Surja Keuther
إِنَّآ أَعْطَيْنَٰكَ ٱلْكَوْثَرَ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَٱنْحَرْ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ ٱلْأَبْتَرُ
- Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira,
- andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!
- Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.
–إِنَّاۤ أَعۡطَیۡنَـٰكَ ٱلۡكَوۡثَرَ – “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira”. Këtu Allahu i tregon Muhamedit salAllahu alejhi ue selem për mirësitë e shumta që ia ka dhënë. Fjala “keuther – كَوۡثَر” nënkupton për mirësi të shumta, të mëdha. Allahu i ka dhënë atij mirësi të shumta në të dy botët. Prej këtyre mirësive është:
– lumi i madh në xhenet i quajtur “Keuther”, i cili është më i bardhë sesa qumështi, më i ëmbël sesa mjalti dhe me aromë më të mirë sesa e miskut. Gotat me të cilat besimtarët pinë prej tij, janë sikur yjet (janë shumë) dhe janë të bukura si ta. Dijetarët thonë se ai që ka pirë prej sheriatit të Allahut në këtë botë, do të pijë dhe prej burimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në ahiret. Ai që s’ka pirë prej sheriatit të Allahut në këtë botë, nuk do të pijë as prej burimit të tij salAllahu alejhi ue selem në ahiret. Siç thotë ibn Kajim se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dy burime: një në këtë botë që është suneti i tij dhe tjetri në botën tjetër, e ai që merr prej sunetit të tij në këtë botë (duke e zbatuar) do të pijë edhe prej burimit të tij në ahiret; ka që pinë, ka që privohen nga kjo (në këtë dunja dhe ahiret), ka që pinë shumë derisa të ngopen, ka që pinë pak; e kush ka pirë (marrë) shumë prej sunetit derisa është ngopur, edhe në ahiret do të pijë prej burimit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem derisa të ngopet. Kjo në varësi sesa kanë punuar me sunetin profetik në këtë jetë.
– Veçimi i tij me disa gjëra, siç ka thënë vetë ai në hadith: “Më janë dhënë pesë gjëra të cilat nuk i janë dhënë askujt prej Pejgamberëve para meje: ndihma ndaj armiqve me frikë një muaj përpara, bërja xhami (vendfalje) e tokës dhe pastrim, shefati (ndërmjetësimi), bërja e lejuar plaçkën e luftës dhe Pejgamberët e dërguar më herët janë dërguar vetëm te popujt e tyre e ndërsa unë jam dërguar për të gjithë njerëzimin.” Këto janë prek mirësive të Allahut që ia ka dhënë, sidomos kjo e fundit, gjë e cila tregon se ai salAllahu alejhi ue selem do të ketë më shumë pasues sesa Pejhamberët e tjerë para tij. Kush i udhëzon njerëzit për një të mirë është si ai që e zbaton atë, pra ka shpërblimin si ai. E ai që e ka orientuar umetin islam është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Prandaj, për çdo pjesëtar të këtij umeti atij i shkon një pjesë e shpërblimit, për çdo vepër që bën, ngase ai i ka udhëzuar e drejtuar për tek ajo vepër e mirë. Edhe kjo është prej mirësisë së madhe që ia ka dhënë Allahu.
-“Pozita e lavdëruar – El mekamun mahmud”. Allahu e përmend në Kuran: “Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdërua.” Isra 79.
-“ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَٱنْحَرْ– andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” Allahu kërkon nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem që të jetë falënderues për ato të mira. Në urdhrin “falu” përfshihen të gjitha namazet, veçanërisht që shkon bashkë me therjen e kurbanit, e që është namazi i Bajramit. Ky urdhër përfshin namazet farze (të obligueshme) dhe ato nafile (vullnetare), si dhe namazin e Bajramit dhe namazin e xhumasë. Në këtë ajet është fjala për therjen e veçantë që përdoret vetëm për devetë, ngase dobia që përfitohet prej deveve është shumë më e madhe sesa dobia që përfitohet prej lopëve e deleve; janë më të mëdha dhe del mish më shumë nga to (për të varfrit). Ky urdhër në këtë ajet vlen për të gjithë umetin islam. E kemi obligim që namazin ta bëjmë sinqerisht për Allahun dhe të therim kurbanin sinqerisht për Atë.
-“ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ ٱلْأَبْتَرُ– Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” Allahu i tregon Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem se karshi atyre të mirave të shumta që ia ka dhënë, është se ai që të urren ty është fatprerë, nuk ka hajër në të, i janë ndërprerë të mirat. Kurejshët e Mekës thoshin se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është farësosur, nuk ka hajër në të as në pasuesit e tij; këtë e kanë thënë pas vdekjes së djalit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, Kasimit. Ata thoshin se edhe nëse i lindin djem i vdesin, nuk i mbeten pasardhës. Allahu tregon këtu se fatëprerë e farësosur është ai që e urren Muhamedin salAllahu aljehi ue selem. Tek i tilli nuk ka hajër, i janë ndërprerë të mirat e nuk ka kurrfarë bereqeti, është i pikëlluar e i dëshpëruar, edhe nëse shfaqet i lumtur e qeshë me zë. Njëjtë themi dhe për atë i cili e urren fenë (sheriatin) me të cilin ka ardhur Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, apo një shenjë prej fesë, apo një adhurim prej adhurimeve me të cilat ka ardhur ai dhe të cilin na ka mësuar (p.sh.: urren obligushmërinë e namazit, zekatit etj.).
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.