فقَالَتْ: يَا رسول الله أَصَبْتُ حَدّاً فأَقِمْهُ عَلَيَّ، فَدَعَا نَبِيُّ الله صَلّى اللهُ عَلَيْهِ وسَلَّم وَليَّهَا فَقَالَ: “أَحْسِنْ إِليْهَا، فَإِذَا وَضَعَتْ فَأْتِنِي”فَفَعَلَ فَأَمَرَ بِهَا نَبِيُّ اللَّهِ صَلّى اللهُ عَلَيْهِ وسَلَّم، فَشُدَّتْ عَلَيْهَا ثِيَابُها، ثُمَّ أَمَرَ بِهَا فرُجِمتْ، ثُمَّ صلَّى عَلَيْهَا. فَقَالَ لَهُ عُمَرُ: تُصَلِّي عَلَيْهَا يَا رَسُولَ اللَّهِ وَقَدْ زَنَتْ، قَالَ:”لَقَدْ تَابَتْ تَوْبةً لَوْ قُسِمَتْ بَيْن سبْعِينَ مِنْ أَهْلِ المدِينَةِ لوسعتهُمْ وَهَلْ وَجَدْتَ أَفْضَلَ مِنْ أَنْ جَادَتْ بِنفْسهَا للَّهِ عَزَّ وجَل ؟
Transmetohet se një grua nga fisi Xhuhejne ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem duke qenë shtatzënë prej imoralitetit (zinasë) dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Kam vepruar një vepër për të cilën meritoj masën ndëshkimore (në këtë rast gurëzimin). Zbatoje atë mbi mua!”[1] Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka thirrur kujdestarin e saj dhe i ka thënë: “Sillu mirë me të! Kur të lindë, sille prapë!”[2] Dhe kështu veproi. Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar të shtrëngohen rrobat rreth trupit të saj (që të mos i zbulohet trupi gjatë gurëzimit). Pas kësaj ka urdhëruar që të gurëzohet dhe është gurëzuar. Pastaj ia ka falë namazin e xhenazes. Nga kjo është çuditur Umeri radijallahu anhu dhe ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Po ia fal namazin kur ajo ka bërë imoralitet?!” Ai ka thënë: “Ajo është penduar me një pendim i cili nëse do të ndahej mes shtatëdhjetë banorëve të Medinës (prej mëkatarëve), do t’iu mjaftonte (që Allahu t’ua shlyente mëkatet). A ke parë ndonjë vepër më të vlefshme sesa kjo që bëri kjo grua duke e dorëzuar veten e saj për hir të Allahut të Lartësuar (që të pastrohet nga mëkati i imoralitetit)?!” Muslimi
Ky hadith na tregon se sa e madhe është Mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij dhe se sa shumë kanë nevojë njerëzit për Mëshirën e Tij, e cila ka përfshirë çdo gjë. Nga gjurmët më madhështore të kësaj Mëshire është se Allahu e pranon pendimin e atyre që pendohen dhe ua fal mëkatet dhe gabimet mëkatarëve.
Siç po shohim, pendimi që rrëfehet në këtë hadith, nuk është thjeshtë një fjalë, apo vetëm heqje dorë nga mëkati i bërë, apo vetëm pranim dhe vendosmëri për të mos iu kthyer, mirëpo është një pendim praktik, i sinqertë, i thellë, i kulluar, çmimi i të cilit është dhënia e jetës – dorëzimi për t’u ekzekutuar në mënyrë që të pastrohet nga mëkati i imoralitetit.
Vlera e këtij pendimi shihet te pranimi i mëkatit. Edhe pse kjo grua e ka kuptuar se përfundimi i çështjes së saj është gurëzimi deri në vdekje, nuk ka mundur të mbajë barrën e mëkatit. Andaj ka shkuar te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Kam vepruar një vepër me të cilën meritoj masën ndëshkimore (në këtë rast gurëzimin). Zbatoje atë mbi mua!”
Siç e vërejmë, ajo nuk e shqiptoi direkt fjalën “imoralitet”, nuk tha: “Kam bërë imoralitet”, por tha: “Kam vepruar një vepër për të cilën meritoj masën ndëshkimore…” Dhe gjendja e saj (shtatzënia) ka treguar se për çfarë ka qenë fjala. Ajo thjesht ka dhënë shenjë se çfarë po kërkon dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka kuptuar. Ajo ka kërkuar zbatimin e masës ndëshkimore në mënyrë që të pastrohet nga pasojat e këtij mëkati të madh siç është imoraliteti.
Dhe pas kësaj, menjëherë shfaqen qëndrimet dhe cilësitë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem që ka pasur ndaj besimtarëve, siç është mëshira dhe dhembshuria. Ai nuk e ka zbatuar menjëherë masën ndëshkimore mbi të, as nuk e ka burgosur, as nuk e ka lidhur me zinxhirë, mirëpo e ka shtyrë afatin derisa të lindë foshnjën, ndërsa kujdestarin e saj e ka urdhëruar që të sillet mirë me të – të kujdeset për të. Këtu përfshihet kujdesi ndaj saj, mbrojtja nga thashethemet, fjalët, etiketimet nga njerëzit etj. Ai dhe ka urdhëruar që t’i shtrëngohen rrobat e saj që të mos i zbulohet trupi. Këtu na bëhet e qartë se sa bukur e ka ruajtur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nderin e muslimanëve në përgjithësi dhe të kësaj gruaje në veçanti.
Ndërkohë më pas Umeri radijAllahu anhu i habitur i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Po ia fal namazin kur ajo ka bërë imoralitet?!”, dhe këtë pyetje e ka bërë më shumë që të zbulojë urtësinë se pse në fakt po ia falë namazin e xhenazes, e nuk ka pyetur në formë kundërshtimi. Mirëpo, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili ka qenë modeli më i mirë që tregon se muslimani duhet të jetë falës dhe që të hapë derën e shpresës për ata që kanë rënë në mëkate e janë penduar, më tej, ia ka sqaruar rëndësinë e pendimit të sinqertë, se sa pozitë të lartë ka ai, duke thënë: “Ajo është penduar me një pendim i cili nëse do të ndahej mes shtatëdhjetë banorëve të Medinës (prej mëkatarëve), do t’iu mjaftonte (që Allahu t’ua shlyente mëkatet). A ke parë ndonjë vepër më të vlefshme sesa kjo gjë që bëri kjo grua duke e dorëzuar veten e saj për hir të Allahut të Lartësuar (që të pastrohet nga mëkati i imoralitetit)?!”
Ky hadith ia shton shpresën çdokujt i cili ka vepruar mëkat, se dera e pendimit është e hapur tek Allahu. Pjesëtarët e këtij umeti, në këtë kohë (kur shumica e njerëzve janë të shkujdesur dhe larg besimit të duhur dhe veprave të mira), kanë nevojë të ndjekin shembullin e kësaj gruaja e cila arriti të triumfojë ndaj shejtanit dhe ndaj këtij mëkati të shëmtuar dhe të keqeje (imoralitetit) – arriti të pastrohet nga ky mëkat duke e dorëzuar veten për Allahun. Andaj, dhe shpërblimi i saj është Xheneti.
Masa ndëshkimore mbi atë që ka vepruar imoralitet, ia shlyen këtë mëkat dhe ai është i pastër nga ky mëkat kur të dalë para Allahut në Ditën e Gjykimit dhe nuk do të ndëshkohet për të. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush vepron një mëkat me të cilin meriton masën ndëshkimore dhe i shpejtohet ndëshkimi sa është në këtë jetë, kjo gjë ia shlyen atë, përndryshe çështja e tij mbetet tek Allahu.”
Në këtë hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na tregoi për vlerën e madhe të pendimit të sinqertë dhe se ai i mbulon mëkatet sado të shumta e të mëdha që janë ato. Pendimi i sinqertë është provë e dëshmi e besimit të vërtetë dhe është dëshmi se ai që pendohet kësisoj, do të jetë me besimtarët e vërtetë në botën tjetër. Allahu thotë: “…ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” Nisa 146.
Pendimi i vërtetë është ai me të cilin na ka urdhëruar Allahu: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë – kulluar…” Dhe cili është shpërblimi i kësaj? Allahu thotë më tej: “…që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. “ Tahrim 8.
Duhet të dimë se nuk ka njeri veçse do të bëjë mëkate, ky është ligj i Allahut për njeriun. Mirëpo, nuk ka njeri veçse Allahu e ka urdhëruar që të pendohet tek, të kthehet tek Ai e të kërkojë falje, e jo të vrapojë pas mëkateve duke pasuar nefsin. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo bir i Ademit është gabimtar, por më të mirët e gabimtarëve janë ata që pendohen tek Allahu.” Dhe ka thënë: “Nëse ju nuk do të bënit mëkate, Allahu do t’iu merrte dhe do të sillte njerëz të cilët do të bënin mëkate e do të kërkonin falje tek Ai dhe Ai do t’ua falte ato.”
Islami na ka inkurajuar dhe nxitur që të pendohemi menjëherë pas veprimit të mëkatit dhe të kërkojmë falje tek Allahu pa ndërmjetës. Allahu i do ata që pendohen. Një nga mënyrat e arritjes së dashurisë së Allahut është pendimi dhe kthimi tek Allahu me pendim e kërkim falje, “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.”[3] Bekare 222. Nga dhuratat e Allahut për ata që pendohen tek Ai, është Dashuria ndaj tyre. Dhe kjo njëherësh na tregon se pendimi ka një vlerë shumë të madhe.
[1] Nëse njeriu bie në imoralitet, qoftë burrë apo grua, dhe është i martuar, atëherë gjykimi për masën ndëshkimore është gurëzimi deri në vdekje, në vendet ku ka gjykatë islame. Pse masa ndëshkimore për imoraliteti dallon sa i përket të gjitha masave të tjera ndëshkimore? Dijetarët shpjegojnë se kur njeriu bën imoralitet (zina) këtë e përjeton me të gjithë trupin e tij, andaj dhe masa ndëshkimore vjen në të njëjtën formë – i gjithë trupi ndjen dhimbjen e goditjeve të gurëve derisa të vdesë.
Vërtetimi se dikush ka bërë imoralitet: Duhet të sillen katër dëshmitarë. Mirëpo, në këtë hadith shohim se kjo bëhet përmes pranimit të bërjes së imoralitetit. Dijetarët e jurisprudencës islame kanë pajtueshmëri se një nga format vërtetuese për mëkatin e zinasë, është edhe pranimi nga vetë personi. Por, pastaj dijetarët kanë mospajtime se sa herë (me numër) duhet të pranojë.
[2] Nuk lejohet zbatimi i masës ndëshkimore mbi gruan shtatzënë, derisa të lindë dhe të përfundojë gjidhënien, ose duhet të gjejë një gjidhënëse tjetër. Kjo sepse fetusi që ka në barkun e saj nuk ka faj për mëkatin e nënës së vet. Ai është shpirt i cili është obligim të ruhet, pavarësisht se çfarë ka vepruar nëna.
[3] Pastrohen fizikisht dhe shpirtërisht.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

