Disa shembuj të dashurisë së sahabëve ndaj Pejgamberit

Disa shembuj të dashurisë së sahabëve ndaj Pejgamberit

-Rasti i Thubanit i cili ka qenë një rob te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem. Ai për shkak të dashurisë së madhe që ka pasur ndaj tij salAllahu alejhi ue selem, nuk ka mundur të qëndrojë shumë gjatë larg tij. Një ditë ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me ngjyrë ndryshe të fytyrës dhe ai e ka pyetur se çfarë ka ndodhur me të (ka menduar se është sëmurë). I ka thënë: “Nuk kam dhimbje e as sëmundje, por kur nuk të shoh për një kohë të gjatë ndjej një vetmi të madhe (të egër). Mu kujtua bota tjetër dhe më kaploi një frikë se nuk do të shoh në xhenet, ngase ti do të jesh në pozitë më të lartë sesa unë, me Pejgamberët, e unë në pozitë më të ulët. Dhe Allahu ka zbritur ajetin: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta”. Nisa 69.

-Rasti i Zejd ibn Dethine, të cilin kur e kanë marrë mushrikët (idhujtarët) duke e nxjerrë prej kufijve të Mekës për ta mbytur dhe gjatë rrugës ka takuar Hubejb ibn Adijj el Ensarin të cilin e kanë marrë për të njëjtin qëllim (kanë rënë skllav në duart e tyre). Dhe ata kanë porositur njëri-tjetrin që durojnë e të qëndrojnë të fortë çfarëdo që u ndodhë prej mushkrikëve. Ebu Sufjani (në atë kohë ka qenë ende mushrik) e ka pyetur Zejdin: “A kishe dashur që në këtë moment të ishte Muhamedi në vendin tënd të mbytej nga ne dhe ti të jesh te familja jote?” Ai është përgjigjur: “Pasha Allahun, nuk dëshiroj që ai të goditet nga një gjemb në vendin në të cilën ndodhet tash e unë të qëndroj rahat në familjen time.” Ata të dy kanë pranuar të vriten dhe nuk kanë dashur që Pejgamberi të goditet as nga e keqja më e vogël. Ebu Sufjani ka thënë: “Nuk kam parë dikë ta duan më shumë sesa Muhamedin shokët e tij.”

-Rasti i Nusajba bint Kab el Ensarije, të cilët i janë vrarë (kanë rënë dëshmorë) babai, vëllai dhe bashkëshorti i saj në betejën e Uhudit dhe kur ia kanë shënë lajmin ajo ka thënë: “Çfarë ka ndodhur me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem?” Mendja i ka shkuar menjëherë tek ai. Kur ka parë se ai është gjallë ka thënë: “Çdo fatkeqësi pas kësaj është e lehtë.”

-Rasti i sahabiut i cili ka pasur në gisht një unazë ari dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ia ka marrë e ia ka hedhur në tokë. Pastaj i ka thënë: “A dëshiron ndokush prej jush të vendosë në dorën e tij një gacë prej gacave të xhehenemit?” Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është larguar, të tjerët i kanë thënë: “Merre unazën e shite (përfito prej saj)!” Mirëpo ai ka thënë: “Jo, pasha Allahun, atë gjë që e ka hedhur Pejgamberi unë kurrë më nuk e marr.”

Bota nuk ka njohur një gjeneratë më të ndershme, më të ngritur, më të lartësuar, më të mëshirshme e më madhështore, sesa gjenerata e sahabëve. Ata kanë qenë brez unik prej brezave të tjerë. Ata kanë qenë njerëz të dalluar prej njerëzve të tjerë. Ata (ishin të tillë) sepse u edukuan prej shkollës së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Andaj, ishin të sinqertë në bindjen dhe pasimin ndaj tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit