Vlera e Kuranit dhe e leximit të tij

Vlera e Kuranit dhe e leximit të tij

Allahu ia ka zbritur Kuranin Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe ia ka bërë me dije vlerën e madhe që ka ai, gjithashtu edhe krijesave. Allahu u ka treguar krijesave të Tij se Kurani është mburojë dhe shpëtim për atë që kapet pas tij, është udhëzim për atë i cili udhëzohet me të, është pasuri për atë i cili e mëson dhe e praktikon atë dhe është mburojë nga zjarri për atë që e pason atë. Allahu u ka treguar atyre se Kurani është dritë për atë që ndriçohet me të, është shërim për zemra dhe mëshirë e udhëzim për besimtarët.

Allahu i ka urdhëruar krijesat ta besojnë Kuranin, të veprojnë me urdhrat e tij, të besojnë edhe ajetet e paqarta të tij dhe të marrin mësim prej shembujve që gjenden në të.

Allahu i ka premtuar muslimanit i cili lexon Kuranin dhe vepron sipas tij, se do të shpëtojë prej Zjarrit dhe do të futet në Xhenet.

Allahu i ka nxitur krijesat të meditojnë në ajetet që lexojnë – të reflektojnë me zemrat dhe mendjet e tyre. Po ashtu, ta dëgjojnë Kuranin me vëmendje.

Allahu na ka njoftuar se kushdo që e lexon Kuranin dhe dëshiron të bëjë tregti me Atë përmes leximit dhe pasimit të tij, ai do të ketë një fitim madhështor dhe se bereqeti i kësaj tregtie do ta shoqërojë në të dy botët.

Allahu thotë:

“Pa dyshim, ata që e lexojnë Librin e Allahut, falin namazin

dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë.”

∞ “ata që e lexojnë” – e lexojnë me gjuhë dhe e pasojnë atë që e lexojnë. Allahu i lavdëron këta njerëz të cilët e lexojnë Kuranin në këtë mënyrë dhe u premton shpërblim të madh.

***

“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” Isra 9.

∞ “më e mira” – në çdo gjë, qoftë në raport me Allahun apo me krijesat, qoftë në aspektet familjare, apo shoqërore, apo politike, apo në luftë, apo në paqe etj.

***

“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” Isra 82.

∞ “është shërim” – për të gjitha sëmundjet, ato të shpirtit e të zemrës dhe ato fizike.

***

“O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” Junus 57.

∞ “këshillë”- të gjitha ato që përmban Kurani janë këshilla (që ne të marrim mësim), qofshin në aspektin e besimit, apo të dispozitave, apo të shembujve, apo të ngjarjeve etj.

***

“O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme.” Nisa 174.

∞ “provë bindëse, e qartë” – duke mos lënë asnjë paqartësi.

∞ “dritë e dukshme, e qartë” – me të cilën ndriçohet zemra, shpirti, trupi dhe gjymtyrët.

***

“Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.” Zumer 23.

“pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës” – sa i përket bukurisë dhe nivelit të lartë të të shprehurit. Kurani është i atillë pjesët e së cilit nuk kanë kundërshti me njëra-tjetrën, por janë në përputhje dhe dëshmojnë për njëra-tjetrën. Në fjalët e Allahut nuk gjen të meta qoftë në shprehje apo në kuptim.

***

“Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29.

“libër i bekuar” – i bekuar për shkak të mirësive të shumta që gjenden në të. Kurani është Libër i Allahut, përmban dije e udhëzime të shumta me të cilat njeriu lumturohet në këtë botë dhe tjetrën.

Kur njeriu i kthehet Kuranit dhe angazhohet me të, Allahu do t’i hapë dyer të bekimeve (bereqeteve) të cilat as nuk i shkojnë ndërmend (si: në dije, në punë, në kohë, në familje, në pasuri etj.); angazhohet duke e studiuar dhe mësuar, fillimisht për vetveten, pastaj ua mëson edhe të tjerëve.

***

“Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” Araf 204.

dëgjoni” – është dëgjim i qëllimshëm, me përqendrim, me vëmendje, pa u angazhuar me diçka tjetër.

***

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” Muhamed 24.

Secili prej nesh e ka obligim të meditojë/përsiasë rreth Kuranit. Me këtë nuk duhet të veçohen vetëm dijetarët apo hoxhallarët – ky është një keqkuptim.

Qëllimi me meditimin: Të këshillosh zemrën tënde e ta zbusësh atë, ta njohësh Allahun, Cilësitë e Tij, madhështinë dhe Pushtetin e Tij, të kuptosh se çfarë kërkon Ai prej teje, të njoftohesh me Xhenetin dhe Xhehenemin, të përfitosh nga shembujt që jepen në Kuran, të qortosh vetveten e ta marrësh në llogari dhe të përmirësosh rrugëtimin tënd drejt Allahut.

“A nuk shihni se si Zoti juaj bujar e fisnik i nxit krijesat të meditojnë rreth fjalëve të Tij? Ai që mediton rreth fjalëve të Zotit, do ta njohë Atë, do ta njohë pushtetin dhe Fuqinë madhështore të Tij, do të njohë begatitë e mëdha që ua ka dhënë besimtarëve, do të njohë obligimet në raport me Allahun dhe do ta detyrojë veten t’iu përmbahet atyre, do të dijë se çfarë është e ndaluar dhe do t’i largohet asaj dhe do të njohë ato gjëra drejt të cilave ka nxitur Allahu dhe pastaj do të ecë pas tyre.

(Nga ajo që përmendëm deri tash) Kush cilësohet me këto gjëra gjatë leximit të Kuranit apo gjatë dëgjimit të tij, atëherë Kurani do të jetë për të shërim, do të bëhet i pasur pa pasuri, do të bëhet i fortë pa krahë e farefis…

(Nëse dëshiron të përfitosh) Brenga jote gjatë leximit të Kuranit le të jetë:

“Kur do të marrë mësim nga ajo që po që lexoj?” E jo: “Kur po e përfundoj suren?”

“Kur po vjen koha kur unë e kuptoj se çfarë Allahu kërkon prej meje?”

Sepse leximi që ia bën Kuranit është adhurim, dhe adhurimi nuk bëhet duke qenë i shkujdesur.”

 

Hoxhë Petrit Perçuku.

🖊 Transkriptim.

Madhësia e tekstit