Komentimi i hadithit:
“Ndihmojeni vëllain tënd qoftë kur është zullumqar apo kur i bëhet zullum!” E kanë pyetur: “Si ta ndihmojmë kur është zullumqar?” Ka thënë: “E ndihmoni duke e penguar të mos bëjë zullum.” Shënon Buhariu.
◊ Allahu ia do të mirën njerëzimit, kërkon që njerëzit t’i përmbahen drejtësisë, t’i largohen zullumit dhe të bashkëpunojnë në mirësi e devotshmëri e jo në mëkate dhe armiqësi. Allahu thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit…” Nahl 90. Ndërsa, nga ana tjetër, zullumi (padrejtësia) është një gjë e ndaluar. Allahu ia ka ndaluar Vetes Zullumin dhe e ka bërë të ndaluar për njerëzit (ndërmjet njëri-tjetrit).
◊ Prej cilësive të mira të besimtarit është ndihma dhe përkrahja ndaj atij të cilit i bëhet zullum. Në një hadith përmendet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar me shtatë gjëra, prej tyre ka përmendur: “…ndihma ndaj atij të cilit i bëhet zullum. Nëse njerëzit janë besimtarë dhe u bëhet zullum për shkak të fesë së tyre, Allahu urdhëron t’iu ndihmojmë sipas mundësisë.” Nëse kemi mundësi t’i ndihmojmë ushtarakisht, atëherë i ndihmojmë, nëse jo atëherë me ndihma humanitare, por nëse as me këtë, atëherë bëjmë lutje tek Allahu për ta.
◊ Aty ku nuk ka fe, drejtësi dhe njerëzi, njerëzit e ndihmojnë dhe e mbrojnë të vetin (familjarin, të afërmin, farefisin) pa marrë parasysh se a është njeri i mirë apo i keq, a është ai zullumqari apo ai që i bëhet zullum, pra kur peshorja me të cilën e peshojnë këtë gjë është nëse personi është njeri i tyre, e nëse është i huaj nuk e ndihmojnë. Kjo injorancë gjendet edhe te muslimanët nganjëherë. Zakonisht ka nga njerëzit që nuk reagojnë për zullumin që dikush ia bën tjetrit dhe mendojnë se nuk u takon atyre përderisa nuk janë ata të cilëve u bëhet ai zullum. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse njerëzit shohin një zullumqar duke bërë zullum dhe nuk e ndalin, është rrezik që Allahu t’i dënojë me një dënim gjithëpërfshirës.”
◊ Zullumqari e ka ngarkuar veten me mëkate të cilat kanë mundësi ta dërgojnë në Zjarrin e Xhehenemit. Atij do t’i merren shpërblimet e veprave të mira në Ditën e Gjykimit e do t’iu dhurohen atyre të cilëve u ka bërë zullum. Ai i është ekspozuar përmendjes për të keq dhe urrejtjes prej të tjerëve në jetën e kësaj bote, po ashtu do t’i humbasë bereqeti në familje, shtëpi e pasuri, apo dhe ka mundësi të goditet me ndonjë fatkeqësi. Zullumqari, me zullumin që ua bën të tjerëve, së pari i bën zullum vetvetes.
◊ Ndihma që i bëhet zullumqarit është ta ndalojmë të mos bëjë zullum. Madje dijetarët thonë se ndihma ndaj zullumqarit duke e ndalur prej zullumit është më parësore sesa ndihma ndaj atij që i bëhet zullum, sepse ai me atë zullum që bën është duke rrezikuar fenë dhe ahiretin e vet. Nëse personi do të fillojë një zullum (padrejtësi), duhet ta ndalim të mos e fillojë. Nëse e ka filluar tashmë zullumin, ta ndalim, qoftë nëse është zullumqar ndaj familjarëve, apo ndaj komshinjve, apo ndaj punëtorëve nëse është punëdhënës, apo ndaj popullit nëse është udhëheqës. Por, ndalimi nga zullumi bëhet varësisht nga fuqia dhe autoriteti që kemi karshi tij.
◊ Ndalja e zullumqarit nga zullumi që bën, duhet të bëhet nga të tjerët në bazë të mundësisë që ata kanë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush sheh një të keqe, le ta ndalë me dorën e tij nëse ka mundësi, e nëse jo atëherë le ta ndalë me gjuhën e tij. Por nëse as kjo, atëherë le ta urrejë atë gjë me zemrën e tij, edhe pse kjo është shkalla më e dobët e besimit.” Shembull: Prindi e ndal me dorën e tij zullumin që bën fëmija ndaj fëmijës tjetër, pushtetari ndal me dorën e tij qytetarin e tij që bën zullum ndaj të tjerëve. Nëse nuk je i zoti i shtëpisë së zullumqarit apo nuk je pushtetar, atëherë duhet ta ndalësh me fjalë – me këshilla. Shembull: Nëse tjetri i bën zullum komshiut së tij, apo një person i bën zullum gruas dhe fëmijëve të tij, apo punëdhënësi i bën zullum punëtorit duke mos ia dhënë të drejtën e tij, atëherë i këshillon me fjalë duke ua kujtuar frikën ndaj Allahut, sepse siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Zullumi do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit”, apo “Kini frikë nga lutja e atij që i është bërë zullum sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde.” Po ashtu ua kujton atyre se feja jonë nxit për drejtësi dhe porosit të largohemi nga zullumi dhe u flet për këtë mëkat duke ua ngritur vetëdijen fetare ndaj të drejtave të të tjerëve.
◊ Zullumi më i madh që bën njeriu është veprimi i shirkut, siç ka thënë Allahu: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” Lukman 13. Nën këtë, është zullumi ndaj njerëzve.
◊ Ne duhet të kuptojmë mirë rëndësinë dhe rrezikun e zullumit. Së pari nuk duhet t’i bëjmë zullum askujt dhe tjetra është se duhet të ndihmojmë atë të cilit i bëhet zullum dhe atë i cili bën zullum duke e ndalur nga zullumi i tij.
Hoxhë Gazmend Mehmeti
Transkriptim

