Djaloshi besimtar dhe mbreti (hadithi)

 

Transmeton Muslimi nga Suhejbi radijAllahu anhu i cili tregon se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“Ka qenë një mbret i cili i ka sunduar në popujt e mëhershëm. Ai kishte një magjistar. Kur magjistari u moshua, i ka thënë mbretit: “Unë kam arritur një moshë të shtyrë, andaj ma dërgo një djalosh që t’i mësoj magjinë (ta ushtrojë magjinë pas meje).” Dhe mbreti ia dërgoi një djalosh. Mirëpo, kur djaloshi shkonte rrugës për te magjistari, e takonte një murg (i cili ka qenë në fenë e vërtetë të Isës alejhi selam, ka qenë besimtar i mirë), ulej tek ai, i dëgjonte fjalët e tij dhe i pëlqente ato. Kur shkonte te magjistari dhe i tregonte për këtë, ai e godiste ashpër. Djaloshi u ankua një ditë te murgu për këtë dhe i thotë: “Nëse frikësohesh se magjistari të dëmton (godet), thuaji se jam vonuar se kisha punë te familja ime. E nëse frikësohesh se familja jote të dëmton diçka (të dyshojë se je ulur tek unë), thuaju se jam vonuar sepse kam ndenjur më gjatë te magjistari.” Kështu vazhdoi.

 

Një ditë, kaloi pranë një kafshe të madhe e cila ua kishte zënë njerëzve rrugën (nuk kanë mundur ta largojnë). Djaloshi thotë: “Sot do të më bëhet e qartë dhe do ta di se a është më i mirë (në rrugën e drejtë) magjistari apo murgu.” E merr një gurë e thotë: “O Allah, nëse çështja e murgut (feja e tij) është më e dashur për Ty sesa çështja e magjistarit, atëherë ma mundëso që me këtë gurë të vogël ta mbys këtë kafshë të madhe dhe t’ua lirojë njerëzve rrugën!” E hedh gurin dhe e mbytë kafshën. Lirohet rruga dhe njerëzit filluan të ecin. Shkon te murgu e i tregon se çfarë ka ndodhur. Murgu i thotë: “O djalosh, ti sot je më i mirë sesa unë (Allahu i është përgjigjur lutjes rënde.) Ti ke arritur një pozitë të lartë dhe çështja jote do të bëhet e njohur te njerëzit. Nëse të torturojnë mos trego për mua.”

 

Kështu ka vazhduar (është bërë besimtar i mirë) dhe me lejen e Allahut i ka shëruar të verbrit, të zgjebosurit dhe të gjitha sëmundjet. Një këshilltar i mbretit, të cilit i kishte humbur shikimi, ka dëgjuar për këtë djaloshin se i shëron të verbrit. Ai i sjellë dhurata të shumta dhe i thotë: “Të gjitha janë për ty nëse më shëron!” Djaloshi i thotë: “Unë nuk e shëroj askënd. Ai që shëron, është Allahu. Nëse ti e beson Allahun, unë do ta lus Atë e Ai të shëron.” Dhe këshilltari beson dhe Allahu e shëron nga verbëria. Një ditë ai vajti te mbreti dhe u ul në vendin e tij. Mbreti pa se ky po sheh. I thotë: “Kush ta ktheu shikimin?” I thotë: “Zoti im.” Mbreti e pyet: “Kush është Zoti yt?” Ai i thotë: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Atëherë mbreti e ka dënuar e torturuar derisa ka treguar se djaloshi ka qenë shkak që ai të udhëzohet në fenë e vërtetë.

 

E sjellin djaloshin para mbretit dhe i thonë: “Vërtetë ke arritur të bësh një magji të madhe saqë po i shëron njerëzit (nga sëmundjet).” Djaloshi thotë: “Unë nuk shëroj askënd. Allahu është Ai i Cili shëron.” Mbreti e torturon djaloshin derisa ai tregon se këto gjëra ia ka mësuar murgu dhe ia tregon vendin se ku gjendet ai. E sjellin murgun në pallat dhe i thonë ta lërë fenë e tij, por murgu refuzon. Atëherë mbreti urdhëron të sjellin një sharrë të madhe dhe ia vendosin mes kokës së tij duke e prerë derisa e ndajnë në dy pjesë, e megjithatë ai nuk është larguar nga feja e tij. Po ashtu e sjellin këshilltarin e mbretit dhe i thonë se a po largohet nga feja e tij, porse edhe ai refuzon. Edhe me të vepruan në të njëjtën mënyrë. Pastaj e sjellin djaloshin dhe i thonë se a po e lë fenë e tij, porse edhe ai refuzon. Atëherë mbreti u thotë njerëzve të tij: “Dërgojeni në një mal të madh dhe kur të arrini në maje, afrojani mundësinë të kthehet prej fesë së tij, nëse nuk kthehet atëherë hidheni prej malit.” E dërgojnë në malin e lartë dhe djaloshi lutet: “O Allah, më mjafto kundër tyre me çfarë të dëshirosh Ti!” Atëherë dridhet kodra dhe ata bien prej majës së malit poshtë dhe vdesin. Ndërsa djali kthehet te mbreti. E pyet mbreti se çfarë ndodhi me ata që i dërgova me ty e ai përgjigjet: “Më mjaftoi Allahu kundër tyre.”

 

Pastaj ua jep disa personave të tjerë dhe u thotë: “Hipeni me një anije të madhe dhe shkoni në mes të detit e hidheni në të nëse nuk kthehet prej fesë së tij!” E dërgojnë dhe djaloshi lutet: “O Allah, më mjafto kundër tyre me çfarë të dëshirosh Ti!” Menjëherë është luhatur anija dhe ata bien në det e vdesin. Ndërsa djaloshi kthehet te mbreti. E pyet mbreti se çfarë ndodhi me ata që i dërgova me ty e ai përgjigjet: “Më mjaftoi Allahu kundër tyre.” Atëherë këtu djaloshi i thotë: “O mbret, ti nuk mund të më mbysësh mua kurrë derisa të veprosh siç të tregoj unë.” E pyet mbreti: “Atëherë si pra të veproj?” Djaloshi i thotë: “Mblidhi të gjithë njerëzit në një sheh të gjerë. Më lidh mua në një trung peme (apo shtyllë). Pastaj merre një shigjetë nga trasta e shigjetave (kukura, këllëfi), vendose në mes te harkut dhe thuaj: “Me Emrin e Allahut, Zotit të djaloshit!” Pastaj hidhe shigjetën. Nëse vepron kështu, do të mund të më vrasësh.”

 

Kështu mbreti mblodhi njerëzit në një shesh të gjerë dhe e lidhin djaloshin në një shtyllë në mes të sheshit. Mbreti e merr një shigjetë nga trasta e tij, e vendosë në mes të harkut dhe thotë: “Me Emrin e Allahut, Zotit të djaloshit!”, e hedh (në drejtim të tij) dhe e godet  në tëmth.* Dhe djaloshi e vendos dorën në këtë pjesë dhe vdes. (Kur panë këtë ngjarje) Njerëzit brohoritën: “Besuam Zotin e djaloshit! Besuam Zotin e djaloshit! Besuam Zotin e djaloshit!”

 

I tregojnë mbretit se ajo që më së shumti i je frikësuar, ajo ndodhi, njerëzit filluan të besojnë Zotin e djaloshit. Atëherë urdhëron për marrjen e lopatave që të hapen hendeqe, ku u ndezën zjarre të mëdha dhe thotë: “Kushdo që nuk kthehet nga feja e tij, hidheni në të!” Kështu i hedhin njerëzit në këto hendeqe me zjarr. Dhe vije rendi i një gruaje e cila kishte me vete një foshnje. Ajo kur sheh se duan ta hedhin në zjarr tërhiqet pak (kishte mëdyshje, hutim, se a të hidhet apo të mohojë), mirëpo foshnja flet duke i thënë: “O nëna ime, bëj durim sepse ti je në të vërteten!” Dhe e hedhin së bashku me foshnjën.”

 

Nga kjo ngjarje nxjerrim dobi të shumta. Prej tyre si më kryesoret: përgjigja ndaj lutjeve të sinqerta të këtij djaloshi dhe se përmes lutjeve që ia ka drejtuar Allahut, Allahu i ka ndryshuar dhe rregullat e ligjet që i ka vendosur në kozmos, për shkak të besimit të pastër e të sinqertë në Allahun. Sinqeriteti (ikhlasi) i tij është bërë shkak që Allahu ta ruajë nga vdekja. Allahu, robin e tij të sinqertë dhe që i lutet Atij sinqerisht, e ndihmon kundër armiqve të tij. Sinqeriteti i tij  ka qenë shkak që edhe njerëzit e tjerë të udhëzohen (në besimin e saktë).

*Tëmth- Secila nga dy pjesët e sipërme anësore, të sheshta ose pak të futura, të kokës së njeriut, që ndodhen përtej vetullave ndërmjet ballit, faqeve dhe veshëve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Dersi “Besimi i vërtet dhe veprat e mira”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit