كَانَ فِيمنْ كَانَ قَبْلكُمْ رَجُلٌ قَتَلَ تِسْعةً وتِسْعين نفْساً، فسأَل عَنْ أَعلَم أَهْلِ الأَرْضِ فدُلَّ عَلَى راهِبٍ، فَأَتَاهُ فقال: إِنَّهُ قَتَل تِسعةً وتسعِينَ نَفْساً، فَهلْ لَهُ مِنْ توْبَةٍ؟ فقالَ: لا فقتلَهُ فكمَّلَ بِهِ مِائةً ثمَّ سألَ عَنْ أَعْلَمِ أهلِ الأرضِ، فدُلَّ على رجلٍ عالمٍ فقال: إنهَ قَتل مائةَ نفسٍ فهلْ لَهُ مِنْ تَوْبةٍ؟ فقالَ: نَعَمْ ومنْ يحُولُ بيْنَهُ وبيْنَ التوْبة؟ انْطَلِقْ إِلَى أَرْضِ كَذَا وكَذَا، فإِنَّ بِهَا أُنَاساً يعْبُدُونَ الله تَعَالَى فاعْبُدِ الله مَعْهُمْ، ولاَ تَرْجعْ إِلى أَرْضِكَ فإِنَّهَا أَرْضُ سُوءٍ، فانطَلَق حتَّى إِذا نَصَف الطَّريقُ أَتَاهُ الْموْتُ فاختَصمتْ فيهِ مَلائكَةُ الرَّحْمَةِ وملاكةُ الْعَذابِ. فقالتْ ملائكةُ الرَّحْمَةَ: جاءَ تائِباً مُقْبلا بِقلْبِهِ إِلى اللَّهِ تَعَالَى، وقالَتْ ملائكَةُ الْعذابِ: إِنَّهُ لمْ يَعْمَلْ خيْراً قطُّ، فأَتَاهُمْ مَلكٌ في صُورَةِ آدَمِيٍّ فجعلوهُ بيْنهُمْ أَي –حَكَماً- فقالَ قِيسُوا ما بَيْن الأَرْضَين فإِلَى أَيَّتهما كَان أَدْنى فهْو لَهُ، فقاسُوا فوَجَدُوه أَدْنى إِلَى الأَرْضِ التي أَرَادَ فَقبَضْتهُ مَلائكَةُ الرَّحمةِ.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar: “Para jush,[1] ishte një burrë i cili kishte vrarë 99 shpirtra.[2] Dhe ai pyeti se cili është njeriu më i dijshëm në këto anë dhe i treguan për një murg. Shkoi dhe e pyeti (në veten e tretë):[3] “Ai ka vrarë 99 veta. A ka pendim për të?” Ai i tha: “Jo, nuk ka pendim për të.” Dhe e vrau edhe atë duke plotësuar numrin 100. Pastaj prapë pyeti se kush është më i dijshmi në këto anë dhe i treguan për një dijetar. I tha atij: “Ai ka vrarë 99 veta. A ka pendim për të?” Ai i tha: “Po. Kush mund të bëhet pengesë mes tij dhe pendimit?! Mirëpo, shko te filan vendi sepse aty ka njerëz (besimtarë) të devotshëm të cilët e adhurojnë Allahun dhe adhuroje bashkë me ta, dhe mos u kthe në vendin tënd sepse është një vend i keq (banorët e saj janë të këqij).” Filloi të udhëtojë derisa mbërriti në gjysmë të rrugës, atëherë i erdhi vdekja dhe engjëjt e mëshirës dhe engjëjt e dënimit patën mospajtime (se kush prej tyre t’ia marrë shpirtin). Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai erdhi i penduar dhe i kthyer tek Allahu me zemrën e Tij.” Engjëjt e dënimit thanë: “Ai nuk ka bërë asnjë vepër të mirë.” Vije një engjëll në formë njeriu dhe vendosin që ai të jetë gjykatës në mes tyre. Ai tha: “Mateni distancën ndërmjet këtyre dy vendeve (tokave). Dhe do ti përkasë atij vendi që ka më afër. Kështu e matën dhe panë se ishte më afër tokës/vendit drejt të cilit ka qenë duke udhëtuar, andaj shpirtin ia morën engjëjt e mëshirës.” Buhariu dhe Muslimi
Në një transmetim të Muslimit qëndron: “Ka qenë për një pëllëmbë më afër tokës drejt të cilës ka qenë duke udhëtuar.”
Ky hadith hap derën e pendimit dhe largon humbjen e shpresës apo dëshpërimin në zemrat dhe shpirtrat e mëkatarëve, tek të cilët ndodh nganjëherë të fryjnë erërat e pendimit dhe kthimit tek Allahu.
Kjo ngjarje që tregohet në këtë hadith është e vërtetë (nuk është krahasim apo marrje e shembullit që nuk mund të ndodhë në realitet). Qëllimi i tregimit të kësaj ngjarjeje në këtë hadith, është që ne të marrim këshilla e mësime të dobishme dhe që të mbjellët në zemrat e mëkatarëve shpresa për Faljen e Allahut dhe të nxiten për t’u penduar.
Personi që përmendet në këtë hadith, nuk përmendet me emër, kjo në mënyrë që ky tregim të jetë i përgjithshëm, që të përfitojmë dobi e mësime prej tij. Qëllimi është që sa herë që mund të përsëritet një rrëfim i tillë, atëherë vlen njësoj ajo që është përmendur në hadith (nga dobitë e mësimet e tij).
Këtë njeri, pendimi i tij e ka nxitur që të rikthejë jetën e besimit dhe baraspeshimin pasi e kishte tepruar duke vrarë njerëz. Ai kishte vrarë shumë njerëz, madje disa dijetarë kanë thënë se numri 99 që është përmendur në hadith, nuk ka për qëllim kufizimin, ka mundësi të ketë vrarë më shumë se kaq. Mirëpo, ai nuk ka pranuar të mbetet skllav i mëkatit të tij e i zhytur në gjakun e të vrarëve të tij, mirëpo në zemrën e tij kanë fryrë erërat e pendimit dhe kthimit për tek Allahu. Dhe Allahu ia pranon njeriut pendimin prej çdo mëkati përderisa shpirti nuk i ka arritur në fyt.
Ky njeri deshi të pyesë njeriun më të dijshëm të vendit dhe të kohës së tij, se si të pendohet tek Allahu. Dhe kush ka synim udhëzimin, patjetër duhet të pyesë dijetarët e specializuar në çështjet e fesë, dhe në këtë mënyrë zemra do të orientohet drejt rrugës së suksesshme për të filluar një jetë të re të besimit.
Ai kërkoi një derë dhe një zgjidhje të problemit të tij. Mirëpo, murgu tek i cili ai shkoi, për shkak të mosdijes së tij (ngase nuk ka qenë i dhënë pas dijes, por pas adhurimit), e pa shumë të rëndë mëkatin e këtij burri dhe i tha: “Nuk ka pendim për ty.” Ai ishte mashtruar me titullin “i dijshëm” që ia kanë vënë njerëzit dhe dha përgjigje pa dije. Dhe me përgjigjen që ia dha, e largoi edhe më shumë nga dyert e Mëshirës së Allahut dhe ia shtoi dëshpërimin.
Njëherësh, nga kjo histori përfitohet vlera e madhe e dijes. Imam Kurtubiu ka thënë: “Përgjigja e murgut që ia ka dhënë këtij vrasësi, është argument se ai ka pasur pak dije dhe nuk ka pasur mençuri.” Ndërsa, personi i dytë të cilin e ka pyetur pas tij, ka qenë i angazhuar pas dijes dhe i ka kushtuar rëndësi të madhe asaj, në këtë mënyrë Allahu i ka dhënë sukses drejt të vërtetës. Me përgjigjen e tij, Allahu e ka bërë shkak që ai person të mos vazhdojë vrasjen e njerëzve.
Te ky burrë ende qëndronte dëshira për të pyetur se a ka shpëtim nga gjendja e tij dhe kështu përsëri kërkoi për njeriun më të dijshëm, duke mos humbur shpresën në Mëshirën e Allahut. Është e domosdoshme për njeriun që të pyesë dijetarët (e mirëfilltë) e të hulumtojë gjithmonë për njerëzit e dijes, të cilët japin përgjigje bazuar në argumente fetare dhe në dije. Pikërisht tani pason çasti i ndriçimit të zemrës së këtij burri dhe zgjidhja e nyjës së këtij rrëfimi dhe përfundon kriza për të: Dijetari i përgjigjet me përgjigje të saktë e të drejtë: “Po. Kush mund të bëhet pengesë mes tij dhe pendimit?!”
Si çdo dijetar tjetër, edhe ky dijetar e ka pasur të ditur përgjegjësinë e tij karshi këtij personi që është penduar prej një mëkati aq të shëmtuar dhe e ka ditur se nuk mjafton vetëm t’ia japë një përgjigje me po ose jo, porse duhet ta udhëzonte drejt rrugës praktike përmes së cilës i penduari do ta ruante pastaj pendimin e tij.
Pendimi nuk është vetëm një fjalë e thënë, por pas tij patjetër duhet vendosmëri për moskthim në mëkate dhe veprim të veprave të mira. Gjithashtu nga gjërat që duhet të merren parasysh pas pendimit, është ndërprerja e çdo lidhjeje me mëkatin e kaluar dhe largimi prej vendeve apo shoqërisë për shkak të të cilës ke rënë në mëkate dhe të shkosh në ato vende e të qëndrosh me atë shoqëri që janë besimtarë të mirë. Andaj, ky dijetar, përveç përgjigjes, i dha udhëzim të dobishëm duke i thënë që të largohet nga vendi ku ishte duke jetuar e të emigrojë në një vend ku adhurohet Allahu, sepse në atë vendbanim ka mbizotëruar zakoni i keq i banorëve, si: vrasjet, krimet, si dhe rrugët kanë qenë të lehta për të rënë në mëkate. Nëse jeton në vende të tilla, si pasojë, njeriu do të ndikohet dhe do të nxitet të veprojë këto mëkate.
Në fund të hadithit tregohet se këtij burri i vije vdekja në mes të rrugës, duke udhëtuar për te vendi tjetër për të jetuar si besimtar. Andaj, engjëjt e mëshirës dhe të dënimit patën mospajtime se kush prej tyre është më parësor t’ia marrë shpirtin, mirëpo Allahu ia pranoi pendimin dhe bëri të ishte më afër tokës drejt të cilës po udhëtonte dhe kështu u llogaritë banor i saj.
Me dhënien e lajmin të gëzueshëm këtij vrasësi duke i thënë: “Po. Kush mund të bëhet pengesë mes tij dhe pendimit?!”, shihet qartë rëndësia e mos humbjes së shpresës në Mëshirën e Allahut. Janë të shumta ajetet kuranore përmes të cilave Allahu përgëzon njerëzit me Mëshirën e Tij dhe ndalon humbjen e shpresës në këtë Mëshirë. Andaj, kurrë mos e humb këtë shpresë dhe ngjalle vazhdimisht në zemrën tënde! Mëshira e Allahut është shumë e gjerë, siç Ai ka thënë në Kuran: “Mëshira Ime përfshin çdo gjë.” Araf 156.
Falja, Mëshira dhe nderimi i Allahut ndaj robi të Tij, janë shumë më të mëdha sesa çdo mëkat që ai bën. Sado që mëkatet e personit të jenë të shumta e të mëdha, prapëseprapë Falja dhe Mëshira e Allahut është më e madhe. Andaj, ai nuk duhet t’i shohë mëkatet e tij aq të mëdha e aq të shumta saqë të mendojë se Allahu nuk do ta falë atë, duke humbur shpresën në Mëshirën e Tij. Besimtarit nuk i lejohet të ketë mendim të tillë, përkundrazi e ka obligim të nxitojë me pendim të sinqertë tek Allahu, të ketë mendim të mirë për Atë dhe shpresë të madhe se do ta falë dhe mëshirojë. Këdo që Allahu e inspiron dhe i jep sukses të pendohet me pendim të vërtetë, ia ka mundësuar të ndjekë rrugën përmes së cilës do të meritojë, Faljen, Mëshirën dhe afërsinë me Atë.
[1] Ngjarja ka ndodhur te bëni Izrailët, pas ngritjes së Isës në qiell.
[2] Ka ardhur në formë gjithëpërfshirëse (nefs), duke u përfshirë të gjitha llojet e shpirtrave njerëzorë, si: meshkujt, femrat, të moshuarit, të rinjtë, fëmijët etj. Nuk specifikohet se kush kanë qenë të vrarët, ka mundësi të gjitha llojet që përmendëm.
[3] Kjo tregon për etikë dhe edukatë kur tregohet për gjëra të tilla të shëmtuara e të urryera për t’u shprehur. Andaj e thotë në vetën e tretë si në këtë rast: “Ai…” Dhe me këtë shpall distancimin nga tiparet e personalitetit që ka pasur në të kaluarën (si mëkatar).
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

