Zemërimi dhe pasojat e tij

🔊 Thënie nga derset

Zemërimi dhe pasojat e tij

Islami ka ardhur me udhëzime të drejta të cilat kanë për qëllim udhëzimin e njeriut drejt çdo virtyti dhe mirësie, si dhe përmirësojnë e korrigjojnë fjalët e veprimet e tij. Kjo tregon për përsosmërinë e kësaj feje. Ajo, sa bukur na ka sqaruar moralin. Një njeri erdhi te Pejgamberi salAllahu alejhi ue alejhi ue selem për ta porositur (këshilluar) dhe ai i thotë: “Mos u zemëro!” Dijetarët kanë thënë se kjo fjalë përfshin dy kuptime:

-Ta stërvitesh veten gjithherë në pajisjen me morale të mira, me edukatë të lartë, si: durim, maturi, mosnxitim, përmbajtje etj. E pastaj kur ndodh të zemërohesh, atëherë këtë e kalon me sjellje e morale të mira.

-Ta kontrollosh veten në çastet e zemërimit, duke mos lejuar të hidhesh në sulm me fjalë a vepra, por të kesh përmbajtje në fjalë e vepra derisa të shuhet zemërimi.

Metodat nga suneti për të kontrolluar veten që të mos biesh prehë e zemërimit:

-Të thuash “Euudhu bilehi minesh shejtanirr rraxhim – Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për një person që ishte i zemëruar: “Unë di një fjalë të cilën sikur ta thoshte (në këto çaste zemërimi), do t’i largohej zemërimi: Euudhu bilehi mineshejtani rraxhim.” Shejtani arrin të depërtojë kur shpërthen zemërimi te njeriu duke e shtyrë të thotë fjalë e të bëjë veprime të shëmtuara. Kështu duke e thënë këtë fjalë që përmendëm, shpëton prej cytjeve e tundimit të shejtanit, prej fjalëve jo të mira e veprimeve agresive.

-Të heshtësh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush zemërohet, le të heshtë!” Njeriu kur flet duke qenë i zemëruar, flet fjalë të cilat nuk kanë fund të mirë, e për të cilat pendohet pasi i kalon zemërimi, si: shan, ofendon, mallkon veten apo të tjerët, bën ndonjë betim për vepra që janë të ndaluara (thotë: “Pasha Allahun do ta mbys”, “do ta rrah”, “do ia bëj këtë e atë”), divorcon gruan etj. Njeriu në gjendje zemërimi nuk arrin të perceptojë se çfarë flet. E nëse heshtë derisa t’i shuhet zemërimi, atëherë ndalet e mendon dhe nxjerrë fjalë të duhura.

-Të ulesh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush zemërohet, le të ulet. Nëse nuk i kalon, atëherë le të shtrihet.” Nëse qëndron në këmbë duke e pasur afër atë me të cilin është zemëruar, do ta ketë shumë më lehtë ta sulmojë e dëmtojë, e nëse ulet atëherë kështu krijon distancë mes vetes dhe atij dhe nuk ka mundësi (nga kjo pozitë) ta sulmojë e dëmtojë. Nëse as pasi të ulet nuk kalon zemërimi, atëherë duhet të shtrihet krejt, duke ia pamundësuar vetes sa më shumë hakmarrjen me gjymtyrë ndaj tjetrit.

-Të marrësh abdes (për hadithin ka mospajtime mes dijetarëve se a është i saktë).

Nëse burri është zemëruar me gruan e tij atëherë në këtë rast duhet të dalë prej shtëpie, duke bërë që të mos ndodhin veprimet e fjalët e pamatura (ndërmjet tyre).

Burrëria, krenaria dhe fuqia e vërtetë është kur njeriu arrin të përmbahet dhe ta kontrollojë veten gjatë zemërimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “I fuqishëm nuk është ai që i mund të tjerët (në përleshje), por i fuqishëm është ai i cili e mban (kontrollon) veten e tij kur zemërohet.”

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit