Paanësia në kërkimin e së vërtetës

Paanësia në kërkimin e së vërtetës

Kur besimi është i saktë, atëherë njeriu gjithmonë do të zgjedhë të vërtetën, drejtësinë e paanësinë dhe do të largohet prej gënjeshtrës, lajkatimit, ndryshimit të qëndrimeve dhe metodave dredharake. Ai do të jetë i qartë dhe konkret dhe nuk do të frikësohet nëse dikush e qorton apo e frikëson në lidhje me fenë e Allahut. Kur të arrijë këtë gjendje, nuk do ta ketë të vështirë të pranojë të vërtetën e të pranojë gabimin në raport me fenë e Allahut. E tillë duhet të jetë gjendja e besimtarit të vërtetë, ngase një i tillë e nënçmon veten dhe e akuzon atë vazhdimisht. Kjo sepse, nefsi – shpirti është vendi i dobësisë, i tekave, i mangësive dhe epsheve; ai gjithmonë e kërkon famën dhe pozitën (në zemrat e tjerëve). Ndërsa, nga ana tjetër, duhet pasur mendim të mirë ndaj të tjerëve, vlerësim ndaj mendimeve të tyre dhe edukatë të lartë në raportet me ta. Kështu, për besimtarin e vërtetë i cili ka besim të saktë, e vërteta është pionieri që ia çan rrugën, kurse drejtësia është prijësi i tij.

Jemi përçarë dhe armiqtë tanë qeshin me ne; kemi humbur autoritetin dhe shejtani ka bërë fole në zemrat tona, për shkak të dobësisë që gjendet në veten tonë, të cilën e ka sulmuar mendjemadhësia dhe e ka shkatërruar kryelartësia. Po ashtu, mospajtimet mes nesh, kundërshtimet e kritikat, janë shtuar, në shumicën e rasteve, për shkak të pasimit të tekave dhe mos zbatimit të paanësisë. Për këtë arsye dhe të tjera (mëkate e gabime), gjendja jonë është e keqe dhe popujt e tjerë janë mbledhur kundër nesh dhe ne jemi bërë sikur shkuma e detit (zemrat tona nuk janë të dëlira). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është afër koha kur popujt do të grumbullohen kundër jush ashtu siç grumbullohen rreth pjatës ata që hanë ushqim.” Sahabët e pyetën: “A është kjo ngase do të jemi pak në numër?” Tha: “Jo, përkundrazi, do të jeni shumë në numër, por do të jeni si shkuma e detit (pa vlerë).”

Përveç tjerash, duhet të dimë se shkaqet e dobësisë në çdo popull, nuk janë ngaqë armiqtë janë të fortë dhe të shumtë në numër, porse këto shkaqe kanë të bëjnë me gjërat e brendshme që lidhen me shpirtin dhe zemrën. Këto zemra, sa herë që janë të vërteta në raport me Allahun duke besuar sinqerisht, duke qenë të pastra, duke pasur durim dhe duke iu frikësuar Atij – Zotit të tyre, atëherë Ai u jep fitore, triumf e pushtet në tokë dhe përmirëson gjendjet e tyre. Allahu thotë: “…nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” Ali Imran 120.

Kur zemrat  e muslimanëve përmirësohen në raport me Allahun dhe pastrohen, atëherë nuk mund t’i dëmtojë asnjë kurth, intrigë apo dredhi e armiqve. Andaj, duhet të dimë se, sa herë që besimtari plotëson dëshirat e qëllimet e egos, u jep përparësi tekave të tij dhe kthen shikimin te gjërat që e zbukurojnë para njerëzve që të duket si njeri që ka mendim të saktë, të matur, ka mençuri dhe oratori, atëherë do të jetë më larg sinqeritetit dhe vrojtimit në sëmundjet e zemrës dhe kurimit të saj, dhe nga ana tjetër do të jetë më afër syfaqësisë dhe dëshirës për famë. Ai të cilit Allahu i ka dhënë sukses, është ai që qëndron larg dëshirave të cilat i synon nefsi dhe që vazhdimisht nënvlerëson mendimin e vet. I tilli mban larg tekat e tij dhe kthehet tek e vërteta kur kupton se ka vepruar në të kundërtën e saj.

Njeriu i sinqertë nuk e sheh veten me pozitë në mesin e njerëzve, por mendon se çdo musliman është më i mirë e më i vlefshëm se ai. Preokupimi i tij kryesor është përkujdesja ndaj zemrës së vet, kontrollimi i saj dhe pasja frikë nga arroganca, mendjemadhësia e dëshirat e nefsit. Për këtë arsye, përulja ndaj Allahut kërkon bindje ndaj të vërtetës. Shenjë e kësaj është se kur i vjen këshilla e duhur (e vërteta) nga ndokush, e cila në realitet është në kundërshtim me atë që mendon, ai e pranon dhe e pason atë.

Në raportet e tua me vëllezërit apo me familjen apo me shoqërinë, do të vëresh sjellje të çuditshme, kjo për shkak të tekave të nefsit dhe të qëndruarit larg drejtësisë dhe paanësisë. Ndonjë prej tyre, vetëm që të mos e pranojë gabimin e vet përballë së vërtetës, vazhdon të debatojë e ndoshta dhe të armiqësojë tjetrin e të ketë mendim të keq për të, madje dhe zgjedh të gënjejë. Shiko se ku dërgon besimi i dobët dhe frika e paktë ndaj Allahut! Shiko se si kjo gjendje dërgon në mëkatim ndaj Allahut dhe në mosmarrëveshje e përçarje ndërmjet nesh!

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🪶Transkriptim

Madhësia e tekstit