Surja el Kadr
بِّسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
إِنَّآ أَنزَلْنَٰهُ فِى لَيْلَةِ ٱلْقَدْرِ وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا لَيْلَةُ ٱلْقَدْرِ لَيْلَةُ ٱلْقَدْرِ خَيْرٌۭ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍۢ تَنَزَّلُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍۢ سَلَٰمٌ هِىَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ ٱلْفَجْرِ
- Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.
- E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?
- Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.
- Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.
- Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.
“ إِنَّآ أَنزَلْنَٰهُ فِى لَيْلَةِ ٱلْقَدْرِ – Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” Këtu Allahu kur flet për Vetveten flet në shumës “Ne“, për të treguar madhështinë dhe madhërinë e Tij. Këtu sjell përemrin “atë“, i cili i referohet Kuranit. Kjo është e njohur dhe askush nuk dyshon (se nuk është fjala për Kuranin). Allahu e ka zbritur Kuranin në Natën e Kadrit. Qëllimi i kësaj: mendimi më i saktë është se ka filluar zbritja në këtë Natë. Nata e Kadrit është në Ramazan, “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” Bekare 185. Me këtë kuptojmë gabimin e përhapur të disa njerëzve të cilët mendojnë se Nata e Kadrit është në gjysmën e muajit Shaban, i cili është mendim i kotë, i pabazuar në argumente.
Allahu e ka zbritur Kuranin në Natën e Kadrit. Pse kjo natë quhet kështu? Dijetarët kanë dhënë dy mendime: 1. Për shkak se Kadr në gjuhën arabe tregon për pozitë të lartë, andaj thonë edhe kjo natë ka pozitë të lartë tek Allahu, 2. Për shkak se në këtë natë caktohet se çfarë do të ndodhë brenda vitit deri në natën e kadrit të vitit të ardhshëm, caktohet çdo çështje (që ka të bëjë me veprat e njerëzve, furnizimin e tyre, dhënien jetë e vdekje etj.). E sakta është se të dy kuptimet janë të vërteta, sepse nuk ka dyshim se Nata e Kadrit ka pozitë të lartë e të madhe tek Allahu, po ashtu në këtë natë caktohet se çfarë do të ndodhë brenda vitit.
“ ٱلْقَدْرِ خَيْرٌۭ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ– E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?” Ka ardhur në formë të pyetjes për të treguar zmadhim. Kur Allahu dëshiron të tregojë për pozitën e madhështinë e një gjëje atëherë e sjell në formë të pyetjes, si këtu. Pra, askush nuk mund të të tregojë se çfarë është Nata e Kadrit përveç Allahut, ajo ka aq pozitë të lartë e të madhe saqë askush nuk ka mundësi të ta shpjegojë e sqarojë se çfarë është ajo.
“ٱلْقَدْرِ خَيْرٌۭ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍۢ – Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj“, më e mirë e më e vlefshme se njëmijë muaj në të cilët nuk është nata e Kadrit. Allahu shpjegon madhështinë e saj, pozitën e saj tek Allahu. Kjo mirësi e natës së kadrit, vlefshmëria, është sa i përket shpërblimit të veprave. Bërja e veprave të mira në këtë natë ka shpërblim sa (t’i bënte ato) njëmijë muaj. Mirësia e natës së Kadrit është shumë e madhe. Allahu në këtë natë zbret mirësi e bereqet të madh. Kush e ngjallë këtë natë (me adhurime), kjo me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.
“ تَنَزَّلُ ٱلْمَلَٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍۢ– Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” Allahu na tregon se çfarë ndodhë në këtë natë. Engjëjt janë banorë të qiellit, nuk banojnë në tokë. Shtatë palë qiej që janë mbi ne janë të mbushur me engjëj të cilët e adhurojnë Allahun. Në Natën e Kadrit engjëjt zbresin (gradualisht) vazhdimisht derisa të mbushet toka. Zbritja e tyre tregon se ajo natë është natë e mirësisë, e bereqetit dhe e mëshirës. Shpirti është Xhibrili alejhi ue selem. Kështu e quan Allahu në Kuran. Ai e veçon në mesin e të gjithë engjëjve, kjo për të treguar pozitën e lartë që ka tek Ai, vlerën e tij, se ai sallon prej të gjithë engjëjve. Pra në këtë natë zbresin engjëjt, por në mesin e tyre është edhe Xhibrili.
“ بِإِذْنِ رَبِّهِم – me lejen e Zotit të tyre” – me urdhrin e Tij. Është fjala për lejen universale (kur Allahu lejon me vullnetin e dëshirën e Tij të ndodhë diçka në univers, në mbretërinë e Tij).
“ مِّن كُلِّ أَمْرٍۢ– zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” Zbresin me çdo çështje, me të cilën Allahu i urdhëron. Ai na lë të pasqaruar se cilat janë këto çështje. Këtë e di vetëm Allahu.
“ سَلَٰمٌ هِىَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ ٱلْفَجْرِ – Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Kjo natë është Selam – Paqe (shpëtim) për arsye sepse janë të shumtë ata që shpëtojnë në këtë natë, prej mëkateve dhe pasojave të tyre. Allahu i fal një pjesë të madhe të muslimanëve, sidomos ata që kërkojnë faljen e Tij. Engjëjt vazhdimisht zbresin në këtë natë në tokë deri në agim. Kur të agojë dita, përfundon nata e Kadrit.