Surja Fexhr – komentim
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
وَٱلْفَجْرِ وَلَيَالٍ عَشْرٍۢ وَٱلشَّفْعِ وَٱلْوَتْرِ وَٱلَّيْلِ إِذَا يَسْرِهَلْ فِى ذَٰلِكَ قَسَمٌۭ لِّذِى حِجْرٍ أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِعَادٍ إِرَمَ ذَاتِ ٱلْعِمَادِ ٱلَّتِى لَمْ يُخْلَقْ مِثْلُهَا فِى ٱلْبِلَٰدِ وَفِرْعَوْنَ ذِى ٱلْأَوْتَادِ أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِعَادٍ إِرَمَ ذَاتِ ٱلْعِمَادِ ٱلَّتِى لَمْ يُخْلَقْ مِثْلُهَا فِى ٱلْبِلَٰدِ وَثَمُودَ ٱلَّذِينَ جَابُوا۟ ٱلصَّخْرَ بِٱلْوَادِ وَفِرْعَوْنَ ذِى ٱلْأَوْتَادِ ٱلَّذِينَ طَغَوْا۟ فِى ٱلْبِلَٰدِ فَأَكْثَرُوا۟ فِيهَا ٱلْفَسَادَ فَصَبَّ عَلَيْهِمْ رَبُّكَ سَوْطَ عَذَابٍ إِنَّ رَبَّكَ لَبِٱلْمِرْصَادِ فَأَمَّا ٱلْإِنسَٰنُ إِذَا مَا ٱبْتَلَىٰهُ رَبُّهُۥ فَأَكْرَمَهُۥ وَنَعَّمَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّىٓ أَكْرَمَنِ وَأَمَّآ إِذَا مَا ٱبْتَلَىٰهُ فَقَدَرَ عَلَيْهِ رِزْقَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّىٓ أَهَٰنَنِ كَلَّا ۖ بَل لَّا تُكْرِمُونَ ٱلْيَتِيمَ وَلَا تَحَٰٓضُّونَ عَلَىٰ طَعَامِ ٱلْمِسْكِينِ وَتَأْكُلُونَ ٱلتُّرَاثَ أَكْلًۭا لَّمًّۭا وَتُحِبُّونَ ٱلْمَالَ حُبًّۭا جَمًّۭا كَلَّآ إِذَا دُكَّتِ ٱلْأَرْضُ دَكًّۭا دَكًّۭا وَجَآءَ رَبُّكَ وَٱلْمَلَكُ صَفًّۭا صَفًّۭا وَجِا۟ىٓءَ يَوْمَئِذٍۭ بِجَهَنَّمَ ۚ يَوْمَئِذٍۢ يَتَذَكَّرُ ٱلْإِنسَٰنُ وَأَنَّىٰ لَهُ ٱلذِّكْرَىٰ يَقُولُ يَٰلَيْتَنِى قَدَّمْتُ لِحَيَاتِى فَيَوْمَئِذٍۢ لَّا يُعَذِّبُ عَذَابَهُۥٓ أَحَدٌۭ وَلَا يُوثِقُ وَثَاقَهُۥٓ أَحَدٌۭ يَٰٓأَيَّتُهَا ٱلنَّفْسُ ٱلْمُطْمَئِنَّةُ ٱرْجِعِىٓ إِلَىٰ رَبِّكِ رَاضِيَةًۭ مَّرْضِيَّةًۭ فَٱدْخُلِى فِى عِبَٰدِىوَٱدْخُلِى جَنَّتِى .
- Betohem për muzgun e agimit
- dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!
- Betohem për çiftin dhe tekun
- dhe për natën kur largohet!
- A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!
- Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad,
- banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe,
- të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!
- Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?
- Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)?
- Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre,
- duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin,
- prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.
- Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!
- Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.”
- Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”.
- Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët
- dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit.
- Trashëgiminë (e të dobtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur,
- dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.
- Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime,
- kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe,
- Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!
- Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”
- Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai,
- e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!
- O ti shpirt i qetësuar!
- Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
- Bashkohu me robërit e Mi
- dhe hyr në Xhenetin Tim!
Komentimi
Janë pesë gjëra në të cilat Allahu betohet në fillimin e kësaj sureje:
-“ وَٱلْفَجْرِ – Betohem për muzgun e agimit” – drita e cila ndriçon në horizont në drejtim të lindës para se të lindë dielli, kur fillon të dallohet nata prej ditës apo dita prej natës, pra kur hyn koha e sabahut. Allahu betohet në të sepse njeriu nuk ka mundësi të sjellë agimin (të bëjë të agojë dita). Kjo është vetëm nën mundësinë e Allahut. Kjo është një shenjë e madhe që tregon për Fuqinë e Allahut.
-“ وَلَيَالٍ عَشْرٍۢ – dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!” – Disa prej dijetarëve thonë se është fjala për dhjetët ditët e para të muajit Dhul Hixhe, disa thonë se është fjala për dhjetë netët e fundit të Ramazanit.
-“ وَٱلشَّفْعِ وَٱلْوَتْرِ – Betohem për çiftin dhe tekun” – Disa dijetarë kanë thënë se me këtë betim Allahu ka përfshirë të gjitha krijesat (çdo gjë që e ka krijuar), ngase ka prej tyre që janë çift e ka që janë tek, këtu hyjnë edhe adhurimet thonë ata (çdo gjë që e ka ligjësuar). Ndërsa, disa dijetarë kanë thënë se qëllimi me çiftin janë krijesat, kurse qëllimi me tekun është vetë Allahu. Me të dy mendimet lejohet të interpretohet ky ajet.
-“ وَٱلَّيْلِ إِذَا يَسْرِ – dhe për natën kur largohet/udhëton!” – Nata fillon me perëndimin e diellit dhe përfundon me agimin. Vazhdimisht ajo ecën, udhëton. Allahu betohet në natën sepse gjatë saj kryhen shumë adhurime, si: namazi i akshamit, i jacisë, i natës, i vitrit, gjithashtu në pjesën e fundit të natës Allahu zbret në qiellin e dunjasë.
-“ هَلْ فِى ذَٰلِكَ قَسَمٌۭ لِّذِى حِجْرٍ – A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?” – A ju mjaftojnë këto betime që tregojnë për madhështinë e Allahut?
-“ أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِعَادٍ – Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad” – Adi është fis i njohur arab, tek ta Allahu ka dërguar Hudin për Pejgamber i cili e ka shpallur mesazhin e Allahut, por ata nuk e kanë pranuar dhe kanë refuzuar, “…thoshin: “Kush është më i fortë se ne?” Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?!” Fusilet 15. Allahu si ndëshkim për ta ka dërguar një erë për 7 netë dhe 8 ditë, “Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë, e cila i nxirrte njerëzit, sikur të ishin trungje të shkulura hurmash.” Kamer 19-20. Allahu me këtë pyetje do të na tërheqë vëmendjen, se si ka vepruar me ta, që të marrim mësim prej kësaj gjëje. Kush e përgënjeshtron dhe e kundërshton të Dërguarin e Allahut Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, le të shikojë se çfarë ka vepruar me këtë popull i cili ka kundërshtuar të Dërguarin e tyre.
-“إِرَمَ ذَاتِ ٱلْعِمَادِ – banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe” – me këto dy ajete i drejtohet të gjithë njerëzimit e madje edhe xhindëve. Disa dijetarë kanë thënë se Iram është emër i një fisi që ka jetuar aty, disa të tjerë kanë thënë se Iram është vendi ku ka jetuar fisi Ad, dhe mendime të tjera. Sidoqoftë, Allahu na tregon se i ka ndëshkuar ashpër edhe pse kanë qenë shumë të fuqishëm fizikisht. Ndërsa, imad janë për qëllim shtyllat e mëdha e të forta që i kanë ndërtuar ata.
“ٱلَّتِى لَمْ يُخْلَقْ مِثْلُهَا فِى ٱلْبِلَٰدِ – të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!” – nuk ka (ndërtesa) si të atilla siç ka ndërtuar populli Ad, aq të forta e të mëdha, të perfeksionuar. Kjo ka qenë shkaku pse ata janë mashtruar me forcën e tyre dhe kanë thënë: “Kush është më i fortë se ne?”
-“ وَثَمُودَ ٱلَّذِينَ جَابُوا۟ ٱلصَّخْرَ بِٱلْوَادِ– Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?” – Ata kanë qenë populli i Pejgamberit Salih alejhi ue selam. Ata kanë banuar në Hixhr (luginë, vend i njohur edhe sot). Atyre Allahu u ka dhënë forcë të madhe saqë kanë gdhendur shkëmbinjtë dhe malet pa mjete (por me duar) duke ndërtuar shtëpi në të cilat kanë banuar. Vendbanimet e tyre ende ekzistojnë sot. Allahu i ka ndëshkuar ata duke ua dërguar një britmë të madhe dhe dridhje “i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm, sikur nuk kishin jetuar kurrë në to” Hud 67-68, dhe: “ata i goditi një tërmet i rëndë në mëngjes dhe mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre.” Araf 78). Ne duhet të marrim mësim prej gjendjeve të popujve të cilët i ka ndëshkuar Allahu, të cilët kanë përgënjeshtruar fenë dhe të Dërguarit e Tij. Përfundimi i tyre ka qenë shkatërrimi dhe zhdukja.
-“وَفِرْعَوْنَ ذِى ٱلْأَوْتَادِ – Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)?” – Faraoni tek i cili është dërguar Musai si Pejgamber. Ai i ka nënshtruar dhe pushtuar bëni Israilët që jetonin në Egjipt. Ai ua ka mbytur meshkujt dhe fëmijët (djem) dhe ua ka lënë gjallë femrat. Dhe Allahu me fuqinë e Tij e ka bërë kader që pikërisht nga ta të lindë një djalë përmes të cilit do të shkatërrohet mbretëria e Faraonit, e ai ka qenë Musai alejhi ue selem. Allahu e ka frymëzuar nënën e Musait ta hedhë atë (si foshnje) në lumë dhe i ka treguar se do ta ruajë Ai, pastaj e ka gjetur gruaja e Faraonit. Allahu mbolli dashuri në zemrën e saj për të, por edhe në zemrat e të gjithë njerëzve, kushdo që e ka parë e ka dashur atë. Ajo e ka rritur dhe edukuar në pallatin mbretëror. Faraoni i ka thënë popullit të tij: “Unë jam Zoti juaj më i Lartë!” dhe: “Unë nuk di ndonjë të adhuruar tjetër për juve përveç meje!”
“njeriun e hunjve” – E quan kështu ushtrinë e tij, ata e kanë mbajtur mbretërinë e tij fort. Faraoni ka pasur fuqi të madhe dhe ushtri të madhe, mirëpo Allahu është mbi çdokënd.
-“ٱلَّذِينَ طَغَوْا۟ فِى ٱلْبِلَٰدِ – Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre” – Tejkaluan kufijtë e Allahut dhe bënë padrejtësi në tokë.
-“فَأَكْثَرُوا۟ فِيهَا ٱلْفَسَادَ – duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin” –shtuan shumë mëkatet, mohimin, padrejtësinë etj.
-“فَصَبَّ عَلَيْهِمْ رَبُّكَ سَوْطَ عَذَابٍ – prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit” – Allahu lëshoi dënim shkatërrues (për këta popuj).
-“إِنَّ رَبَّكَ لَبِٱلْمِرْصَادِ – Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” – Me këto fjalë i drejtohet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe çdokujt tjetër. “në pritë” të çdokujt i cili tejkalon kufijtë, bën padrejtësi, tregohet mendjemadh, tiran, kryelartë. Ai gjithsesi do ta ndëshkojë atë.
-“فَأَمَّا ٱلْإِنسَٰنُ إِذَا مَا ٱبْتَلَىٰهُ رَبُّهُۥ فَأَكْرَمَهُۥ وَنَعَّمَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّىٓ أَكْرَمَنِ – Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar” –
-“وَأَمَّآ إِذَا مَا ٱبْتَلَىٰهُ فَقَدَرَ عَلَيْهِ رِزْقَهُۥ فَيَقُولُ رَبِّىٓ أَهَٰنَنِ – Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”.
Në këto dy ajete Allahu tregon se sprovat e Tij janë me të mira dhe me të këqija. Allahu e sprovon njeriun me të mira të shohë se a është mirënjohës e falënderues dhe e sprovon me të këqija të shohë se a është durimtar. Gjendja e njerëzve deri në vdekje është mes të mirave dhe të këqijave, ata janë në sprovë me to. Çdo gjë e keqe që i ndodh, duhet të dijë se është sprovë prej Allahut, e pastaj prej asaj Ai do të nxjerrë të mira, andaj, nuk duhet të dobësohemi e demoralizohemi përballë sprovave. Njeriu në natyrën e tij është injorant dhe i padrejtë, dhe nëse atë e sprovon me të mira do të thotë: “Më ka nderuar”, do të mendojë se ky nderim i ka ardhur sepse ai e meriton dhe nuk e njeh si mirësi prej Allahut, nuk është mirënjohës. E nëse e sprovon me të këqija do të thotë: “Më ka poshtëruar”, nuk do të durojë. Kjo është gjendja e shumicës së njerëzve. Kurse, besimtari e falënderon Allahun kur i jep mirësi, e pranon me zemër se ato janë mirësi prej Tij (e jo sepse ai i meriton). Gjithashtu bën durim kur e sprovon (me diçka) dhe shpreson në shpërblimin e Tij dhe thotë se kjo është për shkak të mëkateve të tij (e jo se Allahu e ka poshtëruar apo i ka bërë padrejtësi).
-“كَلَّا ۖ بَل لَّا تُكْرِمُونَ ٱلْيَتِيمَ – Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët”- Pra, nuk t’i ka dhënë ato të mira për të të nderuar pse ti je meritor, por që të dish se janë mirësi prej Allahut, gjithashtu nuk të ka sprovuar për të të poshtëruar, porse sprovimin këtë e kërkon urtësia dhe drejtësia e Allahut. (Si njerëz, në natyrën që jenë krijuar) Nuk tregoni dhembshuri ndaj jetimëve kur keni mirësi, nuk kujdeseni për ta, qoftë nëse janë jetimë të pasur apo të varfër. Jetimi e ka zemrën e thyer me vdekjen e babait, nuk ka kush të kujdeset për të (edhe nëse ka pasuri).
-“وَلَا تَحَٰٓضُّونَ عَلَىٰ طَعَامِ ٱلْمِسْكِينِ – dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit”- kjo tregon se ata as nuk u japin të varfërve prej pasurisë që ua ka dhënë Allahu. Nëse Allahu na ka nderuar me pasuri duhet t’i nderojmë jetimët dhe të nxisim njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit ngase ata janë nevojtarë.
-“وَتَأْكُلُونَ ٱلتُّرَاثَ أَكْلًۭا لَّمًّۭا – Trashëgiminë (e të dobëtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur”- Disa dijetarë kanë thënë se është fjala për trashëgimin e mbetur nga i vdekuri (tek i cili ka hise).
“e zhvatni” qëllimi është siç kanë vepruar njerëzit e periudhës paraislame të cilët nuk ia kanë dhënë femrave hisen e pasurisë. Disa dijetarë kanë thënë se me trashëgimi është çdo pasuri të cilën e trashëgon prej Allahut, qoftë prej dikujt që ka vdekur, apo prej shitblerjes, apo prej furnizimit që fiton duke punuar etj.
“me lakmi të pangopur” – njeriu që nuk ka besim në zemër çdo pasuri që i vjen e merr, nuk shikon a është e lejuar apo e ndaluar, nuk shikon se a është e tij apo e tjetër kujt.
-“وَتُحِبُّونَ ٱلْمَالَ حُبًّۭا جَمًّۭا – dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme”- Kjo është në natyrën njerëzore, por besimi në zemrën e besimtarit lë gjurmët e tij, dhe për shkak të tij, ai ka mundësi të mos i kushtojë fare rëndësi pasurisë. Nëse ka pasuri, ai është falënderues dhe kryen obligimet me të cilat është ngarkuar, e nëse nuk ka kjo nuk ka rëndësi (tek ai).
-“كَلَّآ إِذَا دُكَّتِ ٱلْأَرْضُ دَكًّۭا دَكًّۭا – Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime”- derisa të mos shohësh më as lugina, as brigje, as ndërtesa, as pemë. Toka do të shtrihet, siç shtrihet lëkura. Njerëzit do të jenë në një vend ku mund ta dëgjojnë atë që u bën thirrje dhe t’i shohin të gjithë të tubuarit pa pasur asnjë pengesë.
