Thirrja për tek Allahu
Kur besimi është i saktë, atëherë njeriu do t’i thërrasë të tjerët për tek Allahu, sipas mundësisë së tij, qoftë me gjuhë, me shkrim, me pasuri, me këshilla, me pozitë, me mësime, me inkurajime, me shërbim në këtë rrugë etj. Dyert e thirrjes për tek Allahu (davetit) janë të hapura dhe të shumta. Dhe prej mirësisë së Allahut është se këto dyer nuk janë të veçanta vetëm për dijetarët, imamët, ligjëruesit, elokuentët, mirëpo secili musliman mund të ftojë të tjerët për tek Allahu, të këshillojë, të udhëzojë drejt së mirës, t’ua kujtojë të tjerëve ahiretin, të urdhërojë për vepra të mira, të ndalojë nga veprat e këqija etj. Nuk është kusht që thirrësi për tek Allahu të arrijë gradën e myftiut (ai të cilit i lejohet të japë përgjigje/fetua). I vetmi kusht për thirrësin është të ketë dije dhe njohuri për atë që thërret. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Përcilleni prej meje qoftë dhe një ajet.”
Kur ne thërrasim për tek Allahu, do të jemi prej krijesave më të ndershme, të cilat do të arrijnë krenarinë në këtë botë dhe tjetrën. Ai që thërret për tek Allahu është pajisur me misionin më të lartë i cili është misioni i Pejgamberëve dhe i të Dërguarve të Allahut. Allahu thotë: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” Fussilet 33. Po ashtu Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith: “Allahu, engjëjt dhe banorët e qiejve e të tokës, madje edhe milingona në folenë e saj dhe peshku në det, luten për atë që ua mëson njerëzve të mirën (i mëson diçka për fe).” Andaj, kjo gjë është një mundësi e madhe për atë besimtar të sinqertë, i cili dëshiron të futet në karvanin e atyre që përmirësojnë të tjerët.
Kur të tjerët luten për thirrësin: “Allahu të shpërbleftë! Vërtet, na kujtove Allahun dhe na këshillove!”, kjo është një lumturi e madhe që përjeton zemra e tij.
Secili duhet t’ia bëjë një pyetje vetes: “A kam menduar ndonjëherë të më vijë shpërblimi për veprat e mira edhe pas vdekjes?!” Dhe shpërblimet për njeriun mbesin edhe pas vdekjes së tij kur mbesin mësimet, këshillat dhe thirrja që ka bërë ndaj të tjerëve (duke përhapur mirësinë e kësaj feje tek ta).
Besimtari duhet të dëliret prej cytjeve të shejtanit (që ia bën atij) dhe të njerëzve që kanë rënë në plogështi e dembeli duke u munduar ta dekurajojnë prej rrugës së thirrjes për tek Allahu me fjalët: “Njerëzit nuk janë duke pranuar thirrjen tënde, andaj mos u lodh.” Atij duhet t’i mjaftojë Libri i Allahut dhe suneti i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, të cilat kanë treguar se çfarë shpërblime të mëdha ka ai që fton për tek Allahu. Dhe ky shpërblim nuk është i kushtëzuar që njerëzit t’i përgjigjen e t’ia pranojnë thirrjen, por është i kushtëzuar vetëm me të thirrurit për tek Allahu dhe sinqeritetin që duhet pasur në këtë rrugë.
Vetë prijësit të thirrjes për tek Allahu, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem i cili ka qenë krijesa më e nderuar tek Allahu, Ai i ka treguar se rezultati për thirrjen që bën dhe zemrat e njerëzve nuk janë në dorën tënde, por janë në Dorën e Allahut i Cili është njohësi i të fshehtave. Allahu i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” Kasas 56.
Kur shejtani nuk mund ta dekurajojë dhe ta largojë besimtarin prej davetit, atëherë i afrohet përmes një dere tjetër duke i thënë: “Mjaftohu me veten tënde!” E nganjëherë i thotë: “Mjaftohu me kaq, mos u zgjero më shumë!” Kjo është intrigë dhe hile e shejtanit, me të cilën mashtron disa muslimanë.
Pastaj, a nuk është e metë për ne që davetit t’ia kushtojmë vetëm atë kohë apo pasuri e cila na tepron? A nuk është turp ndaj Allahut që davetin ta lëmë të fundit? Pa dyshim se kjo gjë burimin e ka te bindja e dobët dhe te dominimi i dunjasë në zemrat tona. Përndryshe, ai që e dëshiron një gjë, do të bëjë përpjekje të mëdha për ta arritur atë. Ai që dëshiron Fytyrën e Allahut në Xhenet dhe shpërblimin e Tij dhe shpreson në këtë, si ka mundësi të tregohet i plogësht, përtac e i ftohtë karshi davetit, ndërsa nga ana tjetër i jep vetes qasje në argëtime e lojëra të ndryshme?!
Në vijim do të përmendim disa pika që kanë të bëjnë me përmirësimin e thirrjes për tek Allahu:
» E para: Thirrësi me davetin që bën, duhet të ketë nijet/qëllim të afrohet tek Allahu dhe ta adhurojë Atë. Kjo arrihet kur ftojmë për tek Allahu e jo për te vetja jonë apo mendimet tona. Allahu thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua.” Jusuf 108.
» E dyta: Thirrësi të specializohet në një prej rrugëve të davetit (të caktojë një bazë që për të është kryesorja përgjatë aktiviteteve të davetit). Në këtë mënyrë do të ketë rezultate dhe do të ketë mundësi më shumë të menaxhojë davetin e tij.
» E treta: Thirrësi mund të përdorë mënyra dhe metoda të ndryshme në davet (si: bën davet përgjatë aktiviteteve që ka në lagje apo në punë, apo përmes ligjërimit, apo përgjatë plotësimit të nevojave të tjerëve, apo ndihmës ndaj nevojtarëve etj.).
» E katërta: Daveti nuk duhet të shndërrohet në kundërshtime e përçarje ndërmjet njerëzve. Në këtë mënyrë, bëhet shkatërrim dhe zemrat mbushen me urrejtje, zili etj. Në parim daveti është për të përmirësuar veten dhe të tjerët.
» E pesta: Thirrësi ta bëjë mision të tij davetin (që nga mëngjesi deri në mbrëmje). Te besimtari i sinqertë, daveti depërton thellë në zemrën e tij dhe bëhet qëllim i tij. Ai që e merr davetin me sinqeritet kurrë nuk do të ndjehet i lodhur gjatë tij.[1]
» E gjashta: Thirrësi duhet të ketë kujdes ndaj dy gjërave: Të mos humbasë shpresën (ngase humbja e shpresës e bën të ndalet prej thirrjes, të tregohet i shkujdesur dhe të jepet pas dëshirave/epsheve të kësaj jete) dhe të mos preket me sëmundjen e vetëpëlqimit (kur sheh se të tjerët janë grumbulluar rreth tij, ndikohen prej tij, kërkojnë mendimin e tij etj.). [2]
Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem e kanë ofenduar, lënduar, refuzuar, bojkotuar, dëbuar dhe akuzuar, e megjithatë ka qenë durimtar dhe ka pasur shpresë tek Allahu. Po ashtu, Allahu ka bërë që njerëzit t’i përgjigjen thirrjes së tij (kur e ka çliruar Mekën), e megjithatë ka qenë modest dhe i lidhur për Allahun (larg vetëpëlqimit).
[1] E kanë pyetur shejh Bin Bazin rahimehullah (i cili ka qenë shumë aktiv në davet): “A nuk po lodhesh?! Pse nuk pushon?” Ka thënë: “Nuk lodhem. Kur shpirti gjen qetësi e prehje (në davet), trupi nuk lodhet.”
[2] Kur të arrijë këtë nivel, duhet të kujtojë se është rob nevojtar për Allahun dhe se Ai ia ka dhënë këtë sukses. Të mos mendojë se kjo mirësi është meritë e tij apo t’ia atribuojë vetes/fuqisë së tij. Sëmundja e vetëpëlqimit shërohet kur njeriu e falënderon dhe lavdëron shumë Allahun për këtë të mirë, ia atribuon Atij dhe ia kujton vetes se ai nuk ka asgjë në dorën e tij (prej veprave të jashtme e të brendshme), se Allahu është Ai që ia ka dhuruar dijen, të kuptuarit, oratorinë, mundësinë e davetit dhe pëlqimin prej njerëzve.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim



