Lidhur me thënien “Allahu ekber”

Tekbiri

(Thënia Allahu ekber- اللَّهُ أَكْبَرُ)

Tekbiri ka pozitë madhështore në fenë e Allahut dhe shpërblimi për të tek Allahu është shumë i madh. Janë tekstet e shumta që na nxisin për të bërë tekbir. Allahu thotë: “…madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” Isra 111; dhe thotë: “që ju ta madhëroni Allahun”, Haxh 37; dhe: “dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit)” Bekare 185, dhe: “Zotin tënd madhëroje” Mudeththir 3. Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Si shenjë e namazit, ezanit, festave (Bajrameve) apo ngritjes në vende të larta, është madhërimi i Allahut me tekbir. Kjo fjalë është një prej katër fjalëve që janë më të vlefshme pas Kuranit: subhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber, siç është vërtetuar në një hadith të saktë.”

Tekbiri e shoqëron myslimanin në adhurime e bindje të shumëllojta. Ai e bën tekbir Allahun kur e përmbyll agjërimin e Ramazanit, apo gjatë haxhit. Ndërsa sa i takon namazit, tekbiri ka pozitë të lartë, ku së pari thirret ezani duke filluar me tekbir, ikameti fillon me tekbir, pastaj hyhet në namaz me tekbir[1], veprohet gjatë uljeve e ngritjeve në namaz dhe në dhikrin që bëhet pas namazit farz. Në namazet që janë nga katër rekatësh, thuhen 22 tekbire. Në namazet dy rekatësh thuhen 11 tekbire. Në çdo rekat thuhen 5 tekbire[2]. Vetëm në faljen e pesë kohëve të namazit të obligueshëm (farz), muslimani gjatë 24 orëve thotë 94 tekbire.

Po nëse shton dhe sunetet e rregullta 12 rekate (plus 66 tekbire), vitrin tri rekate[3] (plus 17 tekbire) dhe nëse i kushton kujdes dhikrit pas pesë namazeve farz (plus 165 tekbire)?[4] Andaj, duke u kushtuar rëndësi të gjitha këtyre, i bie që brenda 24 orëve të bëjë tekbir 342 herë (kjo pa përfshirë namazet nafile). Kjo pa dyshim tregon se tekbiri ka vlerë shumë të madhe në fenë e Allahut, duke parë se çfarë hise të madhe i ka dhënë Allahu në adhurimin më të rëndësishëm që bëjmë, pra në namaz. Po nëse kësaj ia bashkëngjisim edhe tekbirin që e thotë muezini në ezan dhe ikamet, apo ai që e përsëritë atë pas muiezinit? Atëherë atij numri i shtohen edhe 50 tekbire të tjera, gjatë ditës e natës (e përveç kësaj është edhe tekbiri i pakufizuar në çdo vend dhe në çdo kohë që mund ta bëjë besimtari).

Nëse do të dish se a je duke e madhëruar Allahun ashtu siç të ka urdhëruar Ai, atëherë ktheju vetes; kështu, nëse je duke iu përmbajtur urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, atëherë kjo tregon se ti po e madhëron Atë. E gjithë feja llogaritet dhe konsiderohet si shtjellim apo shkoqitje e fjalës Allahu ekber. Myslimani kur i kryen urdhrat e Allahut, e adhuron Atë me të gjitha adhurimet, këtë e bën si madhërim ndaj Tij. Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Kur besimtari thotë Allahu ekber, kjo është më e mirë sesa kjo botë dhe çdo gjë që është në të.”

 

Domethënia e tekbirit

Tekbiri (fjala Allahu ekber) nënkupton madhërimin ndaj Allahut, respektimin, nderimin dhe shprehjen e madhërisë së Tij, pra të besuarit se askush nuk është më i Madh dhe më Madhështor sesa Allahu. Dijetari i njohur i gjuhës arabe, El Ez’heriu rahimehullah, në librin Tehdhibu lugah, thotë: “Kur namazliu thotë Allahu ekber, apo kur myezini ne ezan thotë Allahu ekber, dijetarët kanë dhënë dy mendime se çfarë kuptimi ka kjo fjalë. Kuptimi i parë: Allahu është i Madhi. Kuptimi i dytë: Allahu është më i Madhi, më Madhështori, se çdo gjë.” Mendimi i saktë është i dyti. Shejkul Islam ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Kur njeriu thotë Allahu ekber, atëherë për qellim është që ai të besojë se për të Allahu është më i Madh/Madhështor se çdo gjë tjetër.”

Besimtari duhet të besojë se Allahu është më i Madh dhe më Madhështor se çdo gjë, dhe çdo gjë sado që është krijesë e madhe, në raport me Allahun është shumë e vogël (kur krahasohet me madhështinë e Allahut). Kur besimtari është i bindur dhe e beson këtë, duhet të dijë se Madhështinë e Allahut dhe Cilësitë e Tij, mendja jonë nuk ka mundësi t’i perceptojë, përfytyrojë dhe t’i përfshijë, ashtu siç dhe shikimet tona nuk kanë mundësi për këtë. Është e ndaluar për njeriun të mendojë se si është Allahu, si janë Cilësitë e Tij, sepse nëse vepron ashtu, patjetër se do të mendojë gabim dhe do t’i përfytyrojë gabim, mendja e tij është e mangët dhe e pafuqishme.

[1] Tekbiri fillestar i namazit është shtyllë e namazit. Njeriu nuk hyn në namaz nëse nuk thotë Allahu ekber.

[2] Shejkhu thotë janë pesë tekbire, sigurisht nuk e ka llogaritur tekbirin fillestar pasi që fjala është për çdo rekat.

[3] Shejkhu sigurisht e ka llogaritur vitrin me dy selame (fal dy rekate dhe jep selam, pastaj ngritësh e fal dhe një rekat dhe jep selam), pra me dy tekbire fillestarë.

[4] Nga 33 herë pas secilit namaz farz.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Shkëputje nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit