Surja Inshirah
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
أَلَمْ نَشْرَحْ لَكَ صَدْرَكَ وَوَضَعْنَا عَنكَ وِزْرَكَ ٱلَّذِىٓ أَنقَضَ ظَهْرَكَ وَرَفَعْنَا لَكَ ذِكْرَكَ فَإِنَّ مَعَ ٱلْعُسْرِ يُسْرًا إِنَّ مَعَ ٱلْعُسْرِ يُسْرًۭا فَإِذَا فَرَغْتَ فَٱنصَبْ وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرْغَب
- Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar vendimet e Allahut)
- dhe ta hoqëm barrën
- e cila ta rëndonte tepër kurrizin,
- dhe ta ngritëm lart emrin?!
- Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!
- Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!
- Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)
- dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!
Komentimi
“ أَلَمْ نَشْرَحْ لَكَ صَدْرَكَ – Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar vendimet e Allahut)” – Kjo pyetje tregon për një gjë që është e pohuar, e kryer. Ty veçse ta kemi hapur gjoksin.
“ نَشْرَحْ– neshrah” ta kemi zgjeruar/hapur gjoksin. Ky është zgjerim abstrakt, jo konkret. Qëllimi: ia ka hapur e zgjeruar atë dhe ia ka bërë të gatshëm të pranojë urdhrat e Allahut, vendimet e gjykimet e Tij, ato sheriatike (fetare) dhe të kaderit (fatkeqësitë, sprovat). Feja kundërshton nefsin, i cili ka dëshira, epshe e teke. Shpesh shpirti i njeriut gjen vështirësi në zbatimin e urdhrave të Allahut dhe në largimin prej ndalesave. Shpirti ka rëndesë dhe nuk mund të zgjerohet e të pranojë lehtësisht fenë, sidomos në largimin prej ndalesave. Ka prej njerëzve të cilëve Allahu ua ka zgjeruar gjokset dhe me lehtësi largohen prej tyre. Qëllimi me pranimin e gjykimeve dhe vendimeve fetare është pranimi me lehtësi i tyre, të qenët i kënaqur me to dhe zbatimi i tyre i menjëhershëm. Ndërsa, sa i përket zgjerimit të gjoksit për të pranuar vendimet e kaderit, qëllimi është të qenët i kënaqur me kaderin e Allahut, gjetja e prehjes në shpirt, si i tillë do të ketë lumturi dhe nuk do të ketë brengosje e shqetësime. Ka mundësi të ketë dhimbje por pa kaluar në nivelin e brengosjes dhe shqetësimit.
Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pasur hisen më të madhe në këtë zgjerim të gjoksit. Andaj, gjejmë se ai ka qenë njeriu më i devotshëm, më adhuruesi ndaj Allahut dhe më i durueshmi ndaj kadereve.
“ وَوَضَعْنَا عَنكَ وِزْرَكَ – dhe ta hoqëm barrën” – t’i kam falur mëkatet.
“ ٱلَّذِىٓ أَنقَضَ ظَهْرَكَ – e cila ta rëndonte tepër kurrizin” – e rëndonte dhe i shkaktonte dhimbje. Kurrizi/shpina është vendi me të cilin bartë diçka, andaj nëse njeriu mban një barrë sipër së pari i lodhet shpina e më tej. Po ashtu shpina është pjesa më e fuqishme për bartje. Allahu ia largoi barrën që i shkaktonte dhimbje dhe e rëndonte (d.m.th. mëkatet). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është magfur – atij që i janë falur mëkatet. I janë falur të gjitha, të kaluarat e të ardhmet, megjithatë ka bërë adhurim të madh (kjo falje ka qenë e veçantë për të, ndërsa njerëzit e tjerë kanë nevojë për pendim të mëkateve).
Por, a ka bërë mëkate Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem? Po, ka qenë e mundshme që të bie në mëkat. Nuk është çështja se a bën mëkat njeriu apo jo, por çështja më me rëndësi është se ai falet ai mëkat apo jo. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë/mëkatarë, e më të mirët e gabimtarëve janë ata që pendohen tek Allahu.” Njeriu do të bie në mëkate. Mirëpo, Pejgamberët nuk kanë rënë në mëkate të mëdha apo në gjëra që nuk iu takojnë atyre (gënjeshtra, tradhtia, imoraliteti etj.).
“وَرَفَعْنَا لَكَ ذِكْرَكَ – dhe ta ngritëm lart emrin?!” – përmendjen tënde, përmendjen e emrit tënd. Nuk ka dyshim në këtë. Emri i Muhamedit salallahu alejhi ue selem ngrihet lart para çdo namazi, pra në ezan, pastaj në çdo namaz në teshehud dhe sa herë që kryejmë adhurime me këtë lartësojmë emrin e tij, e kjo ngase çdo adhurim patjetër duhet të plotësojë dy kushte për t’u pranuar: sinqeritetin për Allahun dhe pasimin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Kështu, kur njeriu bën një vepër duke pasuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, ai me mendje e zemër e kujton se është duke e bërë sipas sunetit të tij.
فَإِنَّ مَعَ ٱلْعُسْرِ يُسْرًا إِنَّ مَعَ ٱلْعُسْرِ يُسْرًۭا – Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi!” Ky është përgëzim prej Allahut për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe umetin e tij. Ai salAllahu alejhi ue selem ka pasur vështirësi të mëdha e të shumta sa ka qenë në Meke (persekutime, ofendime, lëndime, tortura), kur ka shkuar në Taif dhe kur ka bërë hixhret në Medine (prej hebrenjve e munafikëve). Allahu i tregon se pasi ta kemi hapur gjoksin, ta kemi larguar peshën e mëkateve (të kemi falur), ta kemi ngritur emrin tënd lartë (mirësi këto të cilat janë madhështore), atëherë i tregon se pas vështirësive me të cilat je goditur gjithsesi do të vijë lehtësimi. Lehtësimi këtu përfshin edhe çështjet fetare edhe ato të kaderit.
“ فَإِذَا فَرَغْتَ فَٱنصَبْ – Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)”– Allahu na mëson këtu se njeriu duhet të jetë vazhdimisht në vepra, kur të lirohet nga një punë atëherë duhet të angazhohet me një tjetër, kur të lirohet nga një adhurim të fillojë me një tjetër, kur të lirohet nga një çështje e dunjas të fillojë me një tjetër, kur të lirohet nga punët e dunjasë të angazhohet me vepra të ahiretit, (ngase koha ecën), kur të lirohet nga veprat e ahiretit atëherë të angazhohet me punët e dunjasë (edhe nëse është duke pushuar për të qenë më i fuqishëm kjo llogaritet angazhim).
“ وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرْغَب – dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” – Allahu të jetë qëllimi e synimi yt. Pra, kur të përfundosh punët dhe fillon me tjetër, këtë bëje për hir të Allahut, po ashtu synimi yt le të jetë tek Allahu që të të vijë ndihma prej Tij. Duhet të jesh me Allahun, para veprës (duke kërkuar ndihmën e Tij) dhe pas veprës (duke shpresuar në shpërblimin e Tij).
Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim.