Surja Mesed – Komentim

Surja Mesed


تَبَّتۡ يَدَآ أَبِي لَهَبٖ وَتَبَّ مَآ أَغۡنَىٰ عَنۡهُ مَالُهُۥ وَمَا كَسَبَ  سَيَصۡلَىٰ نَارٗا ذَاتَ لَهَبٖ وَٱمۡرَأَتُهُۥ حَمَّالَةَ ٱلۡحَطَبِ فِي جِيدِهَا حَبۡلٞ مِّن مَّسَدِۢ


  1. Iu shkatërrofshin duart Ebu Lehebit dhe u shkatërroftë i tëri!
  2. Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera.
  3. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara,
  4. po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit,
  5. në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.

 

Kjo sure është prej sureve provë që tregojnë se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është i Dërguar i vërtetë. Në këtë sure tregohet se Ebu Lehebi gjithsesi do të vdesë jobesimtar dhe se do të jetë i shkatërruar. Ashtu dhe ka ndodhur. Kjo sure ka zbritur sa ka qenë ai gjallë. Madje, atij, Ebu Lehebit, nuk i ka shkuar kurrë nëpër mendje të thotë rrejshëm “jam bërë musliman” në mënyrë që me këtë të tregonte (gjoja) se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem nuk e thotë të vërtetën, pra që ta përgënjeshtronte këtë sure.

Kjo sure ka zbritur për njërin prej axhallarëve të Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Ebu Lehebi e ka luftuar dhe kundërshtuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem deri në momentet e fundit të jetës së vet. Për të ka zbritur Allahu sure e cila do të lexohet deri në Ditën e Gjykimit.

Me këtë sure, Allahu i kundërpërgjigjet vetë Ebu Lehebit. Kur Allahu ia ka zbritur Kuranin Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem e ka urdhëruar që të thërrasë haptazi (ngase fillimisht ka thirrur fshehtazi). Dhe ka thirrur haptazi, parinë e Kurjeshëve, në fjalën La ilahe ilahe ilAllah, i ka përgëzuar ata që i përgjigjen kësaj thirrje dhe i paralajmëruar ata që e kundërshtojnë atë. Ebu Lehebi ka thënë: “Qofsh i shkatërruar! A për këtë na ke mbledhur?!” Në këtë mënyrë ka dashur ta nënçmojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe thirrjen e tij. D.m.th.: A për këtë gjë kaq të ulët na ke mbledhur? Kjo është gjë aq e ulët saqë nuk meriton të mbledhësh parinë e Kurejshëve. Andaj, Allahu ka zbritur këtë ajet “Iu shkatërrofshin duart Ebu Lehebit dhe u shkatërroftë i tëri!” si kundërpërgjigje ndaj tij.

Kunja e tij ka qenë: Ebu Leheb, që do të thotë: Babai i flakëve të mëdha. Këtu dhe ka përshtatshmëri mes gjendjes së tij dhe përfundimit të tij. Ky njeri do të jetë në një zjarr të ndezur fortë, me flakë të mëdha, që përcëllojnë. Kunja e tij përshtatet me gjendjen dhe përfundimin e tij (zakonisht emri përputhet me veprën).

-“ تَبَّتۡ يَدَآ أَبِي لَهَبٖ وَتَبَّ – Iu shkatërrofshin duart Ebu Lehebit dhe u shkatërroftë i tëri!”- Së pari Allahu filloi me dy duart e Ebu Lehebit, ngase me duar njeriu vepron, merr, jep, janë prej gjërave kryesore me të cilat punon e vepron.

-“ مَآ أَغۡنَىٰ عَنۡهُ مَالُهُۥ وَمَا كَسَبَNuk do t’i bëjnë dobi as pasuria dhe ajo që ka fituar.” Ky ajet interpretohet në dy mënyra: a) pjesëza ‘ مَآmee’ është pyetëse, që nënkupton: “Çfarë i bëri dobi atij pasuria dhe ajo që ka fituar?!” Pra, qëllimi është: Asgjë. b) pjesëza ‘mee’ është mohore, që nënkupton: Nuk do t’i bëjë dobi asgjë pasuria dhe ajo që ka fituar. Të dy këto interpretime janë të ndërlidhura dhe e shoqërojnë njëra-tjetrën. Pasuria dhe fitimet e tij nuk do t’i bëjnë dobi atij, edhe pse zakonisht kjo gjë i bën dobi njeriut, p.sh.: shpenzimet për ushqim, ilaçe etj. Por, pasuria nuk i bën dobi njeriut për të shpëtuar nga zjarri i xhehenemit, askujt.

-“ وَمَا كَسَبَajo që ka fituar“. Këtu përfshihet çdo gjë nga e cila përfiton: fëmijët, pasuria, pozita etj.; përfshihet çdo gjë përmes së cilës arrin fuqi, forcë, pozitë dhe vend në zemrat e njerëzve. Të gjitha këto nuk bëjnë dobi tek Allahu, nuk e ndihmojnë asgjë për të shpëtuar nga zjarri.

-“ سَيَصۡلَىٰ نَارٗا ذَاتَ لَهَبٖ– Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara”- d.m.th. do të dënohet gjithsesi dhe afër. Do të ndodhë afër- arsyeja për këtë është se kënaqësia e kësaj bote dhe qëndrimi në të është shumë i shkurtë, sado që të jetojë gjatë, ahireti për të është afër.

-“ وَٱمۡرَأَتُهُۥ حَمَّالَةَ ٱلۡحَطَبِpo ashtu edhe gruaja e tij, bartësja e druve”- të njëjtën gjendje do ta ketë edhe ajo. Gruaja e Ebu Lehebit ka qenë prej grave më të ngritura të Kurejshëve, prej fiseve më të njohura. Mirëpo, kjo nuk i bën dobi tek Allahu përderisa ka qenë bashkëpjesëmarrëse me burrin e saj në armiqësi ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, Dhe së bashku të dytë, burrë e grua, kanë vdekur në mohim (kufër).

bartësja e druve“-  Allahu e përmend atë në këtë formë duke treguar nënçmim ndaj saj. Ajo ka bartë shumë dru. Ka shkuar në shkretëtirë për të mbledhur dru, pastaj i ka bartur dhe i ka vendosur nëpër rrugën ku ka ecur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Në ato dru ka pasur edhe thera. Nga urrejtja e madhe ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i ka vendosur në rrugën ku ai ka ecur me qëllim që t’i shkelë e t’i hyjnë në këmbë e ta lëndojnë.

-“ فِي جِيدِهَا حَبۡلٞ مِّن مَّسَدِۢ– në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.” Ajo me këtë litar në qafë ka shkuar në shkretëtirë, siç treguam. Një grua e ngritur, e megjithatë e ka nënçmuar veten e saj duke dal në shkretëtirë të mbledhë dru.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset e tefsirit – Transkriptim.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit