Nijeti i agjërimit [1]
92) Është pyetur hoxha i Islamit Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, se [2]:
Një imam i një xhamie është në medh’hebin hanefij, dhe xhematit të tij u ka thënë se ai ka një libër në të cilin thuhet se nëse nuk bëhet nijeti për agjërimin e muajit të Ramazanit para jacisë, ose pas saj, ose para (mbarimit të) syfyrit, atëherë nuk ka shpërblim në agjërimin e tij. A është kjo e vërtetë apo jo?
Ai u përgjigj: Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Çdo mysliman e ka obligim të besoj se agjërimi është obligim për të, dhe kur synon ta agjërojë muajin e Ramazanit ta bëjë nijet. Nëse e din (është i bindur) se nesër është Ramazani, atëherë, patjetër duhet ta bëjë nijet. Vendi i nijetit është zemra. Kushdo që ka dije për atë që synon, atëherë, patjetër duhet që ta bëjë nijet. Me thënë nijetin (me gojë) nuk është obligim me ixhma’-në (konsensusin) e gjithë myslimanëve. Masa dërmuese e myslimanëve agjërojnë me nijet, dhe agjërimi i tyre është i saktë (i pranuar) pa mospajtime mes dijetarëve. Allahu e din më së miri.
93) Është pyetur hoxha i Islamit Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë [3]:
Çfarë thotë i nderuari ynë rreth agjërimit të Ramazanit, a është e nevojshme që të bëhet nijeti për çdo ditë apo jo?
Ai u përgjigj: Kushdo që e din se nesër është Ramazan dhe synon agjërimin e tij, atëherë ai e ka bërë nijet, pavarësisht a e thotë (shpreh) me gojë apo jo. Kjo është vepra e shumicës së myslimanëve. Ata e bëjnë nijet agjërimin.
Si e bën nijet myslimani të agjërimin e Ramazanit
94) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studim shkencore dhe fetua [4]:
Si duhet njeriu ta bëjë nijet agjërimin e muajit Ramazan? A mjafton vetëm dija për hyrjen e Ramazanit që të jetë i saktë (i pranuar) agjërimi i ditëve tjera?
Ata u përgjigjen: Nijeti bëhet duke bërë azm (vendosur) agjërimin, dhe patjetër duhet që nijeti për agjërimin e Ramazani të bëhet natën (d.m.th. para syfyrit, sh.p.), dhe kjo për çdo natë.
Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Kryetar: Abdulaziz bin Abdilah bin Baz.
Zëvendëskryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
A është kusht që në Ramazan nijeti të bëhet për çdo ditë
95) Është pyetur shejh Salih bin Feuzan bin Abdilah El Feuzani, Allahu e ruajt [5]:
Nganjëherë agjërojë pa e lidhur nijetin tim në fillim të agjërimit. A është kusht që nijeti të bëhet për agjërimin e çdo dite, apo mjafton vetëm nëse bëhet në fillim të muajit?
Ai u përgjigj: Agjërimi, po ashtu edhe të gjitha veprat tjera, patjetër duhet kryhen me nijet. I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtetë që çdo vepër është sipas nijetit, dhe vërtetë që çdo njeriu do i takojë ajo që bën nijet.” Kurse, në një transmetim tjetër thotë: “Nuk ka vepër (të pranuar), veçse me nijet.”
Pra, për agjërimin e Ramazanit është obligimi nijeti, i cili duhet të bëhet gjatë natës para agimit të asaj dite që e ka bërë nijet ta agjërojë. Kur myslimani ngrihet nga gjumi në fundin e natës dhe han syfyr, kjo tregon se nijeti veçse gjendet tek ai, prandaj, nuk është e nevojshme ta thotë me gojë: unë e bëra nijet agjërimin. Kjo është bidat (risi) që nuk lejohet të veprohet. Nijeti në Ramazan duhet të bëhet për çdo ditë vetmas nga të tjerat. Sepse, secila ditë është adhurim i veçantë (i ndarë nga ditët tjera), prandaj, ka nevojë për nijet (të veçantë). Kështu që, e bën nijet me zemrën e tij, gjatë natës, të agjërojë ditën e ardhme. Nëse e ka bërë nijet, pastaj ka fjetur dhe nuk është zgjuar veçse pasi që ka hyrë agimi, agjërimi i tij është i saktë (i pranuar), sepse, nijeti ka qenë prezent gjatë natës.
Nijeti i agjërimit
96) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [6]:
A mjafton nijeti i agjërimit (d.m.th. për krejt Ramazanin, sh.p.) si nijet për agjërimin e çdo dite vetmas?
Ai u përgjigj: Është e njohur se çdo njeri që zgjohet në fund të natës dhe han syfyr, ai veçse e ka synuar agjërimin. Nuk ka dyshim në këtë, sepse çdo i mençur e vepron një gjë me zgjedhjen e tij, prandaj, nuk ka mundësi ta bëjë këtë veçse me vullnetin (dëshirën) e tij.
Vullneti (dëshira) është vet nijeti. Njeriu nuk han në fund të natës veçse për shkak të agjërimit. Sikur të ishte qëllimi i tij vetëm ngrënia, atëherë (dihet që) nuk është prej zakonit të tij të hajë në këtë kohë. Ky pra është nijeti. Mirëpo, për këtë pyetje ka nevojë për një shembull. E, ai është: nëse paramendohet se një person, në Ramazan, ka fjetur para perëndimit të diellit, dhe askush nuk e ka zgjuar deri sa ka hyrë agimi i ditës vijuese. Ky person nuk e ka bërë nijet gjatë natës, agjërimin e ditës vijuese. A duhet të themi se agjërimi i tij i ditës vijuese është i saktë (i pranuar) duke u bazuar në nijetin e ditëve të mëparshme? Apo themi se agjërimi i tij është i pasaktë, për arsye se ai nuk e bëri nijet (agjërimin e asaj dite) gjatë natës?
Themi se agjërimi i tij është i saktë, sepse mendimi më i peshuar (me argumente) është se nijeti i agjërimit të Ramazanit në fillimin të tij mjafton, prandaj, nuk ka nevojë të përtërihet nijeti për çdo ditë [7]. Përveç nëse ndodhë ndonjë shkak që e lejon prishjen e agjërimit, dhe personi e prish atë gjatë (në mes të) muajit. Atëherë, themi se patjetër duhet nijet i ri (për agjërimin e ditëve vijuese), për arsye se ai, përsëri, po e fillon agjërimin.
Të bëhet nijeti për agjërim natën (tebjitun-nijje)
97) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [8]:
Një njeri pasi që ka fjetur, është shpallur që është parë hëna e re e Ramazanit. Kështu që, ai nuk e bëri nijet agjërimin gjatë natës, dhe, për shkak se ai nuk kishte njohuri që është vërtetuar shikimi i hënës së re, e zuri mëngjesi pa agjëruar. Çfarë e ka obligim ky person të veprojë?
Ai u përgjigj: Ky person, i cili ka fjetur natën e parë të Ramazanit para se të vërtetohet shikimi i hënës së re, që nuk e ka bërë nijet agjërimin gjatë natës, dhe pasi që ka hyrë agimi e ka kuptuar që kjo është dita e parë e Ramazanit, te xhumhuri (pjesa dërmuese) i dijetarëve e ka obligim të përmbahet (nga gjërat që e prishin agjërimin), dhe këtë ditë ta bëjë kaza (pas Ramazanit, sh.p.). Duke u bazuar në dijen time, në këtë çështje nuk ka kundërshtuar asnjë (prej dijetarëve), përveç hoxhës së Islamit Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë. Ai thotë se nijeti e pason (është në vartësi) dijen. Personi i këtillë nuk e ka ditur (që ka hyrë Ramazani), prandaj arsyetohet. Ai nuk e la bërjen e nijetit gjatë natës me dijen e tij (që Ramazani ka hyrë), mirëpo ishte injorant, dhe injoranti arsyetohet. Sipas kësaj, nëse ai përmbahet (nga gjërat që e prishin agjërimin) prej kohës kur e kuptuar (që Ramazani ka hyrë), atëherë agjërimi i tij është i saktë, dhe nuk e ka obligim kazanë. Ndërsa, xhumhuri i dijetarëve thanë që ai e ka obligim të përmbahet, mirëpo, gjithashtu e ka obligim ta bëjë kaza këtë ditë. Këtë mendim e arsyetuan me faktin se atij i ka humbur një pjesë e ditës pa nijet (të agjërimit).
Mendimi im është: që më e sigurt për të është ta bëjë kaza këtë ditë.
A e prish agjërimin nijeti me të cilin e vendos për ta prishur agjërimin, edhe nëse nuk hanë apo pinë?
98) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [9]:
A e prish agjërimin njeriu i cili e ka vendosur (me nijet) me prish, mirëpo as nuk ka ngrënë dhe as nuk pirë?
Ai u përgjigj: Është e njohur se agjërimi bashkon mes nijetit dhe lënies. Njeriu me agjërimin e tij e bën nijet të afrohet te Allahu i Gjithëpushtetshmi dhe i Madhërishmi duke i lënë gjërat që e prishin agjërimin. Prandaj, nëse vërtetë vendos ta ndërpres agjërimin e tij, atëherë agjërimi ndërpritet (prishet). Mirëpo, duhet ditur se nëse kjo ndodh në Ramazan, atëherë e ka obligim të ndalohet (nga gjërat që e prishin agjërimin) deri sa dielli të perëndojë, sepse çdokush që e prish agjërimin në Ramazan pa arsye, e ka obligim të ndalohet dhe ta bëjë kaza atë ditë. Nëse nuk e ka vendosur (ndërprerjen), mirëpo është i luhatshëm, këtu dijetarët kanë pasur mospajtime. Prej tyre thanë që agjërimi i tij prishet, sepse luhatja e kundërshton vendosjen. Kurse, disa të tjerë thanë se agjërimi i tij nuk prishet, sepse esenca është që nijeti i agjërimit vazhdon deri sa ta vendos lënien dhe largimin e tij.
Kam bërë nijetin për agjërim keffare (kompensim) mirëpo e kam shtyrë deri në dimër?
99) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [10]:
E kam bërë nijet t’i agjërojë gjashtëdhjetë ditë si keffare (kompensim), mirëpo e kam shtyrë deri në dimër. Çfarë bëhet me mua sikur të vdesë para dimrit?
Ai u përgjigj: Kur njeriut i bëhet obligim agjërimi i keffaretit (kompensimit), atëherë, gjithashtu, e ka obligim të shpejtojë në kryerjen e tij, sepse obligimet duhet të kryhen menjëherë. Mirëpo, nëse atij i vije vështirë ta agjërojë keffaretin gjatë ditëve të verës, për shkak të gjatësisë së ditës dhe nxehtësisë së madhe, atëherë nuk ka ndonjë ngushtim në shtyrjen e tij deri në kohën kur fillon të ftohtit (freskia). Nëse vdes para kësaj kohe, ai nuk ka mëkat, sepse ai e ka shtyrë për arsye (të ligjshme), mirëpo dikush agjëron për të aq sa mundet prej këtyre ditëve. Nëse askush nuk agjëron për të, atëherë duhet të ushqehet për çdo ditë nga një i varfër.
E ka bërë nijet agjërimin e të hënës dhe të enjtes pa nedhr (zotim), a e ka obligim t’i agjërojë gjatë tërë jetës?
100) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [11]:
E kam bërë nijet agjërimin e të hënës dhe të enjtes për çdo javë, mirëpo nuk jam zotuar për këtë. A e kam obligim agjërimin e tyre gjatë tërë jetës? Nëse e agjërojë të enjten, për shembull, dhe e prishi, a e kam obligim ta bëjë kaza?
Ai u përgjigj: Vetëm pse e ka bërë nijet për veprën nuk obligohet për kryerjen e saj. Prandaj, njeriu nuk obligohet me asgjë, nëse e bën nijet agjërimin e të hënës dhe të enjtes, pastaj nuk i agjëron.
Gjithashtu, nuk obligohet me asgjë, nëse e fillon agjërimin (e tyre) pastaj e ndërpret atë, sepse nuk obligohet plotësimi i agjërimit nafile (vullnetar). Madje, nëse njeriu e bën nijet me jep një pasuri si sadaka (lëmoshë), duke e ndarë dhe veçuar këtë pasuri, ai nuk e ka obligim dhënien e saj si sadaka, sepse nijeti nuk ka efekt në çështje të këtij lloji.
Sipas kësaj, në i themi vëllait që pyet: nuk e ke obligim ta bësh kaza agjërimin e ditës së enjte të cilën e ke prishur, dhe nuk e ke obligim të vazhdosh në agjërimin e ditës së hënë dhe të enjte. Mirëpo, nëse i agjëron, atëherë kjo është një vepër shumë e mirë, sepse është sunnet (e preferuar) agjërimi i tyre.
Vendimi rreth luhatjes në nijetin e agjërimit apo prishjes së tij
101) Është pyetur dijetari i ndershëm Muhamed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [12]:
Mbrëmë disa herë e kemi dëgjuar topin ushtarak, mirëpo dyshuam a ishin këto goditje për të lajmëruar hyrjen e Bajramit apo për iftar. Kështu që, pritëm të dëgjojmë ndonjë lajm prej imamit të xhamisë para së të hyjë agimi, mirëpo asnjë lajm prej tij. Cili është vendimi për atë që luhatet në nijetin e tij mes (vazhdimit të) agjërimit apo ndërprerjes së tij?
Ai u përgjigj: Njeriu e ka obligim që të vërtetohet, kurse esenca është që çdo mbetet në atë që ka qenë. Sikur këtu të kishim diçka atëherë do të ishte e dukshme, dhe për njerëzit do të ishte e qartë që të mos hanë syfyr dhe të mos agjërojnë.
Sidoqoftë, kjo ditë konsiderohet prej Ramazanit, sepse sikur të vërtetohej hyrja e muajit (Sheval), çështja do të ishte e qartë. Sipas kësaj, njeriu e ka obligim që në raste të tilla, të agjërojë dhe të mos hamendet, sepse esenca është që Ramazani ka vazhduar. Nëse pas kësaj i bëhet e qartë se dita e nesërme është Bajram, atëherë e prish agjërimin.
Nuk i lejohet atij që ka filluar agjërimin kaza ta ndërpresë atë
102) Është pyetur dijetari i nderuar Salih bin Feuzan bin Abdilah El Feuzan, Allahu e ruajt [13]:
A i lejohet atij që agjëron kaza ta ndërpresë atë? Po atij që agjëron një ditë nafile (vullnetar)?
Ai u përgjigj: Njeriut i cili e bën nijet dhe e fillon agjërimin kaza nuk i lejohet ta ndërpres atë. Sepse ai kur ta bëjë nijet dhe ta fillojë e ka obligim ta plotësojë atë. Nëse ai hyn në farzin (obligimin) koha për kryerjen e të cilit është e gjerë, atëherë e ka obligim plotësimin e tij, dhe nuk i lejohet ta ndërpres atë. Gjerësia në kohë për kryerjen tij është para se të hyjë në të, nëse hyn (e fillon), atëherë e ka obligim ta plotësojë atë dhe nuk i lejohet ta ndërpres.
Ndërsa, nëse agjëron nafile (vullnetarisht), atëherë i lejohet ta ndërpres atë, sepse nuk obligohet plotësimi i agjërimit nafile, edhe pse është më mirë plotësimi i tij. Ai mund të hajë (ta prish) dhe nuk ka kurrfarë ngushtimi në këtë. Sepse Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) një ditë hyri në shtëpinë e tij dhe kishte qenë duke agjëruar nafile. Aty gjeti një ushqim që iu kishte dhuruar nga dikush dhe hëngri prej tij, duke e ndërprerë kështu agjërimin e tij. Kjo tregon se nuk është obligim plotësimi i agjërimit nafile.
Vendimi për atë që agjëron pa e bërë nijet
103) Është pyetur dijetari i nderuar Salih bin Feuzan bin Abdilah El Feuzan, Allahu e ruajt [14]:
Një person ka fjetur në natën e parë të Ramazanit para se ta dijë se nesër është dita e parë e agjërimit. Kur u zgjua për ta falur namazin e sabahut e pyeti njërin nga xhemati, mirëpo edhe ai nuk dinte asgjë rreth kësaj. Kështu që ky vazhdoi të mos hajë asgjë. Kur shkoi në punë i pa njerëzit se ishin duke agjëruar. Me këtë e kuptoi se agjërimi (i Ramazanit) ka filluar dhe e vazhdoi agjërimin deri në mbrëmje. A është i pranuar agjërimi i asaj dite apo duhet ta bëjë kaza? Na jepni fetua Allahu ju shpërbleftë!
Ai u përgjigj: Ai i cili e kupton gjatë ditës se ka hyrë muaji i Ramazanit e ka obligim të ndalohet (nga gjërat që e prishin agjërimin) gjatë pjesës së mbetur të ditës dhe ta bëjë kaza këtë ditë. Kjo, sepse ai nuk e ka bërë nijet agjërimin gjatë natës. Është transmetuar në hadithe se nuk ka agjërim ai i cili nuk e bënë nijet agjërimin (d.m.th. agjërimin farz) gjatë natës. Kurse, këtij i ka ikur një pjesë e ditës pa e bërë nijet agjërimin.
A lejohet të prishet agjërimi nëse e ke bërë nijet mirëpo udhëton gjatë ditës?
104) Është pyetur dijetari i nderuar Salih bin Feuzan bin Abdilah El Feuzan, Allahu e ruajt [15]:
Nëse vendasi e bënë nijet agjërimin, pastaj udhëton në mes të tij, a i lejohet të hajë (ta prish atë)?
Ai u përgjigj: Nëse njeriu e bën nijet agjërimin dhe e fillon atë, pastaj i duhet të udhëtojë gjatë ditës, udhëtim i cili arrin distancën 80 km e më shumë, atëherë ai e ka të lejuar ta prish kur të dal nga vendi i tij. Nëse e plotëson ditën të cilën e ka filluar me agjërim është më e mirë dhe më e sigurt, sidomos kur dihet se disa dijetarë e kanë mendimin se është obligim për udhëtarin ta plotësojë ditën të cilën e ka filluar me agjërim.
A i mjafton udhëtarit që nuk gjen me çfarë të prish agjërimin, ta bëjë këtë me nijet?
105) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [16]:
Agjëruesit i cili dëshiron ta prish agjërimin, pavarësisht a është udhëtar dhe dëshiron t’i përmbahet sunetit (d.m.th. prishjen e agjërimit) apo vendas dhe dielli ka perënduar, mirëpo nuk gjen me çfarë ta prish (bëjë iftar), a i mjafton ta prish me nijet?
Ai u përgjigj: Agjërimi në udhëtim është i lejuar, madje ai është më i preferuar se prishja e tij nëse nuk gjen vështirësi në të. Ndërsa, nëse ka vështirësi e cila e pengon nga punët e tij, apo ka nevojë për dikë tjetër në kryerjen e tyre, atëherë prishja është më e mirë. Ky është mendimi i xhumhurit (pjesës dërmuese të dijetarëve), sepse Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në betejën për çlirimin e Mekës agjëroi deri sa i thanë që njerëzit po gjejnë vështirësi në agjërim, atëherë e prishi agjërimin dhe i urdhëroi që edhe ata ta prishin, në mënyrë që të jenë të fortë kur të takohen me armikun.
Nëse udhëtari dëshiron ta prish agjërimin, edhe nëse nuk ka vështirësi, e ka të lejuar. I mjafton ta prish me nijet, edhe nëse nuk han ndonjë gjë ushqyese, mirëpo në këtë rast nuk ka nevojë për iftar.
Ndërsa, kush dëshiron të bëjë iftar pas perëndimit të diellit dhe nuk gjen ushqim apo pije, atëherë i mjafton vetëm nijeti për ta prishur, duke e ndërprerë nijetin e agjërimit dhe duke hyrë në mesin e atyre që bëjnë iftar, derisa të gjejë diç prej ushqimit apo pijes. Edhe pse më mirë për të është të shpejtojë për të bërë iftar, sepse robërit më të mirë te Allahu janë ata që e shpejtojnë iftarin. Siç është transmetuar në hadith: “Njerëzit më të mirë janë ata që e shpejtojnë iftarin…”
Kuptimi i hadithit: “Nuk ka agjërim ai i cili nuk e bën nijet gjatë natës”
106) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [17]:
Çfarë është për qëllim me hadithin: “Nuk ka agjërim ai i cili nuk e bën nijet gjatë natës”.
Ai u përgjigj: Nijeti është vendosja me zemër për ta kryer agjërimin. Kjo e shoqëron çdo mysliman i cili e din se Allahu e ka bërë obligim agjërimin e Ramazanit, prandaj, mjafton si nijet i natës njohuria e tij për këtë obligueshmëri dhe zbatimi i saj.
Gjithashtu, mjafton edhe kur i flet vetes së tij se nesër do të agjërojë, nëse nuk ka ndonjë arsye (të ligjësuar) për prishjen e tij.
Gjithashtu, mjafton kur ai hanë ushqim në syfyr me këtë nijet, dhe nuk ka nevojë ta shpreh nijetin me gojë, as për agjërim e as për adhurimet tjera.
Pra, vendi i nijetit është zemra, dhe është obligim që dispozita e tij (nijetit) ta shoqërojë gjatë tërë ditës, duke mos e bërë nijet iftarin apo prishjen e agjërimit.
Vendimi për kushtëzimin e nijetit për agjërimin nafile
107) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [18]:
Cili është vendimi për kushtëzimin e nijetit për agjërimin nafile?
Ai u përgjigj: Nuk ka gjë të keqe nëse e kushtëzon nijetin për agjërimin nafile. Për shembull të thotë: unë do të agjërojë deri sa të mundem, nëse nuk mundem apo gjejë vështirësi, atëherë do ta prishi.
A është obligim që kur ta bëjë nijet për agjërimin e Ramazanit ta përcaktojë se është duke agjëruar farz (obligim)?
108) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [19]:
A është obligim për agjëruesin, që kur ta bëjë nijet për agjërimin e Ramazanit ta përcaktojë se është duke agjëruar farz (obligim)?
Ai u përgjigj: Dijetarët e fikhut thonë: është obligim të caktohet nijeti gjatë natës për agjërimin e çdo dite që është obligim (të agjërohet), jo të caktohet se është duke agjëruar farz.
Pra, mjafton ta bëjë nijet se do të agjërojë Ramazanin, dhe nuk nevojë me thënë: e kam bërë nijet agjërimin e farzit të Ramazanit. Është e ditur se agjërimi i Ramazanit është farz.
Bërja nijet për agjërimin nafile pas zeualit (kur dielli është në zenit, sh.p.)
109) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [20]:
A është e saktë që agjëruesi ta bëjë nijet për agjërimin nafile pas zeualit?
Ai u përgjigj: Koha për nijetin e agjërimit nafile është e gjerë, dhe është e saktë të bëhet gjatë ditës, mirëpo dijetarët patën mospajtime a është e saktë të bëhet pas zeualit apo jo?
Prej dijetarëve të fikhut, siç është autori i Zadul-mustakni’, ka që e vlerësojnë të saktë nijetin (për nafile) pas zeualit. Kurse, disa të tjerë thanë që nijeti nuk pranohet pas zeualit.
Mendimi më i peshuar (me argumente) është se nijeti (për nafile) duhet të bëhet para zeualit, kurse nëse bëhet pas tij, atëherë ka kaluar shumica e ditës, kurse, nijeti duhet të bëhet për agjërimin e shumicës së ditës. Prandaj, nëse prej ditës ka mbetur pjesa më e pakët e saj, atëherë nuk llogaritet agjërim. Mirëpo, duhet ditur se këtu është një kusht, që të mos hajë në fillimin (pjesën e parë) e ditës. Pra, nëse myslimani zgjohet në mëngjes dhe e ka nijet me ngrënë, mirëpo nuk hanë asgjë, pastaj gjatë ditës vendos ta plotësojë atë ditë duke u ndaluar (nga gjërat që e prishin agjërimin), atëherë kjo i lejohet.
Argument për këtë është hadithi i njohur i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ku thotë: Një ditë i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) hyri tek unë dhe tha: “A ka ndonjë gjë (për të ngrënë)?” Ajo tha: Jo. Ai tha: “Atëherë, unë po agjëroj”.
Pra, ai e bëri nijet për të agjëruar gjatë ditës, edhe pse ai kërkoi ushqim dhe sikur të gjente do të hante, mirëpo pasi që nuk gjeti gjë, atëherë vendosi që atë ditë ta plotësojë me agjërim.
A shpërblehet agjëruesi i nafiles për kohën e cila i ka paraprirë nijetit të tij?
110) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [21]:
A shpërblehet agjëruesi i nafiles për kohën e cila i ka paraprirë nijetit të tij? Për shembull, nëse e bën nijet për të agjëruar nafile pas zeualit, a shpërblehet për kohën para zeualit (pasi që nijeti pas zeualit nuk pranohet, sh.p.)?
Ai u përgjigj: Mendimi i saktë është se shpërblimi vjen prej nijetit dhe më pas. Sepse, fillimi i ditës llogaritet si lënie e zakonshme, për shkak se nuk ka gjetur çfarë të hajë. Pra, ai shpërblehet prej kur të vendos për agjërim, sepse sikur t’i vinte (ushqimi), pas këtij nijeti, ai do ta lente atë, për arsye se ka vendosur të agjërojë. Edhe pse, agjëruesi nafile është emir (udhëheqës) i vetes së tij, i lejohet ta prish pasi që ka vendosur të agjërojë.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: Një ditë i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) hyri tek unë dhe i thashë: O i Dërguar i Allahut! Na është dhuruar hajs (lloj hallve, sh.p.). Ai tha: “Ma afro (jep), sepse unë u zgjova agjërueshëm.” Pastaj hëngri prej saj.
Vendimi për shqiptimin e nijetit të agjërimit me gojë
111) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [22]:
Cili është vendimi që nijeti të shqiptohet me gojë? Siç disa thonë: O Allah! E bëra nijet agjërimin.
Ai u përgjigj: Vendi i nijetit është zemra, dhe nuk lejohet që nijeti të shqiptohet me gojë, as në namaz, as në agjërim, as në abdes dhe as në adhurimet tjera.
Disa prej shafive e kanë mendimin se duhet të bëhet nijeti me gojë dhe e shkruan këtë në librat e tyre. Madje thanë që kjo është sunnet, dhe se ky është medh’hebi i Shafiut.
Mirëpo, e vërteta është që ky nuk është medh’hebi i Shafiut. Askush nuk e transmetoi prej tij ndonjë fjalë të qartë rreth kësaj, dhe nuk e gjejmë të shkruar në librat dhe punimet e tij.
I lejohet të hajë para së të hyjë koha e agimit
112) Është pyetur dijetari i madh AbduRrahman bin Nasir Es Sa’dij, Allahu e mëshiroftë [23]:
A i lejohet atij që zgjohet në syfyr dhe e bën nijet të agjërojë, pastaj dëshiron të hajë dhe të pijë para së të hyjë koha e agimit?
Ai u përgjigj: Po i lejohet kjo gjë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës)” (El Bekare: 187).
Allahu këtu nuk bëri dallim mes atij që e bën nijet të përmbahet (nga ushqimi dhe pija) para agimit dhe mes atij që nuk e ka bërë këtë nijet. Kurse, nijeti bëhet gjatë natës për të agjëruar dhe lënë të gjitha gjërat që e prishin agjërimin. Atij nuk i llogaritet agjërim i ligjësuar, veçse prej agimit.
Dijetarët rreth definicionit të agjërimit thanë: Ndalim nga të gjitha gjërat që e prishin agjërimin, prej agimit deri në perëndim të diellit. Nuk ka mospajtime mes tyre rreth këtij definicioni.
Nijeti i personit që ta lejë ushqimin dhe gjërat tjera (që e prishin agjërimin) para agimit, nuk e ndalon (nga këto gjëra). Për me tepër, në këtë rast, e ka të lejuar ngrënin, pirjen dhe marrëdhëniet seksuale (me gruan e tij), deri sa të hyjë agimi.
A e prish agjërimin ai i cili e bën nijet këtë
113) Është pyetur dijetari i madh AbduRrahman bin Nasir Es Sa’dij, Allahu e mëshiroftë [24]:
A është e saktë thënia e disave se kush e bën nijet prishjen e agjërimit (iftarin) ai veçse e ka prishur atë (ka bërë iftar)?
Ai u përgjigj: Po, kjo është e saktë, sepse agjërimi është i përbërë nga dy realitete: nijeti dhe lënia e të gjitha gjërave që e prishin agjërimin. Prandaj, nëse e bën nijet prishjen, atëherë mungon realiteti i parë, e që njëherazi është edhe përforcuesi (shtylla) kryesor i adhurimeve. Të gjitha veprat bazohen në të.
Fjalët e tyre: ka bërë iftar, e kanë kuptimin se vendimi për të është që nuk ka agjërim, jo siç e kanë komentuar disa se qëllimi i tyre është se kjo është në pozitë/nivel me ngrënien dhe pirjen.
Për këtë, nëse e bën nijet prishjen e agjërimit duke qenë në nafile, pastaj, pas kësaj, dëshiron që ta bëjë nijet agjërimin para se të veprojë diçka prej gjërave që e prishin agjërimi, i lejohet të veprojë kështu. Mirëpo, shpërblimi dhe sevapi për agjërimin e tij llogaritet vetëm prej kohës kur e bën nijet. Ndërsa, nëse e bën nijet prishjen e agjërimit duke qenë në farz (obligim), atëherë ajo ditë nuk i pranohet, edhe nëse e kthen nijetin para se të veprojë ndonjë gjë që e prish agjërimin.
Kjo, sepse kusht i agjërimit farz është që nijeti ta përfshijë të gjithin, prej hyrjes së agimit e deri në perëndim të diellit. Pra, e kundërta e agjërimit nafile.
Këtu duhet t’i kushtojmë vëmendje një dobie, e ajo është që ndërprerja e nijetit të adhurimit është dy llojesh:
Një lloj që nuk e dëmton fare vepruesin e tij. Kjo është nëse ndodh pas plotësimit të adhurimit. Nëse njeriu e bën nijet ndërprerjen e namazit, agjërimit, zekatit, haxhit, apo ndonjë adhurimi tjetër pasi që e ka përfunduar atë, kjo nuk e dëmton fare. Sepse ai adhurim veçse ka ndodhur dhe e ka zënë vendin e tij. E njëjtë është nëse e bën nijet ndërprerjen e nijetit të pastrimit të madh (guslit) apo atij të vogël (abdesit), pasi që e ka përfunduar pastrimin, atëherë themi se nuk prishet pastrimi i tij.
Lloji i dytë është ndërprerja e nijetit të adhurimit gjatë kohës së veprimit të tij, sikur që është ndërprerja e nijetit të namazit duke qenë në faljen e tij, apo agjërimit duke qenë në kryerjen e tij, apo pastrimit duke u pastruar, etj… këtij nuk i pranohet adhurimi. Nëse e kupton dallimin mes këtyre dy çështjeve, atëherë largohen paqartësitë nga ti.
A është obligim që nijeti për agjërimin e Ramazanit të bëhet natën apo ditën?
114) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua [25]:
A është obligim që nijeti për agjërimin e Ramazanit të bëhet natën apo (lejohet edhe) ditën? Për shembull, nëse dikush gjatë kohës së paradrekes, na thotë se sot është Ramazan, a duhet të bëhet kaza kjo ditë?
Ata u përgjigjën: Është obligim që nijeti për agjërimin e muajit të Ramazanit të bëhet gjatë natës dhe para hyrjes së agimit, dhe nuk pranohet nëse nijeti për agjërim nuk vazhdon edhe gjatë ditës.
Ai që e kupton, gjatë kohës së paradrekes, se kjo ditë është prej Ramazanit dhe e bën nijet agjërimin (nga ai moment), atëherë e ka obligim të ndalohet (nga gjërat që e prishin agjërimin) deri në perëndim të diellit, dhe ta bëjë kaza këtë ditë.
Argument për këtë është hadithi që e transmeton Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, nga Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) te ketë thënë: “Nuk ka agjërim ai i cili nuk e mbledh (bën) nijetin e tij para agimit.” E transmeton Imam Ahmedi, autorët e Sunene-ve, Ibën Huzejme, dhe Ibën Hibbani. Këta dy fundit e vlerësojnë si hadith autentik.
Kjo çështje është për agjërim farz (obligim). Ndërsa, sa i përket agjërimit nafile (vullnetar), lejohet që nijeti të bëhet gjatë ditës, nëse nuk ka ngrënë, pirë, apo ka bërë marrëdhënie seksuale, pas agimit. Argument për këtë është hadithi i vërtetuar nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), të cilin e transmeton Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ai një ditë hyri tek ajo gjatë kohës së paradites, dhe i tha: “A ke ndonjë gjë (për të ngrënë)?” Ajo tha: jo. Ai tha: “Atëherë, unë po agjëroj.” Transmeton Muslimi në Sahih-un e tij.
Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet tona qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Kryetar: AbulAziz bin Abdilah bin Baz.
Nënkryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
Anëtar Abdullah bin Kuud.
E kam bërë nijet agjërimin para se të hyjë agimi, pastaj jam zgjuar dhe kam pirë, gjithashtu para se të hyjë agimi, dhe pastaj e kam bërë nijet edhe një herë.
115) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua [26]:
Nëse e bëjë nijet agjërimin para hyrjes së agimit, pastaj flejë dhe zgjohem para së të hyjë agimi, ha dhe pi, pastaj e bëjë nijet. Krejt kjo bëhet para se të agojë mëngjesi. Cili është vendimi për këtë?
Ata u përgjigjen: Nëse e bën nijet agjërimin, pastaj hanë dhe pinë para se të agojë mëngjesi, dhe e bën nijet përsëri, ndalohesh (nga gjërat që e prishin agjërimin), prej agimit e deri në perëndim të diellit, atëherë agjërimi yt është i saktë.
Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet tona qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Kryetar: AbulAziz bin Abdilah bin Baz.
Nënkryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit me nijet të nafiles dhe kazasë së ditëve të (paagjëruara) të Ramazanit
116) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [27]:
Nëse agjërojë disa ditë të Shevalit me nijet për nafile, kurse në përgjegjësinë time ende më kanë mbet ditë prej Ramazanit pa i bërë kaza. A mjafton (agjërimi i këtyre ditëve) edhe për agjërimin e ditëve të Ramazanit që më kanë mbetur pa i agjëruar?
Ai u përgjigj: Mendimi i saktë është se ai i cili agjëron me nijet të nafiles, përderisa i kanë mbetur disa ditë të Ramazanit pa i bërë kaza, atëherë këto ditë vendosen në vend të farzit (obligimit). Siç është rasti me atë që bën haxh me nijet të nafiles, mirëpo ai nuk ka agjëruar për veten e tij (d.m.th. se ka kryer haxhin i cili është obligim të bëhet njëherë në jetë, sh.p.), atëherë nijeti i tij rrotullohet në farz, jo nafile, dhe haxhi i tij bëhet për veten e tij, jo për dikë tjetër.
Në disa hadithe është transmetuar se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu nuk e pranon nafilen, përderisa të kryhet farzi.”
Bashkimi mes nijetit për agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe agjërimit të ditëve të bardha
117) Është pyetur dijetari i madh Salih bin Feuzan bin Abdilah, Allahu e ruajt:
Është e njohur se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nxiste për agjërimin e ditëve të bardha, mirëpo, gjithashtu, nxiste edhe për agjërimin e tri ditëve të çdo muaji. Si të bashkojmë mes këtyre ditëve? A t’i agjërojmë gjashtë ditë apo tri? Allahu ju shpërbleftë.
Ai u përgjigj: Po, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nxiste për agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, dhe për agjërimin e ditëve të bardha, që janë dita e trembëdhjetë, katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë e çdo muaji (hënor). Quhen ditët e bardha për shkak se netët e tyre zbardhen (ndriçohen) nga hëna (e plotë).
Dijetarët kanë mospajtime rreth bashkimit mes këtyre haditheve që transmetohen në lidhje me vlerën e këtyre ditëve.
Disa thanë: qëllimi është se është më mirë që këto tri ditë të agjërohen gjatë ditëve të bardha. Nëse i agjëron gjatë ditëve tjera nuk ka gjë të keqe këtu.
Disa të tjerë thanë: qëllimi është se i agjëron tri ditë prej çdo muaji, dhe i agjëron, gjithashtu, ditët e bardha. Pra, totali i bie të jetë gjashtë ditë të çdo muaji.
Mendimi i parë është më i peshuar (me argumente), kurse Allahu e din më së miri, sepse ai që agjëron ditët e bardha, ai veçse i ka agjëruar tri ditë të çdo muaji.
Agjërimi i kazasë dhe nafiles me një nijet
118) Është pyetur dijetari i nderuar Muhammed Es Salih El Uthejmini, Allahu e mëshiroftë [28]:
A lejohet agjërimi i kazasë së bashku me agjërimin e nafiles me një nijet, siç është agjërimi i ditës së Arafatit dhe agjërimi i kazasë së Ramazanit me një nijet?
Ai u përgjigj: Nëse është qëllimi të agjërosh ditën e Arafatit, apo ditën e ashurasë, së bashku me kazanë, atëherë nuk ka kurrfarë shtrëngimi në këtë. Nuk ka gjë të keqe nëse e agjëron ditën e kazasë në ditën e Arafatit. Kështu ti e merr shpërblimin (e ditës së Arafatit). Gjithashtu, nëse e agjëron ditën e ashurasë me nijet të kazasë, e arrin sevapin (e ashurasë).
A lejohet agjërimi nafile me dy nijete: nijetin e kazasë dhe nijetin e sunnetit?
119) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua [29]:
A lejohet agjërimi nafile me dy nijete: nijetin e kazasë dhe nijetin e sunnetit? Cili është vendimi për agjërimin e udhëtarit dhe të sëmurit, veçanërisht kur është udhëtim të cilit i thuhet udhëtim? Nëse udhëtari dhe i sëmuri kanë mundësi (forcë) të agjërojnë, a iu pranohet agjërimi apo jo?
Ata u përgjigjen: Nuk lejohet agjërimi nafile me dy nijete: nijetin e kazasë dhe nijetin e sunnetit30.
Më e mirë për udhëtarin, që udhëton me distancë në të cilën lejohet shkurtimi i namazit, është ta prish agjërimin, edhe pse, nëse agjëron i pranohet.
Më e mirë për atë që gjen vështirësi në agjërim, vështirësi e cila e godet sëmundjen e tij, është ta prish agjërimin. Nëse e din (qartë) apo mendja e tij anon më shumë se nëse e vazhdon agjërimin do të dëmtohet apo do të shkatërrohet, atëherë e ka obligim prishjen e agjërimit, në mënyrë që ta largojë vështirësinë dhe dëmin.
Sidoqoftë, si udhëtari ashtu edhe i sëmuri, duhet t’i bëjnë kaza ditët e Ramazanit të cilat i kanë prishur gjatë ditëve tjera (pas Ramazanit). Megjithëkëtë, nëse ata agjërojnë me gjithë vështirësinë që e gjejnë, agjërimi i tyre pranohet.
Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet tona qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Kryetar: AbulAziz bin Abdilah bin Baz.
Nënkryetar: AbduRrezak Afifij.
Anëtar: Abdullah bin Gudejan.
Anëtar Abdullah bin Kuud.
A lejohet bashkimi i nijetit (të dy apo më shumë veprave) në një vepër?
120) Është pyetur Komisioni i përhershëm për studime shkencore dhe fetua [31]:
A i lejohet personit ta bashkojë nijetin (e dy veprave) në një vepër? Për shembull, nëse ai ka për të bërë kaza një ditë të muajit Ramazan, dhe ka ardhur dita e Arafatit, a i lejohet ta bëjë nijet agjërimin e kazasë dhe nafiles së kësaj dite? Pra, t’i ketë dy nijete: kryerjen e kazasë dhe të nafiles. Apo, a i lejohet të bashkojë haxhin me umren në kohën e haxhit? Na jepni fetua, Allahu ju shpërbleftë me të mira!
Ata u përgjigjen: Nuk ka ngushtim nëse e agjëron ditën e Arafatit për kaza, dhe i pranohet si kaza, mirëpo nuk e arrin vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit, sepse nuk ka argument për të vepruar kështu.
Ndërsa, sa i përket futjes së umres në haxh, këtë Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e përmendur tekstualisht me fjalët e tij: “Umreja ka hyrë në haxh deri në ditën e Kiametit (d.m.th. nuk ndahen kurrë, sh.p.).”
Me Allahun vjen suksesi. Salevatet dhe selamet tona qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Kryetar: AbulAziz bin Abdilah bin Baz.
Nënkryetar: AbduRrezak Afifij.
Bashkimi mes agjërimit nafile dhe atij kaza
121) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [32]:
Nëse kam për të bërë kaza disa ditë të Ramazanit, a më lejohet të bashkoj mes tyre dhe agjërimit nafile, siç është bashkimi i ditës së Arafatit me agjërimin e kazasë?
Ai u përgjigj: Është obligim të shpejtohet në kazanë e ditëve të Ramazanit, dhe nuk pranohet agjërimi nafile (vullnetar) para se të kryhet kazaja. Mirëpo, nëse e agjëron ditën e Arafatit dhe të tjera me nijetin e nafiles, nuk bie kazaja e ditëve farz.
Nëse e agjëron dhe bën nijet borxhin që e ka prej Ramazanit, i pranohet dhe ka shpërblim për këtë (d.m.th. e arrin shpërblimin e agjërimit të ditës së Arafatit, sh.p.), nëse Allahu i Lartësuar do.
Bashkimi mes agjërimit të ashurasë dhe atij kaza
122) Është pyetur dijetari i nderuar Abdullah bin AbduRrahman bin Xhibrini, Allahu e mëshiroftë [33]:
A i pranohet agjëruesit që të bashkojë mes nijetit për agjërimin e ditës së ashurasë dhe agjërimit të ditës kaza?
Ai u përgjigj: Ai i cili i ka disa ditë t’i bëjë kaza e ka obligim të shpejtojë në kryerjen e tyre, ngase duhet të frikësohet se mos vdekja po i vjen befas, dhe të qortohet për neglizhencën e tij. Mirëpo, nëse supozohet se ai e ka vonuar një ditë të Ramazanit (pa e bërë kaza) deri në ditën e ashurasë apo të Arafatit, dhe e agjëron atë ditë me nijetin ditës që i ka mbetur prej Ramazanit, atëherë themi se ai i arrin dy shpërblime, pra, e kryen obligueshmërinë e kazasë, dhe e arrin vlerën e agjërimit të asaj dite.
Përktheu: Lulzim Perçuku
———————————————
[1] Kjo temë është shkëputur nga libri Fetaua Ramadan (Fetua rreth Ramazanit nga një grup dijetarësh).
[2] Mexhmu’ el fetaua i hoxhës së Islamit Ibën Tejmije (25/214).
[3] Mexhmu’ el fetaua i hoxhës së Islamit Ibën Tejmije (25/215).
[4] Fetaua el lexhne ed-daime lilbuhuthil-ilmije uel-ifta. Fetuaja me nr. 11455.
[5] El Munteka min fetaua esh shejh Salih bin Feuzan. Shtëpia botuese Darul-uatan (1/33).
[6] El Fetaua li Ibnil Uthejmin – Kapitulli i davetit (1/144, 145).
[7] Ky mendim është i kundërt me atë paraprak. Pra, rreth kësaj meseleje ka mospajtime mes dijetarëve, sh.p.
[8] Fetaua esh Shejh Muhammed Es Salih El Uthejmin (1/473, 474).
[9] Fetaua esh Shejh Muhammed Es Salih El Uthejmin (1/474, 475).
[10] Fetaua esh Shejh Muhammed Es Salih El Uthejmin (1/475).
[11] Fetaua esh Shejh Muhammed Es Salih El Uthejmin (1/476).
[12] Fetaua esh Shejh Muhammed Es Salih El Uthejmin (1/476, 477).
[13] El Munteka min fetaua esh shejh Salih bin Feuzan (3/135).
[14] El fetaua li ibnil-Feuzan (1/154, 155).
[15] Fetaua nurun aled-derb – lish shejh Salih bin Feuzan faqe: 74, 75.
[16] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 75.
[17] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 37.
[18] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 37.
[19] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 37.
[20] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 38.
[21] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 38, 39.
[22] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 39.
[23] El Fetaua Es Sa’dije i shejh AbduRrahman bin Nasir Es Sa’dij, faqe: 229, 230.
[24] El Fetaua Es Sa’dije i shejh AbduRrahman bin Nasir Es Sa’dij, faqe: 228, 229.
[25] Fetaua El Lexhne Ed Daime lil-Buhuth El Ilmije uel-Ifta fetuaja me nr. 4352.
[26] Fetaua El Lexhne Ed Daime lil-Buhuth El Ilmije uel-Ifta, fetuaja me nr. 12029.
[27] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 126.
[28] Fetaua esh Shejh Muhamed Es Sahil El Uthejmin, (1/473).
[29] Fetaua El Lexhne Ed Daime lil-Buhuth El Ilmije uel-Ifta, fetuaja me nr. 6497.
[30] Siç po e sheh ky është mendim i kundërt me atë paraprak. Pra, rreth kësaj meseleje ka mospajtime mes dijetarëve, sh.p.
[31] Fetaua El Lexhne Ed Daime lil-Buhuth El Ilmije uel-Ifta, fetuaja me nr. 13019.
[32] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 17.
[33] Fetauas-sijam i Ibën Xhibrinit, faqe: 17.