Vërtetësia (sidku)
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Përmbajuni vërtetësisë dhe mos iu ndani asaj, ngase ajo të çon te devotshmëria dhe devotshmëria çon në xhenet. Njeriu vazhdimisht është i vërtetë në atë që e thotë/vepron derisa të shkruhet es siddik tek Allahu.” Dhe ka thënë: “Kini kujdes prej gënjeshtrës sepse ajo të çon në mëkate dhe kjo pastaj çon në zjarr. Njeriu vazhdimisht do të gënjejë derisa të shkruhet gënjeshtar i madh.”
Ne duhet ta lusim Allahun të na bëjë prej të sinqertëve dhe të vërtetëve, sepse kjo pozitë (es siddikije) vjen pas pozitës së Pejgamberisë. Allahu thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” Nisa 69.
Vërtetësia përfshin fjalët, veprat dhe zemrën. Allahu thotë: “Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit.” Zumer 33. Ibën Kajimi thotë: “Ai që e sjell të vërtetën, është ai gjendja/çështja e të cilit e gjitha ka të bëjë me të vërtetën (në fjalë, në vepra dhe në zemër). Nga kjo kuptojmë se vërtetësia përbën tri lloje:
- Vërtetësia në fjalë (gjuha flet fjalë të ligjshme).
- Vërtetësia në vepra (të drejta e të bazuara në ligjet e fesë).
- Vërtetësia në gjendje (veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve të qëndrojnë mbi sinqeritetin- ihlasin).
Varësisht se sa njeriu i plotëson këtë lloje të vërtetësisë dhe i zbaton ato, po aq do të arrijë nivelin e vërtetësisë tek Allahu. Për këtë, Ebu Bekri e ka arritur kulmin e këtij niveli (është quajtur es Siddik në mesin e sahabëve).”
Vërtetësia është prej veprave më madhështore zë zemrës dhe është shpirti i adhurimeve tona, madje ajo është peshorja e gjendjeve tona. Përmes saj dallohen dyfytyrëshit prej besimtarëve. Çdokush i cili është i vërtetë me Allahun, në zemër, fjalë dhe vepra, edhe Allahu do të jetë i vërtetë në realizimin e asaj që ai dëshiron apo në shpërblimin që do t’ia japë. Allahu do t’i japë prej dhuntive e mirësive të Tij dhe do t’i japë suksese. Allahu do të jetë me ata që janë të vërtetë. Sa më shumë që je i vërtetë e i sinqertë me Allahun, aq më shumë Ai do të jetë me ty.
Do të përmendim katër raste të vërtetësisë ndaj Allahut:
▪ Ibrahimi alejhisselam. Ai ka thyer idhujt me duart e tij dhe populli ka vendosur të hakmerret ndaj kësaj, andaj e kanë ndezur një zjarr të madh për ta djegur, e Ibrahimi, duke e hedhur në zjarr, ka thënë: “HasbunAllahu we nimel we kil – Na mjafton Allahu, sa mbrojtës i mirë është Ai!” Allahu thotë: “Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” Enbija 69. Allahu ia ka hequr zjarrit cilësinë e djegies dhe në këtë mënyrë ai nuk e ka djegur Ibrahimin.
Ibrahimi ka qenë i sinqertë në këtë lutje që ka bërë, në mbështetjen tek Ai dhe në kërkimin e ndihmës dhe strehës tek Ai, dhe Allahu ishte i vërtetë me të, iu përgjigj lutjes dhe e ndihmoi prej kësaj të keqeje. Allahu është mbrojtësi dhe ndihmëtari më i mirë.
▪ Esved el Anesi, i cili ka pretenduar se është Pejgamber. Ai ka qenë prej banorëve të Jemenit. Kjo gjë ka ndodhur në kohën e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Ai i ka thënë Ebu Muslim el Haulanit: “A dëshmon se unë jam Pejgamber?” Ndërsa ky i ka thënë me sinqeritet e vërtetësi: “Unë dëshmoj se vetëm Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është i Dërguar i Allahut.” Pastaj ai e ka ndezur një zjarr të madh dhe e ka hedhur Ebu Muslim el Haulanin, mirëpo zjarri nuk e ka prekur, atë e ka ruajtur Allahu. Ai (nga kjo gjë) gjithmonë është përngjasuar me Ibrahimin alejhisselam. Pas kësaj ka bërë hixhret në Medine dhe ka parë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka vdekur, pastaj ka shkuar tek Ebu Bekri (khalifja) radijAllahu anhu i cili e ka ulur pranë vetës ndërmjet tij dhe Umerit dhe ai e ka treguar ngjarjen e tij. Ebu Bekri pastaj ka thënë: “Falënderimi i takon Allahut i Cili nuk ma mori shpirtin derisa pash se në umetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem paska njerëz të tillë me të cilët Allahu ka vepruar siç ka vepruar me Ibrahimin alejhisselam!” Dhe e ka puthur në ballë Ebu Muslim el Haulanin.
▪ Musai alejhisselam. Pasi Faraoni ia ka lejuar të largohet prej Egjiptit bashkë me popullin e vet, është penduar dhe i ka ndjekur për t’i mbytur, derisa janë afruar te Deti i Kuq, duke mos pasur zgjidhje përpara, ndërkohë që Faraoni me ushtri ishin pas tyre. Allahu na tregon në Kuran: “Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!” Shuara 61. Mirëpo, Musai zemra e të cilit ishte e mbushur me tewekul dhe bindje të sinqertë në fitoren prej Allahut, tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.” Shuara 62-63. Dhe Allahu i shpëtoi.
▪ Ala el Hadrami (tabiin). Ai ka shkuar me ushtri të çlirojë një prej ishujve në Gadishullin arabik, mirëpo nuk kanë pasur anije për t’i bartur deri aty. Dhe ka filluar ta lusë Allahun: “O Allah, na bëj/hap një rrugë që të mbërrijmë deri tek armiqtë!” Dhe kështu ecën mbi sipërfaqen e ujit deri tek ishulli.
Shejhul islam ibën Tejmije: “Sa herë që njeriu është i vërtetë me Allahun, Ai do të veprojë me të ashtu siç ai e ka mendimin e mirë ndaj Tij. Prandaj, kush është i vërtetë e i sinqertë në adhurimin ndaj Allahut, atij do t’i vijnë mirësitë e Tij dhe do ta afrojë afër Vetës. Kush është i vërtetë e sinqertë në lutjen e tij, Allahu do t’ia japë atë që shpreson. Kush është i vërtetë e i sinqertë në pendimin e tij, Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do t’ia pranojë pendimin. Kush është i vërtetë e i sinqertë në kërkimin e mbrojtjes tek Allahu, Ai do t’ia lehtësojë gjendjen dhe do ta ndihmojë. Kush është i vërtetë e i sinqertë në qëllimet e tij, Allahu do t’i japë shpërblime të mëdha edhe nëse nuk ka mundësi ta kryejë veprën (që e ka pasur qëllim).”
Dallimi mes ihlasit dhe sidkit
» Baza është sidku, pastaj ihlasi është degë e tij, që e ndjek atë. Besimtari nëse është i vërtetë me Allahun, patjetër se do t’i bëjë veprat sinqerisht për Allahun – të pastra vetëm për Atë.
» Ihlasi kërkohet kur njeriu fillon adhurimin/veprën, ndërsa sidku është para veprës.
» Ihlasi zakonisht vjen karshi shirkut dhe kufrit. Besimtari e adhuron Allahun me ihlas – me sinqeritet, ia dedikon adhurimet vetëm Atij, ndërsa të tjerët i bëjnë shirk – i shoqërojnë të tjerë në adhurim. Allahu thotë: “…lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” Gafir 14. Ndërsa, sidku vjen karshi hipokrizisë. Hipokritët besojnë rrejshëm: në zemër e fshehin mohimin, kurse jashtë e shfaqin Islamin. Allahu thotë: “Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të vërtetët për vërtetësinë e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do ose do t’u pranojë pendimin.” Ahzab 24.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.