-“وَجَآءَ رَبُّكَ وَٱلْمَلَكُ صَفًّۭا صَفًّۭا – kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe” – Allahu do të vijë në Ditën e Gjykimit, por se si do të vijë ne nuk e dimë. Kjo është një çështje për të cilën nuk kemi dijeni. Do të vijnë të gjithë engjëjt, do të zbresin dhe do t’i përfshijnë krijesat. Do të zbresin engjëjt e qiellit të kësaj bote, pastaj ata të qiellit të dytë e me radhë. Engjëjt do t’i rrethojnë krijesat për të shfaqur madhështinë. Sigurisht që krijesat nuk mund të ikin as majtas as djathtas, mirëpo kjo bëhet për të bërë të dukshme madhështinë e Allahut dhe trishtimin e asaj Dite të madhe.
-“وَجِا۟ىٓءَ يَوْمَئِذٍۭ بِجَهَنَّمَ ۚ يَوْمَئِذٍۢ يَتَذَكَّرُ ٱلْإِنسَٰنُ وَأَنَّىٰ لَهُ ٱلذِّكْرَىٰ – Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet – por ç’i duhet se u kujtua!” – Nuk përmendet se kush do ta sjellë Xhehenemin, mirëpo në një hadith thuhet se do të sillet duke u tërhequr nga 70.000 kapistra, ku çdo kapistër tërhiqet nga 70.000 engjëj. Dhe njeriu do të kujtohet se i ishte premtuar kjo Ditë dhe se ishte njoftuar për të përmes Profetëve të cilët paralajmëruan dhe frikësuan për këtë Ditë. Por, çfarë kuptimi ka se u kujtua në këto çaste kur sheh me sy ato për të cilat kishin njoftuar Profetët? Tani nuk ka më kohë për të marrë mësim. Besimi përmes shikimit nuk bën dobi, sepse çdo njeri e beson atë që sheh. Besimi i dobishëm është besimi në të fshehtën.
-“يَقُولُ يَٰلَيْتَنِى قَدَّمْتُ لِحَيَاتِى – Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” – Do të dëshironte të kishte bërë diçka për jetën e tij, por kjo nuk mund të ndodhë. Por cila është jeta e tij? Mos është jeta e kësaj bote? Jo. Jeta e dunjasë ka mbaruar, megjithëse në realitet nuk është jetë në kuptimin e plotë të fjalës.
-“فَيَوْمَئِذٍۢ لَّا يُعَذِّبُ عَذَابَهُۥٓ أَحَدٌۭ – Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai” – dënimi i Tij është më i rëndi. Atë Ditë askush nuk do të dënohet siç dënohet ky njeri.
-“وَلَا يُوثِقُ وَثَاقَهُۥٓ أَحَدٌۭ – e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!” Ky njeri do të prangoset.
Pastaj Allahu e përfundon këtë sure me diçka që i gëzon zemrat dhe i zgjeron kraharorët:
-“يَٰٓأَيَّتُهَا ٱلنَّفْسُ ٱلْمُطْمَئِنَّةُ – O ti shpirt i qetësuar!” – O shpirt i besimtarit, i qetë, pasi nuk mund të ketë shpirt më të qetë sesa ai i besimtarit.
-“ٱرْجِعِىٓ إِلَىٰ رَبِّكِ رَاضِيَةًۭ مَّرْضِيَّةًۭ – Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!” I thuhet “Kthehu te Zoti yt” në çastet kur ndahet nga kjo botë. Pra, o shpirti i qetësuar, dil për te mëshira dhe kënaqësia e Allahut. Ky është një lajm i mirë që e gëzon shpirtin dhe ia lehtëson daljen nga trupi, sepse është përgëzuar me diçka që është më e mirë se çdo gjë që ndodhet në këtë botë.
“i kënaqur me Atë” – me mirësitë që t’i ka dhuruar Allahu.
-“فَٱدْخُلِى فِى عِبَٰدِى – Bashkohu me robërit e Mi”- Robërit e mirë janë ata që janë begatuar nga Allahu, kategoria më e mirë e njerëzve: Profetët, të sinqertit, dëshmorët dhe të devotshmit.
-“وَٱدْخُلِى جَنَّتِى – dhe hyr në Xhenetin Tim!” – Në Xhenetin që Allahu ka përgatitur për miqtë e Tij. E ka adresuar te Vetja (“Xhenetin Tim”) në shenjë nderi dhe madhështie dhe për t’ua bërë të qartë krijesave kujdesin që ka treguar për to.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.