Shfrytëzimi i jetës për vepra të mira
Nëse i kthehemi Kuranit fisnik dhe Sunetit të pastër, do të shohim se i kanë kushtuar rëndësi të madhe vlerës së kohës në jetën e muslimanit. E dimë se në shumë ajete, Allahu është betuar në kohën dhe në pjesët e saj, si: “Për kohën!” Asr 1. “Për natën që mbulon (me terr), për ditën që agon…” Lejl 1-2. “Betohem në shkëlqimin e paradites dhe në natën kur terret e qetësohet…“ Duha 1-2.
Allahu ka përmendur kohën si një nga dhuntitë dhe begatitë e mëdha të cilën ua ka dhuruar njerëzve. Ai thotë: “Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.“ Furkan 62. Njeriu do të pyetet Ditën e Gjykimit për vitet e jetës së tij. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu nuk do të lëvizë nga vendi kur të dalë para Zotit të tij, derisa të pyetet për pesë gjëra…“, nga to ka thënë: “Për jetën e tij se si e ka kaluar, për rininë e tij se si e ka shfrytëzuar…“ Tirmidhiu. Ibën Kajimi ka thënë: “Njeriu e ka për detyrë të njohë pozitën dhe vlerën e kohës. Çdo çast të saj, nuk lejohet ta kalojë përveçse në adhurime ndaj Allahut, kjo duke i dhënë përparësi veprave dhe fjalëve që janë më të vlefshme sesa të tjerat. Një pjesë nga selefi, ka nxituar të shfrytëzojnë edhe sekondat e jetës së tyre.”
Jeta e vërtetë e një njeriu nuk llogaritet në bazë të viteve të shumta, mirëpo llogaritet në bazë të veprave të mira e madhështore që ka lënë për muslimanët (në shërbim të Islamit).
Shembuj:
– Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, të cilin Allahu e dërgoi në një shoqëri të mbushur me idhujtari dhe mosbesim, por për disa vite të pakta, ai arriti të ndërtojë një shtet i cili mbushi faqet e historisë. Dhe pastaj, në Ditën e Gjykimit, umeti i tij do të ketë pjesëtarët më të shumtë dhe i tërë umeti do të jenë në peshoren e veprave të tij të mira, edhe pse siç e dimë, ai prej kohës kur është dërguar Pejgamber, deri në vdekjen e tij, janë vetëm 23 vite jetë.
– Ebu Bekri radijAllahu anhu, i cili arriti të realizojë vepra madhështore në shërbim të Islamit gjatë udhëheqjes së tij, edhe pse udhëheqja e tij ka zgjatur 2 vite. Ai pengoi dhe ndali fitnet që të mos depërtojnë në umet, duke shuar sprovën e dezertimit të shumë fiseve arabe pas vdekjes së Muhamedit salAllahu aljejhi ue selem dhe i ktheu përsëri në Islam. Ai gjithashtu grumbulloi Kuranin.
– Hamed ibën Seleme (Allahu e mëshiroftë!) për të cilin tregohet: “Sikur t’i ishte thënë Hamed ibën Selemes: “Nesër do të vdesësh!”, nuk do të kishte se çfarë të shtonte më nga veprat e mira (sepse të gjitha i kishte vepruar).”
– Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), i cili brenda një dite, ka shkruar aq shumë (nga dija), aq sa shkruan ndokush brenda një jave.
– Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!), i cili nuk ka lënë asnjë çast të kohës t’i ikën kohë gjatë 24 orëve dhe gjithmonë ka qenë i angazhuar me kërkimin e dijes, qoftë dhe kur ka qenë në rrugë duke ecur apo duke udhëtuar (e ka përsëritur dijen, apo ka lexuar libra). Ai ka vdekur në moshën 40 vjeçare, por çfarë bagazhi të madh të librave ka lënë pas vetes.
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim



