Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit
Shkaku i gjashtë: Veçimi i Allahut me adhurim
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kush vepron tri gjëra do të shijojë ëmbëlsinë e besimit: adhuron Allahun, të Vetmin, dhe beson se nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Tij, e jep zekatin e pasurisë së tij me shpirt të mirë e zemër të qetë, për çdo vit, nuk e jep atë kafshë (zekat) që është e shtyrë në moshë, apo e zgjebosur, apo e sëmurë, as atë pasuri të nënçmuar (të pavlerë), por jep prej pasurisë mesatare (as e çmueshme e as e dobët), ngase Allahu nuk ka kërkuar prej jush që të jepni zekat atë që është më e mira, por as atë që është më e keqja, dhe e pastron shpirtin e tij.”
Është obligim për njeriun që ta veçojë Allahun me të gjitha llojet e adhurimeve. Askush nuk lejohet të adhurohet krahas Allahut dhe askush nuk lejohet të adhurohet përveç Tij. Çdo kush që adhurohet krahas Allahut apo përveç Tij, është adhuruar pa meritë. Kush shpreson të shijojë ëmbëlsinë e besimit, atëherë tërë adhurimin e tij duhet t’ia kushtojë sinqerisht vetëm Allahut. Të gjitha lëvizjet e moslëvizjet e tij të jenë për Allahun, “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” Enam 162.
Adhurimi është themeli i lumturisë, siç ka thënë edhe Ibn Tejimje (Allahu e mëshiroftë!): “Kush dëshiron të ketë lumturi të përhershme, le të mos i ndahet pragut të robërisë dhe adhurimit ndaj Allahut.” Prej shkaqeve kryesore të arritjes së lumturisë në të dy botët është besimi bashkë me veprat e mira. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Dijetari Abudrrahman ibn Sadi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu në këtë ajet na njofton dhe premton se ai që bën bashkë mes besimit dhe veprave të mira, do të ketë jetë të mirë e të lumtur në këtë botë dhe do të ketë shpërblim në botën tjetër.”
Nëse i pyet të devotshmit për çastet më të mira të përjetuara, përgjigjet e tyre do të jenë: “Kur e kemi lutur Allahun, kur jemi vetmuar me Atë, kur ua kemi lehtësuar vështirësitë të varfërve e nevojtarëve etj.” I tillë dhe ka qenë udhëzimi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, të cilit kur i është vështirësuar ndonjë gjë atëherë strehën e prehjen e ka gjetur në namaz. Transmetohet se ka thënë: “O Bilal, thirre ikametin për namaz, që të qetësohemi përmes tij!” Gjithashtu transmetohet se Ibn Abbasit i ka ardhur lajmi i vdekjes së vëllait dhe ka thënë: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Pastaj ka falur dy rekate gjatë dhe më pas ka lexuar ajetin: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit”. Bekare 45.
Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Urdhrat e të Dashurit (Allahut) janë prehje e syve dhe lumturia e zemrave dhe kënaqësia e shpirtrave. I dashuri (besimtari, adhuruesi) gjen prehjen e syve të tij në namaz dhe haxh, në to gjen lumturinë, gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit e të zemrës, njëjtë i gjen edhe në agjërim, dhikër, lexim të Kuranit, ndërsa kur jep lëmoshë ajo sjell çudira në këtë drejtim…”
Prej mëshirës së Allahut është se Ai ka bërë që prej veçimit të Tij me adhurim, të dalin rezultate të mira në të dy botët.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.