Lidhur me thënien “SubhanAllah”

Tesbihu

(Thënia SubhanAllah- سُبْحَانَ اللَّهِ)

 

Fjala SubhanAllah zë një vend të rëndësishëm në fenë e Allahut, është  një prej dhikreve më madhështore dhe adhurimeve më të vlefshme që na afrojnë tek Allahu. Ajo është prej bindjeve që Allahu i do më së shumti t’i veprojnë njerëzit. Kanë ardhur tekste të shumta nga Kurani e suneti që na sqarojnë vlerën dhe pozitën e lartë që ka kjo fjalë tek Allahu.

Vlera e tesbihut në ajetet kuranore

Kjo fjalë në Kuran është përmendur në më shumë se tetëdhjetë vende, në forma të ndryshme, shembull:

-ndonjëherë Allahu na urdhëron ta bëjmë tesbih (“O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!”, Ahzab 41-42),

-ndonjëherë vjen në kohën e shkuar (“Allahun e ka lavdëruar çdo gjë në qiej dhe çdo gjë në Tokë”, Hashr 1),

-nganjëherë vjen në kohën e tashme (“Allahun e përlëvdon gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë”, Xhumah 1),

-nganjëherë vjen në infinitiv apo në emër foljor: fjala subhanAllah (“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë”, Safat 180).

Allahu ka përmendur tesbihun në fillimet e tetë sureve të Kuranit. Disa prej dijetarëve thonë se tesbihu në Kuran ka ardhur në tridhjetë forma të ndryshme:

-në gjashtë vende përmendet se Allahun e bëjnë tesbih engjëjt, si: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij.” Gafir 7. Po ashtu në suren Fussilet ajeti 38, suren Enbija  ajeti 19, suren Saffat 165-166.

-në nëntë vende përmendet se Allahun e bën tesbih Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, si: “…andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” Hixhr 98-99. Po ashtu, në suren Insan ajeti 26, suren Nasr ajeti 3 etj.

-në katër vende përmendet se Allahun e bëjnë tesbih Pejgamberët e tjerë, si: përZekerian thotë Allahu: “Ai tha: “O Zot! Më jep një shenjë!” (Zoti) i tha: “Shenjë për ty është se tri ditë nuk do t’u flasësh njerëzve, veçse me gjeste. Por, Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”. Ali Imran 41,  dhe në suren Merjem ajeti 11; për Junusin alejhi ue selem thotë Allahu “…dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” Saffat 143-144. Prej shkaqeve që Junusi alejhi ue selem të shpëtojë nga errësirat e detit duke qenë në barkun e balenës e cila e ka përbirë atë, ka qenë se ai vazhdimisht e ka bërë tebih Allahun.

-në tri vende përmendet se Allahun e bëjnë tesbih kafshët dhe gjërat e ngurta, si: “Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” Isra 44. Po ashtu, në suren Sad  ajetet 18-19, në suren Nur ajeti 41.

-në tri vende përmendet se Allahun e bëjnë tesbih besimtarët, si: “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ahzab 41-42. Po ashtu, në suren Sexhde ajeti 15, në suren Nur ajetet 36-37.

-në gjashtë vende përmendet se Allahun e bëjnë tesbih të gjitha krijesat, si: Allahun e lartëson çdo gjë në qiej dhe çdo gjë në Tokë.” Hashr 1. Po ashtu, në suren Tegabun 1.

Pastaj, fjalën SubhanAllah, Allahu e përmend në Kuran në njëzetë e pesë vende. Sa herë që përmendet brenda një fjalie, ajo (fjalia) përmban pohimin e ndonjë prej atributeve nga ato atribute që tregojnë lavdërim për Allahun, apo e mohon ndonjë prej atributeve që tregojnë mangësi dhe nënçmim ndaj Allahut, p.sh.: Allahu thotë: Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Bekare 116. Po ashtu: “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata!” Saffat 180. Dhe thotë: “Allahu është i Lartësuar mbi gjithçka që ia veshin Atij!” Tur 43. Po ashtu: “Prandaj lavdërojeni Allahun, kur bie muzgu dhe, kur gdhin drita! Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë.” Rum, 17-18. Dhe thotë: “Qoftë i lartësuar Zoti i qiejve dhe i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo çfarë i veshin Atij!” Zukhruf, 82.

 

Vlera e tesbihut në hadithet profetike

Do të ndalemi në disa hadithe profetike që flasin për vlerën dhe pozitën madhështore që zë tesbihu dhe se çfarë shpërblime të shumta ka ai që e përmend Allahun përmes tesbihut.

  • Tesbihu është prej fjalëve më të dashura dhe të vlefshme tek Allahu

I Dërguari salAllahu alejhi ue selem thotë: “Fjalët më të dashura për Allahun janë katër: subhanAllah, elhamdulilah, la ilahe ilAllah dhe Allahu ekber.” Muslimi. Transmetohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue selem është pyetur se cilat janë fjalët më të vlefshme dhe ka thënë: “(Janë) Ato fjalë të cilat Allahu i ka përzgjedhur për engjëjt e Tij (përmes tyre ta përmendin Allahun) apo për robërit e Tij: SubhanAllahi ue bihamdihi.” Muslimi. Në një hadith tjetër tregohet se Ebu Dherrin radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “A do të tregoj se cilat janë fjalët më të dashura tek Allahu?” I ka thënë: “Po, gjithsesi.” Dhe ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Vërtetë, fjalët më të dashura tek Allahu janë: SubhanAllahi ue bihamdihi.”

  • Shpërblime të shumta dhe fshirje të mëkateve

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë “subhanAllahi ue bihamdihi” brenda ditës 100 herë, i shlyhen mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” Buhariu dhe Muslimi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Kush thotë “subhanAllah” 100 herë brenda ditës, do t’i shkruhen 1000 shpërblime apo do t’i fshihen 1000 të këqija.” Muslimi.

  • Peshon rëndë në Ditën e Gjykimit

Edhe pse është e lehtë të veprohet, ajo në ditën e Gjykimit do të peshojë rëndë në peshore. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy fjalë janë të dashura tek i Gjithëmëshirshmi, të lehta për gjuhën dhe të rënda në peshore: SubhanAllahi ue bihamdihi dhe subanAllahil adhim.” Buhariu dhe Muslimi. Qëllimi i hadithit është të na tregojë se Mëshira e Allahut është shumë e gjerë, saqë për një vepër kaq të paktë e të lehtë, Ai jep shpërblime të panumërta.

  • Mbjellë pemët në xhenet

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që thotë SubhanAllahi ue bihamdihi një herë, do t’i mbillet një palmë në xhenet.” Transmetuar në disa libra të haditheve.

  • Fshirje të fjalëve të padobishme para ngritjes prej mexhliseve

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë “SubhanAllahi ue bihamdihi, subhaneke Allahumme ue bihamdike, eshhedu en La ilahe ila ente, estagfiruke ue etubu ilejke” (I Madhërishëm është Allahu, Atij i takon Lavdia, i Pa të meta je Ti o Allah, vetëm Ty të takon Lavdia. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem”), në një ndejë ku përmendet Allahu (apo feja e Tij), kjo është sikur një vulë që ia vulosë (përmbyllë) atë ndejë (i vërtetohen dhe i ruhen ato fjalë). E nëse e thotë në një ndejë ku njerëzit janë të habitur duke mos e përmendur Allahun dhe duke folur gjëra të kota, është fshirje e tyre.” Dhe ka thënë në një tjetër hadith të ngjashëm: “Ai që ulet në ndejë (çfarëdo qoftë ajo) dhe gjatë saj i shtohen gabimet e tij (flet fjalë duke mos iu kushtuar rëndësi), mirëpo para se të çohet nga aty thotë: “Subhaneke Allahumme Rabbene ue bihamdike, eshhedu en La ilahe ila ente, estagfiruke ue etubu ilejke- (I Pa të meta je Ti o Allah, vetëm Ty të takon Lavdia, dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, kërkoj faljen Tënde dhe tek Ti pendohem”), do t’i falen ato.” Tirmidhiu.

Allahun e lartëson (e bën tesbih) çdo gjë

Për shkak të madhështisë së Allahut dhe përsosmërisë së Sundimit dhe Lavdisë së Tij, e lartësojnë dhe madhërojnë të gjitha krijesat, si: qielli, toka, malet, pemët, dielli, hëna, yjet, planetët, kafshët, zogjtë, gjërat e ngurta, çdo gjë. Allahu thotë: “Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” Isra 44. Dhe thotë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): “O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin.” Sebe, 10. Dhe thotë: “Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Daudin, të thurnin lavde (për Allahun).” Enbija 79.

Këto krijesa e madhërojnë Allahun përmes të folurit të tyre, mirëpo ne nuk e kuptojmë atë. Qëllimi i këtij madhërimi prej këtyre krijesave nuk është siç kanë menduar disa, se e madhërojnë përmes gjendjes së tyre, se gjendja në të cilën ekzistojnë tregon madhërim për Allahun, kjo nuk është e vërtetë. Allahu të gjitha këtyre krijesave u ka dhënë mënyrën e perceptimit përmes së cilës e madhërojnë dhe e lartësojnë Atë. Këtë mënyrë e di vetëm Allahu, për neve është e panjohur. Imam Neveviu thotë: “Këto krijesa e bëjnë tesbih Allahun në realitet, në të vërtetë, dhe secilës prej tyre varësisht çfarë krijese është, Allahu ia krijon një mënyrë të perceptimit përmes së cilës e bën tesbih Allahun. Ndërsa mendimi tjetër se ky tesbih nuk është i vërtetë, se nuk e madhërojnë me gjuhët e tyre, por me gjendjet e tyre, është shumë larg së vërtetës dhe nuk e mbështet asnjë argument.” Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë, ai ka mundësi që çdo gjë ta bëjë të flasë, t’ia krijojë të folurit. Ibn Kajjim shprehet: “Sa e çuditshme është gjendja e asaj cope të mishit (zemrës) që është më e ngurtë se këto kodra e male! Ajo i dëgjon Fjalët e Allahut, megjithatë nuk zbutet, as nuk përulet e as nuk kthehet me pendim tek Allahu!”

 

Domethënia e tesbihut

Tesbihu është prej parimeve të rëndësishme dhe bazave të forta, të paluhatshme, mbi të cilat ndërtohet besimi i myslimanit rreth njohjes së Allahut dhe Emrave e Cilësive të Tij, ngase besimi ynë në emrat dhe Cilësitë e tij ndërtohet mbi dy themele shumë madhështore: a) pohimi i Cilësive të Allahut pa përngjasim, b) lartësimi i Tij prej shëmbëllimit dhe përngjasimit të krijesave, mirëpo pa i mohuar Cilësitë e Tij.

Tesbih në gjuhën arabe do të thotë tenzih-pastrim për Allahun. Rrënja e kësaj fjale vjen nga fjala sebh që d.m.th. largim. Dijetari i njohur i gjuhës arabe El Ez’heriu në librin “Tedhhibu lugah” thotë: “Kuptimi i pastrimit për Allahun prej të metave dhe të këqijave është: largimi i tyre prej Tij. Të njëjtin kuptim ka dhe tesbihu, largimi i të këqijave prej Allahut, besimi se Ai është larg të metave.” Pra, tesbihu është largimi prej Allahut i cilësive që tregojnë mangësi, të cilat i atribuohen dhe i veshën Atij, pastrimi dhe lartësimi i Allahut prej çdo të keqeje dhe çdo gjëje që nuk i shkon Madhërisë së Tij. Një njeri e ka pyetur Aliun radijAllahu anhu se çfarë kuptimi ka fjala SubhanAllah, dhe ai ka thënë: “Ajo është: të madhërohet Madhështia e Allahut.” Muxhahidi rahimehullah ka thënë: “Tesbihu është mosveshja dhe mosatribuimi i asnjë të keqeje ndaj Allahut.” Mejmun ibn Mehrani rahimehullah thotë: “SubhanAllah është një emër me të cilin madhërohet Allahu, tregohet Madhështia e Tij. Kur njeriu e thotë atë, me këtë largon prej Allahut çdo të keqe.” Muhamed ibn Aishe rahimehullah thotë: “Kur arabët shohin një gjë që nuk u pëlqen apo një gjë që iu duket e madhe në sytë e tyre, thonë subhanAllah. Kur e shohin atë gjë që nuk u pëlqen, bëjnë lartësim dhe pastrim për Allahun nga të gjitha të këqijat, se nuk i takon Atij një e metë apo e keqe e tillë.” Janë të shumta etheret në këtë temë.

Në fund, El Ez’heriu rahimehullah thotë përmbledhtazi: “Kuptimi i përmbledhur që mund ta nxjerrim prej këtyre mendimeve të dijetarëve të gjuhës arabe për fjalën subhanAllah është: Besimi se Allahu është i pastër dhe i lartësuar dhe se qëndron larg asaj që dikush prej krijesave të jetë i ngjashëm me Të, apo të jetë ortak me Të, apo të ketë dikush mundësi t’i kundërvihet, apo të jetë dikush i krahasueshëm me Të.” Ky është tesbihu.

Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Kur Allahu në shumë ajete na urdhëron ta bëjmë tesbih Atë, kjo kërkon që ne ta lartësojmë e pastrojmë prej çdo të mete dhe të keqe. Mirëpo, kur njeriu thotë subhanAllah, përveç që e pastron/lartëson prej çdo të mete, njëkohësisht pohon për Të të gjitha Lavdatat e Cilësitë e përsosura me të cilat e lavdëron Atë. Andaj, kur thua subhanAllah, kjo automatikisht kërkon lartësim, lavdërim, madhërim ndaj Allahut dhe njësim të Tij (besim se përderisa Ai është i përkryer, atëherë Ai është i Vetmi i Cili e meriton adhurimin tonë).” Kur ne themi subhanAllah, kjo nuk është vetëm lartësim dhe pastrim për Allahun nga çdo e metë dhe mangësi, porse së bashku me këtë duhet të pohojmë të gjitha lëvdatat dhe atributet e përsosurisë, që tregojnë se Ai është i Përkryer në çdo aspekt ashtu siç i takon Madhërisë së Tij.

Bërja tesbih duhet të jetë në përputhje me kriteret sheriatike, e ndriçuar me dritën e argumenteve të Kuranit e sunetit. E assesi të jetë e ndërtuar mbi tekat e mendimet e prishura të njerëzve, apo mbi analogji logjike të dëshpëruara (siç gjejmë te shumë prej ithtarëve të bidatit të cilët i mohojnë Cilësitë e Allahut). Kur njeriu, madhërimin dhe lartësimin e Allahut nuk e merr nga Kurani e suneti, atëherë do të përfundojë në mohim/refuzim të Cilësive të Tij. Allahu i do ata që bëjnë tesbih shpesh. Por duhet ditur që ky tesbih duhet të jetë sipas udhëzimit të drejtë, pa tejkaluar kufijtë e Kuranit dhe sunetit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Marrë nga libri “Ëmbëlsia e dhikrit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit