Të Folurit – Cilësi e Allahut

Të Folurit – Cilësi e Allahut

Allahu thotë: “E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” Nisa 87.

Dhe: “E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?!” Nisa 122.

Në këto ajete, sikur po na thotë Allahu: Askush nuk flet fjalë më të vërteta sesa Allahu. Këtu mohohet kjo gjë, pra askush nuk është më i vërtetë në fjalët, lajmet, premtimet e kërcënimet, sesa Allahu.

Allahu i përshkruan Fjalët e Tij se janë më të vërtetat, më të drejtat, i cilëson se ato fliten kohë pas kohe dhe se ato thuhen/shprehen. Në këto ajete, Allahu pohon për veten e Tij se Ai flet dhe se Fjalët e Tij janë të vërteta.

***

Allahu thotë: “Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?!” Maide 116.

Allahu do t’i drejtohet Isës: “O Isa…” dhe ato janë fjalë të cilat do t’i dëgjojë dhe janë të përbëra prej shkronjave. Allahu ato ia atribuon vetes “Allahu do të thotë”, ato do të dalin prej Tij. Allahu thotë dhe ka thënë në të kaluarën. Fjalët e Tij dëgjohen. Isa dhe të gjithë ata që janë të pranishëm, në vendtubimin ku të ringjallen njerëzit, do t’i dëgjojnë. Me këtë, Allahu do të pastrojë Isën nga ajo akuzë që i është veshur. Allahu flet me fjalë me zë që i dëgjojnë krijesat. Fjalët e Allahut janë fjalë dhe fjali, të përbëra prej shkronjave.

Besimi i pasuesve të sunetit është se Allahu gjithmonë ka folur, qysh në ezel – në pafillim. Të folurit e Allahut, si lloj është i pafillim, mirëpo pjesët dhe detajet ndodhin kohë pas kohe – ripërtërihen – Allahu vazhdimisht flet. Të folurit e Tij është Cilësi e cila qëndron në Qenien e Allahut dhe Ai flet me fjalë të vërteta kur të dëshirojë, si të dëshirojë dhe me çfarë të dëshirojë. Fjalët e Allahut janë prej shkronjave dhe zërit që dëgjohet (e nuk është kuptim që qëndron në Qenien e Allahut), ashtu siç i takon madhështisë Allahut, pa shëmbëllim dhe përngjasim me cilësitë e krijesave.

“O Isa, i biri i Merjemes!” – Allahu këto fjalë i ka thënë pasi e ka krijuar Isën, e jo siç mendojnë disa prej sekteve në Islam duke thënë se këto fjalë i ka thënë në ezel – në pafillim.

***

Allahu thotë: “Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë.” Enam 115.

Edhe në këtë ajet, Allahu i përshkruan Fjalët e Tij se janë të vërteta dhe të drejta. Kështu po kuptojmë se janë fjalë, ngase fjalët janë ato për të cilat thuhet se janë të vërteta apo të pavërteta.

Allahu në këtë ajet i përshkruan Fjalët e Tij me këto dy cilësi:

  • Kanë vërtetësi. Ato janë lajmet që na ka treguar për popujt dhe ngjarjet e kaluara apo për gjërat që do të ndodhin në të ardhmen. Të gjitha ato të vërteta.
  • Kanë drejtësi. Ato janë ligjet dhe vendimet e Allahut. Çdo gjë me të cilën na ka urdhëruar Allahu, ajo është e drejtë, nuk ka drejtësi tjetër përveç kësaj, dhe çdo gjë me të cilën Ai na ka ndaluar është e kotë, ngase Ai nuk na ndalon prej një gjëje veçse ajo është e dëmshme për ne.

fjalët e Zotit tënd” – janë për qëllim urdhrat, ndalesat, premtimet dhe kërcënimet e Tij.

Fjalët e Allahut janë dy lloje:

  1. Universale, që kanë të bëjnë me krijimin e Tij, kur Ai urdhëron të ndodhë diçka në univers.
  2. Fetare, që kanë të bëjnë me fenë e Tij. Është për qëllim Kurani dhe ligjet e Tij të shpallura përmes të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.

 

***

Allahu thotë: “Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt.” Nisa 164.

Allahu e ka veçuar Musën me këtë Cilësi – I ka folur me Fjalë, duke e vlerësuar dhe nderuar atë. Për këtë Musa quhet kelimullah – Ai të cilit i ka folur Allahu. Allahu i ka folur atij me fjalë të cilat janë më të veçanta sesa kuptimi i përgjithshëm i Shpalljes. Një prej formave me të cilat Allahu u ka folur disa prej të Dërguarve ka qenë drejtpërsëdrejti, pa pengesë, një prej këtyre të Dërguarve është dhe Musa alejhisselam (e nuk i ka folur duke e krijuar të folurin në pemë dhe pastaj ka folur pema, apo e ka krijuar në ajër). Fjalët e Allahut drejtuar Musës kanë qenë të vërteta, të përbëra prej shkronjave dhe me zë të cilin e ka dëgjuar ai. Aty ka pasur bisedë dhe dialog mes Allahut dhe Musës – shkëmbim të fjalëve dhe pyetje-përgjigje.

***

Allahu thotë: “Disave Allahu u foli drejtpërdrejt…” Bekare 253.

Allahu të gjithë të Dërguarve u ka Shpallur, mirëpo ka prej tyre të cilëve u ka folur drejtpërdrejtë me fjalë, si: Musa, Muhamedi salallahu alejhi ue selem (kur e ka ngritur në Miraxh) dhe Ademi.

***

Allahu thotë: “Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të…” Araf 143.

I foli me fjalë të vërteta, pa ndërmjetës, i foli direkt, pasi Musa erdhi në vendin e takimit (në kodrën Tur) dhe në kohën e caktuar. I foluri i Allahut është i ndërlidhur ngushtë me dëshirën dhe vullnetin e Tij.

***

Allahu thotë: “Ne e thirrëm atë nga ana e djathtë e malit Tur, duke e afruar në një bisedë të fshehtë…” Merjem 52.

Allahu e ka thirrur Musën dhe i ka folur atij, në anën e djathtë të Musës, i ka thënë: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” Kasas 30.

***

Allahu thotë: “Kur Allahu e thërriti Musain: “Shko te populli keqbërës…” Shuara 10.

Allahu e ka thirrur Musën prej larg, me zë, me fjalë të përbëra prej shkronjave. Allahu e ka përshkruar këtu popullin e Faraonit me padrejtësi, ngase ata kanë bërë bashkë mes dy padrejtësive: 1. Ndaj vetës, duke bërë mohim dhe shirk, 2. Ndaj hebrenjve, duke i robëruar, duke i vrarë burrat etj.

***

Allahu thotë: “Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” Araf 22.

E thirri Ademin dhe Havanë. Këtu tregon se pemën ua kishte ndaluar qysh më parë dhe se Allahu u ka folur edhe më parë dhe prapë po u flet.

***

Allahu thotë: “Atë Ditë, Ai do t’i thërrasë, duke u thënë: “Ç’përgjigje iu dhatë të Dërguarve?” Kasas 65.

Allahu do të thërrasë njerëzimin në Ditën e Gjykimit e do t’iu thotë. Këtu Allahu pohon të folurin e Tij nga dy aspekte: 1. Do t’i thërrasë njerëzit me zë që dëgjohet. 2. Do të flasë dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e Tij.

***

Pamë se nganjëherë Allahu i thërret robërit e Tij me zë të lartë të cilin e dëgjojnë prej larg e nganjëherë bën bisedë me ta me zë të ulët. Allahu e përshkroi të folurin e Tij se është thënie apo i folur që përtëritet – ndodh kohë pas kohe. Allahu ka folur në të kaluarën dhe flet po ashtu me fjalë të reja. Të folurit e krijesës i përshtatet mangësisë së qenies së saj – ajo është e mangët. Kurse të folurit e Allahut i përshtatet përsosmërisë së Allahut – është i folur i përsosur. Pasuesit e sunetit e pohojnë të folurin e Allahut pa e përngjasuar dhe pa e shëmbëllyer me të folurin e krijesave. Ata pohojnë se Allahu është i cilësuar me Cilësi që tregojnë përsosmëri, prej tyre është të folurit e Tij. Të folurit e Allahut nuk është i njëjtë me të folurit e krijesave, por ka dallim siç është dallimi mes Krijuesit dhe krijesave. Ata besojnë se të folurit e Allahut është shkronja dhe zë që dëgjohet. Nëse do Ai, i thërret krijesat e Tij, “Ne e thirrëm atë”. Nëse do Ai, i flet dikujt me zë të ulët, që e dëgjon vetëm ai, “duke e afruar në një bisedë të fshehtë”.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit