Vlera e lesuesve/bartësve të Kuranit
قَالَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ :للهِ مِنْ النَّاسِ أَهْلُونَ ، قِيلَ مَنْ هُمْ يَا رَسُولَ اللهِ ؟ ، قَالَ أَهْلُ الْقُرْآنِ هُمْ أَهْلُ اللهِ ، وَخَاصَّتُهُ.
Autori sjellë hadithin e Enes ibn Malikut tadijAllahu anhu i cili ka treguar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Vërtet, Allahu në mesin e njerëzve ka ithtarë të Tij.” Të pranishmit e kanë pyetur: “Kush janë ata, o i Dërguar i Allahut?” Ka thënë: “Ithtarët e Kuranit janë ithtarët e Allahut- njerëzit e veçantë në mesin e të tjerëve.”
Kur njeriu e meriton që quhet “Ithtar i Kuranit – Ehlul Kur’an”? Dijetarët kanë përmendur se ai meriton të quhet i tillë atëherë:
-Kur e mëson përmendsh Kuranin.
-Kur angazhohet me leximin e tij, natën e ditën.
-Kur e zbaton në jetën e tij.
Sipas kësaj, nëse njeriu e di Kuranin përmendsh, mirëpo nuk vepron sipas tij (nuk e zbaton në jetën e tij), atëherë në këtë rast nuk do të jetë argument për të, por kundër tij. I tilli nuk do të jetë nga ithtarët e Kuranit. Ndërsa, nëse e lexon Kuranin, mediton rreth tij dhe e studion, mirëpo nuk e zbaton atë, atëherë hisja e tij te Kurani është vetëm leximi e studimi – ana teorike. As i tilli nuk hyn te ky përshkrim që ka ardhur në hadith.
Ithtarët e Kuranit janë miqtë e Allahut, njerëzit e veçantë në mesin e muslimanëve. Ata janë shumë afër Allahut dhe Ai është afër tyre. Kur njeriu e arrin këtë pozitë tek Allahu, atëherë mos pyet se çfarë butësie dhe mëshire do të zbresë Allahu mbi të, sa shumë do ta ruajë, do ta udhëzojë dhe do t’i japë sukses.
Nëse dëshiron të përfitosh nga leximi i Kuranit e të ngrihesh në grada tek Allahu, patjetër duhet të plotësosh disa kushte, si:
» Zemra jote të jetë e pranishme, e përqendruar dhe e gjallë (e mbushur me besim).
Pastaj, nëse e lexon në këtë mënyrë, do të të shfaqen gjurmët e këtij leximi në gjymtyrët e tua dhe do të të përmirësohet zemra, do të të mbushet me kthim vetëm kah Allahu, me dashuri, me shpresë, me frikë e me mbështetje tek Ai, pastaj fjalët që flet do të jenë të dëlira e të mira etj.
***
يُقَالُ لِصَاحِبِ الْقُرْآنِ اقْرَأْ ، وَارْتَقِ ، وَرَتِّلْ كَمَا كُنْتَ تُرَتِّلُ فِي الدُّنْيَا ، فَإِنَّ مَنْزِلَتَكَ عِنْدَ آخِرِ آيَةٍ تَقْرَؤُهَا.
Transmetohet nga Abdil Ibn Amër radijAllahu anhu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit, do t’i thuhet shoqëruesit të Kuranit (sahibul Kur’an): “Lexo dhe ngrehu lart (nëpër gradat e Xhenetit)! Lexoje Kuranin ashtu siç e ke lexuar në jetën e dunjasë, sepse pozita jote në Xhenet do të jetë tek ajeti i fundit që lexon!”
Shoqëruesi i Kuranit është ai që vazhdimisht e lexon Kuranin dhe vepron sipas tij.
Dijetarët duke e komentuar këtë hadith kanë thënë:
-Kjo do t’i thuhet njeriut ende pa hyr në Xhenet (që t’i caktohet pastaj pozita në Xhenet).
-Kjo do t’i thuhet pasi të futet në Xhenet (që të ngritët sa më lart në gradat e tij).
“pozita jote në Xhenet do të jetë tek ajeti i fundit që lexon” – Numri i ajeteve të Kuranit është mbi 6000, dhe nëse njeriu e di atë përmendsh atëherë sa shumë do të ngrehet nëpër gradë të Xhenetit.
Ky hadith na bën të kuptojmë për vlerën e shoqëruesit të Kuranit dhe se sa shpërblim i madh e pret tek Allahu.
Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njeriu nuk mundet ta arrijë këtë vlerë përveç nëse e di Kuranin përmendsh, ka memorizim të fortë dhe e lexon siç është më së miri.” Mirëpo, krahas kësaj, gjithmonë duhet t’i bashkëngjitet vepra – zbatimi i Kuranit. Memorizimi i zhveshur nga praktikimi nuk sjell dobi në Ditën e Gjykimit.
Hoxhë Petrit Perçuku
🖊Transkriptim