Surja el Buruxh – Komentim
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
وَٱلسَّمَآءِ ذَاتِ ٱلْبُرُوجِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْمَوْعُودِ وَشَاهِدٍۢ وَمَشْهُودٍۢ قُتِلَ أَصْحَٰبُ ٱلْأُخْدُودِ ٱلنَّارِ ذَاتِ ٱلْوَقُودِ إِذْ هُمْ عَلَيْهَا قُعُودٌۭ وَهُمْ عَلَىٰ مَا يَفْعَلُونَ بِٱلْمُؤْمِنِينَ شُهُودٌۭ وَمَا نَقَمُوا۟ مِنْهُمْ إِلَّآ أَن يُؤْمِنُوا۟ بِٱللَّهِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَمِيدِ ٱلَّذِى لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ شَهِيدٌ إِنَّ ٱلَّذِينَ فَتَنُوا۟ ٱلْمُؤْمِنِينَ وَٱلْمُؤْمِنَٰتِ ثُمَّ لَمْ يَتُوبُوا۟ فَلَهُمْ عَذَابُ جَهَنَّمَ وَلَهُمْ عَذَابُ ٱلْحَرِيقِ إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ لَهُمْ جَنَّٰتٌۭ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ ۚ ذَٰلِكَ ٱلْفَوْزُ ٱلْكَبِيرُ إِنَّ بَطْشَ رَبِّكَ لَشَدِيدٌ إِنَّهُۥ هُوَ يُبْدِئُ وَيُعِيدُ وَهُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلْوَدُودُ ذُو ٱلْعَرْشِ ٱلْمَجِيدُ فَعَّالٌۭ لِّمَا يُرِيدُ هَلْ أَتَىٰكَ حَدِيثُ ٱلْجُنُودِ فِرْعَوْنَ وَثَمُودَ بَلِ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ فِى تَكْذِيبٍۢ وَٱللَّهُ مِن وَرَآئِهِم مُّحِيطٌۢ بَلْ هُوَ قُرْءَانٌۭ مَّجِيدٌۭ فِى لَوْحٍۢ مَّحْفُوظٍۭ .
- Për qiellin me yjësi,
- për Ditën e premtuar,
- për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet!
- Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut,
- zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse,
- kur rrinin ulur rreth tij,
- duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve!
- Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,
- të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje.
- Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.
- Kurse për ata, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore.
- Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!
- Vërtet, Ai e zë fill krijimin dhe e përsërit atë.
- Ai është Falësi i madh, i Dashuri,
- Zotëruesi i Fronit i Cili është Madhështor,
- Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron.
- A e ke dëgjuar ndodhinë e ushtrive
- të Faraonit dhe të fisit Themud?
- E megjithatë, ata që nuk besojnë, vazhdojnë me përgënjeshtrim,
- ndonëse Allahu është pas tyre e i ka nën kontroll.
- Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm,
- në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).
Komentimi
– وَٱلسَّمَآءِ ذَاتِ ٱلْبُرُوجِ – Për qiellin me yjësi”- Buruxh do të thotë yjësi, një grup i madh i yjeve të vendosur në një kënd të caktuar dhe që shihen prej tokës. Janë quajtur kështu sepse qëndrojnë lartë, janë të ngritur, shihen qartë prej tokës. Allahu këtu betohet në qiellin plotë yjësi. Atij i lejohet të betohet në çfarëdo që dëshiron, ndërsa neve nuk na lejohet kjo, por duhet të betohemi vetëm në Allahun.
– وَٱلْيَوْمِ ٱلْمَوْعُودِ – për Ditën e premtuar”- Ajo është Dita e Kiametit. Allahu ka premtuar se ajo do të ndodhë gjithsesi. Këtë e ka sqaruar në Kuran duke mos lërë dyshime për të. Allahu thotë: “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” Enbija 104.
– وَشَاهِدٍۢ وَمَشْهُودٍۢ – për dëshmitarin dhe për atë që dëshmohet!”- Dëshmitarët që do të dëshmojnë në Ditën e Gjykimit janë të shumtë, prej tyre: Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (do të dëshmojë se e ka zbatuar mesazhin me të cilin e ka ngarkuar Allahu), umeti musliman (do të dëshmojë se Pejgamberët e kanë dërguar në vend mesazhin e Allahut), gjymtyrët tona (do të dëshmojnë kundër nesh apo pro nesh), engjëjt. Çdokush që dëshmon me të vërtetën hyn në këtë fjalë të Allahut “për dëshmitarin”. Kurse, “për atë që dëshmohet” ajo është Dita e Gjykimit dhe tmerret e frikërat e shumta që do të ndodhin atë Ditë. Allahu thotë: “Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar” Hud 103.
– قُتِلَ أَصْحَٰبُ ٱلْأُخْدُودِ– Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut”- Pasi Allahu sjell betimet, flet për gjënë për të cilën betohet. Fjala “kutile” ka dy kuptime në arabisht: 1. U shkatërrofshin, apo mallkuar qofshin, 2. U vrafshin. Mallkimi është largimi i dikujt prej mëshirës së Allahut. Allahu na tregon këtu se njerëzit e Hendekut i ka larguar/përzërë prej mëshirës së Tij. Ata së pari kanë provuar t’i detyrojnë besimtarët të braktisin besimin, mirëpo pasi nuk e kanë arritur këtë atëherë kanë hapur hendeqe të zgjatura dhe kanë vendosur drunj të shumtë e pastaj i kanë hedhur ata besimtarë duke i djegur për së gjalli.
Njerëzit e Hendekut kanë qenë disa jobesimtarë të cilët kanë djegur me zjarr besimtarët. Janë transmetuar ngjarje të shumta se për kënd është fjala. Një ngjarje thotë se kjo ka ndodhur në Sham, një tjetër thotë se kjo ka ndodhur në Jemen (mbreti jehudi i ka djegur ndjekësit e Isait alejhi ue selem).
-“ ٱلنَّارِ ذَاتِ ٱلْوَقُودِ – zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse”- me drunj dhe gjëra të tjera.
-“ إِذْ هُمْ عَلَيْهَا قُعُودٌۭ – kur rrinin ulur rreth tij”- Tregon se njerëzit e Hendeqeve kanë qenë shumë arrogantë, të ashpër, zemërngurtë. Ata kanë parë me sy zjarrin duke i djegur trupat e besimtarëve e megjithatë kanë qëndruar ulur rreth tij, pa iu lëvizur zemra. Kjo tregon se sa njerëz të këqij e të pamëshirë kanë qenë ata!
– وَهُمْ عَلَىٰ مَا يَفْعَلُونَ بِٱلْمُؤْمِنِينَ شُهُودٌۭ – duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve!”- Ata kanë qenë dëshmues dhe prezentë për atë që ua kanë bërë besimtarëve (djegien me zjarr). Madje kanë besuar se ata e meritojnë këtë ndëshkim.
– وَمَا نَقَمُوا۟ مِنْهُمْ إِلَّآ أَن يُؤْمِنُوا۟ بِٱللَّهِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَمِيدِ – Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd”- Ata janë hakmarrë kundër besimtarëve duke i dënuar dhembshëm ngase kanë besuar Allahun, të Plotfuqishmin, të Denjin për çdo lavd. Këta besimtarë kanë besuar Allahun, Atë i Cili meriton adhurimin, i Cili i ka krijuar njerëzit për ta adhuruar Atë. Ai që e adhuron Allahun e ka njohur urtësinë e krijimit të tij dhe të ardhjes së tij në këtë jetë. Në këtë ajet Allahu konfirmon më shumë nënçmimin ndaj atyre (zullumqarëve) dhe në anën tjetër lavdëron këta besimtarë. Allahu na tregon këtu se besimi nuk është një gjë për të cilën tjetri duhet të refuzohet apo të ndëshkohet, mirëpo ai që e refuzon atë meriton refuzimin dhe ndëshkimin. Të nënçmohen besimtarët e të dënohen duke i djegur me zjarr, kjo tregon për një armiqësi të madhe ndaj besimtarëve dhe ndaj Allahut.
“ٱلَّذِى لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ شَهِيدٌ – të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje”- Ai i Cili veçohet me këtë është Allahu. Ky sundim përfshin çdo gjë që është në qiell e tokë, Allahu i sundon dhe i drejton, madje edhe tiparet e atributet e tyre. Askush nuk mund të jetë ortak apo shok me Allahun në këtë sundim (nuk ka hise askush).
