Ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët

Ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët

Allahu, në suren Enbija, pasi tregon për disa nga Pejgamberët e Tij dhe lavdëron veprat e tyre të mira, përmend një shenjë të përbashkët të tyre, thotë: “Me të vërtetë, ata nxitonin në vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.” Enbija 90. Nxitimi në vepra të mira ka qenë rruga dhe shtegu që kanë ndjekur të gjithë Pejgamberët dhe besimtarët para nesh.

Secili nga ne duhet t’ia bëjë këtë pyetje vetes: “A jam unë nga ata që hyjnë në pistën e garimit, së bashku me besimtarët e mëhershëm, apo të kësaj kohe?”

Dhe tani do të flasim për këtë pistë garimi, e cila duhet të duhet të jetë në mesin e besimtarëve, dhe për shenjat dalluese të saj dhe gjendjet e atyre që garojnë në vepra të mira.

◊ Obligimi i parë që duhet të na tërheq vëmendjen, është të shikojmë qëllimin e garimit të tyre dhe se cila është ajo gjë për të cilën garojnë se kush do ta arrijë i pari. Dhe Allahu na tregon se ata nxitonin në ato gjëra të cilat Allahu i ka urdhëruar të garojnë drejt tyre, “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit…” Ali Imran 133. Ata besimtarë të cilët filluan pistën e garimit ka mundësi nganjëherë të pengohen e të rrëzohen – t’i lodhin mëkatet, për këtë arsye, nxitojnë të bëjnë vepra dhe shkaqe përmes të cilave Allahu ua shlyen dhe ua fal mëkatet. Ky rrëzim i bën të nxitojnë në pendim dhe kërkim falje, sepse me sytë e tyre shohin pasojat e mëdha të mëkateve, dhe zgjohen e vazhdojnë përsëri garën sikur mos të ishin penguar apo rrëzuar.

Në këtë garë garojnë me zemrat e tyre, i drejtohen Allahut me dashuri, me shpresë dhe me frikë. Stolia e tyre është sinqeriteti (ihlasi) i pastër, ndërsa furnizimi i tyre është devotshmëria. Jahja ibën Muadhi ka thënë: “Shkretëtirat e kësaj bote kalohen me këmbë, kurse shkretëtirat e botës tjetër kalohen me zemër.”

Ata gjithashtu nxitojnë drejt Xhenetit, deri te ky vend, ngase e dinë se kur të mbërrijnë deri aty do të dëgjojnë thirrjen (siç është treguar në hadih): “Ju në Xhenet do të jeni përgjithmonë të shëndetshëm dhe kurrë nuk do të sëmureni, do të jetoni e kurrë nuk do të vdisni, do të jeni gjithmonë të rinj e kurrë nuk do të plakeni, do të jeni gjithmonë të kënaqur dhe kurrë nuk do të mërziteni e pikëlloheni.

Le të shikojmë te vetja jonë se a kanë filluar të na pëlqejnë dhe habisin bukuritë e kësaj jete, ithtarët e së cilës garojnë me njëri-tjetrin se cili po arrin më shumë nga të mirat dhe bukuritë e saj, a kemi filluar të mashtrohemi pas pasurive të çmuara të kësaj jete, kopshteve të lulëzuara, pallateve luksoze e margaritarëve të shndritshëm dhe të tjerave?! Të gjitha këto dhe të tjerat, nga stolitë e kësaj jete, nëse do të krahasoheshin vetëm me vendin ku do të vendoset shkopi i besimtarit në Xhenet, nuk do të kishin asnjë vlerë (sikur të mos ekzistonin). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vendi ku vendoset shkopi i besimtarit në Xhenet, është më i vlefshëm sesa kjo jetë dhe çdo gjë nga të mirat dhe bukuritë e saj.”

Allahu na përshkruan shumë mirë realitetin e kësaj bote, thotë: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” Hadid 20. Dhe menjëherë pas këtij ajeti, Allahu thotë: “Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij.” Hadid 21.

◊ Besimtarët në këtë garë, nuk garojnë vetëm me një punë të mirë, mirëpo me punë të ndryshme, si: Falja sa më shumë e namazit vullnetar, apo agjërimi vullnetar, apo shpenzimi i pasurisë në rrugën e Allahut, apo thirrja drejt Allahut, apo bamirësia, apo mirësjellja, apo mbajtja e lidhjeve farefisnore etj. Disa garojnë me njërën nga këto vepra, e disa me të gjitha.

◊ Garimi në këtë garë është i vazhdueshëm, i përhershëm, pavarësisht sezoneve, në të cilat kërkohet të shtohen veprat e mira (si: Ramazani, dhjetë ditët e Dhul Hixhes), apo sezoneve të zakonshme. Nganjëherë ka mundësi që besimtari të ngadalësojë gjatë garimit, megjithatë kurrë nuk duhet të ndalet. Ai qëndron i vazhdueshëm në kryerjen e veprave të mira (edhe nëse ato janë të pakta).

◊ Muslimani gjithmonë duhet të ketë ambicie të lartë, që të arrijë nivele fisnike dhe gjendje nderimi e lartësimi. Ambicia e lartë është një virtyt fisnik dhe një qëllim madhor të cilin e dëshirojnë shpirtrat të cilët janë të ngritur. Ajo është bazë dhe parim i moraleve të ngritura e fisnike. Ajo është një manifestim i zellit dhe seriozitetit në të gjitha çështjet, ajo e lartëson njeriun nga punët e vogla të parëndësishme e të ulëta dhe e bën të ketë aspirata për punët e mëdha e të dobishme. Vlera e njeriut lartësohet për aq sa ai ka ambicie të lartë. Kjo sepse ambicia e lartë kërkon që njeriu të jetë punëtor, i zellshëm e serioz dhe të dëshirojë përsosmërinë. Ai që ka ambicie të tillë, lakmon të arrijë shkëlqimin dhe ai për shkak të saj, nuk ndjen lodhjen, pengesat dhe vështirësitë që has në këtë rrugë. Ai gjithmonë punon dhe përpiqet të realizojë ato punë madhështore të cilat edhe njeriu më i fuqishëm nuk mund t’i kryejë.

Këto ishin disa nga shenjat dalluese të kësaj piste garimi, të cilat shpresojmë të ndezin te ne ambicien dhe vendosmërinë që të jemi edhe ne garues.

Do të sjellim dhe disa tipare të atyre që garojnë në këtë garë dhe që kanë arritur të fitojnë. Allahu duke përmendur cilësitë e tyre thotë: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” Muminun 57-61.

Cilësia e parë: Kanë frikë Allahun nga dënimi i Tij

Cilësia e dytë: Besojnë bindshëm në shenjat e Allahut (fetare apo universale)

Cilësia e tretë: Nuk veprojnë shirk asgjë e as nuk kanë syefaqësi

Cilësia e katërt: Veprojnë vepra të mira duke i pasur zemrat të mbushura me frikë (se a do të bëhen ato vepra shkak për të shpëtuar)

Cilësia e pestë: Nxitojnë në vepra të mira dhe janë të parët

Vërtet, është një gjë e bukur që muslimanët të nxitojnë e të garojnë mes veti në adhurime dhe vepra të mira, të cilat i afrojnë tek Allahu, për të fituar sa më shumë shpërblime, falje, mëshirë dhe ngritje në shkallë të Xhenetit. Selefi ka thënë: “Nëse ke mundësi të mos e lejosh askënd të të tejkalojë në rrugëtimin tënd drejt Allahut, atëherë bëje.”

Në lidhje me këtë, mund të ndalemi e të meditojmë mbi ajetet e sures El Enam ku Allahu i thotë Muhamedit salAllahu alejhi ue selem: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” Ajeti 162-163. Me fjalën “i pari” është për qëllim: Iu paraprinë të gjithëve në vepra të mira.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit