☘Martesa☘ Hoxhë Jeton Bozhlani

 

Allahu thotë: “Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës.” Rad 38. Ky ajet na tregon se martesa dhe të pasurit pasardhës ka qenë traditë e të Dërguarve. Kjo ka qenë praktikë po ashtu praktikë e Pejgamberit tonë salAllahu alejhi ue selem, ai ka porositur umetin e tij që ta ndjekin këtë praktikë dhe ka tërhequr vërejtjen ndaj atyre që largohen nga kjo traditë.

Ai ka thënë në një hadith duke iu drejtuar rinisë: “O ju të rinjë, ai që ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse martesa nxit në uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit. E ai që nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse ai e mbron!” Rreth falës së tij “ai që ka mundësi” dijetarët shpjegojnë se është për qëllim ai që nga aspekti fizik është i shëndoshë për martesë, i plotëson kushtet fizike të martesës. Martesa nxit në uljen e shikimit dhe në ruajtjen e nderit. Ulja e shikimit është masë preventive për ruajtjen e nderit. Kurse mos ulja e tij nxit në prishjen e nderit.

Prej qëllimeve/urtësive të martesës janë:
● Ruajtja e shikimit.
● Ruajtja e nderit.
●Ruajtja e llojit njerëzor, e familjes, prej aë cilëa ndërtohet shoqëria.
● Lidhja mes njerëzve/fiseve/familjeve.
● Nataliteti.

Dispozitat sheriatike janë pesë:
-obligim (uaxhib),
-praktikë profetike (sunet)
-e ndaluar (haram),
-e urryer (mekurh),
-e lejuar (mubah).

Në rastin e martesës, dijetarët thonë se këto pesë dispozita mund të vijnë në shprehje varësisht nga personi. Kështu, ai i cili është i pamartuar dhe ky status e shtyn të bie imoralitet, e ka obligim martesën; nëse qëndron i pamartuar dhe s’mund t’i bëjë ballë jomartsës saqë i shfryen nevojat e tij në haram, ky e ka obligim dhe nese nuk e kryen atë dënohet. Ai i cili është i pamartuar dhe ka nevojë për martesë, porse i bën ballë epshit duke mos rënë në imoralitet, e ka sunet martesën. Ai i cili nuk ka nevojë për martesë, si: është steril apo ka mangësi duke mos ndjerë nevojën për martesë, dhe nëse martohet nuk mund të realizojë shumicën e qëllimeve të martesës, atëherë për të është e ndaluar martesa sepse nëse martohet me këtë gjendje do ta dëmtojë gruan e cila nuk mund të realizojë qëllimet e martesës për shkak të mangësive/pengesave që ka bashkëshorti i saj. Ai i cili mund të realizojë disa prej qëllimeve të martesës, porse jo në niveli e duhur të martesës, për të është mekruh të martohet.

Prioritetet që vajza duhet të marrë parasysh në përzgjedhjen e burrit për martesë- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse ju vjen dikush t’ju kërkojë martesë të afërmen tuaj dhe jeni të kënaqur me fenë dhe moralin e tij, atëherë martojeni sepse nëse nuk veproni kështu, atëherë do të ndodhin fitne dhe fesade në tokë.” Pra prioriteti është: Feja dhe morali. Siç e dimë edhe morali është pjesë e fesë porse dijetarët sqarojnë se ndokush mund të jetë person i mirë në Islam, por nga karakteri nuk janë të njëjtë të gjithë, dikush mund të jetë temperament, dikush koprrac, dikush i vrazhd në shprehje etj.

Prioriteti që djali duhet të ketë parasysh në përzgjedhjen e gruas për martesë- Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja martohet për katër shkaqe: për bukurinë e saj, për pasurinë e saj, për prejardhjen e saj dhe për fenë e saj. Merre atë që është me fe të mirë, të lumshin duart!” Pra prioriteti është feja e gruas, as bukuria, as pasuria e as prejardhja.

Sa i përket shikimit të vajzës, pothuajse të gjithë dijetarët kanë përmendur se lejohet të shikohet vajza vetëmse atëherë kur djali vëren se do ta pranojnë dhe do t’i japin përgjigje pozitive. Kjo është pika kur lejohet të shihet vajza nga djali. E jo siç është bërë ptaktikë te ne në shumë raste duke u kërkuar vajza për martesë me kusht “së pari ta shoh pastaj veproj”. Këtu ka ndërrim vendesh. Dijetarët kanë thënë që së pari e kërkon për martesë, janë ofruar punët (pozitivisht) duke e parë në bazë të situatësh se do t’i japin përgjigje pozitive, atëherë mund të shkojë ta shohë atë. Kur i jepet përgjigja për po, kjo fetarisht është fejesë, vetëm fejesë. Kur themi fejesë sipas dispozitave të Islamit, ka dallim prej nikahut, sepse në fejesë akoma je i kufizuar: nuk ke të drejtë të bisedosh me vajzën, as të takohesh me të e as të vetmohesh sepse ajo është ende e huaj për ty, ende nuk është bërë akti i martesës. Kështu, personi e ka kërkuar vajzën për martesë, i janë përgjigjë për po, por ende nuk është bërë nikahu. Sado që zgjatë kjo nuk lejohet bisedimi dhe takimi.

Kushtet e nikahut:
-leja e kujdestarit të vajzës (babai, gjyshi, axha, vëllau etj.) Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se nuk ka nikah (të vlefshëm) pa qenë kujdestari i vajzës dhe pa dy dëshmitarë. Po ashtu ai ka thënë se çdo grua e cila e ka marrë vetë vendimin për martesë pa lejen e kujdestarit të saj, martesa e saj është e pavlefshme sheriatikisht.
-dy dëshmitarë të drejtë,
-pëlqimi/pajtimi me shprehje gojarisht nga të dy palët (iben Tejmije nuk e kufizon shprehjen, por çdo shprehje që tregon se kujdestari i vajzës është i pajtimit, ajo pranohet).
– publikimi/shpallja e martesës sipas disa dijetarëve.

Nëse kujdestari kryesor nuk është i pranishëm, ai mund ta autorizojë dikë (nga të afëmit përgjegjës të vajzës, dy dëshmitarë dhe shprehjen me gojë të pranimit) për ta bërë nikahun.

Mehri është një e drejtë së cilës ia ka thënë sheriati gruas. Ai nuk është kusht i nikahut. Nëse nuk është caktuar mehri ai nikah është i vlefshëm.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit