Surja el Felek – Komentim
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلۡفَلَقِ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ وَمِن شَرِّ ٱلنَّفَّٰثَٰتِ فِي ٱلۡعُقَدِ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ
- Thuaj: “Kërkoj mbrojtje/strehë te Zoti i agimit,
- që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar
- dhe nga sherri i natës, kur kaplon terri
- dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)
- dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.
-“ قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلۡفَلَقِ – Thuaj: “Kërkoj mbrojtje/strehë te Zoti i agimit”- Zoti i agimit është Allahu. Felek d.m.th. kur diçka çelë. Disa dijetarë kanë thënë se për qëllim është agimi, e disa të tjerë kanë thënë se është çdo gjë që çelë, si: agimi, farat, kokorrat e ndryshme (prej drithërave).
-“ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ – nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar”- Nga sherri i çdo krijese. Këtu hyn dhe sherri i shpirtit (nefsit) tonë, i cili është i prirë për të keq, që e shtyn njeriun drejt të keqes dhe kështu njeriu vazhdimisht gjendet në një luftë me shpirtin e tij. Gjithashtu përfshihen njerëzit, shejtanët, xhindët, kafshët etj.
-“ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ – dhe nga sherri i natës (dhe i hënës), kur kaplon terri” – Disa dijetarët kanë thënë se me “غَاسِقٍ” është për qëllim nata, e disa kanë thënë se është për qëllim hëna. Porse, përfshihen të dyja: nata dhe hëna. Gjatë natës dalin kafshë të ndryshme, shpërndahen shejtanët dhe magjistarët. Andaj, kërkojmë prej Allahut të na mbrojë prej të keqes së natës, ngase të këqijat më të mëdha bëhen gjatë saj. Ndërsa, pse hëna quhet “غَاسِقٍ” është sepse ajo mban pushtetin gjatë natës, ndriçon gjatë saj. Qëllimi është: të na ruajë Allahu prej të këqijave që bëhen gjatë natës.
-“ وَمِن شَرِّ ٱلنَّفَّٰثَٰتِ فِي ٱلۡعُقَدِ – dhe nga sherri i falltarëve, që fryjnë në nyje (duke bërë magji)”- lidhin nyje, litarët e penjtë, fryjnë në to dhe përmendin fjalë të ndryshme magjike, emra shejtanësh etj. Ajo frymë është e keqe, e fëlliqur, kur bëhet bashkë me atë që përmendet, atëherë godet personin e caktuar (që e kanë për qëllim). Kjo magji ndikon realisht te personi që i bëhet magji.
Këtu përmendet shumësi i femërores “nef-fathat” (në arabisht), ngase zakonisht ato që bëjnë magji janë gra, por gjithsesi këtu përfshihen edhe ata burra që veprojnë kështu. Gjithashtu dijetarët thonë se me këtë fjalë është për qëllim frymëmarrja a pështyma që nxirret nga magjistarja apo magjistari duke fryrë në nyje.
-“ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ – dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.” Smirëziu është ai i cili e urren dhe nuk e do të mirën a dhuntinë të cilën Allahu ia jep dikujt, andaj ndihet keq, ngushtohet në zemër, tregon smirë e zili. Ziliqari është dy llojesh: 1. Ai që e urren me zemër mirësinë e dhënë ndaj dikujt por që nuk shfaq armiqësi ndaj tij apo t’i bëjë keq, megjithatë brengoset, dëshpërohet, ngushtohet, se pse Allahu ia ka dhënë atë të mirë atij, 2. Ai që e urren mirësinë e dhënë ndaj dikujt por edhe vepron: e armiqëson dhe e kundërshton tjetrin.
Zakonisht zilia (hasedi) shoqërohet me përgojim (gibet), me tallje, me përqeshje, e ndoshta dhe me shpifje. E keqja kthehet te vetë ziliqari. Mirëpo, zilia e tij (me këtë urrejtje e mospëlqim) mund të bëhet shkak që personi tjetër të goditet me mësysh (me lejen e Allahut), andaj dhe ka ardhur në ajet “nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë“.
Të gjitha të këqijat janë në njërën prej këtyre tre llojeve: nata, magjistari (fallxhori) dhe ziliqari, dhe në mënyrë të fshehtë.
Mënyra e shpëtimit prej këtyre tre të këqijave:
-lidhja e zemrës fort për Allahun,
-mbështetja plotësisht në Allahun, duke ia dorëzuar çështjet Atij,
-veprimi i shkaqeve (dhikri i ligjshëm).
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.