Surja esh Shems – Komentim

Surja esh Shems – Komentim

 

وَٱلشَّمْسِ وَضُحَىٰهَا ۝ وَٱلْقَمَرِ إِذَا تَلَىٰهَا ۝ وَٱلنَّهَارِ إِذَا جَلَّىٰهَا ۝ وَٱلَّيْلِ إِذَا يَغْشَىٰهَا ۝ وَٱلسَّمَآءِ وَمَا بَنَىٰهَا ۝ وَٱلْأَرْضِ وَمَا طَحَىٰهَا ۝ وَنَفْسٍۢ وَمَا سَوَّىٰهَا ۝ فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَىٰهَا ۝ قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّىٰهَا ۝ وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا ۝ كَذَّبَتْ ثَمُودُ بِطَغْوَىٰهَآ ۝ إِذِ ٱنۢبَعَثَ أَشْقَىٰهَا ۝ فَقَالَ لَهُمْ رَسُولُ ٱللَّهِ نَاقَةَ ٱللَّهِ وَسُقْيَٰهَا ۝ فَكَذَّبُوهُ فَعَقَرُوهَا فَدَمْدَمَ عَلَيْهِمْ رَبُّهُم بِذَنۢبِهِمْ فَسَوَّىٰهَا ۝ وَلَا يَخَافُ عُقْبَٰهَا۝

 

  1. Për Diellin dhe shkëlqimin e tij
  2. dhe për Hënën që e përcjell atë!
  3. Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit)
  4. dhe për natën kur e mbulon atë!
  5. Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar!
  6. Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar!
  7. Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur,
  8. duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!
  9. Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,
  10. ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.
  11. Fisi i Themudit, nga shfrenimi i vet – përgënjeshtroi;
  12. kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).
  13. I dërguari i Allahut (Salihu), u tha atyre: “Kjo është deveja e Allahut! Lëreni atë të pijë pjesën e vet!”
  14. Por ata nuk i besuan atij dhe e therën atë. Prandaj Zoti i tyre i shkatërroi të gjithë për gjynahet e tyre, nga i pari tek i fundit,
  15. pa pasur frikë prej pasojave të kësaj.

 

وَٱلشَّمْسِ وَضُحَىٰهَا – Për Diellin dhe shkëlqimin e tij”- Betohet në diell ngase ai është prej shenjave e provave madhore që tregojnë për përsosmërinë e forcës, dijes dhe mëshirës së Allahut. Allahu ka bërë që prej diellit të kenë dobi të shumta njerëzit (prej nxehtësisë së tij piqen frutat, rriten bimët, prej energjisë së tij ka përfitime etj.). Dielli është prej shenjave që tregojnë për fuqinë e Allahut dhe është prej mirësive të Tij që i ka nënshtruar për njeriun.

 

وَٱلْقَمَرِ إِذَا تَلَىٰهَا – dhe për Hënën që e përcjell atë!”– Disa dijetarë kanë thënë se hëna e ndjek diellin në lëvizje, disa kanë thënë se e ndjek në shkëlqim, ndriçim (kur ik drita e diellit vjen drita e hënës). Me të dy kuptimet interpretohet ajeti. Shkëlqimi i hënës nuk mund të vijë pa perënduar dielli. Dielli është shenjë e ditës, ndërsa hëna është shenjë e natës.

 

وَٱلنَّهَارِ إِذَا جَلَّىٰهَاPër ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit)”- Dita shfaq tokën.

 

وَٱلَّيْلِ إِذَا يَغْشَىٰهَاdhe për natën kur e mbulon atë!”- Nata mbulon tokën.

وَٱلسَّمَآءِ وَمَا بَنَىٰهَاPër qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar!“- Qielli është krijesë e madhe e Allahut, Ai e ka ngritur lartë atë dhe është shumë i gjerë e i fortë. Krijimi i qiellit është i përsosur, “Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?” Mulk 3. Njeriu sado që arrin mjete e zhvillim të shohë në qiell, prapë nuk ka mundësi të shohë deri në fund atë që është në të.

 

وَٱلْأَرْضِ وَمَا طَحَىٰهَا – Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar!” – Ajo nuk është as shumë e butë e as shumë e fortë, por mesatare, që njeriu të ketë dobi të shumta prej saj, të ecë mbi të, ta punojë etj. Atë e ka bërë të përshtatshme për njeriun për të jetuar në të.

 

وَنَفْسٍۢ وَمَا سَوَّىٰهَا – Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur”- Qëllimi është: të gjithë shpirtrat e krijuar, në përgjithësi. Allahu e ka përsosur krijimin e shpirtit dhe natyrshmërinë e tij, siç e ka përsosur çdo gjë duke e krijuar në atë mënyrë që t’i përshtatet gjendjes së asaj gjëje, “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar” Ta he 50. Çdo krijesë që lind di të kërkojë dobitë në këtë botë. Allahu e ka përsosur krijimin e shpirtit duke i dhënë natyrshmërinë, sidomos njeriun, Ai ka bërë që çdo njeri të lindë në natyrshmëri (fitra), pra të besojë Allahun si Krijues, se Ai është i Vetmi që meriton adhurimin, bindjen, këtë e ka vendosur në shpirtin e njeriut. Allahu e ka lënë të lirë njeriun të zgjedhë se a do t’i bindet Atij apo jo, por e ka ndihmuar atë duke vendosur në shpirtin e tij natyrshmërinë, ai lind me besimin tek Allahu, “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.” Rum 30. Mirëpo, pastaj njeriu duke u rritur ndikohet nga prindërit, apo ambienti, apo nga ideologjitë e ndryshme, dhe devijon prej kësaj natyrshmërie.

 

فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَىٰهَا – duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën!” Allahu ia ka inspiruar shpirtrave të keqen e të mirën. Fillon me të keqen që t’i përshtatet rima ajeteve. E keqe është çdo gjë që është në kundërshtim me të mirën. E mira është bindja ndaj Allahut, ndërsa e keqja është mosbindja (mëkati). Allahu ua mundëson shpirtrave të besimtarëve të kenë devotshmëri e cila vjen në përputhje të plotë me natyrshmërinë (fitren). Kur njeriu kryen obligimet, urdhrat e adhurimet dhe largohet nga ndalesat, kjo është në përputhje të plotë me natyrshmërinë në të cilën e ka krijuar Allahu.

Disa shpirtrave Allahu ua inspiron te keqen (fuxhurin) si ndëshkim, për shkak se kanë devijuar i devijon ende, “Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë); Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.” Saf 5. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, mirëpo atij që nuk e dëshiron të vërtetën edhe pse i është bërë e qartë ajo, Ai ia devijon zemrën.

 

قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّىٰهَاVërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë”- Do të synojë atë që dëshiron dhe do të largohet prej asaj që ia ka frikën. Këtë e arrin ai që e pastron shpirtin e tij, që e dëlirë atë, prej shirkut me llojet e tij, prej mëkateve etj. Ky pastrim rezulton në shpëtim.

 

وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا – ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”- Kur devijon dhe hidhet në shkatërrim. Njeriu vazhdimisht ka nevojë ta lusë Allahun që ta forcojë në fe e në adhurim ndaj Tij, t’i japë dije të dobishme dhe t’ia mundësojë të bëjë vepra të mira. Kjo është gjëja për të cilën më së shumti kemi nevojë ta lusim Allahun.

 

كَذَّبَتْ ثَمُودُ بِطَغْوَىٰهَآFisi i Themudit, nga shfrenimi (kryeneçësia) i vet – përgënjeshtroi” – Fisi që ka jetuar në kohën e Profetit Salih alejhi ue selem; ai ka qenë i Dërguar tek ta. Ai e ka thirrur popullin e tij për të adhuruar Allahun të Vetëm dhe të mos i shoqërojnë të tjerë në adhurim. Allahu ia ka dhënë një mrekulli për të vërtetuar pejgamberinë e tij te njerëzit, që ishte: deveja. Ajo e ka pasur ditën e caktuar kur të pijë ujë te pusi (dhe menjëherë të nesërmen ka prodhuar qumësht)., dhe devetë e tjera (të popullit) kanë pasur ditën e caktuar.

 

إِذِ ٱنۢبَعَثَ أَشْقَىٰهَاkur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë)”- mrekullinë që Allahu ia ka dhënë Salihut.

 

فَقَالَ لَهُمْ رَسُولُ ٱللَّهِ نَاقَةَ ٱللَّهِ وَسُقْيَٰهَا I dërguari i Allahut (Salihu), u tha atyre: “Kjo është deveja e Allahut! Lëreni atë të pijë pjesën e vet!” – Ia ka atribuuar Allahut ngase ajo ka qenë shenjë/provë prej Tij.

 

فَكَذَّبُوهُ فَعَقَرُوهَا فَدَمْدَمَ عَلَيْهِمْ رَبُّهُم بِذَنۢبِهِمْ فَسَوَّىٰهَا Por ata nuk i besuan atij dhe e therën atë. Prandaj Zoti i tyre i shkatërroi të gjithë për gjynahet e tyre, nga i pari tek i fundit” – E tillë ka qenë gjendja me të gjithë popujt tek të cilët janë dërguar Pejgamberët e Allahut. Ata i kanë përqeshur dhe u kanë dhënë epitete të ndryshme (si: magjistar, i çmendur, gënjeshtar i madh, poet, fallxhor etj.). “dhe e therën atë”- ia kanë prerë njërën këmbë, pastaj është rrëzuar dhe e kanë therë. “i shkatërroi”- dënimi i ka përfshirë të gjithë. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, por njerëzit i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. Gjynahet janë shkaku kryesor për shkatërrime e çrregullime në tokë.

 

وَلَا يَخَافُ عُقْبَٰهَاpa pasur frikë prej pasojave të kësaj” – Allahu është i Përsosuri. Udhëheqësit e mbretërit kur triumfojnë ndaj një vendi janë vazhdimisht në frikë se mos herën tjetër ata do të triumfojnë kundër tyre apo se ata do t’ua kthejnë dyfishë për ndëshkim. Mirëpo, Allahu në dorën e të Cilit është i gjithë sundimi nuk i frikësohet pasojave të ndëshkimit të Tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset e tefsirit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit