëve , kurse përmbyllet me lutje për triumf, për të treguar se ata që e meritojnë triumfin janë të devotshmit. Ndërmjet gjithë kësaj (fillimit dhe fundit) është ndërfutur shtjellimi i gjendjes së të devotshmëve, dhe njohja/përcaktimi i rrugës së tyre, në mënyrë që të pasohet duke u bazuar në dije/prova.

Ndoshta për shkak të kësaj Allahu e filloi këtë sure duke e ngritur lartë përmendjen e Libri të Tij: “Ai është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”; sepse ai përmban sqarimin e shkaqeve të devotshmërisë, sidomos (kur dihet) që Allahu i ngrit besimtarët ndaj të tjerëve përmes saj. Siç transmeton Muslimi nga Amir bin Uathile: “Se Nafi bin AbdulHarith e takoi Umerin në Usfan, përderisa Umeri e kishte bërë përgjegjës për Meken. Umeri e pyeti: Kënd e bëre përgjegjës për banorët e luginës? Ai tha: Ibën Ebzain. Umeri pyeti: Kush është Ibën Ebzai? Tha: Rob prej robërve tonë. Umeri u çuditë: E bëre udhëheqës të tyre një rob?! Tha: Ai e lexon (din përmendësh) Librin e Allahut (azze ue xhel-le), dhe është i dijshëm për shkencën e trashëgimisë. Umeri tha: Kurse Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) juaj ka thënë: “Vërtetë me këtë Libër Allahu ngrit popuj, dhe më të ul të tjerë”.

Ndoshta për këtë Allahu tregoi për Librin e Tij me përemrin dëftor që tregon largësi, e që është: “Ai”. Ebu Suudi në “Tefsirin” e tij (1/24) thotë: “Domethënia e largësisë është përmendur për të shpallur çështjen e lartë të tij (Kuranit), dhe kuptimi i saj është: ai libër, çështja e të cilit është e çuditshme, ka arritur skajshmërinë e shkallëve të përsosurisë”. Pasi që pasuesit e Kuranit, Allahu i ngriti me devotshmërinë e tyre, në të njëjtën sure u cek tekstualisht se ngritja e tyre ndaj të tjerëve u bë përmes saj (devotshmërisë). Allahu thotë: “Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata – në Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë” (El Bekare: 212).

Në studimin që vijon do të sqarohet rruga përmes të cilës ndihmohet Libri Fisnik (Kurani), që të arrihet ndihma dhe triumfi prej Allahut të Lartësuar.

Vazhdon…

Përktheu: Lulzim Perçuku

_________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Min kul-li suretin faide – Prej çdo sureje përfitojmë së paku një dobi” i shejhut AbdulMalik bin Ahmed Ramadani.

[2] Kisasi në të drejtën juridike islame është ligji i barazisë në ndëshkim.

[3] Shejh Albani e cilësuar si të dobët në shënimet e tij ndaj librit “Fikhu essireti” (faqe 412). Gjithashtu, Shejh Mukbil El Uadi’i në shënimet e tij ndaj “Tefsirit” të Ibën Kethirit (1/187).

[4] Mutefekun alejhi (Buhariu dhe Muslimi).

[5] Sipas këtij komenti do të thotë: po të mos ishte prej atyre që falen, ajetin në vijim: “me siguri do të mbetej në barkun e saj (balenës) deri në Ditën e Ringjalljes” (Junus: 144). Sh.p.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit