Kur ne udhtojm’ e ti na je prijës,
Era jote e kandshme u mjafton kafshve për udhheqje
E në e humbshim rrugën e në mbetshim pa ndihmës
Drita e ftyrës tane na bahet mbështetje.
• Gjynahet janë plagë. Ndoshta plaga qëllon të jetë aty ku të shkakton vdekjen.
• Nëse arsyeja jote del jashtë sundimit të pasioneve, atëherë pushteti është në duart e saj.
• Kur ti hyre në shtëpinë e qejfeve nuk bërë gjë tjetër vetëm se e hodhe jetën tënde në bixhoz.
• Kur para teje shfaqet diçka që nuk të lejohet ta shohësh, dije se ajo është provokuesja e një lufte, ndaj mbrohu prej saj me “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimin” (Nur, 30), dhe kështu do të shpëtosh prej pasojave: “Dhe Allahu ua largoi luftën besimtarëve.” (Ahzab, 25)
• Kur niveli i detit të pasioneve rritet, të mbyt. Pika më e dobët për notarin në të është hapja e syve në brendësi të tij.
• Nuk ka njeri më të nderuar në varr sesa ai të cilit i bëjnë shoqëri veprat e tij, duke shijuar në këtë varr kopshtin e lulëzuar. Krejt ndryshe ndodh me atë që varrin e ka si burg. Njeriut i vinë sprovat sipas vlerës. Çdokush njihet kur duron sprovat.
• Ai që durimin e ka të pakët, ndaj asaj që i ruhet, sigurisht që edhe kësmetin e asaj që shpreson do ta ketë të pakët.
• Blije veten tënde, sepse tregu është akoma i hapur dhe koston e ke në dorë.
• Patjetër do të të kapë dremitja e harresës dhe do të zësh shtratin e pasionit, por bëje gjumin të lehtë, sepse rojet e kështjellës po thërrasin: Erdhi mëngjesi!
• Drita e mendjes ndriçon në natën e errët të pasionit dhe tregon rrugën e duhur: në këtë dritë i mençuri shikon prapavijën e gjërave.
• Dil me vendosmëri nga ky shesh i ngushtë, i mbushur me probleme, për te sheshi i gjerë, në të cilin ka gjëra të cilat syri nuk t’i ka parë: atje do të gjesh gjithçka që kërkon dhe dëshiron.
• O ti që veten ia ke shitur pasionit, dashuria për të cilin është lodhje dhe lidhja me të torturë, e fundi i tij zhdukje! Gjënë më të shtrenjtë e ke shitur me një çmim të lirë! A nuk ia di vlerën mallit dhe çmimin e shtrenjtë që ka ai?! Kur ti të vish ditën që bëhen llogaritë e blerjes, do të shohësh sesi ke humbur në këtë tregti. Malli yt është ‘La ilahe il-lAllah’ dhe blerësi i tij është Allahu, vlera e saj është Xheneti, sekseri i kësaj tregtie është Profeti. A kënaqesh duke e shitur këtë mall për pak gjë, që nuk vlen as sa krahu i një mushkonje?!
• O njeri me vendosmëri të thyer! Ku ndodhesh? A nuk e di që kjo rrugë është rruga në të cilën u lodh Ademi, vajtoi në të Nuhu, e Ibrahimi u flak në zjarr, Ismaili u shtrua për t’u bërë kurban, Jusufi u shit si skllav për pak para dhe qëndroi disa vjet në burg, u pre me sharrë Zekerija, u ther i ndershmi Jahja, provoi dhimbjen Ejubi, qau pa mbarim Daudi, u gjend mes egërsirave Isai, dhe provoi varfërinë e një sërë vuajtjesh Muhamedi (salallahu alejhi ue selem). E ti po kënaqesh duke u argëtuar dhe duke luajtur?!
• O shtëpi e mbushur me trishtim, shpejt drejt teje do të vijmë, por deri atëherë vuajtje të shumta na presin.
• Lufta ka filluar dhe ti i vetmuar qëndron duke vështruar, nëse kujtohesh të lëvizësh, humbja të pret.
• Kush nuk e provon nxehtësinë e mesditës bashkë me kërkuesit e lavdisë, nuk do ta provojë rehatinë e saj, nën hijen e fisnikërisë. Një njeriu që e adhuronte shumë Zotin, i thanë: ‘Sa shumë që e lodh veten! Dhe ai u tha: ‘Rehatinë e saj kërkoj.’
• O njeri që rrobën e besimit e ke veshur pas rrobës së shëndetit, pse po i njollos ato me gjynahe?!
• Nuset e kësaj bote janë zbukuruar për këdo që i shikon, për t’u sprovuar nëse ata do të zgjedhin ato apo nuset e botës tjetër. Ai që e njeh dallimin, zgjedh atë që duhet zgjedhur. E bukura e botës kur u shfaq drejt meje, erdhi dhe më tha: afrohu! Por, unë nuk e ktheva kokën, dhe bëra sikur nuk e pashë, kur tashmë pikësynimin tim e kisha parë.
• O ti që ke humbur rrugën! Shpërngulu në fund të karvanit së paku. E nëse gjatë rrugës do që të qetësohesh, qetësohu, sepse Prijësi kujdeset edhe për prapavijën!
• Hasan el Basriut i thanë: ‘Ata njerëz na e kaluan me kuaj të shpejtë, ndërsa ne po ecim me ca gomerë të çalë.’ Ai iu tha: ‘Nëse jeni duke ecur në rrugën e tyre, shpejt do t’i arrini’.[1]
——————————————————————————-
[1] Kjo temë është marrë nga libri ‘El Feuaid’, i autorit Iben Kajim el Xheuzije. Libri është botuar dhe shitet.