Vlera e moralit të ithtarëve të Kuranit
Gjëja e parë që duhet ta posedojë ithtari i Kuranit, është frika ndaj Allahut – devotshmëria, në vetmi dhe në publik, të ruhet se me çfarë ushqehet, pi dhe vishet, se si e fiton pasurinë, duhet të tregohet vigjilent për kohën në të cilën jeton dhe për mëkatet e përhapura (që të mos bie në to) dhe të ketë kujdes prej njerëzve mëkatarë.
Ai është njeri i cili merret me veten, ka brengë përmirësimin e raportit me Allahun dhe e ruan gjuhën e tij. Ai flet me dije, heshtë me dije, nuk futet në gjëra që nuk i interesojnë (që nuk i duhen) dhe e burgosë gjuhen që të ruhet prej sherrit të saj. Nuk qeshë tepër si njerëzit e tjerë, nëse sheh diçka në përputhje me të vërtetën buzëqeshë, urren shakanë me njerëzit nga frika të mos bëhet njeri joserioz, ka fytyrë të hapur dhe flet fjalë të mira.
Ai nuk e lavdëron veten për ato gjëra që ka, e lëre më me ato që nuk i ka. Ai është i kujdesshëm të mos e mposhtë vetja e vet duke përmbushur epshet të cilat e zemërojnë Allahun. Ai nuk e përgojon askënd, nuk e nënçmon askënd, nuk e ofendon askënd dhe nuk i gëzohet fatkeqësisë së askujt. Nuk i bën padrejtësi askujt, nuk e ka zili askënd. Nuk ka mendim të keq ndaj muslimanëve, përjashtim ndaj atyre që e meritojnë këtë (që shfaqin veprat e këqija). Edhe nëse ka zili, ka zili me dije (lakmon të jetë si dikush i cili është i mirë pa dashur t’i largohet kjo begati), ka hamendësime me dije (me argumente, nuk paragjykon), nëse flet për dikë për një të metë, flet me dije e nëse heshtë për realitetin e tij, heshtë me dije.
Ai, Kuranin, sunetin dhe jurisprudencën islame (fikhun) i ka bërë udhërrëfyes të tij drejt çdo morali të bukur dhe të mirë. Ai i ruan gjymtyrët nga gjërat e ndaluara. Ai ecën me dije, ulet me dije. Përpiqet shumë që njerëzit të jenë të shpëtuar (sigurt) nga gjuha dhe dora e tij. Ai nuk flet fjalë të injorantëve dhe nuk bën veprime si ta. E nëse dikush sillet në këtë mënyrë me të, ai tregohet i matur, nuk nxiton. Nuk i bën padrejtësi askujt, e nëse i bëhet padrejtësi ai fal dhe duron. Ai e mposht zemërimin dhe mllefin që të kënaqë Zotin e vet dhe të zemërojë armikun (shejtanin). Është njeri i thjeshtë, nëse i thuhet e vërteta (qoftë nga dikush i moshuar apo i vogël) e pranon atë. Ngritjen e kërkon vetëm tek Allahu e jo tek krijesat. E urren mendjemadhësinë dhe ka frikë për veten se mos po bëhet njeri mendjemadh.
Ai nuk e bën Kuranin mjet për të arritur furnizim dhe nuk dëshiron që përmes dijes që ka për Kuranin, t’ia kryejnë njerëzit nevojat e tij. Përmes dijes që ka, nuk shkon te bijtë e mbretërve. Nuk e bën Kuranin mjet që të depërtojë te njerëzit e pasur e ata pastaj ta nderojnë (të përfitojë prej tyre).
Nëse njerëzit përfitojnë shumë nga dunjaja pa e ditur se çfarë është e ndaluar dhe e lejuar dhe pa largpamësi, ai fiton pak porse duke e ditur (ka fikh) se atë që posedon e ka të lejuar. Nëse të tjerët veshin rroba të shtrenjta e të mira, ai mjaftohet me rroba të lejuara. Nëse atij ia zgjeron Allahu furnizimin, ai e liron dorën (jep) e i ndihmon njerëzit. Ai kënaqet me pak që i ka dhënë Allahu dhe e ruan veten nga dunjaja dhe gjërat që mund ta bëjnë arrogant ndaj Tij.
Ai zbaton obligimet e Kuranit dhe sunetit. Ai ha me dije, pi me dije, vishet me dije, fle me dije, bën kontaktin intim me bashkëshorten me dije, shoqërohet me vëllezërit me dije e i viziton me dije dhe mban fqinjësinë me dije.
Ai e detyron vetveten të jetë i mirë me prindërit, andaj tregohet modest para tyre, e ulë zërin para tyre, shpenzon nga pasuria e tij për ta, i shikon prindërit me syrin e mirësjelljes dhe mëshirës dhe e lut Allahun t’ua zgjasë jetën atyre. Nëse i ka të moshuar, i falënderon vazhdimisht dhe tregohet mirënjohës. Nuk kaplohet nga monotonia dhe mërzia shkaku tyre. Nuk i nënçmon e as nuk i përbuzë. Nëse kërkojnë ndihmën e tij për të kryer ndonjë bindje ndaj Allahut, i ndihmon e nëse kërkojnë t’i bëjë mëkat Allahut, nuk i ndihmon, megjithatë në këtë mosbindje ndaj tyre tregohet i butë. Ai tregon edukatë të lartë ndaj prindërve kur ata duan të veprojnë një gjë të keqe në mënyrë që t’i largojë prej saj.
Ai mban lidhjet farefisnore dhe urren shkëputjen e tyre. Nëse të tjerët i ndërpresin lidhjet me të, ai nuk i ndërpret. Nëse dikush i bën gjynah Allahut në raport me të, ai i bindet Atij në raport me të (nuk ia kthen me të njëjtën).
Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊Transkriptim.