Hadithi: “Mos lakmo këtë botë, do të të dojë Allahu…

 

يا رسول الله، دلني على عمل إذا عملته أحبني الله وأحبني الناس: فقال إزهد في الدنيا يحبك الله، وازهد فيما عند الناس يحبك الناس.

Erdhi një njeri te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, më trego për një vepër të cilën nëse e veproj, do të më duajë Allahu dhe njerëzit!” Ai i tha: “Mos lakmo këtë botë, do të të dojë Allahu. Mos lakmo atë që është në duart e njerëzve, do të të duan njerëzit.” Ibn Maxhe dhe të tjerë.

Ky hadith flet për asketizmin (zuhdin) – mos lakminë ndaj jetës së kësaj bote dhe pasurisë së tjerëve.

më trego për një vepër” -sepse dashuria e Allahut arrihet përmes veprave, e jo siç thonë shumica e njerëzve: “Mjafton ajo që ke në zemër”, apo “Mjafton të kesh zemër të mirë”. Nëse veprat e tua janë në kundërshtim me atë që do Allahu, atëherë dashuria e Tij nuk arrihet vetëm përmes zemrës, por duhet të kesh vepra të zemrës dhe vepra të gjymtyrëve. Ky njeri ka pyetur për këto dy qëllime madhore.

Mos lakmo këtë botë”- Asketizmi është braktisja e gjërave që nuk të bëjnë dobi në ahiret (siç ka thënë ibën Tejmije rahimehullah). Qëllimi me moslakminë ndaj jetës së kësaj bote është që dunjaja në zemrën tënde të jetë e pavlerë, andaj për këtë dhe nuk i kushton rëndësi. Sipas kësaj, asketi mund të jetë edhe një pasanik,[1] apo një i angazhuar me disa gjëra të lejuara porse të cilat i bëjnë dobi në botën tjetër. Kuptimi i asketizmit nuk është që njeriu të jetë i varfër, apo të heqë dorë e të braktisë pasurinë (siç kanë pretenduar disa njerëz), apo të mos posedojë makinë të shtrenjtë, apo të mos veshë rroba të bukura, apo të mos bëjë jetë komode, apo të mjaftohet vetëm me ushqime të domosdoshme, përkundrazi, të mirat e Allahut shfrytëzohen dhe se Ai do që t’i shohë ato te njeriu. Nëse i shfrytëzon të mirat e Tij me këtë kuptim, atëherë në realitet kjo hyn tek asketizmi. Realiteti i asketizmit është lidhja e zemrës me botën tjetër. Ai që është asket, të mirat e kësaj bote i konsideron se i ka në dorën e tij, e jo në zemrën e tij. Në këtë mënyrë, besimtari çdo vepër që kryen pastaj, përmes saj ka synim që të arrijë dobi në botën tjetër.

do të të dojë Allahu”- Ky hadith është bazë për të na treguar se si mund të arrijmë të jemi të dashur tek Allahu dhe te njerëzit. Arritja e dashurisë së Allahut është synimi kryesor, të cilin duhet ta ketë çdo besimtar. Ajo arrihet kur plotësojmë të drejtat e Allahut ndaj nesh. Ndërsa, dashuria e njerëzve arrihet kur plotësojmë të drejtat që ata kanë. Ai që bashkon këto të dyja quhet besimtar i mirë, i devotshëm. Ai që e fiton dashurinë e Allahut është ai që vepron me vepra me të cilat Ai është i kënaqur.

Asketizmi është një prej veprave përmes së cilës arrijmë dashurinë e Allahut, mirëpo rruga kryesore përmes së cilës e arrijmë dashurinë e Tij është pasimi i sunetit. Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua…” Ali Imran 31.

Allahu i do disa prej robërve të Tij ashtu siç i përket madhështisë së Tij. Ai nuk i do ata ngase ka nevojë për ta, apo se ka dobësi. Ai është i vetëmjaftueshëm. Porse, Ai e do krijesën e Tij ngase do t’i japë prej mirësive të Tij. Dashuria e Allahut është e plotë, e përkryer.

Mos lakmo atë që është në duart e njerëzve”- Zemra e besimtarit nuk duhet të jetë e lidhur me atë pasuri apo me ato gjëra të cilat janë nën posedimin e të tjerëve. Edhe nëse shikon në atë që kanë të tjerët, mos shiko me syrin e lakmisë/dëshirës për t’i pasur.[2] Besimtari duhet të trajnojë nefsin e tij që ato gjëra që posedojnë njerëzit, t’i nxjerrë prej zemrës dhe të mos i konsiderojë të rëndësishme. Këtë e arrin ai që është asket në jetën e kësaj bote, i cili shikimin e ka të drejtuar në jetën e botës tjetër. Mirëpo, nëse shikon në atë që posedojnë të tjerët dhe e lidh zemrën për to, atëherë do të kërkosh dhe shpresosh që t’i kesh edhe ti ato që i kanë ata, andaj si rezultat njerëzit nuk do të të duan.

Këtu përfshihet edhe fakti që të mos u kërkojë njerëzve gjëra të cilat i posedojnë. Në këtë mënyrë e nënçmon dhe e përulë veten.[3] Besimtari nuk duhet të kërkojë gjërat që janë tek të tjerët:

direkt, p.sh.: kur thotë: “Do të ma dhurosh?”

indirekt, p.sh.: kur thotë me lavdërim: “Qenka shumë e mirë kjo gjë. Sikur ta kisha edhe unë.” Lypja prej njerëzve, në parim është prej shkaqeve që largon dashurinë e tyre (nuk do të duan, sepse kur u lyp rëndohen dhe të shohin të ulët).[4]

Dhe pa dyshim ne kemi shumë nevojë për këtë porosi profetike, sidomos në këtë kohë kur zemrat e shumicës së njerëzve janë lidhur për jetën e kësaj bote dhe e duan atë. Dashuria ndaj dunjasë e dobëson lidhjen e zemrës së besimtarit me botën tjetër.

[1] Pasaniku i cili nuk ndikohet nëse i pakësohet apo nëse i shtohet pasuria, ka gjendje të njëjtë, nuk pikëllohet dhe nuk gëzohet, sepse pasurinë e llogarit vetëm si diçka që e ka në dorën e tij.

[2] Kur futesh në shtëpinë e dikujt dhe sheh gjëra që të pëlqejnë/i lakmon dhe e shfaq këtë në fytyrën tënde, atëherë ka mundësi që kjo të mos i pëlqejë pronarit të saj dhe të ndihet keq. Kjo e turbullon dashurinë mes teje dhe tij. Njerëzit nuk dëshirojnë që të tjerët t’i konkurrojnë në gjërat që posedojnë.

[3] Dora që jep është më lartë sesa dora që merr.

[4] Ndërsa, kur tjetri gëzohet nëse ia kërkon një gjë, atëherë lejohet t’ia kërkosh atë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶 Transkriptim

Madhësia e tekstit