Agjërimi dhe disa çështje të akides

 

» Të kemi gjithmonë parasysh begatinë e Allahut ndaj nesh që na ka dhënë sukses të agjërojmë

Kjo sepse siç e dimë nuk ka ndryshim dhe forcë veçse me Allahun. Allahu është Ai i cili na begaton dhe na ndihmon me kryerjen e adhurimeve, “Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” Huxhurat 17. Këto dy gjëra: pasja parasysh begatinë e Allahut në kryerjen e adhurimeve dhe vrojtimi në mangësitë që ka ndaj adhurimeve, janë bërë bashkë te dhikri sejjidul istigfar te pjesa “Unë jam mirënjohës ndaj mirësive Tua dhe i pranoj mëkatet e mia”. Ibën Kajim ka thënë se nga të drejtat e Allahut në një adhurim janë edhe: “Të kesh parasysh mirësinë e Allahut ndaj teje që të ka begatuar me mundësinë ta kryesh një adhurim dhe (të kesh parasysh) se ti je i mangët në kryerjen e këtij adhurimi.”

Kur besimtari e ka parasysh këtë gjë, atëherë si rezultat:

  1. do ta dojë Allahun
  2. dhe do ta falënderojë Atë.

Andaj, gjithmonë të kujtosh se Allahu është Zotëruesi i mirësive dhe Ai na mundëson të kryejmë adhurimet.

Prej mirësive të Allahut ndaj nesh në lidhje me Ramazanin:

-Allahu na ka mundësuar ta arrijmë këtë muaj (na ka zgjatur jetën deri në arritjen e Ramazanit).

-Allahu na ka bërë të lehtë agjërimin në Ramazan.

-Allahu na ka dhënë dije se si ta kryejmë këtë adhurim.

-Allahu na ndihmon ta kryejmë atë (na jep sukses).

-Allahu na ruajti fenë tonë deri në Ramazan dhe na arriti ky muaj duke qenë në Islam.

– Allahu na ka furnizuar dhe ne agjërojmë me furnizimin e Tij, hamë e pimë në iftar, në syfyr dhe ndërmjet tyre.

-Shpresa në shpërblimin për agjërimin gjatë këtij muaji.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim.

Madhësia e tekstit