Dhikri më i mirë është leximi i Kuranit
Gjëja më e mirë me të cilën njeriu e përmend dhe e kujton Allahun, është leximi i Kuranit, ngase Fjalët e Allahut janë fjalët më të mira, më të bukura, më të vërteta dhe më të dobishme. Kurani është shpallje të cilën Allahu e ka zbritur te ne (pjesë-pjesë). Andaj, nuk ka mundësi që atij t’i afrohet e kota nga asnjëra anë. Kurani është Libri më i mirë që e ka zbritur tek i Dërguari më i mirë, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Ebu Abdurrahman es Sulemi rahimehullah ka thënë: “Vlera e Kuranit në krahasim me fjalët e njerëzve, është sikurse dallimi mes Zotit dhe krijesës.”
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shembulli i besimtarit i cili e lexon Kuranin është sikurse shembulli i utruxhe (e cila është një pemë e llojit të limonit, i thonë citrus), shijen e ka të mirë, por edhe aromën. Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin është sikurse hurma, e cila shijen e ka të mirë, porse nuk ka aromë të mirë. Kurse shembulli i mynafikut që e lexon Kuranin është sikurse shembulli i rejhanes (një lloj lule), aromën e ka të mirë, porse shijen e hidhur. Shembulli i mynafikut që nuk e lexon kurrë Kuranin është sikurse shembulli i handhale (lloj peme e llojit të kungullit), me shije të hidhur dhe pa aromë.” Buhariu.
Është obligim për ne si umet madhërimi i këtij Kurani, sepse ai është burimi i krenarisë sonë. Nëse nuk ia japim vlerën e merituar, kurrë nuk do të arrijmë të jemi të ngritur siç kanë qenë të ngritur dhe të lartësuar paraardhësit tanë në fe (selefët). Ai është rruga e lumturisë sonë. Ibn Mesudi radijAllahu anhu thotë: “Ai që do ta dijë se a e do Allahun, le ta peshojë veten me këtë Kuran. Nëse e do atë (e respekton, e mëson, e lexon me tefsir, vepron me të, merret me të etj.), atëherë le ta dijë se e do edhe Allahun, ngase Kurani është Fjala e Allahut.” Nëse e do Allahun, duhet ta duash edhe Fjalën e Tij.
Kurani ka zbritur në muajin e Ramazanit
Nuk ka mirësi më të madhe prej Allahut për robërit e Tij sesa zbritja e Kuranit te Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Allahu e lavdëron Vetveten për këtë fakt. Madje prej robërve të Tij kërkon falënderim dhe lavdërim për këtë mirësi. Muaji i Ramazanit veçohet për faktin se në të ka zbritur Kurani, si udhëzim dhe udhërrëfyes për njerëzit. Allahu e lavdëron këtë muaj. Në një hadith të saktë tregohet se po në këtë muaj krejt Librat qiellor kanë zbritur te Pejgamberët. Mirëpo, Kurani ka zbritur pjesë-pjesë, ndërsa Librat e tjerë kanë zbritur komplet secili.
Kuranin Allahu së pari e ka zbritur përnjëherë (komplet) në Bejtul Izze (Shtëpinë e Krenarisë), në qiellin e kësaj bote, kjo ka ndodhur në muajin Ramazan në natën e Kadrit, e prej aty pastaj e ka zbritur pjesë-pjesë. Thotë Allahu: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar.” Duhan 3. Dhe thotë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” Kadr 1. Dhe thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani…” Bekare 185. Këto ajete na tregojnë se Kurani ka zbritur në një natë të vetme, Natën e Kadrit, që është njëra prej netëve të Ramazanit. Thotë Ibn Abbasi radijAllahu anhu: “I gjithë Kurani ka zbritur në natën e Kadrit në qiellin e kësaj bote. Ka qenë në pozicionin /nivelin e yjeve. Pastaj, Allahu e ka zbritur pjesë-pjesë tek i Dërguari i Tij, ashtu siç ka qenë e nevojshme.” Thotë Allahu: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” Isra 106.
Ikrime rahimehullah transmeton prej Ibn Abbasit radijAllahu anhu i cili ka thënë: “I gjithë Kurani ka zbritur në qiellin e dunjasë natën e Kadrit. Pas kësaj, ka zbritur përgjatë 20 viteve (aq sa ka zgjatur Pejgamberia e Muhamedit salAllahu alejhi ue selem). Argument Fjala e Allahut: “Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.” Furkan 33. Kjo tregon se Kurani ka zbritur pjesë-pjesë. Sa herë që idhujtarët kanë sjell pyetje me të cilën e kanë kritikuar dhe kundërshtuar atë në të cilën thërret i Dërguari, apo për të treguar se thirrja e tij është e kotë, Allahu ka sjell një kundërargument ndaj tyre, i cili ka qenë shpjegimi më i mirë. Ummeti mysliman, në këtë Kuran e ka udhëzimin dhe përmes tij i arrin dobitë, qofshin dobi të fesë apo të kësaj bote, në të sqarohet e vërteta në mënyrën më të mirë. Dhe ky muaj meriton të madhërohet e respektohet (me adhurime, vepra të mira, mësim/lexim të Kuranit etj.).
Kurani duhet të lexohet që të kuptohet dhe që të punohet me të
Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” Fatir 29-30. Leximi i Kuranit dhe meditimi/përsiatja e kuptimeve të tij është dera më e madhe përmes së cilës njeriu gjen udhëzimin. Allahu i nxit njerëzit që sa më shumë të merren me këtë Libër. Allahu na tregon në këtë ajet se arsyeja pse e ka zbritur Kuranin te njerëzit është meditimi/përsiatja e thellë rreth kuptimeve të tij: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” Sad 29.
Allahu na tregon se shkaku i humbjes së njerëzve nga rruga e drejtë është se ata nuk e kanë lexuar Kuranin me meditim, janë treguar kryelartë dhe arrogantë ndaj leximit/meditimit të tij. Allahu thotë: “Juve ju janë lexuar vargjet e Mia, por ju tërhiqeshit mbrapa, me kryelartësi! Ju flisnit kotësira për të (Kuranin), si dikush që rrëfen natën përralla.” Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” Muminun 66-68. Sikur të meditonin në domethëniet e tij, patjetër se do ta besonin dhe kjo do t’i pengonte prej mohimit e mosbindjes. Kur ne e lexojmë atë dhe mundohemi t’i kuptojmë kuptimet e tij, ecim drejt çdo të mire dhe mbrohemi nga çdo e keqe.
Allahu i paralajmëron ashpër robërit e Tij që mos t’ia kthejnë shpinën Kuranit dhe mos t’i shmangen atij. Ai na sqaron rrezikun e madh kur veprojnë kështu, duke treguar se çfarë pasoja të mëdha do të ketë për ta. Kush vepron kështu do të bartë mbi supe mëkate dhe ngarkesë të rëndë Ditën e Gjykimit, ngase nuk e ka pranuar Kuranin dhe nuk i është dorëzuar atij. Allahu thotë: “Ky (Kuran) që të kemi dhënë, është një Këshillë nga ana Jonë. Kush shmanget nga ai, në Ditën e Kiametit do të mbartë ngarkesë të rëndë, që do t’u mbetet përherë. Sa barrë e keqe që do të jetë ajo në Ditën e Kiametit!” Ta ha, 99-101. Është obligim për ne si myslimanë që sa më shumë ta lexojmë atë dhe t’ua mësojmë të tjerëve. Ky Libër e meriton që t’i jepet e drejta në lexim, studim e meditim në domethënie, e pas kësaj duhet të punohet me atë që na këshillon dhe udhëzon ai.
Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Nuk ka ndonjë gjë që zemrës i bën dobi më shumë sesa leximi i Kuranit me meditim. Kjo gjë mbledh në vete të gjitha nivelet dhe pozitat e atyre që rrugëtojnë drejt Allahut, të gjitha gjendjet e atyre që veprojnë për hir të Allahut dhe pozitat më të larta të atyre që e njohin Atë. Kjo sjell si rezultat në zemrën e besimtarit dashurinë për Allahun, përmallimin për takimin me Të, frikën dhe shpresën, kthimin me përulje tek Ai, mbështetjen vetëm tek Ai, kënaqjen dhe pajtimin me Kaderin e Tij, dorëzimin e të gjitha çështjeve Atij, falënderimin ndaj Tij dhe durimin. Po ashtu, kjo pengon nga cilësitë dhe veprat e nënçmuara, prej të cilave zemra prishet dhe vdes pastaj. Leximi i një ajeti në këtë mënyrë (me meditim), është më mirë sesa leximi komplet i Kuranit pa meditim në domethëniet e tij, gjithashtu kjo është më e dobishme për zemrën dhe shtyn në rritjen e besimit. Dhe kështu do të arrish të shijosh edhe më shumë ëmbëlsinë e Kuranit.”
Surja Fatiha është surja më e vlefshme në Kuran
El Fatiha, është quajtur nga i Dërguari salAllahu alejhi ue selem “Nëna e Kuranit (baza e tij)” ngase nëse meditojmë rreth kuptimeve të Kuranit shohim se i gjithë Kurani është shpjegim/komentim i sures Fatiha. Domethëniet e të gjithë Kuranit janë përmbledhur në suren Fatiha. Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Pozitat e atyre që ecin drejt Allahut i hasim në një ajet “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” (Fatiha 4). Dije se surja Fatiha në mënyrën më të përkryer përmban në vete qëllimet më të larta që ka besimtari.” Medarixhus salikin. Pra, njerëzit dallojnë në pozitat/nivelet që arrijnë tek Allahu, për aq sa arrijnë ta realizojnë këtë ajet.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “(Nëna e Kuranit- El Fatiha) Është shtatë ajetet që përsëriten dhe Kurani madhështor që më është dhënë mua.” Buhariu. Disa prej grupacioneve në Islam thonë se nuk lejohet të thuhet “disa sure janë më të vlefshme sesa disa të tjera në Kuran”, mirëpo hadithet dhe etheret që flasin për këtë dhe që dëshmojnë për akiden e ehli sunetit (pasuesve të sunetit) janë të shumta, ku tregohet se disa Fjalë të Allahut janë më të vlefshme sesa disa të tjera të Tij. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem thotë: “As në Teurat, as në Inxhil, as në Zebur dhe as në Kuran (pjesën tjetër të tij) nuk ka zbritur sure e ngjashme me të (suren Fatiha).” Ahmedi dhe Tirmidhiu. Kjo është e vetmja sure, leximin e së cilës Allahu e ka bërë obligim (të lexohet) në namaz. Ajo është surja më e përgjithshme që përfshin gjërat e dobishme për besimtarin në të dy botët.
Vlera e ajetul kursij-it
Transmetohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur Ubej ibn Kabin radijAllahu anhu: “O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet është më i madhi në Librin e Allahut?” I ka thënë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Atëherë e ka pyetur përsëri: “O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet është më i madhi në Librin e Allahut?” Ka thënë: “Thuaj: “Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij…(deri në fund, ajeti 255, Bekare).” I Dërguari salAllahu alejhi ue selem e goditi në gjoks dhe i tha: “Pasha Allahun, ty të ka hije dituria, o Ebu Mundhir!” Muslimi. Në gjuhën arabe kjo fjalë thuhet kur urohet një gjë.
Ky ajet përmban Emra dhe Cilësi të Allahut. Ky ajet e ka arritur këtë pozitë madhështore, që të jetë ajeti më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm në Kuran, për shkak të domethënieve të larta që përfshin. Ai flet për teuhidin (njësimin e Allahut), për madhështinë e Allahut, në të përmenden atributet që tregojnë për Madhështinë dhe përsosmërinë e Tij. Në të përmenden pesë Emra të Allahut dhe mbi njëzetë atribute të Tij. Ibën Tejmije rahimehullah thotë: “Asnjë ajet në Kuran nuk përmban atë që përmban ajetul kursij. Cilësitë dhe atributet që Allahu i përmend në fillim të sures Hadid ose në fund të sures Hashr, i përmend të shpërndara në ajete, mirëpo jo brenda një ajeti.” Ajeti në të cilin Allahu përmend më së shumti Emra dhe Cilësi të Tij është ajetul kursij.
Kush e lexon pas namazit farz asgjë nuk e pengon hyrjen e tij në xhenet përveç vdekjes (siç ka ardhur në një hadith). Ibn Kajjim rahimehullah tregon se Ibn Tejmije i ka treguar se kurrë nuk e ka lënë pa e thënë atë pas namazit farz, gjatë tërë jetës. Besimtari duhet ta lexojë gjatë tërë jetës këtë ajet pas namazit farz dhe in shaa Allah e arrin këtë shpërblim (të ardhur në hadith).
Atij i cili e lexon gjatë natës (kur shkon të flejë), Allahu ia dërgon një roje që e ruan tërë natën, nuk i afrohet shejtani deri në mëngjes (siç ka ardhur në një hadith).
Vlera e sures Ikhlas
Surja Ikhlas (Kul huwAllahu ehad) është e barabartë me një të tretën e Kuranit. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Vërtetë kjo sure është e barabartë me një të tretën e Kuranit.” Buhariu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka pyetur shokët e tij: “A mundet ndokush prej jush ta lexojë brenda një nate një të tretën e Kuranit?” Sahabët thanë: “Kush prej nesh ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë, o i Dërguari i Allahut?!” Ai u tha: “Surja el Ikhlas është sa një e treta e Kuranit.” Buhariu. Nëse e lexon e arrin shpërblimin e një të tretës së Kuranit. Dijetarët kanë sqaruar mënyrën se si kjo sure barazohet me një të treten e Kuranit. Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Ebul Abas ibn Surejxhe rahimehullah, siç thotë ibn Tejmije rahimehullah. Ai thotë: “Në Kuran janë tri lloje të ajeteve: një e treta e ajeteve flet rreth dispozitave/ligjeve, një e treta e ajeteve janë përgëzuese dhe kërcënuese dhe një e treta e ajeteve flet rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut. Kjo sure ka përmbledhur të gjithë Emrat dhe Cilësitë e Allahut.”
Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Fakti se Surja Ikhlas është një e treta e Kuranit, nuk do të thotë se ajo është më e vlefshme/mirë sesa el Fatiha. Po ashtu, nuk duhet të kuptohet se nëse personi e lexon tri herë atë, atëherë nuk ka nevojë ta bëjë hatme (ta lexojë komplet) Kuranin. Madje, dijetarët e selefit e kanë parë si gjë të urryer që kur njeriu e lexon komplet Kuranin (e bën hatme), kur arrin te surja Ikhlas ta lexojë më shumë se një herë. Kurani duhet të lexohet ashtu siç është në mushaf, pa shtuar dhe pakësuar. Mirëpo, nëse do ta lexosh suren Ikhlas ndaras prej sureve të tjera, mund ta lexosh tri herë e më shumë. E kush e lexon një herë, ka shpërblim sikur ta lexojë një të tretën e Kuranit (nëse e lexon më shumë, ka shpërblim më shumë).”
Vlera e disa sureve të tjera
Shumica e haditheve në të cilët përmendet vlera e sureve apo shpërblimi për leximin e tyre, janë të dobët. Madje ka prej tyre që janë të shpikur/pa bazë. Ibn Kajjim rahimehullah thotë se hadithet e sakta të ardhura, që flasin për vlerën e disa sureve, janë ato që përmendin kët0 sure dhe ajete:
- Suren Fatiha- hadithi: “As në Teurat, as në Inxhil, as në Zebur dhe as në Kuran (pjesën tjetër të tij) nuk ka zbritur sure e ngjashme me të (suren Fatiha).” Ahmedi dhe Tirmidhiu.
- Suren Bekare dhe Ali Imran- hadithi “…mësojini (dhe punoni me to) suret Bekare e Ali Imran, sepse ato janë dy drita” dhe “Në Ditën e Gjykimit do të vijnë si dy re që e mbrojnë[1] atë që i ka mësuar/punuar me to.”
- Ajetul Kursij- hadithi në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur Ubej ibn Kabin radijAllahu anhu: “A e di se cili ajet është më i madhi në Librin e Allahut?” e ai i thotë: “Thuaj: “Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij…(deri në fund).”
- Dy ajetet e fundit të sures Bekare- hadithi: “Kush i lexon natën, i mjaftojnë për atë natë.”
- Suren Bekare veçanërisht- hadithi: “Kush e lexon suren Bekare në shtëpinë e tij, shejtani ik prej saj.”
- Dhjetë ajetet e para të sures Kehf – hadithi: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të sures Kehf, ato do ta mbrojnë prej fitnes së Daxhalit.”
- Suren Ikhlas- hadithi: “Surja el Ikhlas është sa një e treta e Kuranit.”
- Suren Felek dhe Nas – hadithi: “Njeriu nuk ka mundësi ta mbrojë veten me diçka më të mirë sesa me leximin e sures Felek dhe Nas”, dy mbrojtëset.
Në nivel më të ulët të saktësisë janë hadithet që flasin për:
- suren Zelzeleh (ku tregohet se ajo është sa gjysma e Kuranit),
- suren Kefirun (ku tregohet se ajo është sa një e katërta e Kuranit),
- dhe suren Mulk (ku tregohet se kush e lexon çdo natë, ajo e mbron prej dënimit të varrit).
Hadithet e tjera, pos këtyre, që flasin se “kush e lexon këtë apo atë sure ka këtë shpërblim”, apo “kush e lexon këtë e atë sure do t’i jepet kjo gjë” janë të shpikura, të rrejshme, thotë ibn Kajjim.
Gjendja e atij që i lexon këto sure me meditim, përulje, vendosmëri për të punuar me to, është shumë e mirë dhe më e ngritur sesa e atij i cili i lexon ato vetëm si recitim (edhe nëse surja që ky e lexon është më e vlefshme sesa surja që e lexon ai i pari me meditim). Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Disa dijetarë kanë thënë: “Surja Kul huwAllahu ehad nuk bën dobi kur çdokush e lexon dhe çdokujt që i lexohet.” Pra varet kush e lexon dhe kujt i lexohet (për shkak të sinqeritetit, meditimit, bindjes, përuljes, me ç’rast ndikimi është shumë më i madh).
Leximi i Kuranit është më i mirë se të mjaftuarit me dhikër
I Dërguari salAllahu alejhi ue selem thotë: “Fjalët më të dashura për Allahun janë katër: subhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber.” Muslimi. Dhe thotë: “Fjalët më të vlefshme pas Kuranit janë katër, edhe ato janë prej Kuranit (të përmendura në të): subhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber.” Imam Ahmedi. Dhe thotë: “Zoti i Madhërishëm thotë: “Atij i cili angazhohet me leximin e Kuranit dhe me këtë e lë anash dhikrin (e përgjithshëm) dhe lutjen ndaj meje, do t’i japë më shumë sesa që u kam dhënë atyre që më luten dhe kërkojnë prej meje.” Tirmidhiu.
Gjëja më e vlefshme me të cilën njeriu e mbush kohën e tij dhe e shpenzon frymëmarrjen e tij, është përmendja e Allahut (dhikri), pas kryerjes së obligimeve të Allahut. Mirëpo, dhikri përfshin çdo fjalë të mirë, të cilën e do Allahu, qoftë lexim i Kuranit, apo tesbih (subhanAllah), apo tahmid (elhamdulilah), apo tekbir (Allahu ekber), apo tahlil (la ilahe ilAllah), apo lutje. Të gjitha i përfshin dhikri. Porse prej këtyre dhe të tjerave, më e ngritura vepër është leximi i Kuranit. Kjo është në kuptimin e përgjithshëm. Duhet ditur se ndonjëherë ndodhë që vepra e cila është më pak e vlefshme, për shkak të disa rrethanave bëhet më e vlefshme se ajo vepër e cila është më e vlefshme sesa ajo. Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Vepra e cila është më pak e vlefshme, ka mundësi që në disa rrethana të caktuara të bëhet më e vlefshme sesa veprat e tjera. Kjo është dy lloje: 1. Një vepër që është e ligjshme për të gjithë njerëzit, 2. Dallon sipas gjendjeve të njerëzve. Rasti i parë: kur një vepër për shkak të kohës, apo vendit, apo të një vepre tjetër, bëhet më e vlefshme sesa veprat e tjera, edhe pse realisht është më pak e vlefshme, siç është rasti kur pas faljes së sabahut dhe ikindisë dhe në ato kohë që ndalohet falja e namazit nafile, leximi i Kuranit dhe lutja është më e mirë sesa namazi. Ngjashëm me këtë themi dhe për vendet në të cilat është e ndaluar falja, siç është banjo (hamami) dhe ahuri i deveve. Në to më e mirë është përmendja e Allahut apo lutja ndaj Tij. Gjithashtu, për atë që është xhunub, më e vlefshme është dhikri sesa leximi i Kuranit. Kur njeriu është duke bërë tavaf rreth Qabesë, apo është në Arafat, apo në Muzdelife, apo kur është duke i hedhur gurët gjatë Haxhit, ajo që ligjësohet është përmendja e Allahut dhe lutja ndaj Tij sa më shumë, e jo leximi i Kuranit.
Rasti i dytë: kur njeriu është i paaftë dhe nuk ka mundësi ta veprojë veprën e cila është më e vlefshme, siç është rasti kur ai është i paaftë në origjinë, kur nuk ka fare mundësi të mësojë Kuran përmendësh; ose në origjinë është i aftë ta veprojë një vepër, mirëpo është i paaftë ta kryejë në mënyrën e përkryer/plotë, ndërsa në anën tjetër, ka mundësi ta kryejë në mënyrën e përkryer një vepër që është më pak e vlefshme. Nga kjo kuptojmë se nuk duhet të mendojmë se çdo vepër e cila është më e vlefshme, të ligjësohet për çdo njeri. Prandaj, çdo njeri e vepron atë vepër që për të është më e vlefshme (ngase ka mundësi ta kryejë në mënyrën e plotë). Ka prej njerëzve që për të dhënia e lëmoshës është më e mirë sesa agjërimi vullnetar, apo e kundërta edhe pse si lloj i veprës lëmosha është më e mirë sesa agjërimi. Dhikret të cilat janë të ligjshme të bëhen në kohë të caktuara, siç është rasti se çfarë thuhet kur dëgjojmë ezanin, në këtë kohë kjo është më e vlefshme të veprohet sesa të lexohet Kuran (edhe pse si lloj i dhikrit më i mirë është leximi i Kuranit). Gjithashtu, ajo që është sunet të thuhet në mëngjes e mbrëmje dhe kur shkojmë për të fjetur, në këto kohë është më e vlefshme sesa leximi i Kuranit apo lutjet e tjera. Nëse njeriu zgjohet natën, për të më e mirë është zgjatja e leximit të Kuranit sa më shumë kur falet. Përndryshe, nëse nuk ka mundësi të zgjasë leximin e Kuranit, e vepron atë që është nën mundësinë e tij. Pra, (në këtë kohë) më i mirë është leximi i Kuranit (dhe shtimi i tij) sesa dhikri. Pastaj, namazi në këtë kohë është shumë më i mirë sesa leximi i Kuranit apo dhikri.”
Leximi i Kuranit është dhikri më i mirë. Atij i jepet përparësi ndaj tesbihut, tahmidit, tekbirit, tahlilit, lutjes, istigfarit dhe të tjerave të tilla. Mirëpo, janë disa gjendje, vende dhe kohë të caktuara, që kur këto vepra (që janë më pak të vlefshme) veprohen në to, atëherë bëhen më të vlefshme sesa leximi i Kuranit.
Morali i bartësve të Kuranit
Me këto morale[2] duhet të pajiset çdo mysliman, pavarësisht se sa ka mësuar (përmendësh) prej Kuranit. Prej moraleve të bartësit të Kuranit janë:
- Me këtë vepër të ketë për qëllim afrimin tek Allahu. Umer ibn Hatabi radijAllahu anhu thotë: “Në kohën tonë, të gjithë ata që e kanë mësuar Kuranin, kanë pasur për qëllim Allahun (nijeti i tyre ka qenë arritja e Kënaqësisë së Allahut). Në kohën e fundit, kur shoh njerëzit, kam frikë se ata po e mësojnë Kuranin duke pasur për qëllim atë që është në dorën e njerëzve (pasurinë). Me leximin e Kuranit dhe me veprat e tjera, ta keni për qëllim vetëm Allahun dhe shpërblimin e Tij. ”
- T’i zbatojë në praktikë mësimet dhe moralet e Kuranit, duke e përmirësuar gjendjen dhe forcuar besimin. Thotë Allahu: “Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.” Teube 124-125. Kurani nuk ka zbritur veç për t’u lexuar, pa e mësuar, pa u pajisur me dijen e tij dhe pa punuar me të. Fudajl ibn Ijad rahumehullah thotë: “Në të vërtetë, Kurani ka zbritur që të punohet me të. Ndërsa, njerëzit leximin e Kuranit e kanë bërë punë (për përfitim).”
- Të mundohet të kuptojë sa më shumë se me çfarë e ka detyruar dhe obliguar Allahu. Kur e bën këtë, menjëherë i zbaton ato. E jo të jetë qëllim përfundimi i sures. Imam Hasan el Basriu rahimehullah thotë: “Nuk llogaritet hifdh (memorizim i Kuranit) kur njeriu e mëson atë përmendësh, e nga ana tjetër i shkel kufijtë e përmendur në të. Ka prej tyre që thonë: “E kam lexuar Kuranin nga fillimi deri në fund, pa harruar/rrëzuar asnjë shkronjë”, mirëpo realisht e ka rrëzuar tërë Kuranin sepse nuk ka punuar me atë që urdhëron ai. Tek këta nuk sheh moralin dhe sjelljen e Kuranit dhe veprën në të cilën nxit ai.”
Dhe pasi Ebu Bekër Muhamed ibn Husejni el Axhuri rahimehullah përmend edhe disa morale të tjera, thotë: “Besimtari i mençur kur e lexon Kuranin, e shfaq vetveten para tij. Ai për të është sikurse pasqyra përmes të cilës i dallon veprat e mira dhe të këqija. Andaj, kur e lexon atë, ndalet prej atyre gjërave për të cilat Allahu ka tërhequr vërejtjen dhe ka paralajmëruar; frikësohet për ato vepra për të cilat Allahu e ka frikësuar që nëse i vepron do ta kapë dënimi, dhe nuk i vepron ato; ato vepra në të cilat e ka inkurajuar Allahu, ai dëshiron t’i veprojë sa më shumë dhe shpreson të bëhet prej atyre që i veprojnë. I tilli, është ai i cili e ka lexuar Kuranin ashtu siç e meriton dhe është kujdesur për leximin/mësimin e tij ashtu siç na mëson Allahu. Për të, në Ditën e Gjykimit, Kurani do të dëshmojë në favor të tij, madje do të ndërmjetësojë për të, do ta shoqërojë atë (në varr) dhe do të jetë siguri për të. Ky (që ka këto cilësi të leximit të Kuranit) i bën dobi vetes së tij dhe familjes së tij. Dobia e mirësia e të gjitha të mirave në të dy botët, jo vetëm që i kthehet atij, por edhe prindërve dhe pasardhësve të tij.”
Ithtarët e Kuranit i përmbahen rrugës së mesme
Tipari kryesor dhe më i dukshëm i bartësve të Kuranit është të qenit mesatarë, duke iu përmbajtur rrugës së drejtë. Këtë e arrijnë duke iu përmbajtur Kuranit dhe duke e marrë atë si udhërrëfyes, duke u ndalur aty ku ndalet ai, pra pa teprim dhe pa neglizhim, pa shtuar dhe pa pakësuar. Allahu thotë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” Bekare 143. Kuranin, Allahu e ka bërë të qartë dhe sqarues që udhëzon njerëzit në rrugën e drejtë dhe më të mirë. Thotë i Dërguari salAllahu alejhi ue selem: “Prej madhërimit të Allahut është respekti ndaj të moshuarit (që është thinjur në Islam), ndaj bartësit të Kuranit i cili nuk është prej atyre që kanë kaluar në teprim e as në neglizhim dhe ndaj udhëheqësit të drejtë.” Ebu Daudi. Në këtë hadith, tregohet se ithtarët e vërtetë të Kuranit (robërit e veçantë të Allahut), që e meritojnë respektimin dhe nderimin tonë, janë ata gjendja e të cilëve qëndron mes dy kaheve (ekstremeve): as nuk e teprojnë e as nuk neglizhojnë. Respektimi ndaj tyre është madhërim ndaj Allahut. Ebu Ubejd el Kasim ibn Selam rahimehullah në shpjegim të këtij hadithi thotë: “Ekstremist është ai i cili e ka tepruar (shtrënguar) në pasimin e Kuranit, gjë kjo e cila e shtyn t’i konsiderojë si jobesimtarë myslimanët, siç është rasti me havarixhtë. Kurse, ai që është neglizhent, është ai që i shkel kufijtë e Kuranit (ndalesat e urdhrat e tij), dhe këtë e merr si të lehtë.”
Ali ibn ebu Talib radijAllahu anhu thotë: “Feja e Allahut është mes atij që e tepron dhe atij që është neglizhent. Andaj, përmbajuni rrugës së mesme, ngase ai që është neglizhent dhe dëshiron t’i kthehet Allahut, duhet t’i kthehet kësaj rruge, si dhe ai që e ka tepruar, duhet t’i kthehet kësaj rruge.” Shejtani, si armik i njeriut, kujdesin më të madh e ka që ta devijojë njeriun prej rrugës së drejtë. Këtë e bën përmes dy rrugëve: ose duke e dërguar në teprim ose në neglizhim. Disa nga selefi kanë thënë: “Nuk ka ndonjë gjë për të cilën ka urdhëruar Allahu veçse shejtani mundohet t’i devijojë njerëzit prej saj, përmes dy rrugëve duke i joshur ata: të tregohen neglizhentë (duke mos e zbatuar) ose të teprojnë.”
Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Nëse shejtani sheh se një njeri është me ambicie dhe guxim për punë/vepra, atëherë bën që urdhrat e Allahut t’i shohë si të pakta (se duhet të punojë më shumë se aq), se nuk mjaftojnë dhe se duhet të shtojë më shumë (sesa ato që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij). Pra, e shtyn të kalojë kufijtë, të kalojë në teprim (ekstremizëm).” I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Përmbajuni (ndiqeni) rrugës së mesme, do të arrini cakun.” Buhariu. D.m.th. do të arrini kënaqësinë e Allahut. Dhe thotë: “E keni obligim t’i përmbaheni udhëzimit që është në rrugën e mesme, sepse ai që e shtrëngon fenë (i tejkalon kufijtë), veçse feja do ta mundë atë (do të devijojë).” Imam Ahmedi. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu thotë: “Që njeriu të jetë mesatar në pasimin e sunetit, është më mirë sesa të bëjë shumë punë, që janë prej bidateve.” Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Feja e Allahut është mes atij që e tepron dhe atij që është neglizhent. Njerëzit më të mirë janë ata që e ndjekin shtegun e mesëm.”
[1] Prej nxehtësisë së diellit të asaj Dite.
[2] Nxjerr nga libri “Morali i bartësve të Kuranit”, Ebu Bekr Muhamed ibn Husejni el Axhuri.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.