Surja el Ikhlas- Komentim

Surja el Ikhlas – Komentim 

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

قُلۡ هُوَ ٱللَّهُ أَحَدٌ۝ ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ۝ لَمۡ يَلِدۡ وَلَمۡ يُولَدۡ۝ وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدُۢ۝

 

  1. “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
  2. Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.
  3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.
  4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Komentim

Shkaku i zbritjes së kësaj sure: Kanë ardhur hebrenjtë te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i kanë thënë: “Na përshkruaj Zotin tënd!” Atëherë Allahu e ka zbritur këtë sure.

-“ قُلۡ هُوَ ٱللَّهُ أَحَدٌ Thuaj:  “Ai është Allahu,  Një dhe i Vetëm!” Me këtë ajet Allahu i drejtohet Pejgamberit salAllahu alejhu ue selem dhe umetit të tij që të thonë: “Thuaj: “Ai Allahu është Një dhe i Vetëm”. Allahu për të cilën po bisedoni është Ehad – Unik, në madhështinë dhe lartësinë e Tij, nuk ka dikush që t’i përngjajë apo t’i shëmbëllejë Atij, Ai nuk ka ortak, Ai është Unik në Qenien e Tij, Ai është Unik në Rububije – në Zotërim, Ai është Unik në uluhije – i Vetmi i Cili meriton adhurimin dhe Ai është Unik në Emrat dhe Cilësitë e Tij- askush nuk i shëmbëllen dhe nuk i përngjason Atij.

-“ٱللَّهُ ٱلصَّمَدُ” – Rreth domethënies së kësaj ka interpretime të shumta prej dijetarëve. Mirëpo, kuptimi më i denjë është: Allahu është i përsosur në Cilësitë e Tij. Es Samed d.m.th.: Absoluti i Përsosuri në Cilësitë e Tij, Ai për të Cilin të gjitha krijesat kanë nevojë, janë nevojtare për Atë. Ibn Abasi ka thënë: “Samed d.m.th.: i Përsosur në Dijen e Tij, i Përsosur në butësinë e Tij, i Përsosur në Plotfuqishmërinë e Tij, i Përsosur në Forcën e Tij…” Duke dashur të tregojë se Allahu është i Përsosur në të gjitha cilësitë dhe atributet e Tij. Duke qenë se Allahu është i Përsosur dhe absolut në Cilësitë e Tij, kjo tregon se Ai është i Vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për askënd prej krijesave të Tij.

-“ لَمۡ يَلِدۡ وَلَمۡ يُولَدۡAi as nuk lind, as nuk është i lindur“. Ai nuk ka lindur dikë, për arsye se Ai nuk ka dikë që është i barabartë me të, nuk ka dikë që i shëmbëllen Atij a i krahasueshëm me Atë. I linduri rrjedh prej prindërve dhe është pjesë e tyre. Duke qenë kështu, ai është i njëjtë me ta, u përngjason atyre, është i krahasueshëm me ta. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për Fatimen: “Ajo është një pjesë e imja.” Fëmija i përngjan prindit. E Allahu nuk ka dikë që i shëmbëllen apo që është i ngjashëm me Atë. Pastaj, njeriu zakonisht ka nevojë që fëmija i tij ta ndihmojë në vështirësitë që has apo që të mbetet vija trashëguese. Ndërsa, Allahu nuk ka nevojë për asgjë prej këtyre gjërave. Allahu është i Vetëmjaftueshëm. Është e palogjikshme që Ai të ketë fëmijë, “Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë.” Enam 101.

Me këtë pjesë të ajetit, Allahu u kundërpërgjigjet:

-mushrikëve, të cilët kanë thënë se engjëjt janë bijat e Allahut,

-hebrenjve, të cilët kanë thënë se Uzejri është biri i Allahut,

-të krishterëve, të cilët kanë thënë se Isa është biri i Allahut.

-“ وَلَمۡ يُولَدۡas nuk është i lindur”- Allahu është i Pari, pa fillim, askush nuk i ka paraprirë Atij. Atëherë si ka mundësi që Ai të jetë i lindur?! Ai as nuk ka lindur as nuk është i lindur.

-“ وَلَمۡ يَكُن لَّهُۥ كُفُوًا أَحَدُۢDhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” – Kjo në të gjitha Cilësitë e Tij. Ai e lartëson Vetën e Tij nga të qenët prind që lind, apo nga të qenët i lindur, apo të ketë dikë të ngjashëm a të krahasueshëm me Atë.

Kjo sure ka vlerë shumë të madhe. Prandaj, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Ajo është e barabartë me një të tretën e Kuranit.” Buhariu dhe Msulimi. Ajo është aq madhështore, me vlerë të madhe, që përmbledh kuptime e dobi të mëdha që kanë të bëjnë Cilësitë e Allahut, saqë është e barabartë me një të tretën e Kuranit.[1] Nuk e zëvendëson një të tretën e Kuranit, por është e barabartë në vlerë.

[1] Nga kjo nuk nënkuptohet se nëse dikush e lexon tre herë suren Ihlas është sikur të lexojë tërë Kuranin dhe se nuk ka nevojë ta bëjë hatme.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Madhësia e tekstit