Allahu na sheh neve, prej lartë mbi shtatë qiej, Ai sheh çdo gjë dhe është Dëshmitar për çdo gjë që veprojnë njerëzit. Prej asaj që e dëshmon është dhe ajo që e bëjnë jobesimtarët ndaj besimtarëve, siç është djegia me zjarr e përmendur në këtë sure, dhe në të ardhmen do t’i ndëshkojë ata (jobesimtarët) për këtë. Megjithatë…
-“ إِنَّ ٱلَّذِينَ فَتَنُوا۟ ٱلْمُؤْمِنِينَ وَٱلْمُؤْمِنَٰتِ ثُمَّ لَمْ يَتُوبُوا۟ فَلَهُمْ عَذَابُ جَهَنَّمَ وَلَهُمْ عَذَابُ ٱلْحَرِيقِ – Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”- Disa nga selefi kanë thënë: “Shiko në butësinë dhe në mëshirën e Allahut! Këta jobesimtarët po i djegin miqtë dhe të dashurit e Allahut me zjarr dhe Allahu po ua paraqet pendimin (të pendohen për këtë).” Nëse vdesin pa u penduar, i pret ky ndëshkim, e nëse pendohen atëherë Allahu ua fal. Kjo tregon se sa mëshirë të madhe ka Allahu. Disa dijetarë për fjalën “fetenu – përndjekin/sprovojnë” kanë thënë: “I djegin”. Disa të tjerë kanë thënë: “I pengojnë prej fesë së tyre.” Ajeti përfshin të dy kuptimet. Këta jobesimtarë i kanë djegur me zjarr miqtë e Allahut, edhe Allahu do t’i ndëshkojë në të njëjtën mënyrë (me zjarr). Mirëpo, ka dallim të madh mes zjarrit të dunjasë dhe zjarrit të ahiretit (i cili është shumë më i ashpër). Dobi të nxjerra nga ajeti: Allahu nganjëherë lejon që armiqtë e Tij të triumfojnë ndaj miqve të Tij. Mos u çudit nga kjo, ngase në këtë ka urtësi të cilat i di Allahu, Ai e di pse e lejon këtë. Besimtarët e sprovuar do të kenë shpërblim të madh për këtë sprovë.[1]
“إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوا۟ وَعَمِلُوا۟ ٱلصَّٰلِحَٰتِ لَهُمْ جَنَّٰتٌۭ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَٰرُ ۚ ذَٰلِكَ ٱلْفَوْزُ ٱلْكَبِيرُ – Kurse për ata, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të ketë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore” – që besojnë Allahun, engjëjt, Librat e zbritur, të Dërguarit e dërguar, Ditën e Fundit dhe kaderin (të mirin e të keqin). “bëjnë vepra të mira” d.m.th. të sakta, ato të cilat janë ndërtuar në sinqeritet (të bëra për hir të Allahut) dhe në ndjekjen e sunetit profetik. Së bashku me besimin është kusht bërja e veprave të mira. “do të ketë kopshte…” kjo do të ndodhë pas ringjalljes, ata që kanë besuar Allahun dhe kanë vepruar vepra të mira do të hyjnë në këto kopshte (xhenete) nëpër të cilët rrjedhin lumenj. “nëpër të cilët rrjedhin lumenj” ata rrjedhin mbi tokën e xhenetit pa pasur nevojë të kenë shtrat, nuk vërshojnë (djathtas apo majtas), nuk kanë nevojë për kanal për të rrjedhë; lumenjtë e xhenetit rrjedhin ngado që dëshiron njeriu, ai i drejton sipas dëshirës së tij. “fitorja madhështore”- këto xhenete dhe kënaqësitë në to janë fitorja madhështore. Fitorja- qëllimi është shpëtimi prej gjërave të cilave u frikësohesh (dënimi i Allahut) dhe arritja e gjërave të cilat i synon.
“إِنَّ بَطْشَ رَبِّكَ لَشَدِيدٌ – Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër” – ndëshkimi apo hakmarrja që Allahu ka përgatitur për jobesimtarët. Ai e ndëshkon vetëm atë që e meriton dënimin e Tij. Ndërsa, me atë që nuk e meriton ndëshkimin e Tij, i cili është besimtar dhe që vepron vepra të mira, Allahu vepron me mëshirë e butësi. Mëshira e Allahut është shumë më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse sesa ndëshkimi i Tij. Ai na fal shumë prej gabimeve e gjynaheve tona, na mbulon shumë prej të metave e gjynaheve, na largon shumë ndëshkime për mëkatet tona dhe na jep shumë prej mirësive të Tij.
“إِنَّهُۥ هُوَ يُبْدِئُ وَيُعِيدُ – Vërtet, Ai e zë fill krijimin dhe e përsërit atë” – Të gjitha çështjet kanë filluar prej Allahut dhe përfundimi i tyre është tek Ai, si: krijimi, dispozitat etj. Allahu ka filluar çdo gjë dhe e rikthen tek Ai. E gjithë çështja pra është në Dorën e Tij.
“وَهُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلْوَدُودُ – Ai është Falësi i madh, i Dashuri” – Magfireti është mbulimi i gjynaheve dhe falja e tyre, nuk është qëllimi vetëm mbulimi i tyre. Allahu është Shumëfalës. Ai i mbulon gjynahet e robërve të Tij (nuk ua zbulon para njerëzve për t’i demaskuar dhe turpëruar) dhe pastaj nuk i dënon për to, por i fal. Obligim mbi njeriun është të pendohet dhe të kërkojë falje, që Allahu të fshijë edhe gjurmët e mëkateve. El Wedud – Ai që dashurohet dhe duhet prej të tjerëve dhe gjithashtu Ai Cili i do të tjerët. Atë e duan të dashurit e Tij. Allahu i do disa prej robërve të Tij, veprave dhe vendeve.
“ذُو ٱلْعَرْشِ ٱلْمَجِيدُ – Zotëruesi i Fronit i Cili është Madhështor”- pastaj Allahu tregon madhështinë e madhërinë e Tij. Allahu është Ai që e zotëron dhe e sundon Arshin. Arshi është Froni mbi të cilën është lartësuar Allahu. Ai është krijesa më e madhe dhe më e gjerë të cilën e ka krijuar Allahu.
“فَعَّالٌۭ لِّمَا يُرِيدُ – Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron”- Vepron shumë dhe sipas dëshirës së Tij. Askush nuk mund ta pengojë të veprojë atë që dëshiron në sundimin e Tij. Atij i takon sundimi i qiejve dhe i tokës. Në këtë ajet pohohet dëshira e Allahut, e plotë, e përsosur. Askush nuk mund të dëshirojë të veprojë diçka veçse pas dëshirës së Allahut. Dëshira jonë është e kushtëzuar me dëshirën e Allahut. Dëshira e Allahut përfshin veprat e Tij dhe veprat e njerëzve.
“هَلْ أَتَىٰكَ حَدِيثُ ٱلْجُنُودِ – A e ke dëgjuar ndodhinë e ushtrive”- Këto fjalë ia drejton Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe çdokujt. E ka sjell në formë të pyetjes për të tërhequr vëmendjen e atij që e dëgjon këtë ajet, që t’i kushtojë kujdes se çfarë vjen/pason pas pyetjes.
“فِرْعَوْنَ وَثَمُودَ – të Faraonit dhe të fisit Themud?”- A ke dëgjuar për ndodhinë e ushtrive të tyre? Përgjigja është: Po. Allahu na ka treguar se çfarë ka ndodhur me ta, na ka sjell lajmin për ta (në shumë ajete e sure) në të cilin ka mësime. Faraoni që ka jetuar në kohën e Musait alejhi ue selem ka qenë diktator, tiran, mendjemadh, saqë ka thënë për veten e tij se është zoti, se duhet të adhurohet vetëm Ai, ai është përqeshur me Musain kur i ka sjell argumente dhe e ka sfiduar, duke i thënë se të kanë bërë magji, madje ai lavdërohej shumë te populli i tij dhe te Musai dhe mbahej për i madh. Mirëpo, atë pastaj e mohuan njerëzit më të afërt, magjistarët e tij, duke kaluar në besimin e saktë, kanë thënë: “Ne besojmë në Zotin e botëve- Zotin e Musait dhe të Harunit”. Allahu, si përfundim, e ka fundosur Faraonin dhe ushtrinë e tij. Ndërsa, popullit Themud Allahu u ka dhënë forcë të madhe saqë kanë gdhendur kodra duke bërë shtëpi në to. Kur kanë përgënjeshtruan Porfetin e tyre Salihun alejhi ue selem, Allahu i ka shkatërruar përmes një britme të vetme. Përmes këtyre tregimeve të këtyre popujve, Allahu ka dashur ta ngushëllojë dhe forcojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe t’i tregojë se Ai që i ka ndihmuar Profetët e mëhershëm të triumfojnë kundër armiqve të tyre (përgenjështrues) gjithsesi do të ndihmojë edhe atë të triumfojë kundër armiqve të tij. Dhe gjithashtu, përmes këtyre tregimeve Allahu kërcënon ashpër idhujtarët e Mekës të cilët përgënjeshtronin Pejgmaberin salAllahu alejhi ue selem; ka dashur t’iu thotë se ju nuk jeni më të fortë se ata popuj, përderisa i ka shkatërruar ata, edhe juve do t’iu shkatërrojë.
“بَلِ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا۟ فِى تَكْذِيبٍۢ – E megjithatë, ata që nuk besojnë, vazhdojnë me përgënjeshtrim” – Ka dashur të tregojë se janë të zhytur në të, përgënjeshtrimi e mohimi i ka përfshirë nga të gjitha anët. Në ajet përfshihet çdokush që mohon Allahun dhe të Dërguarin e Tij, qoftë: idhujtar, pagan, jahudi, i krishterë e të tjerë.
“وَٱللَّهُ مِن وَرَآئِهِم مُّحِيطٌۢ – ndonëse Allahu është pas tyre e i ka nën kontroll”- Askush nuk mund t’i ikë Allahut, dijes, fuqisë, pushtetit, dënimit e ndëshkimit të Tij. Por, nganjëherë Allahu i jep afat mohuesit dhe zullumqarit, e pastaj kur e kap me ndëshkim nuk ka mundësi t’i shpëtojë atij.
“بَلْ هُوَ قُرْءَانٌۭ مَّجِيدٌۭ – Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm”- Ai me të cilën ka ardhur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është Kuran i lavdishëm, madhështor. Ky përshkrim është për Kuranin dhe për çdo kënd që e bartë atë, e lexon siç e meriton, kapet pas tij dhe e zbaton atë. I tilli do të arrijë lavdinë në këtë dunja.
“فِى لَوْحٍۢ مَّحْفُوظٍۭ – në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh)”- Ajo është tek Allahu, është Libri Amëz. Në të nuk ndryshohet asgjë. Aty janë shkruar kaderet e krijesave të Tij, çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kiametit. Prej gjërave që janë shkruar në të është zbritja e Kuranit te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Quhet Mahfudh sepse askush nuk ka mundësi ta prekë atë (ta ndryshojë) dhe se Allahu e ka ruajtur prej ndryshimeve e zëvendësimeve.
Allahu në fillimin e sures Buruxh betohet në qiellin dhe në yjet e vendosura lartë në qiell “Për qiellin me yjësi”, ndërsa në fundin e saj thotë: “Përkundrazi, ai është një Kuran i lavdishëm”. Kjo na jep të kuptojmë se kush do që të jetë i lartë dhe të arrijë lavdinë në këtë dunja, atëherë duhet t’i përmbahet këtij Kurani. Umeti nuk mund të ngritët e nuk mund t’i kthehet lavdia përveçse kur t’i kushtojë rëndësi Kuranit e të kapet pas tij (ta lexojnë, ta mësojnë dhe ta zbatojnë) dhe pas sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (e jo të shkojë pas sistemeve e ligjeve të prishura të njerëzve jobesimtarë të bazuara mbi padrejtësi).
***
[1] Sprovat me të cilat sot cenohen miuslimanët na shtyjnë të qajmë me lot dhe me zemër, mirëpo themi “Allahu është i patëmeta, këtë që e ka lejuar të ndodhë për jobesimtarët ndaj besimtarëve, është për një urtësi të cilin e di Ai.” Kështu u ka ndodhur edhe muslimanëve më herët. Edhe muslimanët sot janë sprovuar me fatkeqësi e vështirësi (prej armiqve), por do të ngritën në shkallë të larta tek Allahu dhe do t’iu falen mëkatet, gjithashtu do t’i bëjë mësim për pjesën tjetër të muslimanëve se kjo gjendje është pasojë e veprave të tyre dhe se Allahu i lejon të triumfojnë mbi besimtarët që pastaj kur t’i ndëshkojë (jobesimtarët), t’i ndëshkojë me ndëshkimin e të Plotfuqishmit.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.