Shpërblimi në botën tjetër për veprat e mira
Veprat e mira i bëjnë dobi besimtarit në jetën e kësaj bote, gjatë vdekjes, në varrin e tij dhe pasi të ringjallet.
—Përgëzimet në momentet e vdekjes dhe lehtësimi i daljes së shpirtit. Besimtarit të mirë e të devotshëm i vijnë përgëzime në këto momente se çfarë e pret nga shpërblimet e nderimet e shumta në botën tjetër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se engjëjt i thonë: “O shpirt i mirë, në trup të mirë, dil duke qenë i lavdëruar tek Allahu dhe përgëzohu me kënaqësi e shpërblime të shumta që të presin në botën tjetër dhe (përgëzohu se) të pretë një Zoti i Cili nuk është i zemëruar me ty!” Ia thonë këto fjalë vazhdimisht derisa t’i dalë shpirti siç del pika e ujit prej grykës së enës (lehtësisht).
—Përgëzimet në momentet e dërgimit për te varri. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se i vdekuri (xhenazja) thotë: “Më dërgoni, më dërgoni më shpejt për te varri!” Ai e di se çfarë shpërblime e presin ngase veçse ka marrë përgëzimet në momentet e vdekjes.
—Shpërblimi i plotë, jeta e sigurt në botën tjetër pa u shoqëruar me frikë dhe lumturia pa u përzier me pikëllim. Allahu thotë: “Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” Bekare 277. Shpërblimin të cilin e merr besimtari në botën tjetër, Allahu e ka cilësuar se është shpërblim i madh, i mrekullueshëm dhe i përhershëm.
—Shlyerja e mëkateve. Allahu thotë: “Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët. Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.” Zumer 35. Dhe: “Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ka falje dhe dhunti fisnike.” Haxh 50.
—Fitimi i Xhenetit. Allahu thotë: “Sa për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë.” Nisa 57.
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim


