Amaneti në Islam

Amaneti në Islam

 

Allahu thotë: “…nëse njëri prej jush ka besim tek tjetri, atëherë borxhliu le ta kthejë atë që i është besuar dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet.” Bekare 283. Dhe: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin…” Nisa 58.

Prej cilësive të besimtarëve të devotshëm është ruajtja e amaneteve, “të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra…” Muminun 8. Më tej përmend si shpërblim “Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” Muminun 10-11. Gjithashtu thotë si shpërblim për ta, në një vend tjetër: “Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.” Mearixh 35. Fundi i lumtur dhe përfundimi i mirë u takon atyre të cilët e përmbushin amanetin me të cilin i ka ngarkuar Allahu.

Ata që nuk janë besnik dhe nuk e ruajnë amanetin kanë cilësi të dyfytyrëshve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shenjat e dyfytyrëshit (munafikut) janë tri: kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbushë atë dhe kur i lihet diçka në besim tradhton.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ruajtja e amanetit dhe ruajtja e asaj që të është besuar është prej besimit. Ai ka thënë: “Nuk ka besim ai që nuk e ruan amanetin.” Sa më shumë që kujdesesh dhe e ruan atë, të shtohet besimi e sa më shumë që e pakëson, të pakësohet dhe besimi.

Ruajtja e amanetit bëhet:

Në raport me Allahun. Ai i ka ngarkuar njerëzit me të drejtën e Tij mbi ta, që është: adhurimi ndaj Tij. Njësimi i Allahut me adhurim, teuhidi, është amanet. Ai është amaneti më i madh e më i rëndësishëm. Ndërsa, shirku është tradhtia më e madhe. Ai që e adhuron Allahun duke ia kushtuar sinqerisht fenë dhe adhurimet, që zbaton urdhrat, që u largohet ndalesave dhe ruhet nga rënia në shirk (të madh e të vogël), ai e ka zbatuar amanetin me të cilin e ka ngarkuar Allahu.

Në raport me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Prej të drejtave të tij të shumta mbi besimtarin është dashuria ndaj tij më shumë sesa veten, familjen dhe njerëzit në përgjithësi. Kjo dashuri duhet të sjellë patjetër rezultate, nuk mjafton vetëm të thotë “E dua Pejgamberin”. Këto rezultate janë: bindja ndaj urdhrave të tij, besimi në lajmet për të cilat na ka njoftuar ai, adhurimi i Allahut sipas sunetit të tij. Në këtë mënyrë besimtari e ruan amanetin në raport me të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem. Gjithashtu, mos ta ngritë pozitën e tij më lartë sesa e ka ngritur Allahu (duke i dhënë cilësi hyjnore), e as ta ulë pozitën e tij (duke i dhënë përparësi mendimeve të dikujt tjetër, apo mendimeve personale, më shumë sesa haditheve të tij).

Në raport me njerëzit. Këtu përfshihen shumë amanete, si: përgjegjësitë ndaj prindërve, ndaj familjes, fëmijëve, të drejtat ndaj komshiut, të drejtat ndaj ortakëve në biznes etj. Çdokush është i ngarkuar me amanete (përgjegjësi) në fushën në të cilën vepron. Allahu secilin do ta marrë në pyetje dhe llogari për atë gjë të cilën e ka pasur nën përgjegjësi.

Amaneti nuk është vetëm siç njihet te ne: “ka lënë amanet filani”, por është një përgjegjësi më e madhe dhe një detyrë më madhore, siç dhe e sqaruam. Duhet të kemi frikë Allahun sa i përket të drejtave me të cilat na ka ngarkuar Allahu duke i çuar në vend.

Ka prej njerëzve i cili në raport me të tjerët sillet në mënyrë të kufizuar, si: i përmbahet amanetit vetëm ndaj atij i cili është treguar i besueshëm me të, mirëpo me dikë që e ka tradhtuar e tradhton. Kështu nuk vepron një besimtar i mirë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “…mos e tradhto atë që të tradhton ty (mos vepro njëjtë)!” Përmbushja e amanetit kërkohet nga ne në çdo kohë, në çdo vend dhe gjendje. Tradhtia është gjë e nënçmuar në çdo kohë, vend dhe gjendje. Nuk lejohet në asnjë rast të jesh tradhtar. Duhet të kemi kujdes e të kemi frikë Allahun, duke mos u bërë tradhtarë ndaj të tjerëve, në çfarëdo rrethane e pune. Të mundohemi të luftojmë vetveten në të qenit besnik ndaj të tjerëve, çdoherë, siç thamë: së pari ta çojmë në vend amanetin në raport me Allahun, pastaj në raport me të Dërguarin salAllahu alrjhi ue selem dhe pastaj në raport me njerëzit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Amaneti në Islam” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit