Surja et Tekwir – Komentim

Surja et Tekwir – Komentim

 

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

إِذَا ٱلشَّمْسُ كُوِّرَتْ ۝ وَإِذَا ٱلنُّجُومُ ٱنكَدَرَتْ ۝ وَإِذَا ٱلْجِبَالُ سُيِّرَتْ ۝ وَإِذَا ٱلْعِشَارُ عُطِّلَتْ ۝  وَإِذَا ٱلْوُحُوشُ حُشِرَتْ ۝  وَإِذَا ٱلْبِحَارُ سُجِّرَتْ۝ وَإِذَا ٱلنُّفُوسُ زُوِّجَتْ۝ وَإِذَا ٱلْمَوْءُۥدَةُ سُئِلَتْ ۝ بِأَىِّ ذَنۢبٍۢ قُتِلَتْ ۝ وَإِذَا ٱلصُّحُفُ نُشِرَتْ ۝ وَإِذَا ٱلسَّمَآءُ كُشِطَتْ۝ وَإِذَا ٱلْجَحِيمُ سُعِّرَتْ ۝ وَإِذَا ٱلْجَنَّةُ أُزْلِفَتْ۝ عَلِمَتْ نَفْسٌۭ مَّآ أَحْضَرَتْ۝ فَلَآ أُقْسِمُ بِٱلْخُنَّسِ ۝ ٱلْجَوَارِ ٱلْكُنَّسِ ۝ وَٱلَّيْلِ إِذَا عَسْعَسَ ۝ وَٱلصُّبْحِ إِذَا تَنَفَّسَ ۝  إِنَّهُۥ لَقَوْلُ رَسُولٍۢ كَرِيمٍۢ ۝ ذِى قُوَّةٍ عِندَ ذِى ٱلْعَرْشِ مَكِينٍۢ۝ مُّطَاعٍۢ ثَمَّ أَمِينٍۢ۝ وَمَا صَاحِبُكُم بِمَجْنُونٍۢ۝ وَلَقَدْ رَءَاهُ بِٱلْأُفُقِ ٱلْمُبِينِ۝  وَمَا هُوَ عَلَى ٱلْغَيْبِ بِضَنِينٍۢ۝ وَمَا هُوَ بِقَوْلِ شَيْطَٰنٍۢ رَّجِيمٍۢ۝ فَأَيْنَ تَذْهَبُونَ ۝ إِنْ هُوَ إِلَّا ذِكْرٌۭ لِّلْعَٰلَمِينَ ۝ لِمَن شَآءَ مِنكُمْ أَن يَسْتَقِيمَ۝ وَمَا تَشَآءُونَ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ رَبُّ ٱلْعَٰلَمِينَ۝.

 

 

      1.Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin;

  1. kur yjet të rrëzohen
  2. dhe malet të lëvizin tutje;
  3. kur devetë barrse të braktisen
  4. dhe egërsirat të tubohen;
  5. kur detet të vlojnë
  6. dhe shpirtrat të bashkohen,
  7. kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet
  8. për çfarë faji ishte vrarë;
  9. kur fletët të shpërndahen
  10. dhe qielli të zhvishet;
  11. kur Xhehenemi të flakërojë
  12. dhe Xheneti të afrohet:
  13. atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë).
  14. Betohem për ata (planete) që tërhiqen,
  15. që lindin e perëndojnë,
  16. për natën kur ajo ia beh (vjen) me errësirë,
  17. e për agimin kur nis të zbardhë,
  18. se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik,
  19. që zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit
  20. e që është i respektuar atje dhe besnik.
  21. Shoku juaj nuk është i marrë.
  22. Ai e ka parë atë në horizontin e qartë
  23. dhe nuk mbulon asnjë të fshehtë prej së Padukshmes.
  24. As ky (Kuran) nuk është fjalë e djallit të mallkuar.
  25. Prandaj, nga po ia mbani?
  26. Ai është veçse këshillë për botët:
  27. për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë.
  28. Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve.

 

Komentimi

 

إِذَا ٱلشَّمْسُ كُوِّرَتْ Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin” – të paloset, në Ditën e Gjykimit, edhe pse është një planet shumë i madh ai do të paloset dhe do t’i humbasë shkëlqimi, pastaj Allahu e hedh në zjarr të xhehenemit, kjo për t’i mllefosur ata që e kanë adhuruar diellin duke iu treguar me këtë se nuk ka qenë meritor të adhurohet në vend të Allahut. Ato gjëra që janë adhuruar në vend të Allahut dhe ata që kanë adhuruar të tjerë në vend të Allahut apo krahas Tij, do të jenë lëndë djegëse e zjarrit të xhehenemit, përjashtim bëjnë miqtë e Allahut, si: Isai, Merjemja, njerëzit e devotshëm, të mirë etj.

“وَإِذَا ٱلنُّجُومُ ٱنكَدَرَتْ – kur yjet të rrëzohen” – të bien.

وَإِذَا ٱلْجِبَالُ سُيِّرَتْdhe malet të lëvizin tutje”- malet që janë aq të forta e të larta, do të lëvizin e do të zhvendosen nga vendi ku janë e do të bëhen hi e pluhur.

وَإِذَا ٱلْعِشَارُ عُطِّلَتْkur devetë barrse të braktisen” – Njerëzit i kushtojnë rëndësi të veçantë këtyre deveve barrse, mirëpo në Ditën e Gjykimit as nuk do t’iu shkojë ndërmend për to, por do t’i braktisin sepse do të jenë në një gjendje të rëndë dhe do të mendojnë vetëm për vetët e tyre.

“وَإِذَا ٱلْوُحُوشُ حُشِرَتْ – dhe egërsirat të tubohen” – Qëllimi është çdo kafshë. Të gjitha kafshët do të tubohen para Allahut dhe njerëzit do t’i shohin. Në mes tyre (kafshëve) do të vendoset drejtësia: kafsha e therur do të hakmerret ndaj asaj që e ka therë. Drejtësia do të vendoset edhe ndërmjet kafshëve, e lëre më ndërmjet njerëzve. Askush nuk do të mbetet pa marrë të drejtën e tij.

“وَإِذَا ٱلْبِحَارُ سُجِّرَتْ – kur detet të vlojnë” të ndizen flakë. Zjarri do të përfshijë të gjithë tokën dhe ajo do të thahet (s’do të mbetet asgjë e njomë).

وَإِذَا ٱلنُّفُوسُ زُوِّجَتْ dhe shpirtrat të bashkohen” – do të bashkohen me llojin e vet (i miri me të mirët, besimtari me besimtarët, i keqi me të këqijtë, jobesimtari me jobesimtarët, çdo njeri do të bashkohet me umetin e vet).

“وَإِذَا ٱلْمَوْءُۥدَةُ سُئِلَتْ – kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet” – foshnja e gjinisë femërore e mbytur ose e varrosur për së gjalli tek arabët e xhahiljetit (periudha para Islame). Ata kanë vepruar kështu sepse kanë pasur mendim negativ ndaj Allahut, nuk kanë mundur të përballojnë turpin para të tjerëve (atë të cilit i ka lindur vajzë e kanë nënçmuar dhe turpëruar). Kur ndonjëri ka marrë lajmin për lindjen e vajzës, fytyra i është nxirë dhe ka filluar të brengoset se çfarë të veprojë, “Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit, apo ta varrosë në dhé.” Nahl 59. Disa i kanë varrosur për së gjalli (pa kurrfarë mëshire në zemër).

بِأَىِّ ذَنۢبٍۢ قُتِلَتْpër çfarë faji ishte vrarë” – Do të pyeten se për çfarë faji ato janë vrarë, kjo në prezencën e atyre që i kanë varrosur për së gjalli në këtë dunja, si qortim dhe poshtërim për ta.

وَإِذَا ٱلصُّحُفُ نُشِرَتْkur fletët të shpërndahen” – Fletët apo regjistri ku janë shkruar fjalët dhe veprat tona. Ato të gjitha shkruhen (nga engjëjt besnikë), nuk mbetet asgjë pa u shkruar, madje shënohen edhe ofshamat e njeriut gjatë sëmundjes apo agonisë së vdekjes. Kjo në mënyrë që njeriu të përballet me veprat e tij kur të dalë para Allahut.

وَإِذَا ٱلسَّمَآءُ كُشِطَتْ dhe qielli të zhvishet” – Qielli është sikur kulm, është i fortë. Në Ditën e Kiametit do të zhvishet (largohet prej hapësirës ku ndodhet tani) dhe do të paloset në të djathtën e Allahut, “ndërsa qiejt do të palosen nën të djathtën e Tij” Zumer 67.

وَإِذَا ٱلْجَحِيمُ سُعِّرَتْkur Xhehenemi të flakërojë” – Është quajtur xhehim që do të thotë: ka thellësi shumë të madhe dhe është i errët, kjo është cilësi e xhehenemit. Ai do të ndizet dhe do të flakërojë. Lëndë djegëse do të jenë vetë njerëzit dhe gurët (të mëdhenj që digjen shpejt dhe lirojnë nxehtësi shumë të madhe).

وَإِذَا ٱلْجَنَّةُ أُزْلِفَتْdhe Xheneti të afrohet” – Xheneti është banesa e të devotshmëve. Në të Allahu ka përgatitur atë që syri s’e ka parë, veshi s’e ka dëgjuar dhe atë që zemra nuk mund ta parafytyrojë (ai është më i përsosur). Ai do të afrohet afër besimtarëve të mirë dhe do të zbukurohet. Këtu na shfaqet dallimi i gjendjes së besimtarëve dhe jobesimtarëve (që u përmend më lartë).

Çfarë është ajo e cila do të ndodhë pas të gjitha këtyre gjërave që u përmendën? Përgjigja:

عَلِمَتْ نَفْسٌۭ مَّآ أَحْضَرَتْatëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë)” – do ta ketë përpara atë që ka vepruar prej të mirave apo të këqijave, “(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe.” Ali Imran 30. Andaj, kur njeriu lexon këto ajete kaq madhështore, e ka obligim të meditojë rreth tyre dhe të marrë këshillë e të përfitojë prej tyre.

فَلَآ أُقْسِمُ بِٱلْخُنَّسِ Betohem për ata (planete) që tërhiqen” – tërhiqen, lundrojnë, kthehen në vendin ku kanë qenë. Këto yje nganjëherë i shohim lartë në qiell, e nganjëherë më poshtë.

ٱلْجَوَارِ ٱلْكُنَّسِqë lindin e perëndojnë” – këto yje apo planete lindin dhe perëndojnë.

وَٱلَّيْلِ إِذَا عَسْعَسَpër natën kur ajo ia beh (vjen) me errësirë ” –

وَٱلصُّبْحِ إِذَا تَنَفَّسَe për agimin kur nis të zbardhë” –

Allahu është betuar në këto krijesa kaq madhore sepse ato janë shenja të mëdha të Tij në këtë univers. Ai që mediton rreth tyre, do të arrijë në përfundim se Allahu është Ai i Cili i drejton ato. Allahu është Ai që na sjell natën e na sjell agimin. Ai betohet në këto krijesa madhore për një gjë e cila gjithashtu është madhore:

إِنَّهُۥ لَقَوْلُ رَسُولٍۢ كَرِيمٍۢ se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik” – ai është Xhibrili alejhi ue selem, ai është i Dërguar prej Allahut me Shpallje tek të Dërguarit e Tij prej njerëzve. Ai është i Dërguar i ndershëm, shumë i bukur, me pamje të mrekullueshme. Kurani është Fjalë e Allahut. Allahu ka folur me Kuran (është Fjalë e Allahut), atë e ka dëgjuar Xhibrili prej Tij dhe Ai e ka autorizuar Xhibrilin ta kumtojë dhe shpallë te Muhamedi salAllahu alejhi us selem e pastaj ai salAllahu alejhi ue selem është urdhëruar t’ia transmetojë njerëzve. Nëse marrim në konsideratë se Xhibrili e ka marrë prej Allahut dhe e ka shpallur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, atëherë themi se është fjalë e Xhibrilit. Pastaj, nëse marrim në konsideratë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue na ka transmetuar neve prej Xhibrilit, atëherë themi se është fjalë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

ذِى قُوَّةٍ عِندَ ذِى ٱلْعَرْشِ مَكِينٍۢqë zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit (Arshit)” – e përshkruan Xhibrilin me forcë të madhe. Zoti dhe Pronari i Arshit është Allahu. Arshi është mbi çdo gjë në këtë univers, e mbi Arsh është Allahu, Zoti i botëve. Xhibrili është engjëlli me pozitën më të lartë tek Allahu, kjo sepse atë e ka veçuar Ai me mirësinë më të madhe me të cilën ka begatuar robërit e Tij, që është Shpallja (kjo është begatia më e madhe për njerëzit). Andaj edhe engjëlli që ka sjellë këtë Shpallje duhet të ketë pozitë shumë të lartë tek Allahu.

مُّطَاعٍۢ ثَمَّ أَمِينٍۢe që është i respektuar atje dhe besnik” – i binden engjëjt e tjerë. Kur Allahu e zbret një urdhër të Tij, atëherë Xhibrili i urdhëron engjëjt t’i binden Allahut dhe kështu të gjithë engjëjt i binden atij. Ai është besnik për atë me të cilën e ka ngarkuar Allahu.

وَمَا صَاحِبُكُم بِمَجْنُونٍۢShoku juaj nuk është i marrë” – Muhamedi salallahu alejhi ue selem. Thotë shoku juaj sepse ata e kanë njohur atë para Shpalljes. Ai ka qëndruar në mesin e tyre 40 vite dhe ata e kanë njohur mirë, e kanë njohur sinqeritetin dhe besnikërinë e tij, madje e kanë quajtur “emin-besniku”. Ai nuk është i marrë, përkundrazi është më i mençuri, nuk ka pasur njeri më të ditur e nuk do të ketë; ai ka pasur intelektin më të kompletuar.

وَلَقَدْ رَءَاهُ بِٱلْأُفُقِ ٱلْمُبِينِAi e ka parë atë në horizontin e qartë” – Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka parë Xhibrilin alejhi ue selem, lartë në horizont, e ka parë dy herë gjatë jetës së tij në formën në të cilën e ka krijuar Allahu, një herë duke qenë në shpellën Hira kur i ka ardhur Shpallja në fillim, dhe për këtë flet ky ajet, dhe herën tjetër në Miraxh kur është ngritur në qiellin e shtatë, ndërsa në forma të tjera e ka parë shumë herë.

وَمَا هُوَ عَلَى ٱلْغَيْبِ بِضَنِينٍۢdhe nuk mbulon asnjë të fshehtë prej së Padukshmes” – Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka lënë diçka pa e transmetuar/komunikuar tek ne. Besnikëria dhe sinqeriteti i tij ka arritur kulmin në këtë aspekt. Çdo gjë që i ka ardhur prej Allahut, e ka përcjell dhe nuk ka mundësi që të akuzohet në këtë gjë.

وَمَا هُوَ بِقَوْلِ شَيْطَٰنٍۢ رَّجِيمٍۢAs ky (Kuran) nuk është fjalë e djallit të mallkuar” – nuk është fjalë e fallxhorëve të cilët e marrin frymëzimin prej shejtanëve. Shejtanët formulojnë njëqind gënjeshtra e pastaj i transmetojnë te njerëzit përmes fallxhorëve. Ky Kuran nuk është i këtillë. Por, është fjalë e Allahut.

فَأَيْنَ تَذْهَبُونَPrandaj, nga po ia mbani?” – Pse nuk i bindeni Muhamedit salAllahu alejhi ue selem?

إِنْ هُوَ إِلَّا ذِكْرٌۭ لِّلْعَٰلَمِينَAi është veçse këshillë për botët” – Kurani është këshillë që kthjellë. Kush do të marrë këshillë e të përfitojë prej Kuranit, do të përfitojë prej tij. “për botët” qëllimi është ata të cilët është dërguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

لِمَن شَآءَ مِنكُمْ أَن يَسْتَقِيمَpër secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë” – Kush do, le të ndjekë rrugën e drejtë. Ky Kuran nuk është tjetër veçse përkujtim dhe këshillë për ata të cilët dëshirojnë të drejtohen në rrugën e drejtë. Ai që dëshiron të udhëzohet në rrugën e drejtë, atëherë duhet të kërkojë këshilla e dobi nga Kurani, përndryshe nuk ka mundësi të drejtohet në këtë rrugë. Rruga e drejtë është feja e Allahut. E kundërta e saj janë dy gjëra (ekstreme): teprimi dhe shkujdesja. Ajo që kërkohet prej nesh është mesi, rruga e mesme (e Kuranit dhe sunetit), që është rruga e drejtë, mes teprimit dhe shkujdesjes. Drejtimi në rrugën e drejtë është në raport me Allahun (të mos ketë as teprim e as shkujdesje) dhe në raport me njerëzit (të mos jesh arrogant e i ashpër e as i përulur/i dobët.

وَمَا تَشَآءُونَ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ رَبُّ ٱلْعَٰلَمِينَPor ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve” – Dëshira dhe vullneti i njeriut vjen pas Dëshirës dhe vullnetit të Allahut. Vepra e njeriut ndodh me dëshirën e tij e me zgjedhjen e tij (pa imponim) mirëpo kjo dëshirë vjen pas Dëshirës së Allahut. Ai, atë që e ka dëshiruar, nuk ka mundur ta dëshirojë veçse pas Dëshirës dhe Vullnetit të Allahut. “Zotit të botëve”- Allahu me zotërimin e Tij ka përfshirë të gjithë universin, Ai është Zoti i çdo gjëje.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit