Zotëria i istigfarit (kërkim faljes tek Allahu)
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Sejjidul istigfar – Zotëria i kërkim faljes tek Allahu (kërkim falja më e mirë) është të thuash:
اللَّهُمَّ أَنْتَ رَبِّي لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ، خَلَقْتَنِي وَأَنَا عَبْدُكَ، وَأَنَا عَلَى عَهْدِكَ وَوَعْدِكَ مَا اسْتَطَعْتُ، أَعُوذُ بِكَ مِنْ شَرِّ مَا صَنَعْتُ، أَبُوءُ لَكَ بِنِعْمَتِكَ عَلَيَّ، وَأَبُوءُ بِذَنْبِي فَاغْفِرْ لِي فَإِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنوبَ إِلَّا أَنْتَ.
All-llahum-me ente Rab-bí.
Lé ilahe il-lé ente.
Khalektení we enee abduke.
We enee alé ahdike we we’adike mee stetë’at.
Euudhu bike min sherr-rri mee sanë’at.
Ebuu’u leke bini’metike alej-je.
We ebuu’u bi dhenbí, feegfir lí,
fee’in-nnehu lé jegfirudh-dhunuube il-lé ente.
“O Allah, Ti je Zoti im. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje. Ti më ke krijuar mua e unë jam robi yt. Unë qëndroj në besën që ta kam dhënë dhe i besoj premtimit Tënd, sa të mundem. Kërkoj të më mbrosh nga e keqja e asaj që e kam vepruar! Unë i pranoj begatitë e Tua mbi mua dhe i pranoj gjynahet e mia, andaj më fal mua, ngase askush tjetër nuk i fal gjynahet përveç Teje!”
Kush e thotë gjatë ditës (apo në një pjesë të saj), me bindje në të, dhe vdes në po atë ditë pa perënduar dielli, ai do të jetë prej banorëve të xhenetit. Kush e thotë gjatë natës (apo në një pjesë të saj), me bindje në të, dhe vdes në atë natë pa arritur mëngjesi, ai do të jetë prej banorëve të xhenetit.”
Buhariu dhe të tjerët.
___________________
Në fillim të këtij dhikri, kemi lavdërim ndaj Allahut dhe pranim të teuhidit, pastaj pranim të begative të Tij, pastaj pranim të shkujdesjes ndaj obligimeve të Allahut, pastaj kthim me pendim tek Ai dhe kërkim falje prej Tij. Ky dhikër është istigfari më i mirë, krahasuar me të gjitha istigfaret e tjera (kjo për shkak të kuptimeve që përmban). Ky dhikër është forma më e mirë dhe më e plotë me të cilën njeriu bën kërkim falje tek Allahu.
》” اللَّهُمَّ أَنْتَ رَبِّي – “O Allah, Ti je Zoti im” – Me këto fjalë njeriu po pranon rububijen e Allahut (se Ai është Zoti, krijuesi, ndihmuesi etj.). Er Rab është Zoti, Zotëria, Ai që kujdeset për universin, për krijesat e Tij, me begatitë e Tij të dukshme e të padukshme. Si rob i Allahut dhe krijesë e Tij, ti po nënshtrohesh ndaj Allahut dhe nuk po tregohesh mendjemadh dhe (sikur) po thua: “O Allah, Ti je Zoti im, Kujdestari im, Zotëria im, Ai që rregullon çështjet e mia dhe në Dorën e të Cilit i kam lënë ato!”
》” لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ –
Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje” – Menjëherë tani vjen pranimi i teuhidit uluhije (njësimi i Allahut në adhurim). Ai, Allahu, i Cili krijon, jep jetë e vdekje, rregullon çështjet e krijesave, kujdeset për to dhe i furnizon, Ai është i vetmi i Cili ti duhet t’i kthehesh me zemër dhe shpirt, me tërë qenien tënde.
Këtu ndërlidhet teuhidi rububije me teuhidin uluhije (kjo gjë shpeshherë vjen në Kuran).
》” خَلَقْتَنِي وَأَنَا عَبْدُكَ – Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt”- Robi Yt i cili të adhuron dhe kthehet vetëm tek Ti me veprat të cilat afrojnë tek Ti. Me këtë po ia atribuon rububijen Allahut dhe po ashtu po deklaron se je nën pushtetin e Tij, se Ai është i Cili të ka krijuar, të begaton me të mira, të ka dhënë jetën dhe se çdo e mirë që posedon është prej Tij. Dhe prandaj i drejtohesh me adhurim vetëm Atij.
》” وَأَنَا عَلَى عَهْدِكَ وَوَعْدِكَ مَا اسْتَطَعْتُ – Unë qëndroj në besën që ta kam dhënë dhe i besoj premtimit Tënd, sa të mundem” – Qëllimi me besën e dhënë është deklarimi i njeriut se ai do t’i përmbahet fesë së Allahut, ndërsa premtimi i Allahut është shpërblimi (xheneti) i Tij. Këtë e ka ndërlidhur me mundësinë “sa të mundem”, pra aq sa është në mundësinë, fuqinë dhe aftësitë e tij. Me këtë deklaron për veten se është krijesë e dobët, nuk mund të jetë i përsosur; deklaron se ai nuk mund ta adhurojë Allahun siç i shkon madhërisë Tënde.
》” أَعُوذُ بِكَ مِنْ شَرِّ مَا صَنَعْتُ – Kërkoj të më mbrosh nga e keqja e asaj që e kam vepruar!” – Mëkatet kanë pasoja të këqija, prej tyre: dënimi në këtë botë dhe tjetrën. Për këtë duhet të bëjmë istigfar, që do të thotë: Mbulim i gjynaheve dhe largim i pasojave të tyre. Ti po kërkon të të ruajë Allahu prej pasojave të veprimeve të tua, dhe kjo përfshin në vete dhe moskthimin në ato gjëra. Pra, po kërkon mbrojtje tek Allahu prej këtyre gjërave të ulëta, jo të mira. Nëse Allahu nuk t’i largon pasojat e mëkateve, atëherë do të të ulet pozita në këtë botë dhe në ahiret, do t’i ekspozohesh dënimit të Allahut, do të hedhet shejtani në qafë me vesvese e cytje, apo armiku i jashtëm etj.
》” أَبُوءُ لَكَ بِنِعْمَتِكَ عَلَيَّ – Unë i pranoj begatitë e Tua mbi mua” – I pranoj se janë prej Teje, çdo e mirë që kam është prej Teje. Kjo bën t’i nënshtrohesh Allahut dhe të të zbutet zemra. Po deklaron se nuk i ke harruar të mirat e Allahut edhe pse je mëkatar (të mirat e Tij ndaj teje janë të shumta) dhe po pranon se je i shkujdesur në falënderimin për to.
》” وَأَبُوءُ بِذَنْبِي – dhe i pranoj gjynahet e mia” – Nuk po kërkon shfajësim për këtë, por po pendohesh. Pranimi i gjynaheve është prej shkaqeve të të falë Allahu. E jo të tregohesh menjemadh. Fatkeqësia më e madhe është kur njeriu bën gjynahe dhe mundohet t’i gjejë arsye kësaj. Pra, ti po pranon se Allahu të ka nderuar e të ka begatuar me të mira dhe se nuk i harron ato, dhe njëkohësisht po pranon se je njeri gjynahqar, i dobët, i shkujdesur në falënderim dhe në kryerjen e adhurimeve (apo nuk i kryen siç duhet).
Ibën Tejmije ka thënë: “Kur i përjeton ashtu siç duhet dhe i pranon ato (pranon se të mirat janë prej Allahut dhe se je njeri gjynahqar), atëherë do të stabilizohet nënshtrimi yt ndaj Allahut, do të arrish gradat më të larta të njohjes së Allahut dhe të besimit, vetja do të duket diçka e parëndësishme dhe do të tregohesh modest ndaj Tij (të hiqet mendjemadhësia, vetëpëlqimi, mburrja etj.). Kjo është ubudija e plotë ndaj Allahut (të qenët rob adhurues ndaj Tij).”
》” فَاغْفِرْ لِي – andaj më fal mua!” – Pasi deklaron se i pranon të gjitha (ato që u përmendën), atëherë po kërkon të të falë Allahu, sepse Mëshira e Tij është shumë e gjerë, Ai është Poseduesi i faljes dhe mëshirës, asnjë mëkat nuk është aq i madh saqë nuk mund ta falë Ai, mirëpo Ai fal shumë dhe është i Mëshirshëm. Prej njeriut kërkohet të hedhë hapin drejt Allahut: të pendohet.
》” فَإِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنوبَ إِلَّا أَنْتَ – Ngase askush tjetër nuk i fal gjynahet përveç Teje.” – Po i kërkon falje Allahut ngase beson me bindje se askush tjetër nuk i fal gjynahet përveç Tij.
***
“Kush e thotë gjatë ditës…Kush e thotë gjatë natës” – Është më mirë të thuhet në fillim të ditës dhe në fillim të natës (edhe pse lejohet të thuhet brenda ditës e natës kur të duash, apo kur do të kërkosh falje), ngase njeriu nuk e di se kur mund ta befasojë vdekja. Nuk ka të keqe nëse përsëritet më shumë se një herë.
Kush e thotë këtë dhikër, kjo është shenjë se Allahu i ka dhënë sukses atij. Kur Ai të jep sukses drejt një dhikri dhe e thua gjithmonë, atëherë kjo është prej shenjave për përfundim të mirë me lejen e Allahut.
Kur ti e hap dhe e mbyll ditën me këtë istigfar madhështor, me kuptimet e larta të saj, siç përmendëm, atëherë pa dyshim se do të vijë shpërblimi i Allahut.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.