Zilia – Sëmundja e gjashtë e zemrës

Zilia është prej sëmundjeve më të rrezikshme e cila godet zemrat dhe i prish ato. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk mund të bëhen bashkë në zemrën e njeriut besimi dhe zilia.” Dhe kur është pyetur se cili është njeriu më i mirë tek Allahu, ka thënë: “Njeriu më i mirë tek Allahu është ai i cili ka zemër makhmul dhe gjuhë të sinqertë.” Sahabët janë çuditur dhe kanë pyetur se çfarë është zemra makhmul”, ndërsa ai ka thënë: “Ajo zemër që ka frikë Allahun, është e pastër, e kulluar, në të nuk ka mëkat, as armiqësi, as urrejtje e as zili.” Dhe zilia është dy lloje:

Zilia e lavdëruar, kur lakmon dhe dëshiron të kesh edhe ti atë mirësi sikur tjetri, pa dëshiruar që t’i largohet atij (p.sh.: mësimi përmendsh e Kuranit, shpenzimi i pasurisë në të mira etj.).

-Zilia e nënçmuar, kur shpreson e dëshiron që Allahu t’ia largojë tjetrit mirësinë që ka, pavarësisht nëse e dëshiron atë për vetën tënde apo jo (nivel më i keq është kur vetëm dëshiron t’i merret atij, nuk do ta shohësh me atë të mirë që Allahu ia ka dhënë). Njeriu që ka këtë lloj të zilisë është njeriu më i keq. Allahu na ka urdhëruar të kërkojmë mbrojtje tek Ai nga ky ziliqar, “dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë” Felek 5.

Zilia është shkak i çdo të keqeje që e godet umetin islam. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Edhe umetin tim do t’i godasë sëmundje që i kanë goditur umetet e mëhershme.” Dhe prej tyre ka përmendur: “…pasja zili ndaj njëri-tjetrit…” Nëse njerëzit vazhdojnë të kenë zili njëri-tjetrin do të përfundojnë në urrejtje dhe armiqësi. Së pari zilia, pastaj armiqësia dhe shkaktimi i dëmit ndaj tjetrit, kështu mund të vije edhe te vrasja. Ai gjithashtu ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi derisa të fillojnë të kenë zili njëri-tjetrin.” E tërë mirësia është kur e largojmë zilinë nga zemrat tona.

Disa këshilla e përkujtime për atë që është sprovuar me sëmundjen e smirës (zilisë) në mënyrë që të shërohet prej saj:

-Të dijë se ka marrë një moral të jobesimtarëve, prej hebrenjve dhe të tjerëve, “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim” Bekare 109.

-Të dijë se zilia është mëkati i parë në qiell (zilia Iblisit ndaj Ademit alejhi selam) dhe në tokë (zilia e Kabilit ndaj Habilit- dy djemtë e Ademit).

– Të pyesë veten “A dëshiron që dikush të ketë zili ty e familjen tënde?” dhe përgjigja është jo. Atëherë mos e dëshiro për tjetrin (t’i largohen të mirat). “Nuk ka besuar askush derisa t’ia dojë vëllait të tij atë që ia dëshiron vetes.”

– Nuk do të jetë i kënaqur me atë që Allahu ia ka dhënë, e Ai është i Cili ka caktuar çdo gjë, Allahu i jep kujt të dojë, dikë e bën të pasur e dikë e lë të varfër. Ai me këtë gjë sikur kundërshton kaderin e Allahut. Kjo është edukatë e keqe ndaj Tij.

-Të kujtojë vdekjen, jetën e varrit, dënimin apo shpërblimin e tij, Ditën e Gjykimit kur do të dalë para Allahut të japë llogari për veprat e tij. Ebu Derda radijAllahu anhu ka thënë: “Sa më shumë që kujton vdekjen, aq më pak do të gëzohesh me të mirat e kësaj bote dhe aq më pak do të kesh zili ndaj të tjerëve.”

Ilaçi i zilisë është besimi i vërtetë (sidomos ndaj kaderit). Nëse njeriu e mëson akiden e saktë dhe ka besim e bindje të fortë në çështjet e kaderit, atëherë me lejen e Allahut do të shërohet prej sëmundjes së zilisë.

Mbrojtja prej ziliqarit bëhet duke zbatuar disa hapa:

  • Të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej ziliqarit (të lexojë suren Felek aty ku është transmetuar nga suneti).
  • Të mësojë akiden dhe teuhidin e pastër.
  • Të mbështetet tek Allahu.
  • Të pendohet sinqerisht prej mëkateve (se ato janë shkak për sprova/fatkeqësi).
  • Të sillet mirë me ziliqarin.
  • Të fshehë të mirat (të mos i përhapë ato).
Madhësia e tekstit