∞ Fjala “Et teube”
Në kuptimin fetar do të thotë: Kthim prej mëkatit drejt bindjes ndaj Allahut, prej të këqijave për te veprat e mira dhe prej vetmisë së mëkatimit për te prehja tek i Gjithshmëshirshmi. Pendimi më obligativ dhe më i rëndësishëm është pendimi prej mosbesimit në besim. Allahu thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara…” Enfal 38. Pastaj vjen pendimi prej mëkateve të mëdha e pastaj prej mëkateve të vogla. Është obligim pendimi prej të gjitha mëkateve, qofshin të mëdha apo të vogla. Njollat e mëkatit nuk mund të pastrohen veçse me ujin e pendimit dhe të kërkimit të faljes tek Allahu.
∞ Kushtet e pendimit
- Sinqeriteti – pendimi për hir të Allahut (nuk duhet të jetë për hir të njerëzve, apo që ata të të afrojnë e lavdërojnë etj.).
- Keqardhja dhe thyerja shpirtërore për mëkatin e bërë. Keqardhja (në zemrat tona) shtohet: Kur shtojmë dijen, kur kujtojmë Allahun pas shkujdesjes, kur kemi frikë pasi ndjeheshim të sigurt prej dënimit të Allahut, kur shpresojmë në Mëshirën e Allahut pasi e kishim humbur atë. Do të sjellim shkurtimisht disa nga dobitë e keqardhjes për mëkatet e kaluara, që janë: Do të ndjesh dhimbje në zemër dhe nuk do të ndihesh rehat (e kundërta e kësaj është gëzimi për bërjen e mëkatit), do të shpresosh që të mos i kthehesh kurrë mëkatit, madje do ta urresh me zemër përsëritjen e mëkatit, do të heqësh dorë menjëherë prej mëkatit, do të vendosësh të mos i kthehesh më.
- Heqja dorë prej mëkatit. Do të sjellim disa raste pendimi dhe heqje dorë prej mëkatit:
◊ Nëse një person nuk e ka dhënë zekatin ndër vite dhe është penduar për këtë, atëherë duhet të japë zekatin e këtyre viteve, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person nuk ka pasur sjellje të mirë me prindërit e tij dhe është penduar për këtë, atëherë e ka obligim të fillojë të sillet mirë ndaj tyre, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka qenë i shkujdesur në mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe është penduar për këtë, atëherë e ka obligim të fillojë të përmirësojë këto lidhje, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person vepron një mëkat dhe do që të pendohet, atëherë menjëherë duhet të heqë dorë prej atij mëkati (të mos vazhdojë ta veprojë), që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka vjedhur dikë në të kaluarën dhe është penduar për këtë, atëherë duhet patjetër t’ia kthejë pasurinë e vjedhur, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka pasur borxh ndaj dikujt, mirëpo e ka mohuar këtë dhe tani është penduar për këtë, atëherë duhet të pranojë para tij këtë borxh dhe t’ia kthejë atë (ose së paku të kërkojë hallall prej tij), që pendimi i tij të jetë i pranuar. Mirëpo, nëse borxhdhënësi tashmë ka vdekur, atëherë duhet t’ia kthejë pasardhësve të tij. Nëse nuk arrin t’i gjejë (qoftë vetë personin të cilit i ka pasur borxh dhe është i gjallë, apo pasardhësit e tij në rast se ai ka vdekur), atëherë duhet të japë lëmoshë në emër të tij që të pastrohet prej asaj pasurie.
◊ Nëse një person ka fyer një tjetër dhe është penduar për këtë, atëherë duhet që të shkojë tek ai t’i kërkojë falje. Nëse ai i thotë: “Nuk ta fali përveç nëse m’i jep 20 euro!”, apo sado që kërkon, duhet t’ia japë në mënyrë që të pastrohet nga ajo fyerje.
- Vendosmëria për të mos iu kthyer mëkatit në të ardhmen. Nëse ke nijet që t’i kthehesh mëkatit kur të të jepet mundësia, atëherë ky pendim nuk është i pranuar. Do të sjellim disa nga rezultat kur njeriu vendos të mos i kthehet mëkatit, që janë: Mbyllja e derës së mëkateve (kjo arrihet duke u larguar prej shokëve që nxisin në ato mëkate, apo prej mjeteve përmes të cilave i ke bërë ato mëkate etj.), mbyllja e rrugëve të mëkateve, veprimi i të kundërtave të atyre mëkateve që ke bërë etj.
- Të bëhet në kohën kur pranohet pendimi: Para se të vijë agonia e vdekjes dhe para se të perëndojë dielli nga perëndimi.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim


