قلت يا رسول الله قل لي في الإسلام قولاً لا أسال عنه أحداً غيرك، قال قل: آمنت بالله، ثم استقم.
Sufjan ibn Abdilahi tha: “O i Dërguar i Allahut! Më thuaj një fjalë rreth Islamit për të cilën nuk kam nevojë të pyes ndokënd përveç teje!” I tha: “Thuaj: “Besoj në Allahun”, pastaj qëndro i pa luhatur në këtë.” Muslimi.
Ky hadith përmban porosi të rëndësishme. Këtu jepet përgjigje e përmbledhur (me fjalë të cilat përmbajnë kuptime të shumta). Në këto fjalë që thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është përmbledhur e gjithë feja. Ky hadith përfshin të gjitha çështjet e besimit, të brendshme e të jashtme, veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve, gjithashtu përfshin nxitjen që njeriu të qëndrojë i pa luhatur në adhurime e bindje etj. Ky është prej haditheve më përmbledhëse.
“Thuaj: “Besoj në Allahun”, pastaj qëndro i pa luhatur në këtë.” – Kjo është përfituar prej fjalëve të Allahut: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” Fussilet 30. Dhe: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja).” Ahkaf 13.
“Besoj në Allahun” – i Adhuruari im i Vetëm është Allahu, i Cili nuk ka ortak e shok në adhurim.
“Thuaj: “Besoj në Allahun” përfshin thënien e gjuhës (të thuash me gjuhë) dhe të zemrës (pranimi, njohja, miratimi me zemër). Besimi është besim me zemër, thënie me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë. Qëllimi kur dikush thotë: “Besoj në Allahun” është: Beson me besim të saktë, vepron vepra të mira, të sakta, që janë në përputhje me sunetin profetik dhe të bëra me sinqeritet dhe flet fjalë me të cilat arrin kënaqësinë e Allahut. Kjo përfshin fjalët, veprat dhe çështjet e besimit. Këtu është fjala për besimin në kuptimin fetar, që është: besim me zemër, thënie me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë, besim me bindje në atë që është detyrë ta besojë, në njëshmërinë e Allahut (teuhid), qoftë në zotërimin e Allahut (teuhidi rububije), apo në adhurimin ndaj Tij (teuhidi uluhije), apo në Emrat dhe Cilësitë e Tij (teuhidi esma we sifat).
Ai që beson me bindje të plotë, të pa luhatur, dhe vepron sipas asaj që e kërkon ky besim, ai është i sigurt prej pasojave të mosbesimit (përgënjeshtrimit).
“qëndro i pa luhatur në këtë” – qëndrimi fort në rrugën e drejtë është prej besimit, nuk ka ndarje mes besimit dhe qëndrimit të pa luhatur në rrugën e drejtë. Këtu ka urdhërim për të qëndruar fort në rrugën e drejtë (urdhër për istikame). Istikame është qëndrimi fortë dhe i pa luhatur në besim dhe fe.[1] Të tillët kanë vepruar vepra të mira, adhurime dhe janë larguar prej ndalesave dhe veprave të cilat shkaktojnë zemërimin e Allahut. Kuptimi i kësaj është se njeriu duhet të ndjekë ato rrugë që e forcojnë në rrugën e Allahut e të qëndrojë fortë në këtë, si: luftimi i vetes dhe i shejtanit, pasimi i sunetit, sinqeriteti në adhurime etj. Kur thuhet se filani ka bërë istikame, është për qëllim se kjo gjë i është bërë cilësi e tij, pjesë e pandarë prej tij, dhe është e shumtë. El istikame është cilësi që përfshin të gjitha veprat.
“qëndro” qëndro në rrugën e drejtë, mos ano djathtas apo majtas.
Ai që tregohet neglizhent dhe i mangët në obligime dhe vepron ndalesa, ai nuk llogaritet se ka bërë istikame, porse ky është anim e devijim, djathtas apo majtas. Devijimi është në varësi të braktisjes së obligimeve dhe veprimit të ndalesave. Sa më shumë që njeriu ka braktisur obligimet apo ka vepruar ndalesat, atëherë dhe devijimi është më i madh.
Nëse sheh tek vetja se je mustekim, ke kryer obligimet dhe ke braktisur mëkatet, atëherë falënderoje shumë Allahun dhe lute të të forcojë ende më shumë në këtë rrugë. Por, nëse gjen te vetja se ke devijime, gabime dhe anime,[2] atëherë obligohesh të drejtohesh në rrugën e drejtë dhe të qëndrosh fortë në të.
“për të cilën nuk kam nevojë të pyes ndokënd përveç teje” e ka thënë kështu me qëllim që i pyeturi, në këtë rast Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, t’i kushtojë rëndësi të madhe përgjigjes që do t’ia japë.
[1] Sidomos sot, kemi shumë nevojë për këtë porosi dhe duhet t’ia kujtojmë njëri-tjetrit sa më shumë.
[2] P.sh. nëse e vonon namazin duke mos e fal brenda kohës, nëse nuk e jep zekatin, nëse sulmon të tjerët në nderet e tyre, apo pasuritë e tyre, nëse mashtron të tjerët në shitblerje, apo marrëveshje etj.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim


